Forumi Horizont Gjithsej 11 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Gjuha Shqipe (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=122)
-- ALBANY (prejardhja e ketij emri) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=10454)


Postuar nga robert datë 08 Prill 2019 - 09:35:

Ndonese nuk ka levizur shume ketu pergjate dy-tre vjeteve te fundit, po hedh nje pershtypjen time mbi keta etimologet e rinj. Nje shkrim pasues me i gjate, po per kete problem, gjindet tek faqja ime: fjale cimbuese.

Rrevanshi i ri etimologjik

Po si natyra –ku dy-polariteti është karakteristikë e trupave të saj, po si natyra –ku bashkveprimi i trupave kryhet përmjet valëve, po si natyra –ku vetitë e poleve ekspozohen "të urtë" e "të qetë" nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër aktivë dhe të vrullshëm, po kështu po lëvizin dy polet e sotëm etimologjiko-historikë në shkencën shqiptare, me valët e tyre të përhershme, herë dukshëm në media e herë tërhequr nga mejdani, me natyrat e tyre "paqësore" dhe "agresive". Në të parën rreshtohen korifenj të pazëvëndësueshëm të shkencës shqiptare, si gjuhëtari (por dhe historian) Eqerem Çabej, historiani Aleks Buda, numizmatiku-historian Hasan Ceka, gjuhëtari (sëfundi edhe historian) Shaban Demiraj, e me radhë më të vjetër e më të rinj, si A. Xhuvani, M. Domi, A. Kostallari, M. Korkuti, K. Kodra, A. Omari, e dhjetra të tjerë, disa prej të cilve renditen me librat e tyre edhe në bibliotekën time të shtëpisë. Në anën tjetër gjinden emra, të cilët kanë shpërthyer vrullshëm dy dekadat e fundit ndër lexuesit shqiptarë, në ekrane televizionesh gjithashtu, me teoritë e tyre fantastike të gjuhës Mëmë-shqipe e popullit-Baba shqiptar, një grup ky i lënë (duket demostrativisht) në heshtje nga gjuhësia dhe historiografia zyrtare, grup në të cilin gjinden emra të tillë, si Petro Zheji, Aristidh Kola, Nermin Vlora Fallaci, Arif Mathje, Arsim Spahiu, Elena Kocaqi, Altin Kocaqi, Niko Stillo, Margarit Nilo, Agron Dalipaj, etj., –ky i fundit i dalë gjithë vrull në mesin e dekadës aktuale. Në youtube gjeni materiale boll nga ky grup i dytë historiano–etimologësh.
Përpara grupimit të parë, atij zyrtar, qëndrojnë për referim emra të tjerë, si G. Majer, Pederseni, Jokli, etj., jo një referim verbërazi, por me korrigjime e përmisime të përhershme në studimet etimologjike; në këto korrigjime dallon sidomos E. Çabej, e besoj edhe Kolec Topalli me fjalorin e tij së fundi. Gjithashtu përpara grupimit të dytë, atij jo-zyrtar, kemi emra të tjerë të dëgjuar, si Thomapulos, Spiro Konda, Z. Majani, etj., të cilët kanë gjurmuar për një vazhdimësi gjuhësore pellazgo-iliro, apo pellazgo-arbërore, si dhe pellazgo-etruske, apo etrusko-iliro-shqiptare. Kemi edhe emra të tjerë të përbashkët për të dyja grupimet, si për referim ashtu dhe për përmisime (deri dhe kundërshtime), si Franc Bopi, Kreçmeri, Konstandin Kristoforidhi, Panajot Kupidori, Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Skiroi e plot të tjerë.
Emra pa fund, studime pa fund, teorira pa fund. Dhe nuk shohim pika afruese në hapsirat operuese të të dy grupeve të sipër-përmendura, por dallojmë zhvendosje në kostelacione edhe më të largët. Sidomos nga grupimi i dytë, i cili tenton të shkojë drejt "izolimit" të gjuhës shqipe nën aureolën e shënjtë dhe hyjnore të Veçansisë së saj Qiellore. Si të thuash, gjuha shqipe po vendoset nga ‘ta në kafazin e artë, për tu admiruar vetëm nga larg. Ajo ka nisur të konsiderohet gjuhë simbolike, që do të thotë se cilido tonizim i shkronjave të saj (a bë cë çë dë ...) është një simbol për shumë fjalë të rrjedhura, ndërsa gjithë të tjerat –të paktën gjuhët e grupit indeo-europian– konsiderohen konvencionale, që do të thotë jo-origjinale, të rrjedhura nga diku tjetër.
