Forumi Horizont
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Zef Serembe (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=65)
-- Kush është Zef Serembe (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=87)


Postuar nga Ami- datë 01 Janar 2003 - 22:18:

Kush është Zef Serembe

Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundërazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe.
Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit.
Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik.
Serembja shkroi vjersha, poema, drama. Po për shkaqe të ndryshme vetjake dhe ekonomike, vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij ka arritur gjer te ne. Për poetin mund të gjykojmë kryesisht nga vëllimi italisht që botoi sa ishte gjallë, dhe nga vëllimi Vjershë, që e botoi më 1926 në Milano i nipi.
Vitet e fundit studiuesit tanë dhe arbëreshë kanë arritur të gjejnë një përmbledhje me 40 sonete, të botuara italisht në vitet `90 që dallohet nga protesta e hapur shoqërore, po kështu mjaft dorëshkrime poetike që nuk njiheshin, dhe një numër të madh lerash nga korrespondenca e tij.


Postuar nga amoxil datë 22 Gusht 2005 - 02:53:

Foto e Zef Serembes....


Postuar nga amoxil datë 22 Gusht 2005 - 02:55:

KËNGA E MALLIT TË PARË"

Dëgjo, vash', këngën e par'
që ta thot' një djal' bujar,
Dëgjo, vash' këtë kangjele
q'është e butë posi dele.
Një e djelë ishte pagdhirë
tërë dritë e gaz të dlirë.
Dolla jashtë e s'kish njeri,
kisha helm, jo lumtëri:
E një vashëzë kërkonja
po hirplote, siç e donja.
Mesha e madhe, ja po bie
e nga kisha mën i shtije;
Dola: vashëzat po vinin.
qetë e lehtë në kishë hynin.
Asnjë vash’ s’m’u duk e mirë
e asnjë s’ m’ ip dëshirë,
Dhe kjo zemër psherëtonte,
se nuk gjente kë kërkonte.
Po kjo zemër u gëzua
tur një vashëz u afrua,
Kur te sheshi ajo shkonte,
tërë sheshi dritë lëshonte.
I shkëlqenin ata sy
që nuk shihnin as njeri,
Si një fluturëz e lehtë
vej në kishë e zhdukej vetë.
Kur e vrejta, kur e pashë,
Sa e bukur! sakaq thashë.
Që ahere s’pat pushim
ky i mjeri shpirti im.
Ditë e natë un’ e kujtonj,
nat e ditë e dëshëronj;
Posi hije pas i rri,
e vështronj me dashuri,
Kur më sheh e më ve re,
ndjej të madhe një hare.
Kur më flet e më shikon,
zemrën një shigjet’ ma shpon.
E kur vjershën ajo shtije
duket se më vjen të bije!
E kur gjumi pra më zë
unë në paqe s’mund të flë:
Me at sy n’ ëndërr më rri,
që të fshehur kan’ magji.
Se m’do fort ajo më thotë
edhe nxjerr dy pika lotë:
E tek veshi më rrëfen
se sa mall për mua ndjen.

Asaj dorëzën ja ngas,
buz' më buzë asaj i flas,
Edhe mezin ja shtrëngonj:
duke e puthur un' gëzonj.
Pra si nj' ëndër vete e shkon,
po në zemër më qëndron.
Kushedi a më dëgjove,
mallin tim a e kuptove?
Kushedi tek ti a foli
malli e zemrën a ta ndolli?
Me gjith' zemrër un' t dua,
se fort më pëlqeve mua.
Ti me mua, vashëz, eja,
se të dua si veteja.
Tok të rrojmë te ky dhe
si në zi e në hare.
Tok të rrimë në rini,
tok edhe në pleqëri.



Zef Serembe


Postuar nga amoxil datë 22 Gusht 2005 - 04:57:

Zef Serembe. Poezi.

Vrull


Zogj të bukur këndojnë me hare,
po zemra do t'më plase mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
mërzitem në katund, në vetmi.

Hapet përpara meje deti i shkëlqyer,
që zgjon në trutë e mi mendime shumë,
e shqetësimi zemrën time çjerr,
aq sa vetëm pushoj kur bie në gjumë.

Arbëri matanë detit na kujton,
se ne të huaj jemi te ky dhe.
Sa motë shkuan! E zemra nuk harron,
që nga turku mbetem pa mëmëdhe...


Postuar nga amoxil datë 25 Gusht 2005 - 07:35:

Zef Serembe. Poezi.

Malle

Zogjte e bukur kendojne me hare
Po zemra do me plas mua ne gji,
I merguar qaje jeten ne kete dhe
Merzitem ne katund, merzitem ne vetmi...!

Tere shkelqimi, me hapet para vedit
Qe me zgjon trut e mia ne mendime shume,
Ah` ç mu doq zemra mua te shkretit
Aq sa pushoje vetem, kur bie ne gjume...!

Arberia matan detit, ne na kujton
Se ne te huaj jemi ne kete dhe
Eh` sa vjet shkuan, e zemra nuk harron
Qe nga Turku mbetem pa memedhe...!

Hakmarrja na jep shprese e na ndriçon
Seç po fryne ere e akullt me za
Seç ka qene Arbereshi sot po harron
E si vjen turp aspak te rri e te fle...!


Postuar nga amoxil datë 25 Gusht 2005 - 09:14:

Zef Serembe


 
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.