Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 59 60 61 62 63 64 65 66 67 [68] 69 70 71 72 73 74 75 76 77 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga GENTI_the_KING datë 18 Gusht 2006 - 00:03:

Kuqezinjtë e fitojnë pastër miqësoren e mbrëmshme me modestët e San Marinos

Kombëtarja-Bariç, debutim me tre gola






Shënues: Igli Tare 7', Ervin Skela 28', Altin Lala 32'

Formacioni i Shqipërisë:
Ilion Lika (Isli Hidi 45')
Armend Dallku
Elvin Beqiri
Besnik Hasi (Erion Xhafa 66')
Adrian Aliaj
Ervin Skela
Lorik Cana (Bledi Shkëmbi 54')
Altin Lala (Altin Haxhi 46')
Klodian Duro (Devi Muka 46')
Erion Bogdani
Igli Tare (Edmond Kapllani 46')
Trajner: Oto Bariç


Eshtë ora 20.30. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë dalë në fushë. Tanët me një ndryshim nga sa pritej. Klodian Duro do të fillojë që nga fillimi në vend të Altin Haxhit. Stadiumi fillon të mbushet pak e nga pak. Shikohet që interesimi është më i madh nga tifozët shqiptarë, që janë emigrantë në rrethinat e San Marinos. Madje ka edhe të ardhur nga larg. Përafërsisht, numri i tifozëve në stadium shkon tek 700, ndërsa në pjesën e dytë shtohen, duke shkuar tek rreth 1000 veta. Emocionues duket paksa fillimi për Oto Bariçin, i cili e drejton për herë të parë kombëtaren shqiptare. Por kroati e ka startuar aventurën e tij në krye të kuqezinjve me një fitore të pastër, ashtu sikurse bënte në debutimin e tij të para disa viteve në krye të Austrisë, po në një miqësore ndaj San Marinos. Në fakt, pritej një fitore e kombëtares sonë, pasi kundërshtari, San Marino, ishte më shumë se modest. Megjithatë, fakti që kuqezinjtë kishin kohë pa luajtur bashkë dhe disa prej tyre ishin rezerva ose pa ekip fare, ngrinte dyshime. Por fusha e lojës, edhe pse duhet marrë me rezerva ky test, referuar nivelit të kundërshtarit, ka treguar se formacioni titullar që na la Brigeli, i hedhur fillimisht në fushë edhe nga trajneri Bariç, funksionon mirë. Sidomos mesfusha, me Lalën dhe Skelën, bie në sy. Duhet thënë se pjesa e parë, pavarësisht se u shënuan tre gola, u përshkua nga një lojë me ritëm mesatar. Asnjë karton i verdhë. Pjesa e dytë nis me ndërrime për skuadrën tonë. Devi Muka zë vendin e Klodian Duros, Edmond Kapllani të Igli Tares dhe Isli Hidi për Ilion Likën. Një minutë më vonë, në të 46 ën, Bariçi bën një tjetër zëvendësim. Nxjerr nga loja Altin Lalën dhe fut Altin Haxhin. Ndërkohë, me largimin e Igli Tares nga loja, Besnik Hasi mban shiritin e kapitenit. Nuk kalon shumë dhe Bariç bën zëvendësimin e radhës, duke futur Blendi Shkëmbin në vend të Lorik Canës, i cili del nga fusha i shoqëruar nga duartrokitje të tifozëve. Loja në 15 minutat e para të pjesës së dytë duket më e qetë dhe zhvillohet më shumë në mesin e fushës. Duket se kuqezinjtë tanë janë "ngopur" me gola, ndërsa vendësit nuk kanë fuqi të reagojnë. Rreth minutës së 67 të i vjen radha për t'u aktivizuar edhe Erion Xhafës. Tashmë shiriti i kapitenit kalon nga krahu i Besnik Hasit, që del nga loja, në krahun e Ardian Aliajt. Me kalimin e minutave, pas disa zëvendësimesh në skuadrën tonë, loja e kuqezinjve rritet sërish dhe merr nota sulmuese. Dy tri herë Bogdani ka mundësi për ta thelluar avantazhin, ashtu si edhe Kapllani me Dallkun, por portieri vendës i zmbraps ata me sukses. Janë momente kur edhe lojtarët e San Marinos kërkojnë të tregojnë diçka, por e teprojnë me ndërhyrje të rënda ndaj kuqezinjve tanë. Rreth minutës së 82 të, kemi një përplasje kokë më kokë mes Elvin Beqirit dhe një sulmuesi të San Marinos. Mbrojtësi ynë ngrihet me duart në kokë, ndërsa sulmuesi vendas ka nevojë për ndihmën mjekësore. Ndeshja ndërpritet rreth 2 minuta, derisa lojtari i dëmtuar bëhet gati për lojë. Interesant është fakti që trajneri Bariç nuk e ndërron Skelën, i cili në pjesën e dytë shfaq rënie të formës fizike, ngaqë nuk është i ingranuar akoma me një ekip. Sikurse duket, trajneri kroat i kuqezinjve ka dashur ta testojë më së miri vlonjatin, ngaqë ai mbetet "dirigjenti" i lojës sonë dhe ka një rol gati të pazëvendësueshëm. Gjatë në lojë Bariçi mban edhe Erion Bogdanin, i cili tregoi një formë të kënaqshme sportive, ashtu si edhe Dallku. Përfundimisht, pas 3 minutave shtesë, ka mbaruar ndeshja miqësore San Marino Shqipëri me fitoren e pastër 3 0 për Shqipërinë. Ia vlen të nënvizohet loja me nivel mesatar. Për t'u veçuar loja e mirë e Elvin Beqirit, Ervin Skelës dhe Devi Mukës. Pa harruar edhe shënuesit e golave, Tare dhe Lala.
Në fund të ndeshjes trajneri Bariç u shpreh i kënaqur deri diku me paraqitjen e lojtarëve të tij, por ritheksoi shqetësimin kryesor të tij, lojtarët pa ekip, si Skela, Aliaj apo Murati që dje nuk luajti fare, pasi ishte i dëmtuar.

