Forumi Horizont | Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Figura të shquara (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=117)
-- Kulture dhe figura te qytetit te Shkoders (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12387)
Kush është vajza, që iu kushtua "Lule Bora"?
Është një histori e çuditshme, të cilën e kanë marrë përsipër shumë vajza të asaj kohe. Shumë prej tyre kanë thënë se janë pikërisht ato , të cilave u është kushtuar "Lule Bora. Por vajza e vërtetë, nga lindi ky frymëzim, tani ndodhet në Amerikë. Në një koncert, që muzikantët shqiptarë kishin organizuar në Nju Jork, ku mes të cilave ishte edhe gruaja e Simon Gjonit, ata kanë kënduar edhe këngën "Lule Borë""E kanë prezantuar këtë këngë si të Pjetër Gacit, të Prenk Jakovës, apo këngë popullore. Megjithatë, kjo këngë është e Simonit",- thotë me bindje gruaja e tij Hermira Gjoni.. "Mbaj mend- thotë ajo, - që këtë këngë e kemi kënduar shpesh në Nju Jork, në shumë koncerte. Dhe kur e kemi kënduar në një koncert, erdhën e na uruan shumë njerëz. Mes tyre vjen njëra dhe na thotë "Unë jam Lule Bora". U habitëm dhe u mblodhëm të gjithë përreth duke e pyetur. Ajo na tregoi historinë e krijimit të kësaj kënge. Dhe na rrëfeu."Unë atëherë kam qenë gazetare dhe punoja në gazetën "Bashkimi. Isha vajzë e re 19- vjeçe. Shkova në Shkodër me një shërbim. Dikush më kishte dhënë një pako për Zef Palin. Atje ku shkova ta takoja në Shtëpinë e Kulturës, ishte një kopsht i bukur dhe u ulëm të pinim një kafe. Ndërsa unë i flisja për letërsinë, për gazetarinë, etj, ai nxori një letër nga xhepi dhe ndërsa unë vazhdoja të flisja ai çuditërisht shkruante. Kur kishte mbaruar, ma drejton letrën mua dhe më thotë: këtë e kam për ty. Pastaj këputi një tufë lule bore dhe m'i zgjati mua. U ngritëm për të ikur (unë duhej të kthehesha në Tiranë). Por unë nuk e dija që fati kishte caktuar që unë të jetoja atje dhe të takoja bashkëshortin tim atë ditë. I thashë, po këto lulet ku t'i çoj? - Hajde më tha- tek ime më se është e sëmurë dhe jepja asaj lulet. Shkova dhe lulet ia fala nënës së tij. Unë më pas u ktheva në Tiranë, dhe vazhdova me të përditshmen time. Ndërsa pas katër ditëve dëgjoj në altoparlantin e gazetës "Bashkimi" : " Nga Radio Shkodra do të dëgjoni këngën "Lule Bore". Kështu rrëfeu vajza ( Florenca Pali) historinë e vargjeve të "Lule Borës". Më tej frymëzimi kishte kaluar tek kompozitori. Gruaja e kompozitorit, Mira, rrëfen se si autori i vargjeve, Zef Pali, sa ishte nisur Florenca për në Tiranë ia kishte dhënë vargjet Simonit. "Nëse të frymëzojnë këto vargje, merri dhe muzikoi"- i kishte thënë poeti. Ndërsa Simoni, menjëherë kishte hedhur muzikën dhe grupi, i miqve të tyre Tish Daija, Zef Gruda, Tonin Rrota,etj, që kishin kompleksin e vogël muzikor në radio Shkodra e kishin incizuar "Lule Borën". Ndërsa Florenca e kishte dëgjuar pas katër ditësh në radio. "Asnjëra nga ato vajza që thonë se unë jam "Lule Bora" nuk thotë të vërtetën. Në të vërtetë unë jam ajo që frymëzova ato vargje, e më pas atë muzikë - kishte rrëfyer Florenca, atë ditë pas koncertit në Nju Jork.
……………………………..
Ajo vjen çdo vit në Shqipëri, që nga Nju Jorku, ku jeton e punon prej vitesh. Dhe sa çmallet me miqtë e të afërmit që ka këtu, rend me vrap drejt arkivave, bibliotekave e sirtarëve, ku mund të gjeje, ndonjë pentagram të shkruar nga Simon Gjoni. Dhe vit pas viti, ajo pa se mblodhi vërtet shumë, këngë, balada, poema simfonike, pjesë orkestrale, etj. Hermira Gjoni, i kishte vënë qëllim vetes që t'i gjente të gjitha ato çka kishte shkruar bashkëshorti i saj, kompozitori i shquar Simon Gjoni. Tani duket se ka arritur shumë. "Kam mbledhur 80 % të veprës së tij- thotë Mira, teksa rrëfen gjatë një bisede në bar "Pizza". Duket se është shumë e lodhur. Një ditë më parë ka takuar e ka folur me qindra njerëz. Mbrëmjen e së shtunës, ajo ka rrëfyer e ka dëgjuar shumë histori e vlerësime për kompozitorin e njohur. Ka prezantuar veprën e tij, e ka mbledhur me shumë mund të cilën arriti ta botojë në dy albume. Pastaj e dëgjoi këngë e romanca që nuk ishin ekzekutuar kurrë më parë, dëgjoi edhe pjesë shumë të njohura, madje edhe ato që gabimisht për shumë vite janë cilësuar si të kompozitorëve të tjerë. Por si për ta nxjerrë në krye të vërtetën pinistja Hermira Gjoni, hetoi për shumë kohë dhe arriti më në fund që t'i mblidhte dhe t'i botonte të plota veprat e tij.
