Forumi Horizont
Trego 14 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja krishtere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=184)
-- Vdes Papa Gjon Pali II (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=7986)


Postuar nga i/e paregjistruar datë 02 Prill 2005 - 09:52:

Papa Gjon Pali i II

Duke pare influencen qe Papa ka pasur ne fene e Krishtere dhe ne bote mendova te diskutojme rreth ksaj ngjarje.

Disa nga influencat e Papes jane:

-reformimi i doktrines te Kishes. Ai nenshkroi ndryshimet ne katekizmin qe ben kisha, ose permbledhjen e besimit fetar. Ndryshimi i pare i bere pas 462 vjeteve. Kjo reforme u be edhe per futjen si pjese e doktrines fetare te zhvillimeve moderne dhe qendrimin qe mban Kisha ndaj tyre si psh. qendrimin kundra inseminimit (shtatzanise) artificiale dhe perdorimin e qelizave per Stem Cell Research.

-Papa konfirmoi ne nje predikim ne 1992 qendrimin e kishes kunder abortit dhe euthanasia (me falni po kte se di shqip). Ai gjithashtu ishte kunder denimit me vdekje.

-Shpesh here Papa ka folur kundra mjeteve artificiale per parandalimin e shtatzanise (ilace, prezervativa etc). Ai ka shprehur qendrimin e kishes kunder divorcit, seksit jashte marteses dhe lidhjet homoseksuale. Megjithate Papa ka kerkuar tolerance ndaj homoseksualeve.

-Papa ka refuzuar te lejoje femrat te behen "prifteresha" duke thene qe Kisha duhet te ndjeke udhezimet e Krishtit i cili kishte vetem dishepuj meshkuj. Ai gjithashtu ka refuzuar kerkesa te shpeshta qe te hiqet detyrimi i priftave per te qene te pamartuar.


Si mendoni se do influencoje fene e Krishtere dhe boten vdekja e tij?


Postuar nga tresh datë 03 Prill 2005 - 13:07:

Vdes Papa Gjon Pali II

Vatikani ka njoftuar dje se Papa ka ndërruar jetë rreth orës 21:35, tre ditë pasi kishte humbur ndjenjat. Pas spekulimeve të djeshme, ashtu siç kishte parashikuar, selia e shenjtë njoftoi vetë për çastin kur Papa ndërroi jetë. Të gjitha stacionet televizive të botës kanë ndërprerë transmetimet për të njoftuar vdekjen e Karol Vojtilës.


