Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 52 53 54 55 56 57 58 59 60 [61] 62 63 64 65 66 67 68 69 70 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 30 Prill 2004 - 17:13:

Kombëtarja, "shengeni" i Shqiperise.

Kombëtarja shqiptare tashmë po tregon jo vetëm shenja ringjalljeje, por edhe stabiliteti dhe pjekurie.

Pesë ndeshje radhazi pa humbur. Nga këto, i fundit është barazimi me Estoninë në Talin, i cili, ndonëse me pak doza vetëkënaqësie të tepruar, i dha fund "agjërimit" për të dalë faqebardhë edhe në trasfertë, çka na ka munguar prej kohësh. Edhe pse rezultate miqësoresh më së shumti, ato duhen përgëzuar. Sepse nuk mund të flitet më për tranzicion të kombëtares sonë. Madje ajo është shkëputur gati krejtësisht nga jeta sociale dhe shoqërore e vendit tonë, duke e prerë e para "biletën" për në Evropë. Ndonëse shumë kohë një vend i izoluar nga të gjitha gjërat, përfshi edhe sportin, Shqipëria i ka dhënë shenjat e para të rilindjes dhe të një epoke të re në futbollin kombëtar. Edhe pse thellesisht e ndikuar nga vitet e gjata të izolimit, kombëtarja kuqezi tashmë po tregon jo vetëm shenja ringjalljeje, por edhe stabiliteti dhe pjekurie. Kuqezinjtë tanë, sidomos në ndeshjet në shtëpi, kanë treguar nivel cilësor dhe kulturë loje të admirueshme, krahasuar me të kaluarën e afërt ndërkombëtare të tyre. Pika e fortë e kombëtares shqiptare vazhdon të mbetet mesfusha, ku dallohen 5 figura: Skela, një lojtar që mund të luajë gati çdo rol në mesfushë dhe që po bën epokë në futbollin profesionist gjerman (Eintraht i Frankfurtit), Hasi me shumë përvojë që ka bërë karrierë në Belgjikë (i saposhpallur kampion për herë të tretë në këtë vend), Duro, i shpejtë nga krahët dhe me një gjuajtje "vrastare", Murati, një talent i rrallë në llojin e vet që luan në Greqi me Iraklisin, ndërsa si yll suprem i "konstelacionit" të kuqezinjve, Altin Lala, shtylla e Hanoverit në Gjermani, motori dhe organizatori që rregullon gjithë lojën e ekipit. Në këtë pesëshe me nivel të shkëlqyer shtohet edhe talenti në shpërthim, 20?vjeçari Lorik Cana, që po bëhet pikë referimi në lojën e Paris SG-t. Në sulm gjiganti Tare mbetet "busulla" e repartit ofensiv të kuqezinjve tanë, një "veteran" që ka bërë emër në Gjermani dhe Itali. Nuk e harruam Alban Bushin, kryegolashënuesn e kuqezinjve, i cili, falë aftësive të admirueshme tekniko-dribluese, është gati të ndëshkojë këdo, kur nuk e pret. I "paperënduari" Altin Rraklli, një goleador tjetër disavjeçar i kombëtares, mbetet sërish një "armë" në duart e Brigelit. Jo më pas mbetet edhe prapavija. Strakosha, portieri 39?vjeçar kuqezi, "Dino Zofi" i vërtetë i kombëtares shqiptare, nuk pranon ta quash "Supermen", pasi i mjafton të jetë vendimtar për skuadrën kombëtare, duke vijuar të mbetet një "gardian" i pakalueshëm për kundërshtarët. Para tij vjen Elvin Beqiri, një zbulim i Brigelit. Vrapon i palodhur, lufton në çdo top, ndërhyn me tepër siguri ndaj sulmuesve kundërshtarë, mbështet... Kemi pasur nevojë prej kohësh për një "luftëtar" të tillë në mbrojtje. Vërtet një "bishë" e pamëshirshme shqiptare e Brigelit, siç e kanë konsideruar specialistët rusë pas humbjes së tyre 3-1 në "Loro Boriçi". Në qendër të mbrojtjes e ka "salduar" vendin një gjigant tjetër, po aq sa edhe Tare në sulm. Fjala është për kolonën e mbrojtjes kuqezi, Geri Çipi, i cili sezonin e fundit e ka pasuruar CV-në e tij edhe me Bundesligën e parë dhe të dytë gjermane. Në të njëjtën lartësi, pse jo edhe me meritat e një goleadori, qëndron Ardian Aliaj. Mbron, organizon dhe sulmon për bukuri, duke u shndërruar në një lojtar polivalent për trajnerin Brigel. Madje Aliaj, me golat e tij, gjashtë të tillë në pesë ndeshje, është pranë hyrjes në histori. Vlerësime pozitive meritojnë edhe të ashtuquajturit e gatshëm, apo kandidatë për fanellën kuqezi, duke nisur nga Muka, Dede, Lika, A.Beqiri, Kapllani e ndonjë tjetër. Veçanërisht pas miqësoreve të fundit, këta futbollistë të kampionatit shqiptar kanë treguar se nuk janë gjendur krejt rastësisht në planet e Brigelit. Pra, ky ansambël nuk i meriton më vlerësimet minimale të të huajve, të cilët historikisht e kanë konsideruar kombëtaren shqiptare një nga ekipet më të dobëta të Evropës. Tani gjërat kanë ndryshuar. Të besuarit e Brigelit kanë hyrë në një etapë tjetër, duke mos e shuar ëndrrën e tyre për lavdi. "Aksionet" e tyre në "bursën" evropiane të futbollit tashmë janë rritur. Sportdashësi i mrekullueshëm shqiptar e meriton këtë "pasaportë evropiane" përmes kuqezinjve. Kjo, sepse futbolli në vendin tonë duket se është ndër të paktat mjete kundër halleve dhe streseve të përditshme, për të cilin flasin të mëdhenj e të vegjël, të djathtë e të majtë...


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 52 53 54 55 56 57 58 59 60 [61] 62 63 64 65 66 67 68 69 70 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.