Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 29 Qershor 2004 - 16:33:

Lala: Harrojini pikët në Shqipëri!

Altin Lala, "motori" i kombëtares kuqezi, i ardhur prej disa ditësh në Shqipëri për të pushuar pranë familjes, deklaron se fatin e Shqipërisë e kanë në dorë dy takimet e para, respektivisht ai me Greqinë dhe me Kazakistanin. Gjithashtu, ai shprehet mjaft i kënaqur me gjendjen e tij fizike aktuale dhe është shumë i vetëdijshëm se lufta për një vend në kombëtare, sidomos në repartin e mesfushës, do të jetë e ashpër. Kjo, pasi ky repart është shumë "i populluar". Tjetër argument ka qenë dhe paraqitja e shumë kuqezinjve që aktivizohen në Gjermani, për të cilët Lala foli me nota pozitive.
- Altin, pas një sezoni, ku dëmtimet ju kanë kushtëzuar së tepërmi, si është gjendja juaj fizike?
- Ky vit ka qenë një prej atyre sezoneve që duhen harruar, të paktën në aspektin personal. Pas shumë kohe larg fushave të lojës, arrita të rikthehem, por nuk kam qenë në maksimumin tim. Gjithsesi, tani nuk kam më përse të ankohem, pasi jam mjaft mirë.
- Pas dy sezoneve kapiten i skuadrës, a do të jetë Altin Lala sërish lideri i Hanoverit?
- Unë kam ardhur në Shqipëri për të kaluar disa ditë pranë familjes dhe do të largohem sot (dje) drejt Gjermanisë për të filluar fazën përgatitore me Hanoverin. Në fakt, kam qenë larg ekipit për një kohë të gjatë dhe zgjedhjet bëhen vetëm në fillim të sezonit. Tani për tani duhet të mendoj vetëm për t'u stërvitur dhe për të qenë në maksimumin e mundësive të mia.
- Të kthehemi te kombëtarja. A mund të bëjë Lala një parashikim të ecurisë së përfaqësuese sonë në eliminatoret e Botërorit 2006?
- Kombëtarja jonë është në një formë mjaft të mirë. Këtë e tregojnë dhe rezultatet e arritura në ndeshjet e fundit. Ajo që ngre vërtet peshë për një ecuri sa më pozitive janë dy ndeshjet e para. Në fillim do të presim Greqinë dhe më pas do të udhëtojmë drejt Kazakistanit. Janë dy ndeshje kyç për ne. Ndeshja me Greqinë ka tjetër peshë për ne dhe për tifozerinë, por nuk duhet të harrojmë Kazakistanin. Me ekipe të tilla kemi hasur vështirësi mjaft të mëdha. Mjafton të kujtojmë barazimin me Luksemburgun dhe humbjen me Andorën, për ta vlerësuar sa më shumë këtë kundërshtar. Sidoqoftë, besoj se do të dimë t'ia dalim mbanë.
- Përfaqësuesja greke po zhvillon një evropian të shkëlqyer. Gjithashtu edhe Danimarka. Do të ketë "drithërima" për ne, apo jo?
- Për sa i përket ecurisë së këtyre skuadrave, do të thosha se jam vërtet i befasuar nga paraqitja e Greqisë. Danimarka ka shkuar edhe më tej, madje ka fituar titullin evropian, por e them me plot gojën se të gjithë kundërshtarët duhet t'i bëjnë llogaritë mirë, të paktën në "Qemal Stafa". Ndërsa për sa u përket ndeshjeve jashtë, ka ardhur momenti që të thyejmë një tabu disavjeçare. Duhet të marrim pikë në takimet jashtë dhe të shmangim barazimet në fushën tonë, duke marrë vetëm fitore. Me këtë ritëm besoj se nuk do ta kemi të vështirë të marrim të paktën vendin e dytë.
- Jemi në atmosferën e Euros. Shumë skuadra pretendente i kanë dhënë lamtumirë kompeticionit shumë shpejt. Lala çfarë mendon?
- Koncepti i skuadrave të vogla po shuhet. Thjesht ka ekipe në formë dhe ekipe që nuk gëzojnë formë të mirë. Po të shikojmë me vëmendje, në çerekfinale nuk ka asnjë prej emrave si Italia, Franca apo Gjermania. Me këtë ecuri, titullin mund ta fitojë kushdo.
- Reparti më "i populluar" është mesfusha. Madje në rolin tuaj janë tre lojtarë. Nuk i trembeni ndonjë zprapjeje të mundshme?
-Jo. Unë i përgjigjem thirrjes së trajnerit në çdo moment, pastaj vendimet e tjera i takojnë atij. Nuk besoj se do të ketë "luftë" të madhe, teksa në dy role janë tre lojtarë. Njëri do të rrijë rezervë dhe kjo do të varet nga rrethanat dhe kondicioni fizik i secilit prej nesh. Ka ndodhur shpeshherë që të kemi luajtur edhe në role jonatyrale, por kemi dhënë gjithmonë më të mirën.
- Në Gjermani aktivizohet një numër i madh kuqezinjsh. Si e gjykoni paraqitjen e tyre?
- Paraqitja e Skelës ka qenë më mbresëlënësja, por edhe Aliaj ka bërë një "boom" të vërtetë. Keq më ka ardhur për Çipin, i cili nuk mundi të binte kurrë dakord me trajnerin e tij te Frankfurti. Në karrierë duhet të kesh shumë fat. Gjithsesi, sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë për të gjithë ne.
- Tashmë, të gjithë presim një Lalë në top-formë dhe një kombëtare sa më dinjitoze. Lala vetë çfarë mendon?
- Unë dua të kthehem edhe njëherë në 100%-shin tim dhe kjo do të thotë se do të jem gjithmonë i gatshëm për të dhënë maksimumin. Po kështu kërkojnë të jenë të gjithë lojtarët e tjerë. Në këtë mes ajo që fiton është kombëtarja. Duhet të impenjohemi vërtet shumë, për të mundësuar realizimin e një ëndrre.


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.