Bota lutet për shpirtin e Atit të Shenjtë
Protestantë, myslimanë, hebrej dhe madje edhe ateistë vlerësojnë njeriun që punoi aq shumë për paqen
Gjithë bota është lutur dje për shpirtin e Atit të Shenjtë. Protestantë, myslimanë, hebrej dhe madje edhe ateistë kanë vlerësuar njeriun që ka punuar aq shumë për paqen dhe për unitetin mes shumë dallimeve fetare. Ankthi, dhimbja dhe lotët shiheshin në sytë e besimtarëve që luten për Papa Gjon Palin e Dytë. Në sheshin e Shën Pjetrit, pikërisht përballë dy dritareve ku thuhet se dergjet papa, njerëzit vazhdojnë të luten. Mes tyre janë edhe fëmijë, të cilët bëjnë shenjat e lutjes dhe qëndrojnë të heshtur mes turmës së njerëzve. Të gjithë kanë pritur me ankth lajmin e fundit, por turmat nisën të rralloheshin reth orës 4 të mëngjesit duke u gdhirë e shtunë. Dritat në dy dritaret e apartamentit të Karol Vojtilës mbetën gjithë natën të ndezura, ashtu siç mbetën të mbërthyera drejt tyre sytë e besimtarëve katolikë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Vatikani tashmë është shndërruar në epiqendrën e vëmendjes së miliona njerëzve - besimtarë katolikë ose jo nga e gjithë bota. Disa dhjetëra gazetarë kanë mbërritur aty nga çdo anë e botës. Në Romë ndërkaq kanë hyrë në fuqi masa të jashtëzakonshme të sigurisë për të përballuar fluksin e mijëra njerëzve që pritet ende të mbërrijnë për të përcjellë Atin e Shenjtë dhe për të marrë pjesë në ceremonitë mortore. Ekziston frika që mbërritja e mijëra njerëzve në Romë për t'u falur për Papën do të ndikojë në problemet e rendit publik dhe ndoshta mund të kushtëzojë zhvillimin e zgjedhjeve rajonale të cilat janë të parashikuara për javën e ardhshme.
Ndërkohë, në Paris besimtarët kanë ndezur qirinj, janë lutur dhe të gjithë kanë reflektuar mbi mënyrën se si ai e qeverisi Kishën Katolike. Në katedralen Notre Dame në Paris, jo vetëm besimtarët, por edhe turistët ndezën qirinj poshtë një fotoje të Papës në vitin 1997. “Ai ishte njeri i madh… dhe ky është vërtet një moment i dhimbshëm”, tha Mike Miller, një vizitor amerikan në këtë kishë.
Po kështu në katedralen e Westminster në Londër si dhe në atë të St.Stephen në Austri, janë ndezur qirinj rreth fotografive të Papa Gjon Palit II. Në një meshë për gati 400 besimtarë, peshkopi i Londrës Alan Hopes njoftoi se Papa po bën udhëtimin e fundit të jetës së tij. Në Vjenë një besimtare u shpreh: “Nuk do të doja që ai të bëhej më mirë, por të kishte një vdekje me dinjitet”. Gati 1500 njerëz morën pjesë në një meshë për Papën në kategralen gotike të shekullit të 13-të në Gjermani. Mesha të veçanta janë kryer në gjithë botën, si në kisha e katedrale, ku drejtuesit e tyre kanë dhënë vlerësimet maksimale për figurën e Vojtilës. Nuk mund të mos vihet re një trishtim i madh mes polakëve, atyre që krenoheshin me figurën e bashkëkombasit të tyre. Pikërisht në qytetin jugor polak në Wadowice, ku Papa kish lindur 84 vite më parë, gati 20 000 veta morën pjesë në një meshë në bazilikën e St.Mary. Reverendi Glowka u tha të pranishmeve: “Jemi këtu pranë Papës në agoninë e tij, për të provuar bashkë me të, këtë mister të madh të jetës që është vdekja… Tani që ai është i sëmurë dhe një person i vdekshëm, ai na mëson leksionin më të rëndësishëm, leksonin e vdekjes dhe leksionin e këmbënguljes për të ndjekur këtë fat”. Papa nuk pranoi që të shtrohej sërish në spital për t’u kuruar, tre ditë më parë kur pësoi një pushim zemre, pas një infeksioni të rëndë urinar.
Por edhe Kina, e cila nuk lejonte që katolikët e saj të njihnin autoritetin e Papës, dje mori një qëndrim të veçantë, duke shprehur shqëtësimin e madh për shëndetin e Papës. Edhe Kuba komuniste, në një ndërprerje televizive njoftoi gjithë shikuesit se Papa ishte në prag të vdekjes. Në Jeruzalem, besimtarët ndezën qirinj në kishën ku të krishterët besojnë se Jezusi u kryqëzua. Në 1993, Vatikani nën drejtimin e Papës vendosi marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin, pas gati 2000 vitesh armiqësi mes kristianëve dhe hebrejve. E.Kushova


Disa herë buzë vdekjes
Në maj 1981 ai u qëllua në bark në sheshin e Shën Pjetrit nga një turk me emrin Mehmet Ali Agça.
Në korrik 1992 bëri një operacion për heqjen e një tumori beninj nga zorrët
Në prill 1994, ai bëri një operacion në legen, pasi theu këmbën duke u rrëzuar në tualetin e tij.
Në tetor 1996 ka vuajtur nga apendektomia.
Prej shumë vitesh ka vuajtur nga sëmundja e parkinsonit dhe ka qenë i ulur në karrige me rrota.
Që nga muaji shkurt ’05, Papa pati probleme me frymëmarrjen dhe dy ditë më parë pësoi një infeksion të rëndë urinar dhe një atak në zemër, që e futën në një gjendje të pashresë.


