Forumi Horizont Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 4 [5]
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Arsimi Shqiptar (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=118)
-- Si mendoni a duhet apo jo te liberalizohen universitetet ne shqiperi....?! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9022)


Postuar nga amoxil datë 20 Gusht 2005 - 09:05:

Universiteti në dorë apo në mendje

Nga Dritan NELAJ*
*Përfaqësues i Qeverisë Studentore Shqiptare


Universiteti vazhdon të jetë temë e shkrimeve dhe komenteve në median e shkruar. Do të ishte akoma më mirë nëse prezantime të tilla të mund të fitonin dinamikën e debatit, e cila do të krijonte një mundësi për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe atë të universitetit. Duke iu drejtuar shqetësimit më të afërt, atij të të liberalizimit të hyrjes në universitetet publike, mendoj se është me vend që të kujtoj një çështje që s'është trajtuar në mënyre të veçantë gjatë këtyre ditëve.
Sido që të rrjedhë debati apo vendimi për liberalizimin e plotë të hyrjes në universitet apo për atë të pjesshëm, të bërë fakt nga Këshilli aktual i Ministrave, diçka mbetet pothuajse e pandryshuar, ajo që Shqipëria është një vend i vogël, i cili për një sërë rrethanash nuk do të mundë t'i japë ngjyrimin dominues hapësirës globale të dijes në fusha të ndryshme. Duke mos dashur të bie në "determinizëm", mendoj se ne do të vazhdojmë ta "konservojmë" dhe po ashtu ta përdorim në funksion të interesit tonë shoqëror dijen e akumuluar nga një botë e cila lëvron dhe krijon dije të vazhdueshme. Në funksion të këtij arsyetimi, përballimi i kostos së liberalizimit të plotë apo të pjesshëm të hyrjes në universitet, minimizon mundësinë që për herë të parë politikëbërësit të mund të drejtonin vëmendjen në krijimin e një ekuilibri midis Arsimit të Lartë dhe atij të Mesëm profesional. Është e qartë se kurrikulat (duke përfshirë këtu dijen teorike dhe atë praktike) në pjesën më të madhe të shkollave të larta universitare janë shumë pak të orientuara ndaj tregut të punës, gjë që çdo njeri mund ta konstatojë ose duke i analizuar ato apo duke ndjekur me vëmendje shumë e shumë raste kur studentë të cilët janë nderuar me një diplomë kanë vështirësi në gjetjen e një vendi pune apo kur puna që bën nuk ka asnjë lidhje me diplomën pa "jetë". Përpos kësaj, vendimi i para pak ditëve të Këshillit të Ministrave për çeljen e një sërë degësh të reja në universitetet aktuale, pa pasur të dhëna serioze mbi nevojën apo jo të degëve të tilla në raport me zhvillimin e tregut në këto qytete apo zhvillimeve shoqërore, e rëndon akoma më tepër situatën.
Duke ditur që Shqipëria nuk mund të ketë pafundësisht mjekë, psikologë, financierë, menaxherë, sociologë, avokatë-noterë, inxhinierë, mësues, biologë, është e rëndësishme që të mendohet se ndoshta Shqipëria ka nevojë dhe do të ketë për krijues faqesh interneti, administrues rrjetesh kompjuterike, teknikë televizorësh, marangozë e hidraulikë, gatues apo flokëpunues e të tjera si këto. Tashmë ndoshta kuptohet më qartë se paratë që do të nevojiten për të përballuar këtë liberalizim të përshpejtuar mund të ishin përdorur për të forcuar shkollat profesionale, të cilat japin një zanat konkret dhe relativisht të shpejtë në kohë apo për të çelur degë të reja, të cilat i përgjigjen nevojave të tregut të punës ose zhvillimit shoqëror. Nëse universitetet shqiptare nuk reformojnë