Forumi Horizont | Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 » Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Rrefimi i ish-presidentit Moisiu: Presionet e Berishës për shkarkimin e Sollakut (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17199)
Rrefimi i ish-presidentit Moisiu: Presionet e Berishës për shkarkimin e Sollakut
Kjo eshte nje nga intervistat me spektakolare qe kam lexuar ndonjehere, ku goja e te vertetes eshte ... ish-PRESIDENTI shqiptar. Vlen vertet te lexohet.
--------------------------------------------- Për ta studiuar sa më mirë dhe për të dalë në konkluzione të sakta mbi raportin e Kuvendit për çështjen Sollaku, porosita që të punohej në dy drejtime kryesore: E para, të ngrihej një grup vendor ekspertësh të drejtësisë dhe të Kushtetutës, por ndërkohë kërkova që këtij grupi vendas t'i jepej një konsulencë ekspertësh të huaj. E dyta, për t'i sqaruar gjërat sa më mirë dhe deri në fund, i dhashë porosi këshilltarit tim juridik, të bisedonte dhe të konsultohej me anëtarët e misionit "Euralius", si dhe me juristët amerikanë, të cilët vinin shpesh pranë gjyqësorit tonë për ndihmë juridike. I mora këto masa, se po shihja që komisioni i Kuvendit më shumë po merrej me argumente politikë, sesa me ato juridike dhe kushtetuese. Kuvendi, më 24 korrik, mori në shqyrtim raportin e komisionit "Sollaku". Në fakt ishin dy raporte, ai i shumicës dhe ai i opozitës. Ishte më se e kuptueshme që të dy do t'i kundërviheshin njëri-tjetrit. Gjatë diskutimit, fjalën më të ashpër e mbajti Berisha, i cili duke argumentuar nevojën e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, arriti deri aty sa ta akuzojë se ai është i lidhur me krimin dhe gjëra të tjera të padëgjuara ndonjëherë, që ai, siç e ka zakon, i përdor lehtësisht dhe pa asnjë përgjegjësi, kur dëshiron të nxijë diçka me qëllim, për të plotësuar synimin e tij. Më befasoi me ato që thoshte për të, sepse në qoftë se Sollaku ishte anëtar i krimit, atëherë me çfarë pafytyrësie në muajin janar më propozoi, që pasi ta largonim nga ajo detyrë, ta emëronim në instancat e larta të gjykatave tona?! Sigurisht kjo do të thotë se ai është i papërgjegjshëm për ato që nxjerr nga goja, ndaj kujtdo që e quan kundërshtar të tij, që për çudi, tek ne, kjo, jo vetëm nuk ndëshkohet, por quhet aftësi. Pas këtij pseudodebati në Kuvend, kuptohet qartë se shumica me votat e saj mori vendim për shkarkim të Thedhori Sollakut nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë, situata po rëndohej. Sulmet dhe presionet direkte dhe indirekte ndaj meje po shpeshtoheshin në mënyra nga më të ndryshmet, për të cilat më shumë ndjeja neveri sesa i vlerësoja. Çuditesha me ta që nuk më kishin njohur ende, sepse në se do të isha i atillë që të shihja interesat personale, shenjat do t'i kisha dhënë me kohë gjatë jetës sime, kur kam kryer detyra jo pak të rëndësishme. Pra, shqetësimi im i vetëm ishte çfarë të bëja më mirë dhe më shumë, për të forcuar shtetin ligjor dhe demokracinë shqiptare. Por përsëri presionet dhe ngacmimet e tyre s'kishin të sosur. Në muajin gusht, kur isha me pushime në Vlorë, mendja e tyre e mbrapshtë polli një sajesë tjetër. Sapo kisha mbërritur në vilë, kur prefekti i qarkut erdhi më takoi. Në bisedë e sipër më tha se ishin në dispozicionin tim për të më krijuar kushte sa më të mira pushimi. E falënderova për respektin dhe kujdesin që tregoi. Të nesërmen, "Top-Chanel" jep një reportazh, se në Vlorë po pengohej turizmi, pasi Presidenti ka ndaluar që pub-et, në afërsi të vilës ku ndodhet, të kenë aktivitete pas mesnate. U befasova nga ky lajm! Menjëherë kërkova të komunikohej me prefektin, për të sqaruar se kush e kishte dhënë atë porosi, por kontakti me të nuk u arrit. Ndërkohë, policia mohonte të kishte dhënë ndonjë urdhër për diçka të tillë. Të nesërmen