Forumi Horizont | Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 » Trego 9 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Elbasani (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=16824)
Shkrumbohet teatri “Skampa”
Shkrumbohet teatri “Skampa” në qytetin e Elbasanit dhe një godinë ngjitur saj, shpëtojnë vetëm zyrat përreth. Kanë mjaftuar 30 minuta që skena, salla me 292 vende, lozhat e gjithçka tjetër të përfshiheshin nga flakët dhe të bëheshin shkrumb e hi.
Zjarri mendohet të ketë rënë në pjesën e çatisë dhe është përhapur me shpejtësi më pas duke përfshirë pjesën e brendshme dhe sidomos sallën e teatrit. Për shkak të përbërjes me dru dhe veshje cope ka mjaftuar një shkëndijë që zjarri të përfshirë me shpejtësi fillimisht skenën, më pas vendet e qëndrimit të spektatorëve, lozhat dhe gjithçka në brendësi duke përfshirë pajisjet, fonitë sistemin e kondicionimit të vendosur vetëm një vit më parë.
Sipas dëshmitarëve zjarri ka rënë rreth orës 16:00 dhe sipas të njëjtave burime zjarrfikësit kanë mbërritur rreth orës 16:25, që kanë qenë dy mjete fillimisht.
Nga zjarri janë kërcënuar arkiva, studio televizive, zyrat e administratës si dhe një librari e një lokal në holl. Të rinjtë kanë nxituar të nxjerrin nga holli të gjithë librat që rrezikoheshin të digjeshin si dhe kanë mbushur kovat me ujë për të evituar përhapjen më tej të flakëve.
Vetëm dy orë më pas zjarri është vënë nën kontroll. Dëmet janë të pallogaritshme si për teatrin “Skampa” që u shkrumbua në total, ashtu edhe për godinën ngjitur.
Teatri i ngritur si kinema Nacional në vitin 1938, ishte monument i rëndësishëm kulturor me një histori të papërsëritshme dhe të parikuperueshme.
Kreu i bashkisë, Qazim Sejdini: Teatri mund të ishte shpëtuar
Ka qenë një aksident. Nuk mund të flas kush është fajtori para se ekspertët të japin një përgjigje për zjarrin, sepse ka disa hipoteza nga ndërtimet që bëhen rreth teatrit. Mund të them që në momentin që ra zjarri në teatri, 10 minua më parë kishte rënë zjarr në Krastë ku po digjej një sipërfaqe me pisha dhe një pjesë e zjarrfikësve ishte atje. Në momentin që ra zjarri, një pjesë e tyre erdhën. Me gjithë përpjekjet që bënë, nuk arritën ta mbajnë në kontroll. Pati disa dobësi në drejtim të profesionalizmit dhe në mungesë të ujit. Kryesore ishte se pjesa më e mirë e zjarrfikësve ishte në pjesën tjetër të vatrës së zjarrit. U lajmëruan zjarrfikësit e Peqinit, Librazhdit, Gramshit të cilat na u përgjigjen me shpejtësi. Bëmë aq sa mund të bëhej. Mund të them që është një dëm shumë i konsiderueshëm për qytetin, sepse teatri ishte monument shumë i rëndësishëm, por presim ekspertët të thonë fjalën e tyre se ndofta dëmet nuk janë të pariparueshmme.
Drejtori i teatrit, Ilir Sulkja: Dhuratë nga zjarrfikësit
Teatri si godinë është ndërtuar në vitin 1938. Është vënë dorë në periudhën komuniste që është bërë pjesa shtesë. Është një nga sallat me perfeksion skenik dhe akustik të pakrahasueshëm, ku janë ngjitur në skenë Robert Ndrenika, Astrit Çerma, Demir Hyskja, Shpëtim Shmili, Veronika Papa etj. Me dhjetëra artistë e vizitojnë çdo vit.
Falënderoj zjarrfikësit që i bënë këtë "dhuratë" Elbasanit para festimit të 60-vjetorit. Rreth orës 16:00 ra zjarri dhe ndërhyrja e tyre ka ndodhur gjysmë ore më vonë, sipas dëshmive.
I bëj thirrje të gjithë komunitetit shqiptar të biznesit të bëjë të mundur që kjo godinë të rindërtohet edhe një herë nga e para.
-Historia
Godina e Kinema “Nacional” (teatri “Skampa”) ishte dhurata që Xhavit Bej Biçakçiu i bëri qytetit të Elbasanit. Me dëshirën dhe me paratë e Xhavit Biçakçiut, arkitekti Halit Narazani realizoi ëndrrën për të pasur një skenë të tillë në qytet. Objekti i parë i këtyre përmasave në Elbasan është ndërtuar në vitin 1938 dhe kishte një kapacitet prej 292 vendesh. Duke marrë funksionet e teatrit te qytetit, Kinema Nacional mori emrin Teatri Skampa menjëherë pas çlirimit të vendit. Akustika e këtij teatri është vlerësuar nga më të mirat në Shqipëri. Teatri “Skampa”, dikur Kinema Nacional, përfaqëson objektin me të rëndësishëm me funksion kulturor në qytetin e Elbasanit.
Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 » Trego 9 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.