Postuar nga Klodel datë 03 Prill 2005 - 17:02:

ngushelime per papen. me erdhi shume keq. shpresoj qe kisha katolike te kete ne krye nje personalitet sic ishte papa Gjon Pali i 2

me respekt


Postuar nga Keni datë 04 Prill 2005 - 04:51:

Me vjen shume keq qe vdiq nje njeri si Papa Gjon Pali II. Ishte nje njeri qe u mundua te bente dicka per fjalen e perendise.
Shpresoj qe ne te ardhmen te vij nje tjeter njeri dhe te ndjeki rrugen e Papa Gjon Pali II.
Ngushellimet e mia per kete njeri te vyer.


Postuar nga NYCgirl datë 04 Prill 2005 - 08:18:

Megjithese nuk jam katolike, vdekja e Papes eshte me te vertete nje ngjarje e dhimbshme. Pervec atributeve te tjera te tij, nuk ka per t'u harruar kurre ndikimi i Birit te Polonise, ne rrezimin e diktaturen komuniste ne te gjithe Europen Lindore.

Personalisht, nuk kam per te harruar kur erdhi ne Shqiperi, dhe puthi token shqiptare, ne 93. Dhe nje nga frazat e tij te paharrueshme "Nje popull qe dha nje grua si Nene Tereza, nuk mund te jete nje popull i vogel!"


Postuar nga volter datë 04 Prill 2005 - 12:00:

Ngushellime Atit te Shenjte Papa Gjon Pali II...!

respekte


Postuar nga Isra datë 04 Prill 2005 - 12:14:

Ngushellime per Papa Gjon Palin e dyte!

Si njeri qe gjithe jeten i sherbeu Perendise uroj qe shpirti i tij te prehet i qete!


Postuar nga X-File datë 04 Prill 2005 - 12:20:

ngushllime te gjith besimtarve katolik.
ishte nje drite shprese per te gjith, shpresoj qe kisha katolike te gjej nje person qe do ta zevendesoj ne menyre te njejte.

respekt


Postuar nga Indrit datë 04 Prill 2005 - 21:04:

Angry Ngushellim per mbare boten e krishtere.

Te them te drejten une e kam marre vesh vetem dje kete lajm pasi kam qene me shume pandjenja qe nga dita e enjte dhe me te vertete me erdhi shume keq.
Ndoshta ky ka qene Papa qe ka pasur me shume popullaritet ne te gjithe historine e papatit fale punes se tij, ne te mire te njerezimit ne pergjithesi dhe ne te mire te Krishterimit ne anen tjeter.
Se di sa e vertete eshte por me kane thene se ka vdekur qe te premten por Vatikani nuk e ka konfirmuar me pare kete lajm. Gjithesesi : I qofte dheu i lehte, dhe uroj qe te krishtereve tju vije nje njeri akoma me i vlefshem se ky qe ishte.
Bashkohem me dhimbjen tuaj.
Indriti.


Postuar nga erzeni_be datë 05 Prill 2005 - 00:36:

Unhappy

Njerez si Papa Gjon Pali i II i duhen njerezimit...
Me vdekjen e tij njerzimi humbi nje shembull qe duhet ndjekur.

Ngushellimet e mija gjithashtu te gjithe besimatereve te krishtere.


Postuar nga amor alucius datë 16 Prill 2005 - 22:41:

Erzeni,i duhen dhe nuk i duhen botes te tille,eshte nje pikeqendrim pak si ambivalent.Pikat qe jane mesiper te permendura mund te quhen mjaft te renda,ka qene teper konservativ.Nje Pape duhet te jete qendra e motorit te kishes te ecjes me problemet e shoqerise.Nese ne krye te kishes ke nje plak-kokeforte-konservativ qe s'pranon te beje leshime,as kur behet fjale per jetera njerezish,madje qe as dhe pranon dhe te leshoje karrigen e tije nje njeriu qe ka nje fryme me te re...boh!
Nje njeri i "Zotit"nese ka aq fuqi sa te ndaloje vdekjen e shume njerezve duke pranuar perdorimin e condoms(...)atehere DUHET ta beje!Duhet gezuar qe nje njeri si nje Pape ka aq shume influence pikerisht aty ku duhet,pra ne shtresat me injorante te popullsise ku konservatizmi fetar eshte ne top,dhe kur e sheh qe s'perdoret kjo influence atehere...me ben te mendohem dy here.
Pastaj njihet me tutje se kaq qe ky Pape ka qene nje oportunist politik,merr shembullin e Pinochet.