shtypi i djathtë u mbush me këtë "sensacion"! Në mbrëmje u takova me drejtuesit vendorë. Bashkë me ta ndodhej edhe prefekti, i cili, pasi e pyeta, më sqaroi se këtë e kishte bërë ai, "për të ruajtur qetësinë për mua natën". I them faleminderit, por mua nuk më shqetësojnë pub-et dhe po të kisha nevojë do ta kisha kërkuar vetë një gjë të tillë. Më pas m'u kujtua se e njëjta taktikë u përdor nga sejmenët e Nanos në vitin 2002, kur kisha shkuar për pushime në Dhërmi. Atëherë, të nesërmen e mbërritjes sime, u dha lajmi në media se Presidenti ka ndaluar që pub-et të kenë aktivitet pas mesnatës, në një kohë që mbesat e mia, që i kisha me vete, qëndronin atje bashkë me shoqërinë e tyre, deri vonë pas mesnate! Pra, qëllimi i këtyre lajmeve të rreme, si në kohën e qeverisë së majtë ashtu edhe në atë të djathtën, ishte i njëjtë, për të krijuar në opinionin publik një imazh sa më negativ ndaj meje, si Kryetar i Shtetit. Megjithatë, njerëzit e thjeshtë nuk gënjeheshin aq lehtë, sa mendonin strategët e këtyre makinacioneve mashtruese. E them këtë, sepse, sipas një sondazhi që kishte bërë shoqata amerikane "Global", i shpallur tri ditë pas sensacionit të Vlorës, rezultonte që besimi tek Presidenca ishte rritur me 4.7%, kurse nota vlerësuese ishte 7.6, më e larta në krahasim me të tjerët. Por Berisha nuk mendonte ta ndalte hovin e presionit ndaj meje, përkundrazi e shtoi atë së tepërmi, duke iu afruar sa më shumë atyre të tipit mafioz. Konkretisht aty nga mesi i gushtit, nipave të mi filloi t'u bëhej presion maksimal, për të influencuar tek unë për firmosjen e shkarkimit të Kryeprokurorit! Duke qenë mashë e Berishës, Gazmend Dibra, drejtori i Drejtorisë së Aviacionit Civil, i kish kërkuar në telefon Sashës, nipit tim të madh, që të vinte në Sarandë tek unë, ku ndodhesha me pushime, për të më kërkuar largimin e Sollakut! Kur e mora vesh këtë veprim skandaloz të drejtorit të Aviacionit, nuk po e besoja! Si ishte e mundur të arrihej deri në presione të shëmtuara tek Kryetari i Shtetit?! Me thënë të drejtën, m'u kujtuan ndodhitë në Republikat e Amerikës Latine, ku komandon mafia! Pas katër ditëve të telefonatës që kishin marrë nipat e mi, në gazetën "Panorama" citohej këshilla që kishte dhënë z. Godo, për firmosjen e shkarkimi të Prokurorit të Përgjithshëm! "Ndryshe do të ndodhte përkeqësimi i marrëdhënieve midis Presidentit dhe Kryeministrit"! Mandej, duke kaluar pa asnjë ngurrim në kërcënimin e paskrupullt: "Kujdes, mazhoranca i ka 84 votat për Presidentin"! Se për çfarë përkeqësimi të mëtejshëm fliste Godo, kjo u kuptua kur, përveç presioneve të shumta nëpërmjet organeve zyrtare e atyre mediatike, kishte filluar edhe presioni maksimal ndaj familjarëve të mi. Duke parë këto veprime, për ditë e më shumë po bindesha se Berishës aq i bënte për dëmtimet e padrejta që i shkaktoheshin tjetrit dhe të ardhmes së vendit. E rëndësishme për të përherë ka qenë dhe është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe përfitimi sa më shumë prej tij. Këtë po e tregojnë më së miri edhe ngjarjet paszgjedhore në vitin 2009, veprime të cilat po e izolojnë Shqipërinë për ditë e më tepër nga Bashkimi Evropian. Çuditërisht, presioni i Gazmend Dibrës ndaj nipave të mi vazhdonte të rritej në mënyrën më skandaloze! Pas sugjerimit që u bëri për të ardhur tek unë dhe për të më bindur të firmosja shkarkimin e Sollakut, më vonë filloi t'i kërcënonte se do t'u mbyllte biznesin, që faktikisht më pas e bëri! Për momentin mendova se ishte thjesht një nismë militante e Dibrës në shërbim të Doktorit. Ama, më pas, u pa qartë se ai vepronte direkt me porosi të Berishës, qëllimshëm për të dëmtuar njerëzit e mi, që të më detyronte për t'u tërhequr nga mbrojtja e Kushtetutës dhe për t'u hapur rrugën dëshirave të tij! Pra, e njëjta metodë që përdor mafia në të gjitha