Forumi Horizont
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Bota e re poezise (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=337)
-- Blog (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=15472)


Postuar nga Mister_DXP datë 23 Shkurt 2008 - 04:32:

Blog

Po hap nje teme ku dua te permbledh vetem poezite e mija. Dashamiresit mund te bejne komente te shkurtra.

Mendoj se postimi i pakriter i poezive te nje tjeter poeti pamvaresisht nivelit te larte apo te ulet te tyre, i ndryshon kuptimin dhe qellimin temes.

 

Kam kerkuar edhe me pare nga Moderatoret qe te respektohet nje e drejte e tille e hapesit te temes, por moderatorei eshte treguar i mefshte.


Ju lutem respektoni deshiren time

 

 

DXP

 

...................Endrra

Ngatërrojnë rrugën brënda shpirtit tim.
Si në një mjegull mate të ftohtë e pa kuptim,
Ngrihen si stuhi plot zhurmë e bujë;
Përplasen përsëri dhe shtyhen në rrëmujë;
Nëpër një tym veshtullor që zverrkun të lëpin;
Egjër i hidhur mes lulesh që mbin.
Si ligaveci që ecën e ndot gjurmët e tija;
Ngatërrojnë rrugën këto ëndrrat e mia.
Kontradiktore siç janë-një i tërë univers.
Endrra konfuze që thërrmohen në mëngjes.
Të pakapshme e flurore- antimaterje mistike.
Epope e poema lirike e tragjike.
Dhe shpresa te kota për një eterne jetë.
Akeronin e Hadin dhe Parajsën vetë.
Balancën në botë me Engjëj e Demonë,
Humanët bastardë që s’njohin të Zo’në…


…Kurrë, që ti kap këto ëndrra s’kam ditur.
Rrëshqasin ndër gishta si rërë e situr.
Tërheqëse plot passion, refleks i pakuptim..
Materje e tejngopur me shprese dhe intrigim…
Ah!…Sikur të mundja, një nga një ti lexoja!
Të rrezikshme dhe joshëse... Eh! Sa do të doja!
Dhe të magjishme si ato… Nje mirazh i vëtretë.
Sarkofag i braktisur i Shpresës vetë…
Do të jetoja atëhere, sa për njëmijë jetë

 

DXP

 
 
xxx

Nje poezi e shkruar gjate vitit te rende 1997. Eshte hera e pare qe e nxjerr dhe e jap tek te tjeret tani mbas rreth dhjete vjetesh, pikerisht per te kujtuar qe akoma problemi i Kosoves nuk eshte zgjidhur....

 

 

 

 

Ma dogje dhenë


E ngrita vatrën me stoli,
Me frymëzim e shpirt të gjallë;
Me dhimbje plot e dashuri;
Me fantazi si në përrallë,
...............E gaz të rrallë.

Dhe mbolla lule-e shpresa plot,
Rrita dëshirat gjer në re,
-Ç’mëkate patëm bërë - o Zot,
Që hape qiejtë përmbi ne,
..................
Mbi këtë dhe?

Kur rrodhe zjarr ti qiell i zi,
Prej hapësirës së panë;
Nuk e pe foshnjëzën në gji?
Nuk e pe nënën dhe babanë,
.................
Tek vatra pranë?

Ç’të patëm bërë Perëndi,
Që përvëlove mal e det?
Këtë dënim s’e pat njeri,
Veç pengun tonë dheu se tret,
...................
Dhe njëqind vjet.

Në gjumë ishim kur na theve,
Çarçaf’n e bardhë me gjak e lave,
Endrrën e parë në mes na preve,
Lulet që në burbuqe thave,
................
Dhe djepet çave.

Dhe dogje, poqe, mish të gjallë,
E ngrite zjarrin përmbi re,
Dhe grise, prishe, gaz të rrallë,
Gurin mbi gur nuk le mbi dhé,
........................
Dhe nënë dhé.

