Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Rilindja dhe Pavarsia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë > Komiteti I Stambollit Dhe Aktiviteti I Tij
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
i_lire
^^i_lire^^

Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610

Komiteti I Stambollit Dhe Aktiviteti I Tij

Pas Luftës ruso-turke, Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit me vendimet e tyre, jo vetëm që i linin viset shqiptare nën sundimin osman, por parashihnin që shumë territore të tyre t'u dorëzoheshin shteteve ballkanike.

Këto vendime e cënuan shumë rëndë identitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shqiptarëve. Ato shkaktuan që më tepër të organizohet dhe të intensifikohet Lëvizja Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, e cila kishte filluar qysh nga vitet 1830.

Kjo Lëvizje gjatë viteve 1878-1881 u shndërrua në një organizatë politike ushtarake, e cila, gradualisht, e shkatërroi pushtetin osman në viset shqiptare dhe e mori në duar të veta. Në fi-llim të vitit 1881 arriti shkallën më të lartë revolucionare të organizimit të saj me formimin e Qeverisë së Përkohëshme Shqiptare.

Lidhja e Prizrenit, e cila mbështetej në masat e gjera popullore, udhëheqej nga patriotë të dalluar, siç ishin: Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Zija Prishtina, Mic Sokoli etj., por ndër ta dalloheshin vëllezërit Frashëri. Ata nuk kursyen as jetën as pasurinë, por vepruan për të drejtat dhe pavarësinë e kombit shqiptar.

Qysh heret, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit XIX, rilindësit shqiptarë, ideologët dhe patriotët të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që punonin dhe jetonin në Stamboll e vende të tjera që ishin inkuadruar në shërbime të ndryshme të administratës osmane, zhvillonin një aktivitet të gjerë ideopolitik për të mirën e kombit.

Nga viti 1858-1875 dalin në skenën politike e kulturore Vaso Pasha, Kristoforidhi, Hoxhë Hasan Tahsini, Ismail Qemali, Jani Vreto, Abdyli, Samiu dhe Naim Frashëri,1 të cilët bëjnë përpjekje për formimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe të shoqërive kulturore.3 Sipas gazetës osmane „Mümeyiz"4 këta kishin formuar një Komision për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe qysh në vitin 1869, pra dhjetë vjet para se të formohej Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip.

Këta rilindës ia parashtruan disa herë kërkesat e veta Qeverisë Osmane lidhur me përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, por nuk u përfillën dhe asnjëherë nuk u morën në shqyrtim nga ana e Portës së Lartë.

Ky Komitet, i cili u formua në legalitet, ndikoi dhe bëri presion të vazhdueshëm nëpërmjet kanaleve të ndryshme pranë Qeverisë Osmane, që të formohet një shoqëri kulturore shqiptare dhe të legalizohet veprimtaria e saj, e cila duhej të merrej me përhapjen e arsimit dhe botimin e librave në gjuhën shqipe. Në të vërtetë, qëllimi kryesor i patriotëve shqiptarë ishte që në këtë mënyrë të zhvillonin një veprimtari ideopolitike.

Me organizimin dhe aktivitetin e gjithanshëm si dhe me lidhjet që mbante me Komitetin e Arbëreshëve në Itali, Komiteti i Stambollit arriti ta orientojë drejt kahjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, si dhe hartoi platformën ideologjike, politike dhe kulturore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti.

Komiteti Politik i Stambollit ishte i përbërë nga shqiptarët e besimit islam si dhe të atij të krishterë me përfaqësim të barabartë. Aktivistët, që e përbënin këtë Komitet, ishin njëkohësisht edhe anëtarë të Shoqërisë Kulturore, d. m. th. zhvillonin një aktivitet të përbashkët politiko-kulturor.

Një fenomen i tillë ishte i rrallë në historinë e popujve të tjerë, sepse shqiptarët, të cilët u takonin tri besimeve të ndryshme, vepronin bashkarisht për një ideal. Ata, edhe pse nën ndikimin e rrethanave dhe kushteve historike dhe politiko-ekonomike të vështira, u përfshinë në shoqërinë osmane, greke dhe italiane duke u përshkruar nga kultura dhe mënyra e jetesës së tyre në shekujt e mëparshëm, prej të cilëve një pjesë e tyre u asimiluan, porse nuk u mungoi asnjëherë vetëdija kombëtare.

Këtë fenomen e dëshmojnë sidomos burimet5 dhe kronikat6 osmane, të cilat sjellin shënime për origjinën dhe prejardhjen e shumë personaliteteve shqiptare që u shquan gjatë periudhës osmane, qoftë në lëmin politiko-ushtarak apo letraro-shkencor.