vendet ku ajo vepron, e cila në rast se nuk ia arrin dot qëllimit me mënyrat e zakonshme, përdor sekuestrimin e personave të familjes ose shantazhin, për të thyer rezistencën që bëhet kundër arritjes së objektivave të saj! Megjithatë, qëndrova indiferent, vazhdoja punën time bazuar në ligjshmërinë kushtetuese, duke mos u marrë me mafiozllëqet që po kryheshin. Aq i përkushtuar ishte Gazmend Dibra, sa që nga Varshava ku kish shkuar me shërbim, në fillim të shtatorit, dha urdhër me telefon që të pezullohet aktiviteti i kompanisë ajrore "Albatros", me pretekstin absurd që ata i kishin borxh një sasi të hollash një institucioni të tretë, problem që ishte dërguar për zgjidhje në gjyq. Kështu, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës dhe të drejtësisë, në marrëdhënie me një biznes privat, në mënyrë absolutisht të padrejtë dhe të paligjshme, përdorën në mënyrë tepër abuzive forcën e ekzekutivit, vetëm dhe vetëm për të më detyruar mua që të tërhiqesha nga pozicioni im kushtetues! Sigurisht, ky veprim i paskrupullt solli një reagim të furishëm në shtyp dhe në Parlament. Por, prapë se prapë Kryeministri nuk u tund nga e vetja, duke vënë në jetë atë që thuhet: "Jo Ligji, por Maliqi", deri sa e detyroi "Albatros"-in të falimentonte. Me këtë rast, si pa u ndjerë, iu hap rruga kompanisë tjetër ajrore, "Bellair", të operonte suksesshëm e vetëm dhe pa konkurrent, ku një nga pronarët kryesorë është njeriu i Bashës, të lidhur një dreq e di me kë në këtë shoqëri, që më shumë i ngjan një karteli mafioz sesa një shteti ligjor evropian. Ndërkohë, për çështjen "Sollaku", si Euralius ashtu edhe përfaqësuesi i Këshillit të Europës në Tiranë, pasi studiuan raportin e Kuvendit, dhanë opinionin e tyre se nuk shikonin ndonjë arsye kushtetuese për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe juristët amerikanë, që vizitonin kohë pas kohe gjyqësorin tonë në Shqipëri, jepnin të njëjtin mendim. Vështirësia qëndronte se Euralius nuk pranonte që të shprehej publikisht, duke deklaruar se ata nuk kishin mandat për atë veprim. Po për të njëjtat arsye edhe juristët e KE-së në Tiranë, hezitonin për t'u prononcuar publikisht. Më vjen mirë që kohët e fundit këto institucione e kanë kuptuar gabimin e tyre dhe kanë filluar të reagojnë hapur ndaj shkeljeve të qeveritarëve tanë të përfshirë nga qëllime jo të pastra në ushtrimin e detyrave të tyre. Po kështu shoh me kënaqësi që diplomatët e huaj në Tiranë kanë vendosur të flasin pa dorashka për shkeljet e shumta që po bëhen në vendin tonë nga pushteti aktual. Për të krijuar një bindje ligjore edhe më solide, në shtator, kur shkova për të marrë pjesë në sesionin e radhës së OKB-së, shfrytëzova mundësinë e një konsulence më të gjerë edhe me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, me zotin Xhon Roberts, i cili dha po të njëjtin mendim, që nuk shihte asnjë arsye kushtetuese për shkarkimin e Sollakut. Dua të përmend këtu prononcimin e Presidentit Bush në "Forumin mbi Demokracinë", që u mbajt në Nju Jork në atë shtator, me pjesëmarrje të njëzet e një kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave, i cili është bërë publik në atë kohë. Po e sjell në kujtesë, që kur m'u drejtua mua, tha: "Ju përshëndes dhe ju inkurajoj, për kurajën dhe për punën që po bëni, sidomos për përpjekjet tuaja për të ruajtur dhe konsoliduar pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, gjë për të cilën më kanë folur juristë të shquar amerikanë, që janë takuar me ju dhe kanë vizituar Shqipërinë". Kjo ishte një mbështetje më se e hapur në lidhje me qëndrimet e mia për të mbrojtur drejtësinë shqiptare nga sulmet politike të Berishës. Pas kthimit nga SHBA-ja, e kisha më se të qartë se ç'duhet të vendosja për propozimin që më kish ardhur për Prokurorin e Përgjithshëm. Ndaj, për ta bërë sa më