Më dielli s’ndrit veç drit’ e mekur,
Duke përtuar vjen nga retë,
Qan korb’ i zi mbi shesh të vdekur,
Qan mali, deti, fush’ e shkretë,
.......................
Dhe burri vetë.

-Ah, Zot i madh, dyert e ferrit,
Pse më kanatë hapur i le?
Lëshove djaj e krajl’ e derrit,
Që u vërsulën përmbi ne,
..................
Mbi këtë dhe…

…Dëgjoj një zë që vjen së thelli,
Si një gjëmim i llahtaruar.
Një zjarr që ndrit si vetë dielli,
E më mbush dejt e më mban zgjuar,
................................
Të paduruar.

Mësohe mirë ti krajl i zi,
Me djajtë e ferrit, me të tjerë,
Unë vdes dhe ngjallem përsëri,
Dhe më i fortë këtë herë,
..............
Dhe kurdoherë.

Më vijnë prej vatrës së zhuritur,
Ku lashë nënën dhe babanë,
Në frymëmarrje të përndritur.
Shpirtrat e vllezërve që ranë,
.................
Dhe më nuk janë.

Dhe rreptë më thërrasin: Çohu!
Këtu ke nënën dhe babanë.
Prej dhimbjes dhe dremitjes zgjohu!
Se ti je zot në këto anë,
..............
Dhe përmatanë.

Dhe lind një shpresë mbi dheun tonë,
Që përhap tymin sterrë nxirë,
Edhe mbush tokën plot aromë,
Nga bar’ i hollë, erëmirë,
......................
i përtërirë.

...Dhe e ngre vatrën përsëri,
Si dhe më parë e kam ngritur,
Kur qiejtë vollën zjarr të zi.
Aty në dheun e zhuritur,
............Me gjak vaditur.

 
 
Do të vdes më këmbë


Ashtu do të vdes, më këmbë...e di;
Duart zgjatur lart drejt qiellit të zi.
Hënën duke puthur, si s’ka bër’ njeri.

Duart lart, drejt qiellit, në makabër valle,
Pa ritëm, pa këngë, pa shpresa, pa malle.
Më qan hëna me mua, me lot prej të gjalle.


Do të vdes më këmbë si askush s’ka vdekur.
Por nga dashuria, jo nga mosh’ e thekur.
Hënën duke vjedhur prej qiellit të mekur.

 
 
..............Retë
 
 
I pashë retë, si u afruan, atje lart,
Dhe pa turp fare, u puthën;
                            flokë-kërleshur.
Dhe në pasion i pashë të shkrihen,
Tek njëra-tjetra;
Në sy të tërë botës,
Që kureshtare si kurdoherë;
I sheh nga poshtë buzëpërdredhur.
 
 …He…! Krejt papritur,
U turpëruan,
Dhe prapa malit ikën dhe u fshehën.
 
DXP

 
 
Sytë
 
Vështomë…të thashë një ditë,
Kur rrinim pas zjarrit me miq,
Se sytë...i bënë perënditë,
Që jetën ta shkojn’ lakuriq.
 
Qerpikun, ti ulur e mbaje
Dhe fshehur nën zë diç më the.
S’kuptova, a qeshje, a qaje,
Por syrin e ndritur...s’ma dhe.

 
DXP

 
............Floku i vashës
 
 
M’u zvordhën dhe neonet…dhe vitrinat;
Dhe dielli që shkëlqen, si sy verem;
Dhe lustra që mbulon e ndrit makinat;
Dhe zonjëzat e lyera me krem.
 
Do ik…me shpirtin ters dhe të mëritur.
Do bredh…të gjej mamuthët gjithë lesh.
Ç’më duhet mua kjo kapel’ e ndritur,
Që s’di se kush ma rrasi gjer në vesh?
 
Pas fushave do humbem si i marrë,
Pa ëngjejt krahëbardh’ e syjeshil
Si murgu rason…kohën do heq zvarrë
Kaluar mbi të urtin kalë çil.
 
