Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 10 11 12 13 14 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Integration - an irreversible process
Integrimi europian është tashmë një moto kontinentale, që ka zënë të sendërtohet në dy drejtime: si bashkim europian për vendet e zhvilluara dhe si integrim në Europë për vendet e tjera. Kjo është një moto, që po thith konsensus gjithnjë e më të thellë e gjithnjë e më të gjerë, por në këtë rrugë e sipër i është dashur dhe ende i duhet të kacafytet me ndërdyshje të natyrave të ndryshme, të cilat vinë kryesisht prej merakut për asgjësimin e kulturave "inferiore" apo prej ambicjes për të diktuar me kultura "superiore". Ky është përveç të tjerash edhe një problem planetar, që e ka nxjerrë në skenë dukuria shumë e diskutuar e globalizmit, e cila ngjan tashmë me një prirje natyrore e të pakërcënuar. Kjo është aq e vërtetë, sa sot, kundërshtarët e globalizmit, nuk duan ta sfidojnë, por thjesht ta kontrollojnë atë. Dhe me të drejtë. Globalizmi nuk është shpikje që mund ta ndalosh. Është ngjarje që duhet ta ndjekësh, qoftë dhe në rastin kur je i terrorizuar prej saj. Në një farë kuptimi, është një nga evenimentet më të rëndësishme në historinë mijëvjeçare të njerëzimit, pasi priret ta ndryshojë botën deri në atë masë, sa ajo të mos njihet më. Në botën moderne, diversiteti kulturor është parë si një thesar, ndërsa bashkëjetesa në diversitet, si një pedanë e shkëlqyer për të kërcyer përpara. Sot, tendencat integruese nuk është se e përjashtojnë bashkëjetesën në diversitet, por thjesht ngrihen mbi këtë, për të arritur në një botë, ku diversiteti (i kuptuar si larmi e identiteve kolektive) do të tretet çdo ditë e më shumë.
Semiologu i famshëm italian, Umberto Eco, në një artikull të vetin përfytyronte natyrshëm me mall e me dhimbje kohën kur Marko Polo, pasi kthehej nga udhëtimet e gjata, nuk ngopej së rrëfyeri peripecitë e tij dhe çudirat që kish zbuluar, ja, në këtë botë, e cila qëmoti ishte mrekullisht e larme, ndërsa sot nuk është më. Nisesh nga Europa, i hipën një avioni supersonik dhe në intervalin e disa orëve, je në një vend të Lindjes së Largme; prej andej mund t'i dërgosh një shkrim një të përditshmeje të vendit tënd, që të nesërmen botohet e ti mund ta lexosh në internet. Shkon atje, sistemohesh në një hotel "Holiday Inn", del për të ngrënë diçka e këmbët të ndalen pranë një McDonald's-i, del në rrugë e ballafaqohesh me qytetet e betonta, me njerëz të veshur me tesha të markës "Valentino" e "Armani", me dyqane, ku shitet çdo gjë që prodhohet kudo, sipër të cilave, ka diçka të shkruar me drita shumëngjyrëshe në gjuhën angleze. Shkurt, kthehesh në shtëpi e nuk ke ç'të tregosh. As që të pyet njeri, në fund të fundit. Ky është këndvështrimi poetik mbi globalizmin. E jo vetëm poetik.
Sikur mëdyshjet mbi globalizmin planetar dhe integrimin europian të ngriheshin vetëm mbi këtë fakt, kjo do të ishte mjaft për të siguruar të drejtën legjitime për të gjalluar. Por, thellë-thellë, nuk është ky uniformitet i jashtëm që na tremb. Është frika prej uniformitetit të brendshëm, prej zhvlerësimit të kulturës së vendit tënd, të gjuhës, të traditës, mjedisit e mikromjedisit shpirtëror, shkurt, prej humbjes së identitetit. Kjo është frikë që vjen njësoj, edhe prej krenarisë boshe e të rrezikshme që ngrihet mbi një identitet, që jo vetëm nuk ndjek qytetërimin, por edhe i kundërvihet egërsisht atij (fjala vjen, integralistët islamikë), edhe prej nevojës kuptimplote e bajagi intelektuale për të qenë i ndryshëm në këtë botë të madhe. Njerëzit, për arsye të njohura, krahas identitetit individual, kanë zhvilluar vazhdimisht e vendosmërisht edhe një identitet kolektiv, i cili, prej disa shekujsh quhet identitet kombëtar. Tendencat për t'iu kundërvënë identitetit kolektiv apo kombëtar (që nga stoikët e Greqisë antike deri te iluministët e shekullit XVIII-të e rnë tëhu) kanë qenë të pafrytshme. Ai është zhvilluar paprerë. Thënë ndryshe, nevoja për të qenë i armatosur me këtë lloj identiteti, është ndjerë gjithmonë e më shumë. Sot ndjehet gjithashtu, jo aq për mbrojtje, se sa për një rekuizitë, jashtë së cilës ti nuk ke nga ia mban, për të mos thënë që mund të ndihesh një hiç. Dhe jemi në këtë pikë, kur bota nuk është më e ndarë dhe e frikshme si më parë, madje po tenton të shndërrohet në një fshat global, ndërsa ne, homo sapiens-at e sotëm, nuk e kemi aq të lehtë të bëjmë pa rrobën e identitetit kombëtar, duke iu bërë pengesë në këtë mënyrë përpjekjeve integruese.
Paradoksalisht, shqiptarët si popull nuk duket se jetojnë shumë me këtë frikë. Bën përjashtim sigurisht një pjesë e elitës së këtushme, të cilët kanë zënë të shqetësohen për haraçet që i duhen paguar këtij integrimi, apo për vendin që duhet e mund të zëmë në një Europë të integruar.
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 10 11 12 13 14 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.