Forumi Horizont | Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Naim Frashëri (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=26)
-- Kush është Naim Frashëri (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=89)
Kush është Naim Frashëri
Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret e para", "Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare.
Eshte mese e vertete se naim Frasheri ishte mesuesi yne me i madh. Une ne mbeshtewtje te mendimit te mesiperm, dua te them se Rilindja jone Kombetare, eshte nje nga periudhat me te rendesishme dhe vendimtare te Shqiperise. Pikerisht ne kete periudhe eshte ndertuar edhe baza e intelektualitetit tone. Gjithashtu ketu kane zanafillen te gjitha arritjet e derisotme. Edhe sot e kesaj dite, elita jone kombetare, nuk po mundet te arrije mendimtaret e Rilindjes. Kjo eshte nje fatkeqesi e madhe. Te jetosh 100 vjet e ca pas Rilindjes e te mendosh si 100 vjet para saj, kjo eshte vertet tragjedi. Eshte koha qe te linde Naime tjere. Ndryshe, pisk do ta kemi punen.
PROFETI I LETËRSISË SHQIPTARE
Naim Frashëri është poeti që me të drejtë në letërsinë shqiptare ka marrë epitetin kombëtar. Përmendja e mbiemrit kombëtar pas emrit të tij i shkon me tepër se asnjë autori tjetër në tërë letërsinë shqiptare. Këtë ai e ka arritur, para së gjithash, me veprimtarinë e tij krijuese. Është nga shkrimtarët e rradhë që pothuajse në tërë krijimtarinë e tij ka në thelb të vet tri atributet thelbësore që e përbëjnë qenien shqiptare: atdheun, kombin dhe gjuhën. Ai duke krijuar në kohën kur shqiptarët i kishin të rrezikuara pikërisht këto tre faktorë bazë për të ekzistuar një komb, kurse tash në kohën kur kombi shqiptar është ende i parealizuar plotësisht si popujt e tjerë evropian, pas njëqind vjetëve që jeton jetën e pavdekshme, ka kryer dhe kryen rolin e profetit të letërsisë shqiptare. Për të kuptuar se çfarë vendi të rëndësishëm i kushton Naimi: atdheut, popullit dhe gjuhës së tij, tri vlerave rrënjësore të kombit të civilizuar duhet parë se me çfarë gjuhe u flet ai shqiptarëve në veprën e tij.
ATDHEU
Naimi mund të thuhet se flet si profet, sepse ai është profet. Që në nisje të poemës së tij të famshme “Bagëti e bujqësia” me atë vargun kushtrimor “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë”, Naimi dëshmon se u drejtohet majave, kulmeve, por që t’u drejtohet pikave më të larta reliefore, duhet hipur në një nga këto pika. Duke qenë një poet thellësisht kombëtar, ai fillon komunikimin e tij me vlerat më të mira, jo thjesht me malet si emërtime, por me vlerat më të mëdha, më të larta të ambientit shqiptar, duke harruar plotësisht antonimet e këtyre vlerave, ultësitë. Edhe kur merret me emërtimin e gjërave më të rendomta, që në jetën e përditshme vërtetë janë të këtilla, përdor kriterin e njëanshëm, por aq të domosdoshëm, tash e gjithmonë për shqiptarët, vlerësimin e së mirës edhe aty ku ajo shihet pak, apo nuk vërehet fare.