S’i dua veselitjet e parajsës!
Më mirë djers’ e dheut në mëngjez
Dhe dehja që më fal floku i vashës
Si lule e jargavanit plot me vesë.
 
 
 DXP

 
 
Eh… shpirti im nuk fle, përgjon yjet që bien,
Si foshnja xixëllonjat. I ndek kudo që fshihen.
E di. Nuk ësht’ e lehtë; do humbet ndonjë ditë
Dhe keqas do gjakoset…
A s’vriten duke bredhur kalldrëmeve fëmijët?
 
Ky shpirti im s’mësoi që yjet nuk arrihen.
‘Dhe ne imazhet shohim dhe jo yjet që bien.
Por…Ah, a s’është jeta e gjitha…iluzion
Si varkë e parrema
Në detin në bunacë…pa busull, pa timon?!

 
 
 
XXX


You call it love-I call it tenderness…
You cry “amore”- I dry my eyes in compassion
You drift, you twist…
I smile with you
I open my heart and kiss my sky 

 
 

Kur nata kodrat të mbulojë,
Me vel të zi;
do t' vij tek ti.
Me sy të thatë nga lot-i  hidhur,
Por do të vij.

te zhytem thellë ne syt' e tua,
Atje të ulem në bri të hënës,
Varkën e saj ndër ujra thellë,
Të vozis ëmbël
Drejt Nordit tim të pagabuar. 
 
DXP

 
 
..Ti eja


Ti eja pra, në detin tim të thellë
Dhe kridhu mes tallazeve të tij.
Diku do gjesh mes tyre ndonjë shpellë,
Pa xhevahire sigurisht e pa florij.

Por ke një det e dashur dallgëshumë.
Jam unë atje, për ty, atje jam unë.

Të prek flokun e derdhur erëmirë,
Të puth tinzarin sy, ah, ngjyrëmjaltë;
Pa le të digjet krejt qielli i nxirë
Dhe le të zhgryhet hëna nëpër baltë.

Ti, eja mike, eja pa vonuar.
Të pres dhe do te pres në pambarin.
Gjer ëndrra e veriut flakëshuar
Të veshë dhe verbojë syrin tim.


DXP

 
 
...........  Një flutur
 
 
Flakën shpirtit- të kam thënë-
Je ti vetë që m’ja ndez
Dhe nga drit’ e tij e dridhur
Mos ki frikë...se nuk vdes.
 
Kur flatron e rrotull sillesh
Pas një shpirti dashuruar,
Mos u ndruaj se po digjesh
Flak e tij ësht’ e hyjnuar.
 
Ah, një flutur flatralehtë
Ç'më trazon shpirtin e shkretë
...
..
 
DXP

 
 
 
.....Bisedë nën yje
 

 
-U këput një yll, i dashur.
-Thuaj një dëshirë!
-E thashë…
-Ma thuaj…
-Ah , s’mundem…
-Kam frikë se po të ta them, ajo nuk realizohet.
-Atëhere, hahaha, mos ma thuaj…po pres realizimin…
 
 
DXP

 
 
            Mall
 
 
Mu qep qerpiku, lotin s’ma nxë syri,
Mallin e djegur e hapa sa një det.
Një fluturz krahëbardhë s’di si hyri
Dhe mur më mur flatron e  krahët vret.
 
A mos nga larg më vjen dhe rri në erë
Ky shpirti yt, që s’gjen dot qetësi?
Si ta kërkoj një ëndërzë të prerë
Ç’kam adhuruar si ta gjej tani?
 
Si të shtrij vargun dimrit dritëdredhur.
Të shuaj zjarrin që më djeg në gji.
Vall’ ku ta gjej një fjalëzë të zgjedhur
Të djeg një qiell për ty…me poezi?
 
DXP 

 
 
....Kujtimesh u përhumba
 
 
Kujtimesh u përhumba sypafjetur;
Kërkova faqendezur gjer në skaj.
Mes udhësh e mëdyshjesh veç kam mbetur,
Si breshka që tërheq shtëpin e saj.
 