Shqipes i atribohen Energji Universi, Mistikë, Magji, Religjion, Gnostikë, Laicizëm, Elasticitet, Çelës Ali babe, që do të hapë në të ardhmen edhe dyert e turizmit gjuhësor; (sepse në fund të fundit aty na rreh, tek të ardhurat materiale!). E ç’nuk i atribohen gjuhës tonë! Të gjitha të mirat! Të rëndomtat u lihen gjuhëve të tjera.
Fokus-in, autori Haxhi Spahiu e bën të rrjedhur apo e barazon nga/me vatër-a e zjarrit, oxhakun, meqë në Romën e Lashtë fokus quheshin disa vende ku mbahej zjarri për t’mos u shuar, apo për të ngrohur vende të caktuara. Kështu ngatërron/ barazon kuptimin e saj më të lashtë (zjarr i mbledhur) me kuptimin e saj në antikitet (vend për ruajtjen e zjarrit), si dhe me kuptimin e sotëm modern, atë të mbledhjes së rrezeve të dritës tek pasqyra në dhomën e errët të aparatit fotografik! Dhe, si fokus-in e tij, ashtu dhe vatër-ën tonë i zbërthen më mirë se të zbërthenin hetuesit në kohën e monizmit: fu-o-go-as = është e zjarrit që shkon (që ecën); dhe vu-at-er = është zjarri i atit të djemve (trimave)! Tek këto zbërthime laskuriq, nuk është se disa morfema janë gabim në kuptimin e tyre semantik, por as fu-ja e as vu-ja kanë mbetur sot në shqipe për kuptimin e zjarrit. Aq më pak er-i për djalin! Edhe go-ja gjindet vetëm në anglishte për ecjen/ shkuarjen! Pra?...
Apo, po hidhemi në lashtësinë e vonët dhe antikitetin e hershëm të Arsim Spahiut. Ky i bën parashqiptarë të gjithë heronjtë e vjetër mitikë! Të gjithë Zotat dhe Perënditë e Qiellit i vendos tek panteoni qiellor shqiptar! Të gjitha fiset e vjetra i genizon si para-ardhësit tanë shqiptarë! (A thua se ne shqiptarët dallojmë për gene të veçanta nga të tjerët, siç pretendonte dikur Jakov Milaj për një racë dhe gjak të veçantë shqiptari!) Të tjerët i le të kenë zbritur me anije kozmike dikur në shekujt e errët të mesjetës së hershme! Sepse jonianët, pellazgët, hetitët, dardanët, etruskët, tursenët, libianët, egjyptasit, filistinët, danajt, helenët, dorët, thrakët, ilirët, boreanët, keltët, grekët (grakoi-t) e të tjerë –më the e të thashë– janë stërgjyshërit tanë shqip-folës! Kronosi, Zeusi, Pojsedoni, Hadesi, Apolloni, Demetra, Heleni, Pellazgu, Afërdita (Afrodita), Diana, e gjithfarë hyjnish të tjerë hanin e pinin nektarin e tyre mbi qiellin e para-ardhësve tanë. Por, edhe heronjtë mitikë e realë, si Kadmi, Prometeu, Herkuli, Tezeu, vëllezërit Dioskurë, Laomedonti, Priami, Hekuba, Helena, Agamemnoni, Minella, Hektori, Parisi, Ajaksi akejas dhe ai trojan, Akili, Odiseu (Uliksi), Enea, etj., ishin të gjithë bashkombasit tanë trima, (paçka se i hëngrën njëri-tjetrit kokën, siç po ia hamë edhe ne sot njëri-tjetrit nga makutëria dhe budadallëku!). Tek ky autor martohen heronjtë edhe kur kanë 17 breza distancë nga njëri-tjetri, si bie fjala heroi akejas në luftën e Trojës, Diomedi, me vajzën e Daunit, një personazh eponim e mitik ky, i cili ka jetuar 17 breza para luftëtarve të luftës së Trojës. Tek ky autor përzihen autoktonët pellazgë me autoktonët anonimë, po si tek grupet e sotme të alkolistëve anonimë. Gjithshka në bazë të tezës makiaveliste, qëllimi justifikon mjetin!
