| Forumi Horizont | Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 45 46 47 48 49 50 51 52 53 [54] 55 56 57 58 59 60 61 62 63 » ... E fundit » Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)
Kombëtarja B: "Epidemia" para Norçias
Ashtu si një vit më parë, po në të njëjtin turne, Brigeli zhgënjehet nga të besuarit e tij.
Nuk është aspak e pabesueshme, por tashmë për Brigelin po përsëritet eksperienca e parë e hidhur në krye të kuqezinjve tanë. E thënë ndryshe, si sot një vit më parë, ai provonte zhgënjimin total në mes maleve të Norçias, ose, e thënë ndryshe, "epideminë" para Vietnamit. Besoj të gjithë i kujtojnë peripecitë e gjermanit për t'i mbledhur futbollistët e kombëtares për një ndeshje miqësore me Vietnamin. Kujtojnë edhe gjobat që iu vunë Fatmir Vatës dhe Altin Lalës nga komiteti ekzekutiv i FSHF-së për mosvajtjen atje, sikurse nuk mund t'i kenë harruar sakrificat e Fakajt dhe të Muratit, që, edhe pse të dëmtuar, udhëtuan tërë natën nga Gjermania dhe Greqia, që t'i mbushin mendjen stafit mjekësor të kombëtares dhe vetë Brigelit, se vërtet ishin të pamundur për këtë miqësore. Hidhemi përpara në kohë. Pasi ka kaluar plot 1 vit, tabloja përsëritet, por me një ndryshim të vogël. Nëse atëherë u fol për "pashallarë" të kuq që nuk dëshironin të vinin në kombëtare për një miqësore të vogël, tashmë kjo "patologji" është zhvendosur te "olimpikasit", të cilët s'i kanë futur ende këmbët në kombëtaren e parë. Me sa po vërtetohet nga dy turnetë e radhës të kombëtares B, "Vajo Do Tejo" dhe ai i Norçias, eksperienca e parë e trajnerit të kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, në krye të kuqezinjve tanë (shkurt 2003) po i rikujtohet atij si diçka tjetër jo pak e hidhur në planin profesional. Pasi e ka provuar zhgënjimin e parë në detyrën e re me "suksesin" dhe nivelin e kombëtares B, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë dot asnjë ndeshje në turneun e Portugalisë, një "haraç" të tillë duket se do ta marrë edhe në Norçia.
Mungesat e disa lojtarëve të thirrur prej tij për këtë turne, natyrisht që do të eklipsojnë për të njëqind e një mijë hamendje. Në fakt, një dukuri e tillë në prag të këtyre dy turneve po ngre shumë pikëpyetje te të gjithë sportdashësit e ekipit kombëtar të futbollit, pse jo edhe te ne gazetarët, teksa dita-ditës po mësojnë nga një "olimpikas" të pamundur për t'i shërbyer kombëtares së vendit të tij në ndeshje të këtij lloji, që në fakt janë gur prove për ta. Duke e lënë mënjanë Brigelin, i cili duhet të dijë t'i peshojë vetë situatat që po krijohen në këtë rast dhe të mbajë qëndrimin e tij karakteristik, si një gjerman profesionist (nëse nuk është shqiptarizuar ende), duhet thënë se "epidemia" e dëmtimeve para turneve miqësore të këtij lloji të lërë një shije pak të keqe. Në këtë mes, vetëm për FSHF-në duket se nuk kanë rënë aspak kambanat, pasi për drejtuesit e saj, mungesat mund të kompensohen me lojtarë të tjerë "mbushës gropash" (jo në aspektin profesional). Kësisoj, "diagnostikimi" i kësaj dukurie, që po bëhet e zakonshme, vjen e bëhet më sipërfaqësor, pasi justifikimet janë të njëjta, dëmtime apo angazhime personale të futbollistëve. Gjithçka është rrokullisur me një shpejtësi të tillë, sa nuk të besohet se disa prej këtyre futbollistëve kanë luajtur nga 90 minuta me skuadrat e tyre jo më larg se 5 ditë më përpara. Megjithatë, nuk duam ta rendisim aspak veten tonë në radhët e atyre gojëve të liga, të cilët "shtien fall me hudhra", siç thotë edhe populli, pasi nuk është e drejta jonë t'i paragjykojmë qëndrimet dhe justifikimet e askujt, por e mira do të kishte qenë që të shikonim një ekip të plotë kombëtar në ndeshjen e parë të turneut të Norçias. Gjithsesi, na takon të kujtojmë për këdo faktin tjetër, se skuadra jonë kombëtare e ka një staf të specializuar mjekësor, i cili mund ta bënte fare mirë verifikimin e të dëmtuarve, duke dhënë edhe vendimet e tij. Shembulli i vjetshëm i Ervin Fakajt dhe i Edvin Muratit, të cilët ia lanë veten në dorë stafit mjekësor kuqezi 1 vit më parë, duhet marrë si shembull në kësi rastesh. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe futbollistët e tjerë, të cilët pretendojnë se janë të dëmtuar, apo kanë paraqitur justifikime të diskutueshme. Nëse ata nuk e kanë kuptuar ende sa duhet moton e punës së gjermanit Brigel, se në sytë e tij të gjithë futbollistët shqiptarë janë të njëjtë, pa dallim, nëse luajnë brenda apo jashtë vendit, është mirë të shikojnë nga "garda e vjetër" sesa aktuale është krasitja që ky njeri bën dhe me sa pak "sedër" di ta bëjë...
| Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 45 46 47 48 49 50 51 52 53 [54] 55 56 57 58 59 60 61 62 63 » ... E fundit » Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.