"Radiografia"
7' Igli Tare, brenda zonës vendëse, shënon golin e parë. 1 0.
9' Goditje këndi dhe Cana shënon me kokë, por goli anulohet. Cana shkakton faull ndaj mbrojtjes vendëse.
28' Skela depërton në zonë, kalon dy mbrojtës dhe godet në këndin e djathtë të portierit të San Marinos. Gol, 2 0.
32' Cana kroson dhe Lala brenda zonës nuk e ka të vështirë ta ngrejë në 3 0 rezultatin.
33' Oto Bariç komunikon me Altin Haxhin dhe Shkëmbin, ndoshta për një ndërrim të shpejtë.
34' Faull nga lojtarët e San Marinos. Skela dhe Duro pranë topit. Gjuan i pari, por pret portieri vendës.
36' Një lojë sulmuese e Shqipërise. Depërtim i Tares, që pason tek Bogdani, i cili gjuan fort, por pret portieri vendës.
40' Kombëtarja shqiptare e ka nën kontroll lojën.
43' Në stadium dëgjohen brohoritjet e rreth 700 shikuesve, kryesisht shqiptarë.
45' Mbaron pjesa e pare 0 3 për Shqipërinë.
46' Në fushë janë duke bëre nxehjen Altin Haxhi, Devi Muka, Bledi Shkëmbi dhe Edmond Kapllani.
53' Skela gjuan dhe portieri largon topin jashtë. Goditje këndi dhe përpjekje e Bogdanit pa rezultat.
54' Ndërrimi i radhës. Futet Blendi Shkëmbi për Lorik Canën. Një duartrokitje për kosovarin e Marsejës dhe të kombëtares sonë.
58' Mbrojtësi Elvin Beqiri po tregon një formë shumë të mirë, teksa spastron zonën nga sulmet e vendësve.
60' Një lojë e qetë në mesin e fushës. Deri tani asnjë rrezikim nga pala e San Marinos. Ndërkohë, Erion Xhafa dhe Debatik Curri po përgatiten për t'u futur në lojë.
62' Trajneri Bariç po e ndjek lojën nga stoli. Herë pas here ngrihet për t'u dhënë udhëzime lojtarëve.
63' Bogdani depërton në zonë, por topi i kalohet portierit nga lojtarët e mbrojtjes së San Marinos.
64' Kapllani shmang një mbrojtës dhe kroson topin në zonë. Për pak sa nuk shënohet goli i katërt.
65' Elvin Beqri ndëshkohet me karton të verdhë.
66' Erion Xhafa hyn në lojë në vend të Besnik Hasit. Shiriti i kapitenit i kalon Adrian Aliajt.
70' Në momentin që Oto Bariç po udhëzon lojtarët në fushë, dëgjohen brohoritje të tifozëve: Bariç, Bariç, Bariç!
72' Kombinim i bukur i Mukës me Dallkun, që pason për Bogdanin, i cili për pak sa nuk shënon golin e katërt.
76' Krosim i Dallkut, Kapllani me kokë, por pret portieri i San Marinos. Një nga aksionet më të bukura deri në këtë minutë.
77' Ndërhyrje e rëndë e një lojtari të San Marinos me numrin 4 ndaj Kapllanit. Karton i verdhë për të.
80' Bogdani për pak sa nuk shënon. Kombinim i bukur i Mukës me Bogdanin, por pret portieri vendës.
86' Goditje dënimi në hyrje të zonës. Skela gjuan shumë pranë shtyllës.
90' Dallku ndërmerr një aksion vetjak, por topi i del jashtë vijës anësore të fushës.


marre nga Sporti Shqiptar


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 59 60 61 62 63 64 65 66 67 [68] 69 70 71 72 73 74 75 76 77 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.