Më skandaloze duket puna tek autorja e mirnjohur shqiptare, Elena Kocaqi, e cila i vendos shqip-folësit e saj edhe më gjërë, edhe më larg, se sa vendosi Britania e Madhe ushtarët dhe kolonët e saj në shek. e XIX. Të gjithë globin, kjo historiane e mbulon me shqip-folës, përmes perandorive të ndryshme! Mirë, se teza të tilla apriori-ste mund edhe të kapërdihen pa përtypur, duke mbyllur sytë, sepse mund të merret njëra nga perandoritë para-antike, apo e antikitetit, si shqip-folëse, si bie fjala ajo egjyptiane, apo hetite, apo ajo babilonase, ose ajo asyre, ajo helene p.sh., apo ajo romake! (Si gjithnjë, duke parakuptuar se gjuha shqipe nuk paska ndryshuar fare!) Por si mund të kapërdish teza të tilla, se e gjithë kultura e megalitit i përket racës tonë shqiptare, pra hetito-pellazgo-iliro-dardane-helene-arbërore-shqiptare, edhe ajo e bronzit i përket po këtyre para-kaluesve tanë, dhe ato lokale të mëvona pastaj, si kretase, mikenase, pellazge, frigjiane, helene, ilire, maqedonase, kelte, etj.-etj., kanë qenë kulturat dhe qytetet tona, edhe të gjitha shpikjet e lashta e të antikitetit i përkasin popullit tonë kaq të veçantë?!.. (Fatkeqësisht duhet pohuar, këtij populli tonë të strukur sot në budadallëkun e vet në një anë të Ballkanit!) E të mendosh, se të gjitha këto kultura të sipërpërmendura kanë qenë aq të ndryshme në shfaqjen e tyre! E të mendosh, se e gjithë kjo aureolë universale dalluese (dhe veçuese) e popullit tonë (nga popujt e tjerë pa histori dhe krijimtari!), na vjen pikërisht nga një autore me mbiemër (të evoluar) grek dhe me fizionomi paksa turkmene! Mos u çudisni po t’ju them, se sozinë e historianes tonë e gjeni menjëherë në youtube në emrin e Esmer Ibadova-s, një këngëtare nga republikat turk-folëse të ish B.S., një Elena Kocaqi e dytë. Natyrisht që nuk ka asgjë për tu habitur, që edhe populli ynë shqiptar –po si dhe popujt e tjerë kudo sot në botë– është një popull i përzier nga gjithfarë fisesh, etnish, feshë, kombesh, kulturash, familjesh e njerëzish të kombeve të tjera. Biles, unë personalisht e pëlqej këtë fenomen, për aq sa ky proçes përzierje ndodh gradualisht e përhershmërisht deri në një farë përqindje të caktuar; e pëlqej për faktin se përzierjet me raca dhe popuj të tjerë sjellin një zhvillim psiqik dhe shëndetsor tek fëmijët e lindur nga këto përzierje. Por, nga ana tjetër më duhet tu kujtoj të gjithë lexuesve me pak dije, atë tezë të shek. XIX, kur po dallohej forcimi dhe konsolidimi i kombeve europiane, se shpesh nacionalistët më të flaktë brenda një kombi bëhen ata që kanë probleme në prejardhjen e tyre nacionale.
Në këtë grup të ri historianësh dhe etimologësh, dallon këto tre-katër vjetët e fundit edhe një studjues mjaft i apasionuar, edhe simpatik me thjeshtësinë e tij, por edhe i vrullshëm në sasinë e shpjegimeve të tij, Agron Dalipaj, i cili e ngreh herë-herë valën –dallgën, thuaj më mirë– të grupit jo-zyrtar të etimologëve dhe historianëve. Biles, kundërvënia e tij ndaj grupit të heshtur "stoik" të gjuhëtarve dhe historianve zyrtarë shqiptarë, ia kalon çdonjërës prej kundërvënieve të mëparme të këtyre studjuesve ndaj atyre zyrtarë. Natyrisht, çdonjëri ka të drejtën e tij të fjalës. Edhe në grupin zyrtar, do t’thonim, jo çdo gjë funksionon vaj. Por, pa u ndalur në këto pika anësore, le të shohim pak punë e tij etimologjike.