Mohimi i vetvetes, madje edhe i gjësë më të shtrenjtë, mohimi i vendlindjes, tokës së nënës dhe babait mëmëdhe-atdheut, për ne shqiptarët nuk është gjë e huaj, as sot e as mot. Naim Frashëri, pikërisht për një nga gjërat me të shenjta që për çdo njeri është atdheu, u flet shqiptarëve. Ai do t’ i bindë ata se vendi i tyre është i mirë dhe i bukur, madje tepër i mirë dhe i bukur. Dhe kjo mirësi gjendet gjithkund, në tërë hapësirën tokësore, ujore e qiellore, është në njerëz, në kafshë e shpezë, në bimë në ajër e nëntokë. Naimi u dëfton shqiptarëve se këto vlera janë midis tyre, vetëm ata duhet t’i zbulojnë, t’i shijojnë, t’i rujanë, t’i dashurojnë e t’i zhvillojnë. Naimi bisedon me ndjenjë e me emocion, me dashuri të pakufishme me bashkëkombasit e tij, shqiptarët, duke u përpjekur për t’i bindur ata me fjalë të mira e të buta, me zërin e tij engjëllor se atdheu i tyre, Shqipëria, nuk është i vogël, viset shqiptare nuk janë të këtilla. Ajo shtrihet e madhe, e plotë, e gjerë dhe e pasur, në poemën e tij të njohur, duke sugjeruar se ajo është e këtillë sepse është mëmëdheu-atdheu i tyre, prandaj duhet verësuar si të këtillë.
KOMBI
Poeti ynë kombëtar, në shumicën e veprës së tij ka harruar të metat, të këqijat e atdhetarëve të tij, për të afirmuar ndjenjën e shenjtë të bashkimit të tyre që iu ka munguar e po iu mungon edhe aktualisht edhe për gjërat kryesore. Prandaj fjalët e tij dalin si nga goja e shenjëtorit, i cili veç fjalë të urta e të ëmbla flet për njerëzit, duke anashkaluar realitetin e dikurshëm e aktual i cili ka gjëra të shumta që duhet kritikuar. Naimi, nuk është tipi i shkrimtarit si Gjergj Fishta që edhe të lëvdon edhe të shanë, ai është poeti që më së shumti lëvdon. Ai kërkon të kryejë misionin e tij fisnik, t’u krijojë bindjen shqiptarëve se janë si të gjithë popujt e tjerë, por që historia të shumtën e kohës nuk është sjellë mirë me ta. Duke qenë një popull me kulturë, histori, art, atdhe e fe, e origjinë të lashtë pellazgjike, sipas tij ata janë një nga popujt më me vlerë të Ballkanit e Evropës, popull që nuk e ka vendin në bisht të historisë, po në krye të saj. Duke qenë romantik klasik, ai e thotë këtë për t’i bërë që ata të kuptojnë se janë popull normal si të gjithë të tjerët. Dhe cila është rruga, sipas Naimit, dje e sot, për të arritur popujt e tjerë: me arsimim, me dije, me punë të mira për atdheun. Për këtë ai jep shembullin e tij vetiak, duke u përpjekur vazhdimisht e në çdo vend për vendin e vet, deri në shkallën sublime, deri në flijim, që është thirrje për të gjithë shqiptarët, para njëqind e sa vjetësh, sot e në mot, e përherë.
GJUHA
Pothujse nuk ka shembull në letërsinë shqipe, që të ketë lëvduar gjuhën shqipe aq sa e ka lëvduar Naimi. Mbase një nga arsyet themelore për lëvdimin e saj, është se shqipja nga goja e Naimit vërtetë del si Zonjë, madje Zonjë e Madhe. Bukuria, lirshmëria, muzikaliteti, natyrshmëria, dinamizmi, hapësira e shqipes së Naimit është vështirë të gjejë shoqe në gjuhën e ndonjë autori tjetër. Prandaj Naimi flet më shqip se asnjë autor tjetër. Kjo është një arsye e lëvdimit të saj, por Naimi duke qenë romantik, poet, e njeri i Zotit u lëvdon shqiptarëve gjuhën e tyre, në kohën e tij e sot, për të thirrur mendjen e tyre, për të sjellë në vete ata, se çfarë po bëjnë me gjuhën e tyre. Dhe paradoksi ndodh, dikur e sot. Shqipja, Gjuha e Perëndisë, që është e mirë, e lehtë, e lirë, po nëpërkëmbet nga vetë shqiptarët herë me vetëdije e herë pa vetëdije. Kjo gjuhë që është vërtetë me vlera të posaçme. Poeti ynë kombëtar e ka thënë këtë, se është gjuhë perëndie, po edhe shkenca aktuale është shprehur se shqipja për nga stuktura, përmbajtja, veçantësia e saj është një nga gjuhët kryesore të Evropës.
