lezhjani-82
I Pavdekshem

Regjistruar: 02/01/2005
Vendbanimi: Eternity...
Mesazhe: 4813
|
Krijohen per here te pare sindikatat ne mbrojtje te punonjesve te policise Shqiptare! Qe tani e mbrapa policet do te ken nje vend ku te ankohen ne rast padrejtesie ndaj tyre dhe shume perparesi te tjera.
artikulli marre nga Shekulli
Policia, pagat dhe shpërblimet e reja
Policët në të gjithë vendin nga dita e djeshme do të kenë të sigurt marrjen në kohë të pagave dhe shpërblimet për çdo orë shtesë.
Kontrata kolektive e nënshkruar mes Sindikatës së Policisë dhe Policisë së Shtetit parashikon të detajuar pagesat për çdo orë shtesë dhe shpërblimet vjetore të uniformave blu, si dhe penalitete për institucionin, nëse atyre nuk u jepet paga mujore në kohë. "Për herë të parë në historinë e policisë shqiptare krijohet një sindikatë për të mbrojtur interesat e çdo punonjësi policie.
Kontrata e nënshkruar tregon se Policia e Shtetit çdo ditë e më tepër po shkon drejt konsolidimit dhe përafrimit të saj me policitë homologe të vendeve Evropiane",- u shpreh kreu i policisë së shtetit, Ahmet Prençi, gjatë nënshkrimit të kontratës kolektive.
Ndërsa kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta, tha se "Punonjësit e Policisë Shqiptare do të kenë sindikatën e tyre, e cila do të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e çdo punonjësi policie.
Fusha e zbatimit të kësaj kontrate përfshin jo vetëm punonjësit e policisë në detyrë, por edhe ata që trajtohen me pagesë kalimtare, pension të parakohshëm dhe ata me pension pleqërie"
Pagat
Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit synon të mbrojë interesat e këtyre të fundit në detyrë. Pagat dhe shërbimi i orëve suplementare mbeten problematike për uniformat blu, të cilat tashmë kanë të drejtën të ankohen në sindikatën e tyre pasi pagat dhe shpërblimet janë të përcaktuara në kontratën kolektive.
Sipas Kontratës Kolektive, paga do të përbëhet nga paga bazë, shtesat me karakter të përhershëm, shtesat për mënyrën e veçantë pune e shërbimi, për burime rreziku të shtuara për jetën.
Rritja e pagave për punëmarrësit bëhet sa herë që rriten pagat e punonjësve në sektorët e tjerë publikë. Ndërkohë që në kontratë thuhet se punonjësit e policisë duhet të paguhen një herë në muaj dhe jo më vonë se data pesë e muajit pasardhës. Në rastet e mospagimit të pagës në afat, punëdhënësi detyrohet të paguaje kamatë masën 0.07 për qind të pagës bruto për çdo ditë vonesë.
Shpërblimet
Shpërblimi i punonjësit të policisë do të bëhet konform sistemit të gradave policore, funksionit që ka fituar dhe tabelave të pagës. Punonjësi i policisë përfiton të gjitha shtesat e tjera të veçanta mbi pagë si dhe shpërblime që përfitojnë punonjësit e tjerë të administratës publike.
Punëmarrësi në çdo fund të vitit financiar përfiton dhe shpërblim deri në një pagë mujore të njëjtë me atë të përfituara nga punonjësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore, ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie që pasqyron kohën e punës së kryer nga punëmarrësi gjatë vitit financiar.
Ndërkohë që orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare nga punonjësit e policisë kompensohen me pushim me po aq ditë ose pagë të paktën 50 për qind më shumë se orët suplementare të bëra, ose paga normale.
Neni 4
Pranimi në punë dhe e drejta për specializim dhe kualifikim
1- Pranimi në punë bëhet në bazë e në zbatim korrekt të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit", dhe të kësaj kontrate.
Në çdo rast të pranimit në punë, për kategori të veçanta të personelit, që nuk është përcaktuar saktësisht në ligjet përkatëse, janë të detyrueshme për zbatim dispozitat e kapitullit X, të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.
