Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 56 57 58 59 60 61 62 63 64 [65] 66 67 68 69 70 71 72 73 74 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga myzeqari datë 02 Mars 2006 - 17:42:

Loje e dobet !!

Nis me një humbje aventura miqësore e kombëtares sonë në prag të eliminatoreve të Europianit 2008. Ndryshe nga dy vite më parë, teksa kuqezinjtë mposhtnin Suedinë në "Qemal Stafa", kësaj here janë dorëzuar pa kushte përballë një kundërshtari më inferior, por që ishte mjaft vital në fushën e lojës, si Lituania. Natyrisht, terreni shumë i rënduar ndikoi shumë në aspektin e spektaklit, pasi shiu nuk pushoi përgjatë gjithë takimit, por ama kuqezinjtë e Brigelit u mposhtën 1-2, ndonëse kishin kaluar të parët në avantazh me anë të Ardian Aliajt, i cili shndërroi në gol një penallti të dhënë në favor të Muratit. Por kaq ishte gëzimi i tifozerisë së paktë (rrallë mund të ketë ndodhur që në "Qemal Stafa" të kishte kaq pak tifozë), pasi miqtë nga Lituania kanë barazuar sa hap e mbyll sytë dhe po kaq shpejt kanë shënuar golin e avantazhit.
Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, në formacionin titullar të skuadrës kuqezi, startojnë Arjan Beqaj (i rikthyer mes dy shtyllave pas një periudhe të gjatë) dhe kapiteni i Partizanit, Dorian Bylykbashi. Pjesa tjetër e formacionit ishte më se e njohur. Një vijë mbrojtëse me katër lojtarë Beqiri-Hasi-Cana-Aliaj, një mesfushë po me katër elementë Duro-Lala-Bylykbashi-Murati, si dhe dyshja e sulmit e përbërë nga dyshja Tare-Bushi.
Takimi nis i qetë dhe të dyja skuadrat nuk rrezikojnë shumë. Ngadalë kuqezinjtë krijojnë epërsi në terrenin e lojës, por mbrojtja është në një ditë të zezë, ku Hasi e Beqiri vuajnë shumë në mbulimin e kundërshtarëve. Megjithatë, Shqipëria kalon e para në avantazh falë golit të shënuar nga Aliaj me anë të 11-metërshit. Ka qenë një kombinim i bukur përpara zonës mes Bylykbashit dhe Muratit, ku ky i fundit është penguar nga kundërshtarët. Për gjyqtarin italian Pieri nuk ka dyshim dhe Aliaj ekzekuton saktë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh 1-0. Por në aksionin e radhës, menjëherë sapo është nisur loja nga mesi i fushës, lituanezët kanë barazuar me anë të Savenas, pas një goditjeje të mrekullueshme jashtë zonës. Ndërsa të gjithë mendonin se pjesa e parë do të mbyllej në barazim, kanë qenë sërish miqtë, që me anë të Danileviciusit kanë kaluar në avantazh, duke shfrytëzuar një gabim foshnjarak të mbrojtjes sonë. Gjithçka për sa i përket rezultatit është vendosur që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në fraksionin e dytë Brigeli aktivizon thuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë miqësore. Kështu, zëvendëson dyshen Tare-Bushi, që nuk bëri thuajse asgjë në këtë takim, me atë Bogdani-Myrtaj, si dhe nxjerr nga fusha e lojës Bylykbashin për Skelën. Loja jonë sulmuese përmirësohet disi, por është sërish reparti mbrojtës ai që në këtë takim ka lënë shumë për të dëshiruar dhe nuk e ka kaluar "klasën". Lituania mund ta kishte thelluar avantazhin nëse do të kishin shfrytëzuar një 11-metërsh të dhënë në favor, por që është pritur mjeshtërisht nga Beqaj. Mes zëvendësimeve të shumta, ndonjë rasti sporadik për të barazuar shifrat dhe në praninë e një numri tifozësh të denjë për ndeshjet e kampionatit shqiptar, kombëtarja jonë e ka nisur keq vitin 2006, duke u mposhtur që në miqësoren e parë në shtëpi.
Por nëse rezultati i një ndeshjeje miqësore nuk është shumë i rëndësishëm, loja e zhvilluar është mjaft e rëndësishme dhe kombëtarja jonë ka zhvilluar një takim të dobët, ku fitorja e vetme ka qenë portieri Arjan Beqaj. Shqetësimi është krejt i natyrshëm duke gjykuar mbi atë çka pamë. Mjaft lojtarë si Myrtaj, Hasi, Bushi, apo edhe ndonjë tjetër, ka ardhur koha t'i japin lamtumirën kombëtares, ashtu siç është e nevojshme t'u krijohet një klimë më e ngrohtë debutuesve, që do të freskojnë radhët e kuqezinjve. Mbi të gjitha duhet të jemi të ndërgjegjshëm, se kombëtarja jonë në aventurën e Euro 2008-s nuk ka nevojë për makiazh, por për një operacion të thellë për ta nxjerrë nga gjendja alarmante që demonstroi mbrëmë. Këtë më mirë se askush duhet ta kuptojë trajneri Brigel, i cili para se të justifikohet, të analizojë dhe të marrë masat e nevojshme që kombëtarja jonë të mos bëjë një hap para dhe dy apo tre mbrapa.
Po të shikosh rezultatet e kundërshtarëve tanë në grup, ku Rumania ka fituar ndaj Sllovenisë, Bjellorusia ka barazuar në Finlandë apo fitoren e Bullgarisë në Maqedoni, ky start i kuqezinjve të bën të mendohesh, sidomos po të rikthesh në memorje atë lojë apatike, sidomos në "thembrën e Akilit", repartin e mbrojtjes.

Sporti Shqiptar


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 56 57 58 59 60 61 62 63 64 [65] 66 67 68 69 70 71 72 73 74 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.