PËRMBYLLJE
Në fund të kësaj fjale për Naimin, siç do të shprehej prozatori i shkëlqyeshëm shqiptar, Mitrush Kuteli, po të ishte gjallë, duhet thënë se poeti ynë kombëtar, edhe pas njëqindvjetëve jetë në amshim, ështi gjallë, aktual e i përgjithmonshëm. Ai jep mesazhin e jetës për të gjithë shqiptarinë: të përpiqemi, për atdhe, komb, gjuhë, kulturë e fe.
naim frasheri themeluesi i romantizmit ne letersin shqiptare
naim frasheri kam shum merita per letersin shqiptare. Ai me veprat e tija gjeniale u tregj botes e sidomos turqis se atdhershme se shqipja eshte gjuhe mjaft e vjeter dhe nder te parat ne ballkan e ebrope
Naim Frasheri
Shkrim i huazur!
Naim Frashëri shkroi një poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”, 1886) një përmbledhje lirikash filosofike, atdhetare e dashurore (“Lulet e verës” 1890), një poemë epike për Skënderbenë (“Histori e Skënderbeut” 1898) një poemë epike religjoze (“Qerbelaja” 1898) dy poema greqisht (“O eros” e “O alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash persisht (“Tehajylat” - Ëndërrime) dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve.
Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në poezinë shqipe. Në frymën e “Bukolikëve” e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit, ai në poemën “Bagëti e bujqësia” u këndoi punëve të bujkut e të bariut duke i thurur një himn bukurive të atdheut të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit të mërguar dhe krenarinë e qënies shqiptar. Nuk është çudi që, duke jetuar në zemrën e perandorisë së osmanëve, në Stamboll, të përjetonte aq thellë fatin e atdheut të tij. Malli për vendlindjen, për malet dhe fushat e Shqipërisë, për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë, i japin forcë e vrull lirik frymëzimit të tij.
Përjetimet subjektive të individit të çliruar nga prangat e mentalitetit mesjetar oriental, nga një anë, dhe nga ana tjetër panteizmi filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me panteizmin poetik të shkollës së romantizmit evropian, u japin meditimeve lirike të Frashërit një dimension human e filozofik universal. Poezitë më të bukura të përmbledhjes “Lulet e verës”, janë lirikat filozofike për jetën dhe vdekjen, për kohën që ikën dhe s’kthehet më, duke lënë pas kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut, për krijuesin të shkrirë me universin.
Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi, Frashëri është një poet metafizik, që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën helenistike, me mistikën e lashtë orientale e islame. I ndodhur në kryqëzimin e traditave poetike e filozofike lindore e perëndimore, N. Frashëri i tret ato në njëra-tjetrën, por pa shtypur natyrën e tij shqiptare. Kultura dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan substratin iluminist të veprës së Frashërit, qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik, kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij. Por duhet veçuar në veprën e tij fryma frënge. Fryma frënge në Greqi dhe në Turqi ishte përfaqësuese e kulturës evropiane. Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në vendet ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve të këtij gadishulli idetë e kryengritjes frënge dhe idenë e lirisë përgjithësisht e të nacionalizmit modern. Njohës i gjuhës frënge, admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar, dhe i Lamartinit si poet, Frashëri e shikonte të ardhmen e kombit të vet “të lindëte andej nga perëndon”. Romantizmi i Naimit në këtë pikë nuk dallon prej romantizmit grek e turk, ato janë pjella e Francës.
Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe i gjuhës letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në rendin e një gjuhe moderne të kulturës duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit të shqipes popullore.
Një foto e Naim Frashërit.
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.