Vështroj dhe syr’ i veshur më venitet
Si qielli midis avujsh tutje rrjedh
Dhe s’di si fshihet jeta nëpër vitet…
…Si vitet jeta heshtur po mi vjedh.
 
Kujtimeve u shtriva, që të gjeja,
Diçka që më përket e dot s’e marr;
Si reve flakëron e vdes rrufeja
Si bryma shkrin e thahet përmbi varr.
 
As gjeta as dhe mora diç të vyer,
Çka shkoi tutje. kurrë s’ka të kthyer. 
  

 
 
 Frymën e mbajta
 
 
Frymën e mbajta,
Ndala dhe zemrën time...
...Hënën të puthja.

 
 
Puth hënën
 
Magjepsur ec natës së vdekur
I vetëm si kukudh.
Më gjunjë ulur buzë pellgu,
Në buzë hënën puth.
 
 
Pse dridhesh mike faqet prishur,
Nga unë, a vetiu?
Në muzg kjo hënë ç’më ka grishur,
Si ujqit ndjell veriu.
 
Vështroj në pellg qiellin e larë,
As ujk e as kukudh,
Dhe qesh me vete si i marrë,
Dhe prapë…hënën puth.

DXP

 
 
             Mes kreolesh  (1)
 
Rri përgjoj një dallëndyshe në dritare
Si po luan gushëfryrë në një tel
Dhe në gjoks më vjen një thirrje mëkatare
Që më shtyp nëpër damarë e më shkel.
 
Eshtë dimër, apo verë? S’ka më stinë!
Si ta heq zvarrë…kështu, jetën e tërë?
Gjithë stinët mpleksur bashkë këtu rrinë,
Si sirena… vdekur, mbetur nëpër rërë.
 
Ndërroi bota…dhe nuk di ku më zë nata:
Në bregdet mes rërës shtrirë më kurriz,
Apo thjesht në varkën time me lopata,
Teksa hënës vellon fshehur shkoj i gris.
 
Larg kam ikur, tej…mërguar vendit tim.
Plot kreole kokëzeza kam përeth.
Dhe si lodhem prej një dite pplot përtim…
…Një mulate një të puthur shkoj e vjedh.
 
Rri i fshehur nën sombrero, i harruar,
I rrethuar nga kreole gjakvaluar.
 
DXP

 
 
Nënt’ vorra gjoksit
 
 
 
O mike, gjoksit thellë nënt’ vorra më ke çarë…
Prej tyre, nëntë gurra lotojn’...eliksir magjik.
Ti eja buzëndezur t’shuash etjen e marrë.
Gjer ne të fundit grahmë, gjer në të fundit pik’.
 
Të pres dhe e di mirë, që cip’ e buzës sate.
Tek gjoksit të shkopsitur lëkurën më zhurit;
Mjaltuar ëmbëlsinë, si agu në fundnate,
Mbi tempuj do më derdhë me afsh që përtërit.
 
 
Dhe...le të mbetet vrraga, si shkrumb në trung të vjetër,
Nënt' vorra gjoksit pata…prej teje dhe s’ka tjetër…
 
 
DXP

 
 
Hënën do ta thyej
 
S’di si ta hedh një gur deri në hënë
E mijrash ta thërmoj qelqin e saj.
Ti rri e më vështron diç duke thënë.
Un’ buzët i përdredh, zënë në faj.
 
-Po, po. Do ta thërmoj, të them i qeshur
Dhe copat tutje fushës do t’i mbledh,
Se sonte tek më sheh si sy i veshur,
Kjo hën’ më akullon edhe me ngjethj.
 
Jo, s’ke pse psherëtin nga trillet, kurrë,
Un’ prapë diçka nesër do t’gjej:
Ja hënën e florinjt’,  thyej me gurë,
Ja yjet prej “Arushës” shkoj, rrëmbej.
 
Dhe ty t’i sjell…mbi flokë t’i lëshoj;
Të puth syt e kadiftë, pa të shkoj.
 