Shumë herë është lodhur në këtë kërkim, madje edhe është zhgënjyer e zemëruar. Ka parë që notat e hedhura në pentagrame, me laps plumbi nga kompozitori, në shumë partitura ishin fshirë, pjesë të tjera s'i gjente dot se ishin zhdukur… Por edhe e kanë ndihmuar. Kryesisht, kanë qenë instrumentistë, dirigjentë, soprano, apo tenorë, të cilët i kishin ekzekutuar në vite këngët dhe muzikën e Simon Gjonit. Ata ia kanë kthyer dhe ajo ka bërë çmos t'i kthejë në gjendjen e mëparshme.
Këtë odise kërkimesh e ka nisur që në vitin 1996. E që prej atij viti ajo sa herë vinte e gjente materiale, i merrte me vete në Amerikë, e atje i punonte në qetësi, i redaktonte dhe vetëm kur ishin gati për botim, i linte mënjanë. "Pas botimit të dy albumeve të para "Album me romanca" dhe "Album për piano", po punoj për një tjetër përmbledhje të krijimtarisë së tij. Në muajin maj do të dalë një album me këngë lirike të Shkodrës",- thotë Mira, duke rrëfyer se janë të gjitha krijime, që Simon Gjoni i hodhi në letër në vitet e rinisë së tij. "Ka mbi 200 këngë, por jam munduar të zgjedh më të mirat e kam përmbledhur vetëm 30 prej tyre në këtë album",- thotë ajo.
Ndërsa në një album tjetër për të cilin po punon ende, Mira ka ndërmend të mbledhë të gjithë këngët korale. Këtë album do ta botojë vitin e ardhshëm. Pastaj ka në plan të botojë më vete gjithë veprat instrumentale, për flaut, për violinë, klarinetë, etj., e në një album tjetër pjesët simfonike.
Mira ka qenë edhe kritikja e parë, apo vlerësuesja e parë e veprës së tij. Madje shumë vepra, ( ato për piano), i ekzekutonte ajo e para. Si e tillë, ajo ka pasur fatin ta ndjekë shumë nga afër krijimtarinë e tij. Dhe kujton shumë nga vepra e tij. Kujton momentet, e krijimit, historitë, datat, dhe miqtë, që ai ua kushtonte, burimet e frymëzimit dhe bashkëpunëtorët e tij. Nisur nga kjo histori, ajo edhe gjen shumë prej veprave të Simon Gjonit. Kjo më ka ndihmuar mjaft në kërkimet e mia",- thotë Mira, duke rrëfyer edhe histori të veçanta të shumë prej notave të hedhura në pentagrame. Por ka ende për të gjetur. Kanë mbetur edhe ca histori që ajo kujton që prej kohës kur ai kompozonte. Veçse atyre historive ajo nuk ua ka gjetur ende partiturat.
Pak për Simon Gjonin
Ka lindur në qytetin e Shkodrës, ku u edukua në një familje të thjeshtë qytetare dhe u arsimua në gjimnazin Illyricum" të këtij qyteti. Shumë shpejt mësoi kitarën, trompën pianon dhe me entuziazëm e me pasion iu kushtua artit të muzikës. Në vitet e rinisë së tij, kompozoi mbi 200 këngë origjinale, që shumë shpejt u përhapën në gjithë Shqipërinë si "Lule- Borë", "Syt' e tu si drita"" End o vash", etj.
Studimet e larta i kreu në vitet 1952-1958 në Akademinë e lartë muzikore të Pragës ( Çekosllovaki). Në 1956-1958 në qytetin e Pragës dirigjoi Shubert "Rozamunda" "Grieg "Peer Gynt", i Benda "Pygmalion" F.List "Le preludes". Në vitin 1958 kthehet në Shqipëri dhe punon në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, ku dirigjoi shumë vepra botërore, të cilat gjetën interpretimin e parë si operat "Donixeti "Don paskuale", "Kavallo", "Paliaçot" "Rossini "Berberi i Seviljes" Tish Daija "Pranvera" dhe baletet Vasiljenko "Lola", " Laurencia?", etj. Nën kujddesin dhe paisonin e tij incizoi shumë vepra të kopozitorëve shqiptarë: Zadeja, Gaci, Nova, Daija, Harapi, Dungu, Grimci, Zoraqi, Kono, etj. Si dhe muzikën e disa filmave shqiptarë. Në vitin 2967 dirigjon në Kinë veprat e kompozitorëve shqiptarë. Simon Gjoni është një nga themeluesit e orkestrës simfonike të RTSH, me këmbëngulje dhe disiplinë punoi për rritjen, individualitetin dhe zhvillimin e kësaj orkestre. Nga kompozitorë te parë shqiptarë, ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri: Bethovenin, "Simfoninë nr.7" dhe "Simfoninë nr.8", Mendelson "Ëndërr e një nate vere". K.M. Veber "Gjahtari magjik". Belini "Norma", "Bethoven "Leonora", Grieg "Peer Gynt" etj. Aktivitetin pedagogjik e filloi në vitin 1958 në liceun artistik "Jordan Misja" dhe më vonë në 1967 është një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, sot Akademia e Arteve. Si kompozitor krijimtaria e tij ka kaluar në të gjitha gjinitë që nga kënga, romanca, kantata, suita, balada, pjesë për piano, klarinetë dhe violinë, si dhe vepra të mëdha orkestrale, 8 valle simfonike, poema simfonike, suita simfonike e deri në simfonia në Mi b. mazhor. Në fushën e kritikës muzikore ka lënë punime të shumta teorike në lidhje me temën arritjet e artit muzikor shqiptar, dhe veprën e tij, "Instrumenti dhe arti i orkestrimit. Për S. Gjonin Çesk Zadeja, do të thoshte "Emri i Simon Gjonit do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare.
Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.