Ka patur natyrisht dhe shume pika pozitive,sidomos per Polonine,vendin e tije por ho...si te ja bejme ne shqipetaret qe s'kemi noj shanc te madh per Pape?


Nje kandidat i mundeshem eshte belgu Godfried Danneels,71 vjec.Per mua eshte nje figure mjaft e goditur,eshte cardinal-archbishop i Mechelen-Brussels.Eshte pro perdorimit te anti-conceptiva,dhe poashtu pro ndaj nje pjesemarrjeje me te gjere te femrave ne sistemin kishetar.
Pike min eshte fakti qe ky mund te kete shume-shume 10-15 vjete jete, dhe serish Vatikanit shpenzime e pune te tilla ne nje kohe kaq te shkurter.
Poashtu(nese s'me tradheton kujtesa)ne '98 me duket se eshte akuzuar per abuzime ndaj ca cunave.

Me ka takuar ta shoh njehere nga larg,dhe duhet thene qe ka mjaft charisma.


Postuar nga erzeni_be datë 17 Prill 2005 - 00:12:

Pershendetje Amor.

Megjithe rrespektin qe gezon nga une... nuk do te ishim aq shume dakord me ate qe ke shkruar me larte.

Per faktin e thjeshte sepse tema eshte hapur per vdekjen e Papes... dhe mendoj se eshte vendi per ngushellime e jo per bilance.

Ndoshta ti do te reagoje- ai ka vdekur tashme, le t'i bejme bilancin, dhe ndoshta ke te drejte.

Papa Gjon Pali i II padyshim qe ka patur meritat e tij te pamohueshme, ne drejtimin dhe mbarevajtjen e Kishes anembane Botes.
Ka patur padyshim te metat, gabimet , shpifjet, intrigat dhe pergojimet e veta, disa nga te cilat une personaisht i kam vene ne dukje ne disa nga shkrimet e mia tek "Kisha dhe Pedofilia"

çeshtja e prezervativit eshte dhe vazhdon te jete "brenga" kryesore e Kishes, megjithate te autorizuarit apo te ndaluarit e prezervativit nga Vatikani, nuk mendoj se do te beje mrekullira... sepse njerezit qe duan te ruhen i kane patur dhe i kane aq mend ne koke per t'u ruajtur.

Sa per Papen e ardhshem...
Fliten shume emra, nder ta edhe belgu jone, por siç e the edhe ti ne 98 ka qene "shkelqimi dhe renia e shokut Zylo" ose me mire renia.

Une personalisht mendoj se Italianet "gabuan" nje here duke zgjedhur nje jo-italian (polak), por nuk mendoj se do te bejne te njejtin "gabim"


Gjithe te mirat Amor

Me respekt Erzeni


Postuar nga tresh datë 17 Prill 2005 - 02:02:

Kisha Katolike eshte nje ishe Universale ashtu sic q thote edhe emri
KATOLIKOS fjale greke KAT-OLOS= per te gjithe...
Me pak fjale papen nuk e zgjedhin italianet pse Kisha Katolike nuk eshte kishe Italiane po eshte nje kishe Universale pa ngjyra pa nenshtetesi apo lidhje gjaku per besimtaret e vet
Mos u quditni nqs papa do te jete aziatik,amerikano jugor afrikan etj etj...pse si de dini te gjithe ne te kaluaren ka pase pape me origjine Ilire,greke,franceze,gjermane arabe apo nga lindja e mesme...
Papen nuk e percakton ngjyra apo nenshtetesia dhe mos u quditni nqs papa mund te jete dhe me ngjyre te zeze apo ngjyre te verdhe..
Flitet per nje pape pak ne moshe mjaft te hekurt si dhe i cili do te jete shume dhe me nje njeri shume i doktrinuar do te jete nje papat i shkurter i cili do te pastroje kishen nga ''ato'' qe permendet me lart.
Shume pike dhe shume karakteristika te tilla ka kardinal Ratzinger si dhe kardinal Carlo Maria Martini...
Qe te kemi shanc per nje pape Shqiptare me perpara duhet te kemi nje kardinal Shqiptar.Po ne keto pune nuk mund te ecet me tifozllek kombetar pse besimi nuk eshte tifozllek
Sidokjofte shpirti i shejte do te jete ai qe do te ndriqoje mendjen e kardinaleve e jape nje pape te zote per sfidat e shekullit te ri dhe per te quar me para Kishen e besimin katolik.