transparente se ku mbështetej vendimi im për refuzimin e propozimit të Parlamentit, dekretin e shoqërova me një letër të detajuar, drejtuar anëtarëve të Parlamentit, të cilën e dërgova më 13 tetor. Për opinionin publik u shpreha një ditë më vonë, në një konferencë shtypi para medias shqiptare dhe asaj të huaj që operonte në vendin tonë, ku shpjegova se krizën ndërinstitucionale, e kisha trajtuar me shumë përgjegjësi, duke respektuar me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e shtetit. Theksova se në thelb të bashkëpunimit institucional qëndron pavarësia dhe autonomia e tyre në kryerjen e funksioneve kushtetuese. Mandej sqarova se në vendimin e Kuvendit nuk është dhënë një propozim i drejtpërdrejtë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por miratim i raportit të komisionit hetimor parlamentar. Pra, është vendosur në një votim të vetëm miratimi i raportit me kërkesën për shkarkim, çka bie ndesh me paragrafin 2 të nenit 149 të Kushtetutës. Për sa i përket vlerësimit të vendimeve të prokurorisë nga komisioni hetimor, ky veprim bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës, sepse kompetencën ekskluzive për këto veprime e ka vetë prokuroria. Më pas shpjegova se sipas ligjeve tona, funksionin kontrollues nuk mund ta marrë Parlamenti, por vetëm gjykata. Në vendimin e saj të vitit 2003, Gjykata Kushtetuese është shprehur se "Kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera". Në këtë mënyrë argumentova se nga disa anëtarë të Parlamentit është shkelur parimi i prezumimit të fajësisë, duke e deklaruar fajtor prokurorin pa vërtetuar fajësinë e tij me gjyq. Pra, bazuar në këto konstatime, arrita në përfundimin që Prokurori i Përgjithshëm nuk e ka shkelur Kushtetutën dhe refuzova propozimin e Parlamentit për shkarkimin e tij. Për kujtesë të lexuesve po sjell në vëmendjen e tyre se çfarë thuhet në nenin 149, pika 2 e Kushtetutës: "Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit". Sikurse shihet, asnjë nga këto kushte që përmendëm nuk rezultonin në raportin e paraqitur nga Parlamenti. Pas shpalljes së këtij vendimi, reagimet ishin nga më të ndryshmet. Ndonëse e dija se partia në pushtet jo vetëm nuk do ta mirëpriste, por do të përshkallëzonte më tej sulmet ndaj meje, mora parasysh gjithçka. Mendova se një vendim i tillë nga ana ime ishte i domosdoshëm për t'i thënë "Ndal shkatërrimit të shtetit"! Megjithatë, një ditë më pas, duke e ditur se përvjetori i datëlindjes së gjithsecilit është eveniment dhe, si të tillë e vlerësoj, më 15 tetor, ditën e lindjes të Kryeministrit Berisha, kërkova të më lidhin në telefon për ta uruar. Sekretaria e tij, me pretekste të ndryshme, nuk e realizoi lidhjen. Po atë ditë Topalli doli në shtyp e irrituar, duke shfaqur me impulsivitet pakënaqësinë e saj për vendimin tim, duke thënë së fundi se, megjithatë, do të mjaftohemi me kaq! Mënyra se si e tha tregonte një formë presioni, me të cilën mund të kuptohej se kundërvënia jonë ndaj Presidentit nuk do të përshkallëzohet më tej, ku linte të nënkuptohej se s'do të ketë ndonjë "impiçment" (kërkesë për shkarkim), ama në të njëjtën kohë, indirekt paralajmëronte se ekziston një arsye e gatshme për ta bërë këtë, në rast se do të ndodhte ndonjë përplasje e re. Edhe pse sinjalet për mua ishin më se të qarta, prapë se prapë nëpërmjet intervistave deklarova publikisht se asnjëri nga ne nuk kishte të drejtë të ndërpriste komunikimin zyrtar, që kërkonte ecuria normale e drejtimit të shtetit. Por nuk ishte e thënë të rivendosej komunikimi. Unë me bindje dhe ndërgjegje të pastër dhe të plotë vazhdova kryerjen e detyrave të mia kushtetuese deri në fund të mandatit. ---------------------------------------------- |
Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 » Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.