Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Shqipëria është lindore, megjithatë
Kur thashë pak më sipër se shqiptarët janë lehtësisht të integrueshëm, afërmendsh nuk nënkuptoja ndonjë afrimitet natyror midis Shqipërisë dhe botës perëndimore, por atë që theksova në mënyrë të troçtë, pragmatizmin dhe krizën e tyre të identitetit. Nga ana tjetër (dhe kjo është më e rëndësishmja), një gjë është lehtësia me të cilën ne përshtatemi, aklimatizohemi e integrohemi në botë të ndryshme nga e jona, e një gjë tjetër, madje krejt tjetër, është aspirata për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ky proces integrimi kërkon europianizimin real të universit shqiptar dhe jo gatishmërinë e aftësinë e shqiptarëve për t'u sjellë si europianë jashtë vendit. Me fjalë të tjera, integrimi na kërkon të jemi europianë në Shqipëri dhe na mundëson të jemi shqiptarë në Europë.
Në të vërtetë, diferenca e Shqipërisë me Perëndimin dhe e shqiptarëve me perëndimorët është e dukshme dhe e madhe. Por ama (duhet ta riktheksoj edhe njëherë), jo aty ku e kërkojnë me zell maniakal një pjesë perëndimorësh, pra te identiteti i ndryshëm fetar. Është gjetkë dhe periudha pas përmbysjes së diktaturës i ka nxjerrë në dritë më së miri këto diferenca, për të cilat, neve na është bërë zakon të paditim izolimin e gjatë komunist. Është arsyetimi më pak i zorshëm që mund të bëhet, por ka lidhje vetëm pak me të vërtetën. Nëse biem dakord që me Lindje të kuptojmë diçka të pangjashme apo të kundërt me Perëndimin, duhet thënë se ne jemi lindorë në rrënjët tona. Historia e Shqipërisë është historia e një vendi lindor. Askush, asnjeherë, nuk ka marrë mundimin t'i kualifikojë kulturën e qytetërimin shqiptar si perëndimore. Historikisht, vetëm në kohën e qytetërimit romak kemi qenë pjesë e "perëndimit", por atëherë e ca më pas, së pari nuk ekzistonte mirëfilltazi ndonjë Shqipëri; së dyti, Lindja ish larg e, së treti, Lindja nuk i linte gjë mangut Perëndimit, për të mos folur për raste kur Lindja e përqeshte Perëndimin. Ja, si shprehet me përçmim një udhëtar arab, i cili vizitoi Europën e shekullit të IX-të: "Nuk mund të gjendet një popull më i pistë sesa frankët. Janë të pabesë e meskinë. Lahen e pastrohen jo më shumë se dy herë në vit dhe me ujë të ftohtë. Nuk e kanë zakon t'i lajnë veshjet e tyre herë pas here. Përkundrazi, i veshin e nuk dinë t'i heqin, deri sa ato të bëhen zhele. Rruhen dhe pasi janë rruar, në fytyrat e tyre duken ende qimet e lëna pa kujdes." Dua të them me këtë citim, që miti i "Perëndimit", edhe pse është i natyrshëm e i kuptueshëm, është një mit modern; dhe me këtë, prirja e shqiptarëve për të gjetur dëshmi antike të fqinjërimit me Perëndimin është një kotësi më vete. Puna është të gjejmë dëshmi të sotme të fqinjërimit me qytetërimin perëndimor. Këtu arsyetimi ngec. Kontaktet e para të drejtëpërdrejta me Perëndimin kanë për të mbetur një nga momentet më të paharrueshme në jetën e secilit prej nesh. Ka qenë aq inçiziv ky kontakt në kujtesën tonë, sa te ndokush ndoshta superon edhe inçizivitetin e kontaktit të parë seksual. Nëse dikush do të provonte të mblidhte të gjitha përvojat individuale të këtij ballafaqimi e të bënte me to një libër, kjo do të ishte mënyra më fantastike për të evidentuar mentalitetin e shqiptarëve pas rënies së izolimit e, për rrjedhojë, hendekun e madh midis dy botëve, asaj tonës e asaj Perëndimore. Diçka të tillë ka bërë Edi Rama kur është rrekur të përshkruajë mes një sarkazme mizore kontaktin e parë me kufirin Shqipëri-Greqi në "Lule shqipo, lule djalë", të botuar në një nga numrat e revistës "Përpjekja". Është shumë argëtuese ta lexosh atë shkrim, në të cilin, duke përjashtuar edhe fantazinë e Ramës, kemi të bëjmë thjesht e vetëm me një përvojë në fund të fundit.