Postuar nga AIR-FORCE-ONE datë 01 Tetor 2007 - 15:15:

RRNO per me tregue”, amanet i At Zef PLLUMBIT

Rrno për me tregue”, amanet i At Zef Pllumit
Nga Eugjen Merlika
“ Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Këto fjalë profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit, atëhere ende djalë i ri e i pashuguruar si prift, përbëjnë lajt-motivin e veprës së At Zef Pllumbit. Ishte një porosi me vlerë, një nga ata amanete “që nuk i tret dheu”, që ve në lëvizje gjithë energjitë, përkushtimin, motivimin shpirtëror, moral e mendësor të një njeriu të letrave, që synon t’i shërbejë tërësisht një qëllimi të shenjtë, shpalosjes të së vërtetës. Në vetëdijen e autorit ai amanet bëhet besim, ideal, ëndërr, kuptim jete; e shoqëron çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, dhjetëvjeçarë me rradhë, në një rrugë të gjatë, të vështirë, gjithmonë në të përpjetë, që është jeta e shkrimtarit. Ai amanet i jep forcë, vullnet, qëndueshmëri, për të sfiduar sfinksin, për të mbijetuar në një xhungël ku sundojnë egërsirat, ku çdo ditë rrezikohet të gjymtohet, të humbë, të asgjësohet. Ai amanet kthehet në një dritë të fuqishme që ndriçon çdo qelizë të kujtesës së pazakontë, për të hedhur në letër gjithë bagazhin jetësor të një përvoje vetiake e të përgjithëshme, që përbën shtyllën kurrizore të veprës që sendërtohet e merr formën e librit të kujtimeve, duke hyrë, mendoj un, me dinjitet në fondin e letrave shqipe.

”28 nandor 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë,ndoshta me zymta që prej shpalljes së pavarësisë” është një fjali në fillim të veprës, është penelata e parë që paralajmëron koloritin e saj. Zymtia përshkon gjithë faqet e librit, duke pasqyruar atmosferën në të cilën hynte një komb i tërë, pas një tragjedije që nuk kurseu askënd në kontinentin e vjetër. Por në vendin e autorit tragjedia do të kishte përmasa makabre, para të cilave dhe bota shekspiriane do të dukej e zbehtë. Autori është një misionar e misioni i tij është shumëplanesh. Si shkrimtar duhet të paraqesë me art epokën e trazuar së cilës i përket, si famullitar, pjestar i bashkësisë së klerit katolik duhet të marrë në mbrojtje arsyet e tij, si i përndjekur politik i regjimit duhet të dëshmojë dramën e asaj pjese të popullsisë që “koha e re” i vuri në qafë një zgjedhë. Si i tillë, por edhe si njeri, si qytetar, ai rrjeshtohet në anën e të mundurve, të viktimave, të atyre që e pësojnë historinë, por me vetëdijen e plotë se duhet të pasqyrojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Eshtë kjo një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumbit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, ashtu siç kanë ndodhur, me dritat e me hijet.

Merr tepër rëndësi ky fakt, po të kemi parasysh se bën fjalë për pasqyrimin e një epoke në të cilën e vërteta është dhunuar katërcipërisht, në të gjitha shfaqjet e saj, për një gjysëm qindvjete, duke ju servirur për së prapthi një populli të tërë. Dita e çlirimit u hymnizua në të gjitha format, u bë motiv zotëronjës kudo, në artet, letërsinë, shkencat historike e shoqërore. U paraqit gjithmonë në simbiozë me fitoren e Evropës kundër diktaturave, u quajt prej shumicës si pika kulmore në historinë tonë të shekullit të kaluar. Në fakt ajo ditë solli në fron një regjim që u mbështet mbi mashtrimin e dhunën e që, për fat të keq, në sajë të jetëgjatësisë, mundi të futë tentakulat e saj në indet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë duke krijuar tabu të rreme në mendësitë e vetëdijen e një pjese të dy brezave shqiptarësh.

