Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Haraçet që i duhen paguar integrimit
Janë shumë të paktë shqiptarët që, ndërsa janë duke kërkuar integrimin në Europë, janë të sigurtë mbi atë që kërkojnë. Rrjedhimisht, janë të paktë ata që, ndërsa nuk janë kundër integrimit, duan ta administrojnë e kontrollojnë këtë, me synimin për t'u bërë në një farë mënyre edhe nxitës të procesit, edhe gardianë të identitetit të shqiptarëve. A është e mundur?
Shkrimtari Ismail Kadare nuk është kundër integrimit, ndonëse të jep përshtypjen se do të donte të diskutonte gjatë mbi "modalitetet" e këtij procesi. Duke qenë se fundi i këtij procesi është ende larg (askush nuk e di me saktësi se sa larg), ai nuk heq dorë së foluri për identitetin e fortë të shqiptarëve, për rëndësinë që duhet të ketë Shqipëria në projektimin e zhvillimeve të ardhshme rajonale, për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve, i cili është dëmtuar keqas vitet e fundit nga një varg krizash, etj. Me sa duket, ai nuk beson se ka ardhur koha për të folur seriozisht për integrimin, e për këtë arsye, i mëshon pareshtur përpjekjeve për të mataruar punët nga brenda, në mënyrë që deri sa të vijë koha e bashkëjetesës së identiteteve të ndryshme ballkanike dhe integrimit të tyre në realitetin europian, ne të kemi mundësi të jemi të zëshëm, imponues, dinjitozë në këtë realitetin e sotëm. Kadare flet vazhdimisht për një çështje shqiptare e për një faktor shqiptar, për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje dhe për rëndësinë e fuqizimin e këtij faktori. Ai është një nga luftëtarët e palodhur të kësaj kauze. Polemizon me gazetarë, artistë e shkrimtarë të njohur europianë, nuk lë ngjarje e krizë në hapësirën mbarëshqiptare pa komentuar, dhe gjithë këtë e bën me një zell impresionant. Duket sheshit që është njeri i lidhur fort me vendin e vet.
Nëse ndjekim me vëmendje qëndrimin e Kadaresë, mund të thuhet pra, se ai nuk e refuzon integrimin, por nuk e sheh si një problem të ditës. Sot për sot, ai e sheh Ballkanin e Europën, më shumë Ballkanin sesa Europën, si dy realitete inerte që lëvizin e ndryshojnë me vështirësi e mes pengesash. Kjo e bën të jetë i kujdesshëm. Duket sikur gati-gati u thotë shqiptarëve: "Kërkojeni integrimin në Europë, por, hë për hë, mos u besoni symbylltazi të huajve që e tundin këtë flamur. Ballkani, pavarësisht nga projektimi që i bëhet në Europën e ardhshme, është ende ajo xhungla që njohim, ku po të mos jesh i vëmendshëm, të vënë stërkëmbëshin e të hedhin në greminë."
Në bisedat që kam patur me studiuesin Aurel Plasari, këtë të fundit e kam parë veçanërisht të shqetësuar mbi fatin e gjuhës shqipe, e cila mbetet furka, rreth së cilës mbështillet leshi i dobët i identitetit tonë kombëtar. Gjuha shqipe është e kërcënuara e parë në këtë proces dhe, sipas Plasarit, me kalimin e kohës, ajo do të humbasë. Në mos do të humbasë, do të pësojë një transformim të thellë, gjë që në të vërtetë ka filluar. Nga një vëzhgim i hollë i asaj që ka ndodhur këto dhjetë vitet e fundit, bindesh lehtë se gjuha shqipe ka filluar të cedojë, fillimisht para tentativës së shfrenuar për të përdorur sa më shumë fjalë të huaja, më tej para eksperimentimeve e prurjeve të reja sintaksore, e nuk është çudi që në një të ardhshme jo dhe aq të largët, ata që do të flasin e shkruajnë shqip, të gjenden para tundimit për ta sfiduar sa më shumë gjuhën e tyre. Nëse kjo shihet si një prirje globale, me shqipen do të ndodhë më shpejt se sa me gjuhët e tjera të parëndësishme. Arsyeja është shumë e thjeshtë; gjuha