realisht kurrikulat, duke i orientuar ato si në dimensionin akademik, në atë të vlerave qytetare, por edhe në atë të tregut të punës, "liberalizimi" përveçse do të pakësonte mundësinë e ekuilibrimit të ofertës midis shkollave të larta universitare dhe atyre profesionale, gjithashtu do të shumëfishonte papunësinë e studentëve që do të përfundonin shkollimin pas disa vitesh. Nga ana tjetër ne nuk jemi të detyruar të zgjedhim midis "akademizmit dhe dijes së tregtueshme", sepse jo në të gjitha rastet përjashtojnë njëra-tjetrën.
Reforma midis formës dhe
përmbajtjes
Fjala reformë artikulohet ndoshta në çdo grimcë të prononcimeve mediatike të lidhura me Arsimin e Lartë, por që rrallë kanë rezultuar diçka me kuptim konkret dhe ndikim real për universitetin. Ajo çka vërehet qartë në këto vitet e fundit është se vëmendja dhe përpjekja për reformimin e Arsimit të Lartë në "formë" e ka zbehur pothuajse tërësisht vëmendjen ndaj reformimit në "përmbajtje", i cili mbart në vetvete impaktin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë. Mesa duket, gjithnjë e më tepër politikanët dhe komentuesit e tyre po bëhen viktima të treguesve makro, duke u shkëputur gjithnjë e më tepër nga terreni mikro, "terreni i përditshëm dhe real". Nëse vihet re, pjesën dërrmuese të artikulimit ndaj reformimit të universiteteve e zënë togfjalëshat: Procesi i Bolonjës, Arsimi Europian, Tregu Europian, sistemi ECTS (i krediteve), sistemi 3+2, ku ndoshta këto dy vitet e ardhshme do të bëhet "3+2+3", njohjen gjithnjë e më të afërt të diplomave, ndërkohë që dëgjohet gjithnjë e më pak kërkimi shkencor, literatura e bollshme dhe e përshtatshme, kualifikimi i vërtetë i stafit akademik, procesi i vlerësimit të dijeve, mirëqenia e studentit, reformimi i "ndjeshëm" i ushqimit-dije apo roli i universitetit në shoqëri. Një zonjë plakë, e cila përdor rimel, ton për fytyrën e të tjera si këto, nuk rrezaton shkëlqim dhe rini. Në këtë kuadër, është jetike dhe emergjente që aktorët e ndryshëm si brenda Arsimit të Lartë edhe jashtë tij të mund të përpiqen për të ekuilibruar si "fjalimet" përkundrejt reformimit në formë dhe përmbajtje, por gjithashtu edhe përpjekjet e vërteta. Gjithashtu, në mënyrë që procesi reformues të marrë frymë lirisht dhe të transmetojë qëllimin e tij, ndoshta ka nevojë edhe për një parakusht që, në kontekstin shqiptar është më i vështiri, ai i demokracisë brenda hapësirës së Arsimit të Lartë, ku grupet e interesit apo individët të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda Arsimit të Lartë të kishin mundësi që të mbronin dhe promovonin interesat e tyre, gjë që do të krijonte presion konstant ndaj vendimmarrjes shpesh cinike dhe të papërgjegjshme. Vetë Procesi i Bolonjës, ndoshta, duhet parë si një mundësi që po përdoret për të ndërtuar nyje komunikimi dhe kuptueshmërie ndërmjet universiteteve, "dijes që ato lëvrojnë dhe transmetojnë". Bolonja nuk mund të jetë reformë pastërtisht kombëtare, duke mos mbartur mundësinë për të ndikuar shpejt dhe dukshëm në aktivitetet specifike të çdo universiteti. Kështu që, përpos përkujdesjes për Procesin e Bolonjës, i cili na mbush të gjithëve me "lavdi", është e domosdoshme që të prekim më në thellësi shpirtin dhe nevojën për zhvillim të universitetit shqiptar.
Ndoshta Arsimi i Lartë është vërtet i rëndësishëm.


  Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 4 [5]
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.