Në të gjitha daljet e tij nëpër studjot televizive, shohim se Agroni ka një intuitë të mahnitshme për zbërthimin e fjalëve dhe gjetjen e burimit të tyre, si dhe kuptimit të pjesëzave të saj. Mirpo, kjo intuitë e tij bazohet vetëm në disa prej rregullave gjuhësore të evolimit të fjalës, si metateza, rotacioni dhe anagrama, (ndrrim vendesh të shkronjave dhe tingujve të ndryshëm brenda fjalës së një gjuhe, dy e më shumë gjuhëve, duke ruajtur kuptimin e fjalës, ose dhe ndryshuar atë, pa marrë parasysh faktorë të tjerë ndikues në këtë evolim, si ai kohor (historik), ai fizik (gjeografik, të terrenit), dhe ai kultural. Kjo quhet abuzim me rregullat gjuhësorë të evolimit të fjalëve dhe gjuhëve.
Në vrullin e tij Agron Dalipaj ka dhe gjetje (zbërthime) interesante, si çup = çë up, çik = çë ik, çelës = çel ësh(t), syze = sy ze, lemza = lem za, tru = të ru(aj), serb = s’arb, etj., disa prej të cilave janë thënë nga të tjerë më parë, por duket jo të kopjuara nga ai. S.d.q. këto janë pak në krahasim me atë shumicë, ku zbërthimi i tij është mjaft mekanicist, si i tillë me rezultate të gabuara, -mendoj
Kështu p.sh., duke u bazuar edhe tek mentori i tij, Petro Zheji, ai na thotë se fjala shqipe njeri (uomo –ital.) rrjedh nga dy morfema të gjuhës shqipe, një i ri (uno giovane/ nuovo). Morfologjikisht duket në rregull. Dhe, edhe mund të pranohej, nëse do ti gjenim kohën e krijimit të saj, që i bie të jetë e vonët, jo vetëm sepse është fjalë e evoluar nga dy morfema të mëparme, jo vetëm sepse dy morfemat/ fjalët një dhe i ri janë relativisht të vona, por edhe si koncept është relativisht i vonët. Mirpo pretendimi i etimologëve të rinj është që kemi të bëjmë me fjalë shumë të vjetra të shqipes, para ekuivalenteve të saja në gjuhë të tjera. Çfarë i bie, se kur shqiptari i shpellave konceptoi qënien njeri (uomo), ai kish patur më parë në vetëdijen e tij konceptet e numrave dhe të së resë e të së vjetrës! Mirë, se mund ta pranojmë që konceptet e numrave kishin nisur tek ai më parë se koncepti i njeriut. Por, a mund ta pranojmë ne, se ky njeri primitiv ka krijuar në kokë të tij më parë konceptin e të resë dhe të vjetrës nga ai i konceptit të qënies njeri?.. Dhe të mos harrojmë se, nëse ai akoma nuk ka krijuar në kokë të tij konceptin e qënies njeri, ai akoma nuk ka në kokë të tij edhe konceptin e qënies kafshë! Mirpo, ai ishte në luftë të përditshme me kafshët. Dhe, nëse ai njihte kafshët dhe kishte për ‘to tingullin/ fjalën e caktuar, ai duhet të kish këtë kohë edhe fjalën për qënien njeri. Në fund të fundit, si do të tregonte ai se kish parë njerëz të tjerë diku matanë pyllit?! Dhe, edhe sikur ta pranojmë apriori ekzistencën e konceptit dhe fjalës së të resë (nuovo) para krijimit të konceptit dhe fjalës së njeri-ut (uomo), përse e përdori ky njeri primitiv mbiemrin (i) ri, (e) re për konceptin e ri, atë të njeri-ut? Biles, për të bërë dallimin nga kafshët, ai duhet të ketë folur fillimisht në shumës për qënien njerëzore, pra njerzit. Çfarë do të thotë, se edhe përemri numëror një (uno) të mos ketë marrë fare pjesë në formimin e fjalës së njerëzve (uomini). Ja pra, çdo të thotë të mos thellohesh në aspekte të ndryshme të evolimit të tingujve e fjalëve.