shqipe është ndër më të parëndësishmet. Atë e flasin vetëm shqiptarët, ndërkohë që vendi i tyre, qoftë edhe brenda "lagjes" ballkanike të Europës, është vendi gjithashtu më i parëndësishëm. Sipas shumë gjasave, kështu ka për të qenë, deri në momentin që do të ketë kuptim të flasësh për rëndësinë e një vendi. Kush ka përqafuar e kush nxit procesin e integrimit, me siguri ose ka hequr dorë, ose është bërë gati të heqë dorë prej shqetësimit për rëndësinë politike, gjeopolitike, kulturore, ekonomike, ushtarake, të vendit të vet. Qysh tani, nëse pranojmë se ky proces ka filluar, kjo logjikë e ky arsyetim nuk kanë edhe aq kuptim. Brezi i ri i sotëm ka një raport disi të veçantë me vendin e vet. Atyre, propagandimi i patriotizmit u ngjan ose me një dëngël romantikësh qyqarë, ose me një demagogji politikanësh, prapa të cilit fshihen vepra e ambicje kopukësh. Ky është brezi më pragmatik në historinë e shqiptarëve tradicionalisht pragmatikë. Për të bërë këtë zgjedhje, u vjen në ndihmë, në radhë të parë gjendja e mjeruar e një vendi që edhe nuk u ofron gjë prej gjëje, edhe nuk ka nevojë hë për hë për ta, së dyti, konteksti përtej shqiptar i zhvillimeve, ku përfshihen më së shumti proceset integruese, hapja e botës, lehtësitë e komunikimit, etj. E në këtë botë, gjuha shqipe të lypset gjithmonë e më pak. Studimi i gjuhëve të huaja është shndërruar tashmë në një epidemi aq sa nuk e teprojmë të themi, se për shumëkënd, gjuha angleze vlen më shumë se një profesion. Qysh sot, ka shumë të rinj që e kanë më të lehtë të artikulojnë mendimet dhe opinionet e tyre në një gjuhë të huaj, sesa në gjuhën shqipe. Nëse shkojnë e rrinë jashtë për një kohë të gjatë, raporti me gjuhën e tyre, në mos vështirësohet, transformohet. Kur vinë këtu, nuk mund të thuhet se flasin bash shqip. Flasin një gjuhë hibride. Aurei Plasari ka të drejtë.
Fatos Lubonja ngjan të jetë i shqetësuar disi ndryshe, që në thelb mund të jetë e njëjta gjë. Ai duket sikur kërkon të identifikojë atë që mund të konsiderohet prurje shqiptare në një botë të integruar. Është lodhur shumë këto vite për të gjetur pika kontakti midis qytetërimit perëndimor e, le të themi, qytetërimit shqiptar (nuk besoj se është shumë i kënaqur në këtë tentativë), dhe ka këmbëngulur në nxitjen apo aktivizimin e asaj ndërgjegjes autokritike, për të cilën fola pak më sipër. Të jep përshtypjen se Europën e integruar e sheh më shumë si një bashkëjetesë sesa si një kacafytje identitetesh. Rrjedhimisht, është i shqetësuar mbi atë se me çfarë Shqipëria do të prezantohet në Europën e nesërme. Nëse është e vërtetë ky është modeli tjetër intelektual e kulturor që përfaqëson shqetësimin mbi procesin e integrimit të shqiptarëve në Europë. Këndvështrime të tjera elitare ndaj këtij procesi nuk para gjenden. Këndvështrimi kolektiv është tjetër gjë. Ai duket se nuk bart as shqetësimin për nëpërkëmbjen e shqiptarëve (Kadare), as shqetësimin mbi humbjen e identitetit (Plasari), as shqetësimin për t'u prezantuar me identitetin (Lubonja) në një Europë të integruar. Ajo që duan shumica e shqiptarëve është integrimi; integrimi me çdo mjet e me çdo rrugë. Me çdo çmim, gjithashtu. Edhe me çmimin e bjerrjes së identitetit. Sikur të merrnin pjesë në një referendum, në të cilin do t'u duhej t'i përgjigjeshin pyetjes se, a janë të gatshëm të paguajnë koston e deshqiptarizimit total për t'u bërë pakthyeshmërisht pjesë e Europës, nuk di pse jam i sigurtë, që shumica e tyre nuk do të mendoheshin dy herë për të thënë "po".
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.