Mbrojtja e veçantë sigurohet për punëmarrësit me aftësi të kufizuara dhe për gratë, bazuar me aktet normative të miratuara dhe në kërkesat e Konventave Ndërkombëtare për këtë qëllim të ratifikuara.
Koha e provës për pranimin në punë do të jetë sipas përcaktimit në lidhin nr.9749, datë 04.06.2007, "Për policinë e Shtetit". neni 52, pikat 1,2,3 dhe sipas VKM nr.604, datë 21.11.2008 "Rregullore e Personelit", nenet 26 dhe 31.
Gjatë periudhës së provës, testimeve, konkurrimit dhe pranimit në Polici, konkurrimit për funksione dhe grada në hierarkinë e Policisë etj, ndalohet çdo dallim, përjashtim, parapëlqim që bazohet në racë, ngjyrë, seks, moshë, fe, bindje politike e sindikale, kombësi, origjinë shoqërore, lidhje familjare, e të tjera të cilat cenojnë të drejtën e individit në shoqëri.
2- Kur punonjësi i policisë shkon për kualifikim ose specializim, brenda ose jashtë vendit, për probleme që lidhen me profesionin dhe aftësimin e tij profesional, dhe që kanë miratimin e titullarit të institucionit të policisë (qendrore ose vendore) zbatohet Rregullorja e Trajnimeve dhe Rregullorja e Personelit.
Neni 5
Koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj
Në sistemin e punës së shërbimit policor koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës.
Punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimit të ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar përkatësisht në nenet:
Neni 80: 1) "Me punë nate kuptohet puna e kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit"
2)"Kohëzgjatja e punës së natës dhe e punës së kryer një ditë para ose pas asaj nuk duhet të jetë më shumë se 8 orë pa ndërprerje. Ato duhet të paraprihen ose pasohen me pushim ditor të menjëhershëm".
Neni 81: 1) "Çdo punë e kryer nga ora 19:00 deri në 22:00, jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20 për qind.
2) "Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 deri në 06:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50 për qind.
Neni 85: 1) "Pushimi javor është jo më pas se 36 orë, prej të cilave 24 orë pa ndërprerje"
2) "Pushimi javor përfshin ditën e diel dhe për arsye pune mund të jetë një ditë tjetër e javës"
3) "Pushimi javor nuk paguhet"
Neni 90: 1) " Për punën suplementare si dhe kur kërkohet emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë"
Neni 91: 1) "Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pas se 25 për qind të saj.
Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 për qind më të madh se orët suplementare të bëra ose paga normale.
Kompensimi duhet të jepet jo më vone se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës (shërbimit).
Neni 6
Koha e Pushimit
Pika C.
1-Punonjësit të policisë i jepet leje e pagueshme për rastet si më poshtë vijon:
Martesën e tij dhe pjesëtarëve të familjes 7 ditë
Vdekjen ose sëmundjen e rëndë të pjesëtarëve të familjes 7 ditë
Martesën e pjesëtarëve të familjes së bashkëshortes-it 5 ditë
Vdekjen ose sëmundjen e rëndë të pjesëtarëve të familjes së bashkëshortes-it 5 ditë
Ndërrimi i banesës ose arsye që gjykohet nga titullari i strukturës 3 ditë
Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve pasuniversitar për punën që kryejnë 7 ditë
2-Punonjësit të shërbimeve mbështetëse i jepet leje e pagueshme për rastet si më poshtë vijon:
Martesa e punonjësit 5 ditë
Martesa e fëmijës së tij 4 ditë
Lindja e fëmijës për baballarët 4 ditë
Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortit, të fëmijës, të vëllezërve, të motrave 5 ditë
Ndërrimi i banesës
2 ditë
Sëmundje të rënda të fëmijëve, të prindërve apo të bashkëshortit të vërtetuara me raport mjekësor
5 ditë
Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve pasuniversitarë për punën që kryejnë 7 ditë
Për rastet e mësipërme apo për rastet e tjera të veçanta punonjësi i policisë ka të drejtë të marrë leje pa të drejtë page për një periudhë deri në 2 muaj në vit. Periudha e lejes pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune dhe shërbimi dhe as për efekt të ecurisë në karrierë. Miratimi i lejes pa të drejtë page bëhet sipas përcaktimit të bërë në pikën 14 të nenit 70, të rregullores së brendshme të policisë së shtetit.