Por ballafaqimi i parë është një gjë dhe ballafaqimi i mëpastajmë e i vazhdueshëm është një gjë tjetër. Me këtë të dytin merret Lubonja në esenë që përmenda më sipër, me anë të së cilës ai ndjek ndryshimin e perceptimit mbi perëndimin, që është në të njëjtën kohë edhe ndryshimi ynë. Këto vite gjithsekush, paralelisht me ndryshimin e perceptimit mbi Perëndimin (që nuk ka ardhur vetëm nga zhgënjimi prej një lindori të përçmuar, por edhe prej një kapaciteti të shëndetshëm kritik), duhet të ketë arritur në konkluzionin (këtë herë edhe në sajë të një kapaciteti autokritik), sipas të cilit, ne shqiptarët, jemi vendosmërisht e qëndrueshmërisht lindorë. Edhe njerëzit më të kënduar e më të gdhendur, ata që aklimatizimin në një realitet perëndimor e kanë konsideruar si gjënë më pak problematike, me t'u ndeshur për herë të parë me të, e kanë kuptuar se nuk ishin tamam në terrenin e tyre, e kanë kuptuar se do t'u duhej kohë për të vendosur një lloj familjariteti e për të krijuar një klimë mirëkuptimi me këtë realitet. E kush nga ne mund të mburret se në kontaktet e para me perëndimorët nuk ka dekonspiruar në asnjë rast edhe/ose nacionalizmin primitiv, edhe/ose konceptimin macho-ist të raportit midis sekseve, edhe/ose një frymë skarco autokritike, edhe/ose një mburravecëri provinciale, edhe/ose gatishmërinë për vetëgjyqësi, edhe/ose natyrën tonë transgresive, edhe/ose paragjykime të përftuara në botën tonë patriarkale e të bartura pavetëdijshmërisht kudo? Sigurisht, e kam fjalën për vizionin mbi botën, sepse në një plan tjetër, ndonjë inxhinier, diplomat, gazetar, studiues, artist apo edhe shkrimtar shqiptar, nuk kanë munguar të dëshmojnë zotësinë e integritetin e tyre, le të themi, profesional. Por njeriu i talentuar dhe njeriu që ndjek hap pas hapi qytetërimin, nuk është e thënë të jenë e njëjta gjë. Unë po flas për këtë të dytin.
Dhjetë vjet pas rënies së komunizmit, gjenden sa të duash shqiptarë, që e kanë krijuar më në fund atë mirëkuptim me Perëndimin. Disa prej tyre nuk kanë lënë rast pa e dëshmuar këtë edhe në jetën e tyre të përditshme, edhe në jetën e debatin publik të këtushëm. Por këta të fundit janë pak. Jeta e hapësira publike është e pushtuar nga përfaqësues besnikë të një mentaliteti lindor, të cilët, për ironi të gjërave, ngrenë zërin më shumë se kushdo për kauzën perëndimore, për integrimin në Europë. Këta paladinë të Orientit, pasi kanë nuhatur që kauza e Oksidentit është një kauzë në modë, ua kanë vjedhur këtë kauzë paladinëve të vërtetë të oksidentit në Shqipëri dhe nuk i lënë këta të fundit të pipëtijnë. Pikërisht kjo është njëra nga bufonadat e shumta që konsumohet në Shqipërinë e fillimit të këtij shekulli, e cila vazhdon të tërhiqet zvarrë prej mendësive lindore.
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.