Ky gabim, siç e dallojmë edhe tek rasti i mësipërm, vjen jo vetëm se këta etimologë kanë nisur ta veçojnë gjuhën shqipe nga të tjerat, jo vetëm se e konsiderojnë atë si një tabelë simbolike, thuajse njëlloj si tabela e Mendeljevit që na tregon simbolet e elementëve kimikë, por edhe se krahasimet e tyre morfologjike janë mjaft mekaniciste, siç e pamë edhe më lart me ngjashmëritë morfologjike të njeri-ut dhe një-shit shqip me uomo-n dhe uno-n italiane.
Fjala "njeri" gjindet në shkrime të vjetra si ay, aija, yja, apo man, mon, mog, mad, etj. Rrallë herë lidhet me numrin "një". Por në shqipe duket se lidhet me këtë numër, që është njoni, prej nga duhet të ketë rrjedhur njori, njeri, gjë që i përgjigjet edhe aspekti kultural, më konkretisht: ai psiqik i popullit tonë (geg), ku njeriu është definuar thjesht si një numër-or, njoni. Dhe nga etimologjia e Çabejt, panvarsisht se kjo fjalë (homo) nuk e gjen tërësisht kuptimin e saj (semantik), ajo të paktën shpjegohet deri diku për lidhjen dhe prejardhjen nga koncepti dhe fjala e "burrit".
Në këtë shkrim të shkurtër, apo panoramë të përgjithshme, në mund ta quajmë, nuk ka vend për analizën e të gjitha zbërthimeve të Agronit. S.d.q., një punim më i gjatë me etimologjinë e tij gjindet thuajse i përfunduar e gati për tu hedhur në internet, tek faqja ime: fjale cimbuese.
Në shkencën e semantikës dhe gjurmimeve etimologjike –mendoj se– Eqeremi mbetet i pazëvendësueshëm. Natyrisht, ai u ndikua mjaft nga shkolla metafizike gjermane (austriake), ku studjoi, e përveç kësaj ruajti atë etikë punimi të vlerësimit sa më të mundshëm të punimeve të mëparme të të tjerve. Gjithë kjo ka bërë, që tek Çabej të gjemë ndonjëherë po ato budadallëqe që metafiziteti gjerman i ka sot e kësaj dite në etimologji, si –p.sh.– fjalën baba ta gjejmë të kategorizuar për nga burimi tek një gjuhë e caktuar, (tek Çabej si turke), në një kohë që e di çdo kush, se kjo fjalë është krijim pasthirmor dhe e vjetër, sa ç’është njeriu mbi tokë, pra më e hershme se kontuirimi i ndonjë gjuhe, apo disa gjuhëve. Në disa trajtime të tjera, Çabej vërtitet andej-këndej nëpër gjuhë të tjera, ndonëse ai dallon në x- dhe y-fjalë një morfemë të ngjashme, që gjinden në disa gjuhë për të njëjtin kuptim, gjë që tregon prejardhjen e përbashkët në disa gjuhë të asaj fjale.
Në këto gjurmë çabejane –flitet se– ka ecur edhe Kolec Topalli me fjalorin e tij etimollogjik. Saktë nuk e di, siç nuk e di nëse do të kem mundësinë ta blej me çmimin e kripur që ka! Por di të them –në përfundim të këtij shkrimi– se të gjithë këta etimologë kanë një qëllim, zbulimin e të kaluarës së gjuhës, zbulimin e të vërtetës së gjuhës dhe historisë së njeriut. Të gjithë këta etimologë dhe historianë rrezatojnë dituri, urtësi dhe mirsjellje, si ata që jetojnë akoma, ashtu dhe ata që nuk gjinden më mes nesh. E të gjithë kanë vlera dhe gabime. Gabimet e të dyja grupeve janë e do jenë të riparueshme. Problemi që mbetet, është se, ndërsa korrigjimi i gabimeve të grupit të parë do të gjejë vend, siç ka gjetur gjithnjë, korrigjimi i gabimeve të grupit të dytë –kam frikë se– do të bjerë në vesh të shurdhët tek ‘ta. Asgjë për tu shqetësuar, dy-polësia ka shoqëruar përherë njeriun, si pjesë e natyrës që është! 4.4.2019


  Gjithsej 11 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.