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Sadedin Fishta: Kontrata kolektive do të mbrojë edhe ata që trajtohen me pension të parakohshëm apo pension pleqërie
"Nëse vonohen pagat, shteti paguan kamatë"
Për një vit rresht sindikata e punonjësve të Policisë së Shtetit ishte formalisht ekzistente ndërsa merrej me formulimin e kontratës kolektive. Ditën e djeshme, kontrata kolektive u firmos nga kreu i policisë së shtetit dhe kreu i sindikatës duke hyrë menjëherë në fuqi.
"Për herë të parë punonjësit e policisë së shtetit kanë një sindikatë të tyre që do t'i mbrojë duke hequr të drejtën e abuzimit të drejtuesve të policisë së shtetit",- deklaroi kreu i sindikatës Sadedin Fishta. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Fishta tregon procedurat e formulimit të kontratës kolektive dhe ndryshimin që do të sjellë ajo për punonjësit e policisë së shtetit.
Zoti Fishta, kur është formuluar kontrata kolektive dhe kontribuesit e saj?
Kontrata kolektive ka nisur të formulohet rreth një vit më parë. Por për shkak të rikonstruktimit të policisë së shtetit dhe ligjit të ri për gradat, firmosja e kontratës u shty. Me implementimin e ligjit të ri të policisë së shtetit, iu dorëzua drejtorit të policisë së shtetit kontrata kolektive e cila është formuluar nga sindikata dhe PAMECA.
Pasi u shqyrtua nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit u vendos dhe firmosja e saj.
Ka pasur negociata apo papajtueshmëri për nene të veçanta të kësaj kontrate?
Nuk ka pasur probleme.
Janë shqyrtuar dhe pranuar nga kreu i policisë së shtetit. Por ndërkohë një problem mbetet vetëm akomodimi i degëve të sindikatës. Aktualisht policia e shtetit duhet të vërë në dispozicion zyra për sindikatën.
Çfarë ndryshimi do të sjellë kontrata kolektive për punonjësit e policisë së shtetit?
Për herë të parë punonjësit e policisë së shtetit kanë një sindikatë të tyre që do t'i mbrojë duke hequr të drejtën e abuzimit të drejtuesve të policisë së shtetit.
Nuk do të ketë vonesa në pagesa dhe në rast të kundërt do të paguhen kamata nga ana e punëdhënësit. Gjithashtu askush nuk ka të drejtën e heqjes nga detyra punonjësin e policisë për arsye të ndryshme, si politike, feje, origjine shoqërie etj.
Sindikatat do të mbledhin ankesat e punonjësve të policisë dhe më pas ato i bëhen të njohura drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit. Më pas ngrihet një komision ku çdo palë ka juristin dhe shqyrtohet ankesa.
Në rast se drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit deklaron se nuk është kompetencë e tij zgjidhja e problemit atëherë çështja shkon në instanca më të larta si ministri i Brendshëm apo kryeministri dhe në fund në gjykatë. Ndërkohë që kontrata kolektive do të mbrojë jo vetëm punonjësit e policisë së shtetit por edhe ata që trajtohen me pension të parakohshëm apo pension pleqërie.
Kontrata kolektive parashikon grevë për punonjësit e policisë?
Jo. Punonjësit e policisë nuk kanë të drejtën e grevës pasi një gjë e tillë nuk përcaktohet edhe me ligj. Por ata kanë të drejtën e tubimeve.
Cilat nene parashikohen të kenë më shumë ankesa nga ana e punonjësve të policisë së shtetit?
Në fakt parashikohen ankesa për nenin 5. Do jetë e vështirë për policinë e shtetit të shlyejë orët suplementare për punonjësit e policisë. Ndërsa për pagat është përcaktuar që në çdo rast vonese të shpërblehen me kamatë.
__________________
Jeta eshte nje semundje vdekjeprurese seksualisht e transmetueshme.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|