Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 50 51 52 53 54 55 56 57 58 [59] 60 61 62 63 64 65 66 67 68 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 19 Shkurt 2004 - 14:20:

Kuqezinjtë "ngrijnë" nordikët në "Qemal Stafa"

Kombëtarja fiton 2-1 ndaj Suedisë, finalistes së Euro 2004-s, dhe mbetet e pathyeshme në shtëpi.

Tashmë mund të quhemi pa frikë të pathyeshëm në fushën tonë. Pas Rusisë, Zvicrës, Irlandës etj., skuadra të njohura evropiane këto, i erdhi radha edhe Suedisë nordike, finaliste e Evropianit të këtij viti, që të provojë "shuplakën" kuqezi. Mbrëmë "Qemal Stafa" ka "prodhuar" një tjetër spektakël të kombëtares sonë, e cila i ka kënaqur pa masë mijërat e tifozëve kuqezinj, të cilët nuk kanë dashur t'ia dinin për të ftohtin e madh, por e kanë skuqur ndërkombëtarin tonë. Kësaj here nuk kemi marrë pikë për ndonjë lloj renditjeje, por kemi treguar se jemi në rritje të vazhdueshme dhe nuk ndihemi aspak inferiorë para çdo kundërshtari. E thënë ndryshe, pas ndeshjes së mbrëmshme, të gjithë kemi të drejtë të besojmë se Shqipëria edhe mund të pretendojë. Në fakt, miqësorja e mbrëmshme nuk ka sjellë ndonjë të re, për sa i takon mënyrës së lojës dhe emrave që ishin në fushë. Trajneri Brigel u ka besuar kuqezinjve titullarë, që kanë luajtur edhe në fazën kualifikuese për Euro 2004, vetëm me pak ndryshime në repartin e sulmit. Kështu, në katërkëndorin kuqezi është vendosur sërish kapiteni Strakosha, i cili i ka sfiduar, si gjithnjë, vitet që ka mbi shpatulla dhe ka shkëlqyer, sepse ka qenë vërtet shpëtimtar në disa raste. Përpara tij qëndronte Geri Çipi, përherë i pakalueshëm, ndërsa në krah të tij vinin Ardian Aliaj dhe Elvin Beqiri, edhe këta në lartësinë e duhur. Madje vlonjati i Oberhauzenit ka arritur ta përsërisë suksesin e tij, duke shënuar një tjetër gol, atë të fitores. Mesfusha përbëhej nga të zakonshmit Hasi, Skela, Cana, Klodian Duro dhe Murati. Të pestë, pa përjashtim, kanë zhvilluar një ndeshje tepër dinjitoze. Prej tyre duhet veçuar kosovari i Paris SG-it, Lorik Cana, i cili ka nxjerrë një 90-minutësh "të artë". Sulmi, në fillim të ndeshjes i është besuar Rrakllit dhe Bushit, që nuk janë marrë vesh edhe aq mirë me njëri-tjetrin. Megjithatë, aktivizimi i Tares dhe i Myrtajt në pjesën e dytë, në vend të tyre, ka treguar se kjo dyshe qëndron më lart. Veç të tjerash, kombëtarja shqiptare ka treguar sërish mbrëmë se di të reagojë edhe kur gjendet në disavantazh, gjë të cilën e ka treguar edhe në ndeshjet paraardhëse. Ndonëse kanë pësuar një gol në fillimin e pjesës së dytë, kuqezinjtë tanë nuk janë demoralizuar aspak, por e kanë rritur forcën e sulmit dhe kanë arritur të shënojnë dy herë me anë të "trurit" të mesfushës kuqezi, Skela, dhe "snajperit" Ardian Aliaj. Po kështu, i rëndësishëm është edhe fakti tjetër: kuqezinjtë, megjithëse udhëhiqnin ndaj kundërshtarit, nuk kanë lëshuar terren, por kanë tentuar të shënojnë sërish. Nëse rasti i artë i Tares dhe penalltia e Skelës do të ishin finalizuar me sukses, fitorja e mbrëmshme do të ishte edhe më me peshë. Gjithsesi, sikurse ka thënë edhe vetë Brigeli pas ndeshjes, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Vërtet kombëtarja jonë ka hyrë tashmë në "bursën" e futbollit evropian, por finalet e një evropiani apo botërori mbeten ende ëndërr. Mbase Brigeli, me punën e tij, falë përkushtimit dhe sedrës së futbollistëve, shto këtu edhe atë mbështetje të fuqishme të tifozerisë së zjarrtë kuqezi, do ta çojë këtë kombëtare më lart. Mbase s'duhet nxituar, apo kaluar në eufori, por shenjat e një gjëje të tillë i kemi dhënë më shumë se kurrë mbrëmë...


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 50 51 52 53 54 55 56 57 58 [59] 60 61 62 63 64 65 66 67 68 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.