Ndërsa për At Zefin “ Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e dijtun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithshka; ate që nuk dihej” Nëpërmjet episodeve të ndryshme përshkruhen bëmat e partizanëve, në të cilat ai merr pjesë në vetë të parë. Objektiviteti në vlerësimin dhe paraqitjen e personave dhe ngjarjeve është i dukshëm: për tregues mund të përmenden bisedat me Shefqet Peçin apo me Mehmet Shehun, episodi i rojeve të burgut Dhimitër e Tomorr, gjyqi kundër klerit katolik, bisedimet për Statutin e Kishës etj. Autori i ka vënë detyrë vetes të dëshmojë gjithë përvojën e tij. Ai mbetet në qendër e rreth tij vërtiten ngjarje e persona të cilët, për mirë apo për keq, lidhen me të. Vështrimi i shkrimtarit është shumë i gjerë, kap një kënd prej 360°, gjithshka që rrezaton jeta materiale, shpirtërore, intelektuale e mjedisit në të cilin ndodhet, doket, zakonet, filozofinë, historinë, politikën, kulturën e popullit të tij.

Kujtimet e autorit rrokin një shtrirje kohore të gjatë, i ngjajnë një Sage të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shëmbjen e tij. Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ata kampe e burgje. Nëpërmjet personazheve të vërteta, të hasur në këto mjedise, personazhe që drejt për së drejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës së tyre, nëpërmjet historive të jetëve të tyre ravijëzohet një vend i cili është shndrruar në një burg të madh. Në të secili e sheh me dyshim lindjen e ditës, mbasi nuk e di se ç’do të ndodhë me të deri në mbrëmje, kufiri mes “tanëve” e “armiqve” pothuajse është zhdukur mbasi, sa hap e mbyll sytë, ish luftëtarët, drejtuesit e Partisë, gjeneralët, shkrimtarët përfundojnë në qeli nga ku vazhdojnë t’i besojnë përrallës së komunizmit.

Përshkrimi i atyre burgjeve, në të gjithë vërtetësinë rrënqethëse të tyre, është ndihmesa më e madhe që autori i jep shqiptarëve e historisë së tyre. Ato copëza jete të mnerëshme të ngulura në vepër dëshmojnë se deri ku arriti krimi i organizuar në formën e Shtetit e do të vlejnë për të ardhmen, kur Shqipëria të jetë bërë një vend normal e kur Historia do të shkruhet në termat e saj të vërteta. Ato dëshmi do të hedhin dritë mbi një realitet për të cilin, fatkeqësisht, në Shqipëri e më shumë në Evropë, shfaqet prirja për t’a zvogëluar, për t’a harruar, për t’a fshirë nga kujtesa. Autori është i vetëdijshëm për këtë, duke patur parasysh se kjo mundësi bie ndesh me amanetin që ka marrë në të rit e vet: me tregue. Ai nuk ndalet, vazhdon të kujtojë e të tregojë, i bindur se jo gjithmonë tregimi i tij do të bjerë në vesh të shurdhër.

Por një qëllim ka për zemër autori e që lidhet me misjonin e tij si shërbyes i Krishtit. Ai don të paraqesë në dritën e së vërtetës Kishën e tij, këtë institucion që ishte nga më të luftuarit, mbi të cilin ranë “rrufetë e Zeusit” në mënyrë të posaçme, të pandara, me ashpërsinë më të madhe, deri në paradokse. Përse komunizmi shqiptar u tregua kaq gjaksor me fenë në përgjithësi e me atë katoliken në veçanti? Sepse, siç e thashë më sipër, ishte një sistem që themelin e kishte mbi mashtrimin e dhunën, dukuri që çdo besim, në veçanti ai i krishteri, i quajnë të papranueshme e i luftojnë me të gjitha mjetet. Që të ngrihej godina duhej pastruar themeli nga morali, duhej vënë atje imoraliteti, duhej asgjësuar kushdo që i kundërvihej këtij të fundit. Kisha katolike shqiptare nuk pranoi të bëhej krah i regjimit, nuk pranoi të ligjëronte krimin, nuk pranoi të shkëpuste lidhjet e saj shekullore me Vatikanin. Ja pra arsyeja e barbarizmit të pashembullt që u martirizua më shumë se çdo simotër e saj, që u kërcënua me shuarjen e plotë si asnjë tjetër.