 
DXP

 
 
 
 
 
 
 

Kur shpirti rebelohet…
.................kujdes diçka po ndodh,
Diçka po thyhet brenda botës klorofile.
Një lot këputur që syrit iu përvodh,
Kristal i krisur...tingëllon në mijra zile.
 
Dhe djeg…dhe djeg…dhe prapë djeg vetmia…
Ti kërkon dritë, të shohësh nëpër natë.
Unë një flakës të ngroh ndjenjat e mija,
Pak buzeqeshje të njom buzën e thatë.
 
Dhe s’dua qiej, as zota as heroj,
Nje shpirt rebel kam sot….e dot s’e shtroj...
 
 
DXP

 
 
 
Më mbyt një britmë



Më mbyt një britmë në thelb të gjoksit e më mundon,
Të të them emrin në shtatë zëra në pambarim.
Si një kambanë që rreh potershëm dhe nuk pushon,
Përhap jehonën nëpër humnerat e shpirtit tim.

Dhe vjen me zhurmë, vjen me tronditje tallaz i ri
Dhe shqyen brinjë e çan damarë gjer në rënkim.
Më rrjedh me flakë në gjak të valë si gurg i zi.
Ma përngjeth mishin dhe më ndez avrën…në përgjërim.

Më mbyt një britmë dhe emrin tënd jo…s’e them dot.
E mbaj të fshehtë në burg argjëndi si pikë lot.

 

 

DXP

 
 
Thirrje e heshtur


Kriset nata flakëritjesh mijra copash të papara.
Yje, yje gjithdëshirash presin thikash lartësive.
Kokën lart vështroj i mekur, por për sy kam veç dy vorra;
I verbuar paskam mbetur, si një peshk i thellësive.

Të mbaj dorën…më rri afër, më kërkon supit mbeshtetur.
Të kërkoj syrin e fjetur, drit’ e tij të më ndiçojë
Velagrisurën anije në mes deteve të mbetur,
Busullthyer e harruar horizonteve pagojë.

Thirrj’ e heshtur e dëshirës ma pret zërin ku rri kënga.
Si një shkumb’ e valëzuar kaltërsinë vjen e vret.
Fjal’ e fjetur e mëshirës petalbardh’ e hijerënda,
Perl’ e humbur thellësive ëndrr’ e endur nëpër det.

Mes vullkanesh llavëzuar hap ylberet gjer tek retë;
Herë korb pendë rënduar herë… harabel me fletë.

 

 

DXP


Atë natë


Atë natë yjet ishin kaqë afër!

Duart zgjata drejt qiellit,
dhe këputa ca prej tyre.

Mërmëritje dëgjova pas shpinës,
dhe kokën ktheva i tronditur.

Ishte Hëna që ruante kopshtin e saj!

I zënë në faj,
një këngë të vjetër nisa të fërshëllej.
E vrap ika tutje që ty të të arrija…
…Me një tufë… yjesh në dorë.

 

 

DXP


__________________
 
Hija e pellumbit

 

Edhe pse ndrit pendëllastuar pëllumbth i bardhë fluturak,
Tek ngrihesh qiejve me dëshire dhe gufon gjoksin zëmërak;
Prapë diku, mbi dhe të shtruar, a mbi lëndinat jeshil plot
Lëshon kalimthi hijezezën e trupit tënd qe s’e shoh dot.

Lëshon një fashë të pahitur nga breng’ e dhimbjes, si dikur,
Pluhur të djegur ëndërritjesh, ndjenja dhe ethe bërë zhur.

...Dhe unë mblidhem kruspull-lënduar një hijezezë të harroj.
Mbrojtje kërkoj hijesh te reja; natën lus: “Eja”, që të shpëtoj.
Por brenga jote si plumb i tretur, më ndjek ngado e me kërkon
Zër’ i pëllumbit, e kisha ditur nuk është këngë, por plumb që shpon.

 

DXP

 
 
 
 
 
 
 

 


 
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.