Ç’përfaqësonte Kisha katolike për Shqipërinë e popullin shqiptar? Pa dyshim ka qenë një nga pjesët më cilësore të superstrukturës së këtij Vendi. Tradicionalisht një nga tempujt më të fuqishëm të kulturës sonë, dha një ndihmesë themelore në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pati merita të jashzakonshme në kultivimin në popull të dashurisë për Atdheun, gjuhën e historinë e tij, pati rol përcaktues gjatë pushtimit otoman në ruajtjen e identitetit kombëtar, i dha Shqipërisë një thesar të paçmuar në fushat e ndryshme të kulturës. Përfaqësuesit më në zë të saj, në qindvjetorin që lamë pas, si Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, At Anton Harapi etj. ishin korifej shqiptarizmi e Baballarë Kombi.

Këto të vërteta, të mohuara për një kohë të gjatë nga regjimi e veglat e tij në të gjitha nivelet, autori i shpalos me mjeshtëri nëpërmjet portretizimit të figurave, ndërhyrjeve filozofike, bisedave politike, kujtesës historike, episodeve që trajtojnë arkivin apo bibliotekën. Në sytë e lexuesit prakalojnë, në dritën e së vërtetës, eprorët apo kolegët, martirë të fesë e të kombit, secili me personalitetin e tij. Ato hyjnë lehtë në mëndjen e tij e mbeten gjatë. Aftësia e autorit në portretizimin e personazheve më duket se është me të vërtetë spikatëse. Më duket me vënd të sjell këtu një pjesëz nga gjyqi i madh në redaksinë e Hyllit të Dritës. Flet At Mati Prendushi që, në krahasim me gjykatësit e tij, më duket si Guliveri me Liliputët:

“ Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër huj e na kanë varë në konop ata që nuk deshtën as fenë, as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë e si në paqe: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jena da kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë ate kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjervet. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugën e Zotit...”

Fjalë lapidare, të gdhendura në mermerin e ndërgjegjes së kombit, që pohojnë një të vërtetë të mohuar, të njollosur, të kthyer përmbys nga një bandë kriminelësh të institucionalizuar në krye të Shtetit, për fatin e keq të Shqipërisë. Këtë të vërtetë rivendos në mendjet e lexuesve me mjeshtri At Zef Pllumbi, duke ja arritur plotësisht qëllimit të tij. Figurat e At Anton Harapit, At Gjon Shllakut, Dom Alfons Trackit, At Pal Dodajt, At Ciril Camit, At Mati Prendushit, At Donat Kurtit e sa e sa meshtarëve të tjerë mbeten në kujtesën e lexuesit, në thjeshtësinë e njëherësh në shkëlqimin e tyre si shërbyes të kishës së Krishtit, si njerëz, si shqiptarë.

Portretizimi është i efektshëm dhe në vizatimin e figurave të tjera, të atyre që në këtë sagë kujtimesh gjysëm shekullore, bëjnë pjesë në viktimat apo në fitimtarët. Éshtë mjaft goditës portretizimi i veglave të diktaturës, të atyre “heronjve të heshtur” ose jo, që penda të tjera të fuqishme të letrave shqipe, për dhjetëvjeçarë të tërë i hymnizuan, i veshën me lavdi edhe se përfaqësonin krimin, dhunën, imoralitetin.

“ Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randsishme për historinë e Shqipnisë, prandej tregoni kujdes të veçantë për ta!

-Mos u ban marak P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruejmë neve!”

Thuhet se një përgjigje të përafërt dha dhe Hitleri kur dikush pati guximin t’i kujtojë krimet e ushtrive të tij dhe historinë. Dul Rrjolli ishte një partizan i thjeshtë i paditur, por mendësia që shprehin fjalët e tij është ajo e arrogancës së pjesës më ekstremiste të komunistëve shqiptarë që arritën të mbizotëronin e të merrnin pushtetin, me të gjitha pasojat që pësoi Shqipëria.

Ka një tjetër shtysë të fuqishme në misjonin e tij shkrimtari e kjo është dashuria për popullin e vet dhe vendin e të parëve. Éshtë një ndjenjë e fuqishme, e përzjerë me krenarinë e dhimbjen, por që në ndonjë rast shpërthen në një zemëratë që na kujton shprehjen e Çernishevskit për rusët: “Komb skllevërish, fund e majë të gjithë skllevër!”

“ Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?” shfryn ai në një çast dëshpërimi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë çast si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet t’a kalojë këtë provë çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marredhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata që, deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij. Bën pjesë dhe kjo në misjonin e shkrimtarit, veç atij të famulltarit, sepse arti në genet e tij ka predikimin e dashurisë ndërmjet njerëzvet, brezave, popujve, dashurisë që ndërton familjen, shoqërinë, kombin. Sa larg misjonit të tyre ishin ata shkrimtarë që, në gjithë veprën e tyre, hymnizuan “luftën e klasave”, “ urrejtjen klasore” mes pjestarëve të një populli, të një kombi, mes folësve të një gjuhe, që evokuan “armët e zbrazura për t’uruarin komunizëm” e bëmat e tij “heroike”...

Nga lartësia e misjonit të tij, i vetëdijshëm për peshën e rëndë që ka marrë mbi supe, me modestinë e artistit e të fetarit, autori i drejtohet lexuesit bashkëkohës të tij, por dhe atij të kohëve të mëpastajme, me një kërkesë sa të thjeshtë aqë dhe të ndërlikuar:

“Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon qi të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato...Pse?”

Pyetja e autorit del nga përmasat e veprës së tij e godet fort ndërgjegjen e një shoqërie që bart në vetvete krimin e pandëshkuar e që është shoqëria shqiptare. Por ajo shkon dhe më tej, i kalon kufijtë e brishtë të truallit të ngjarjeve e i drejtohet botës së madhe, ku një kulturë e tërë e ashtuquajtur “progresiste” mbetet indiferente kundrejt tyre, duke vënë theksin gjithmonë vetëm mbi një lloj tjetër krimi, atë nazifashist. Teoria e dy peshave e dy masave, që kushtëzoi për gati gjysëm shekulli çdo hap të jetës së shqiptarëve, në Evropën demokratike vazhdon të paragjykojë ndërpretimin dhe analizën e historisë së tyre. Nuk është e rastit dhe heshtja e kësaj të fundit në lidhje me kundërvënien ndërmjet Shtetit shqiptar dhe të përndjekurve politikë të komunizmit që kërkojnë dëmshpërblimin për vitet e punës së papaguar në kampet e punës së detyruar.

Misjoni i autorit është tepër fisnik e i lëvdueshëm. Do t’ishte në dobi jo vetëm të së vërtetës, por dhe të ripërtëritjes shpirtërore të shqiptarëve, të përqafohej nga një numur më i madh shërbyesish të artit. Këto lloj shkrimesh do të vlenin shumë, sidomos për të rinjtë, që të kenë mundësi të krijojnë përfytyrimin e saktë se në ç’absurditet të llahtarshëm jetuan prindët e gjyshët e tyre, cila qe përgjegjësia, ku u shfaq forca apo dobësia e tyre. Çuditërisht këto tema lëvrohen vetëm nga dëshmitarët e drejt për drejtë të ngjarjeve si At Zef Pllumbi apo pak të tjerë. Orteku i shkrimtarëve të regjimit që është konvertuar në demokraci nuk gjen në ato tragjedi asnjë motiv frymëzimi, edhe se dikur bënte thirrje që “në gjak të ngjyejnë penat”. Ja dhe një motiv më tepër për t’u thelluar në pyetjen e shkrimtarit...

Meritat letrare e artistike të veprës më duket se janë të bollshme, aftësia përgjithësuese e madhe, gjuha e stili të rrjedhshëm,galeria e personazheve dhe e mjediseve e larmishme, pasqyrimi i së vërtetës jetësore i saktë. U mundova të paraqes përshtypjet mbi vlerat kryesore të mesazhit që buron nga libri “Rrno vetëm për me tregue”. Aspekte të ndryshme mund të analizoheshin shumë më gjërë e besoj se do të jenë objekt i kritikës më cilësore.

Si lexues e quaj të udhës të shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për personalitetin e autorit që do t’a quaja pa mëdyshje një Sollzhenicin shqiptar.

back | 29.09.2007


 
Trego 14 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.