Si shembull për këtë mund të marrim Jahja Bej Dukagjinin,7 me origjinë shqiptare, poetin më të madh të klasicizmit turko-osman, që jetoi në shekullin XVI dhe shkroi poezi në gjuhën osmane. Në divanin e tij, që u zbulua në Kajro,8 ai mburrej me origjinën shqiptare duke thënë: „e sojit të shqiptarët është origjina jime".9

Gjithashtu edhe shumë shkrimtarë, historianë dhe personalitete të tjera, që kishin pozita të larta në administratën osmane, nuk e mohonin origjinën e tyre shqiptare.10

Fakti, se shqiptarëve nuk u mungonte ndërgjegjja kombëtare, dhe që ajo ishte më e zhvilluar se te popujt e tjerë të Ballkanit, e vërtetojnë shkrimtarët frëngë Lamartini, Hannotaux e Gab-riel Jarray dhe historiani i famshëm gjerman Wirthi, të cilët në shkrimet e tyre e thonë këtë botërisht.11

Është shumë vështirë të thuhet se kur kishte zënë fill të themelohej kolonia shqiptare e Stambollit, sikurse është vështirë të dihet sesa ishte numri i shqiptarëve që kishin mërguar në Stamboll, apo në viset e tjera të Perandorisë Osmane gjatë pesë shekujve. Mirëpo, dihet se ky numër në gjysmën e parë të shekullit XIX ishte mjaft i madh dhe relativisht do të vijë duke u rritur gjithnjë e më shumë deri në periudhën e Lidhjes së Prizrenit,12

Komiteti Organizativ i Stambollit dhe Shoqëria Kulturore kishin arritur të ushtronin një ndikim të madh jo vetëm në aktivitetin politik, por edhe në atë kulturor-letrar, në të gjitha shoqëritë dhe kolonitë e tjera shqiptare, të cilat u formuan në Bukuresht, Kajro, Sofje etj.
Komiteti i Stambollit, si mund të kuptohet nga një burgim osman, aktivitetin e vet e kishte filluar qysh në mars të vitit 1877, në kushte shumë të vështira ilegale, kur edhe u zgjodhën shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e parë osman, si përfaqësues të vilajeteve shqiptare.'3

Sipas burimeve të tjera osmane mund të konkludojmë se me inisiativën e Abdyl dhe Sami Frashërit, qysh në fillim të muajit mars 1878, u themelua ky Komitet, i cili e merr karakterin e një organi zyrtar shqiptar në emigrim, me emrin Komiteti Qendror për mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.

Në këtë kohë vepronte edhe Lëvizja përparimtare e osmanlinjve të rinj, në lëvizjen e të cilëve ishin inkuadruar edhe disa shqiptarë, si Ismail Qemali, Sami Frashëri etj. Sami Frashëri u bë miku më i ngushtë i njërit nga udhëheqësit kryesorë të kësaj Lëvizjeje, i poetit të madh Namik Kemalit, që ishte shqiptar nga e ëma.

Kjo Lëvizje e kishte edhe Komitetin e saj me seli në Paris, i cili quhej „Yeni Osmanli Cem' iyyeti". Vepronte për ta shkatërruar sistemin despotik të sulltanit, i cili e çonte vendin drejt shpartallimit. Nën presionin e kësaj Lëvizjeje sulltan Abdyl Hamidi II në fund të vitit 1875 ishte i detyruar të pranojë Kushtetutën (Kanun-i esasi), të cilën e patën përgatitur xhonturqit dhe më 23 dhjetor 1876 u shpall një sistem konstitucional-parlamentar. Me këtë kushtetutë parashihej edhe formimi i Parlamentit Osman, i cili do të përbëhej nga deputetë të zgjedhur nga të gjitha vilajetet e Perandorisë Osmane. Në këtë Këshill Popullor duhej të zgjidhej një deputet për çdo 50.000 banorë, kurse prej 29 krahinave të mëdha duhej të zgjidheshin 100 deputetë dhe 40 delegatë për Senat.15

Si përfaqësues dhe deputetë të Vilajetit të Janinës në Parlamentin Osman, i cili ia filloi punës në mars të vitit 1877, u zgiodhën këta persona: Abdvl bei (Frashëri), Mustafa bej Janina, Mehmet Ali bej Vrioni, Mihail Harito Efendiu, Daviçon Efendiu, dhe Nikolla Çanaka Efendi.16

Nga Vilajeti i Kosovës u zgjodhën: Ymer Prizreni. Zenel Abedin Prishtina. Mustafa efendi Kosova, Sylejiman bej Kosova (nga Sanxhaku i Nishit), Sotiraqi efendiu, Apostol efendiu, Mihodamish efendiu dhe Andon efendiu.17

Nga Vilajeti i Shkodrës: Jusuf efendiu, Mustafa Nuri pasha (Vlora -I. R.), Selim efendiu, Filip efendiu (Doda - I. R.) dhe Angel efendiu.18

Nga Vilajieti i Selanikut: Mustafa beu, Mehmet Shefik pasha, Qerim bei efendiu, Avram efendiu, Istefan efendiu dhe Vasilaq efendiu.19

Pasi u formua Komiteti i Stambollit, si organ i parë shqiptar në mërgim për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, siç u theksua edhe më lart, shumë figura patriotike që punonin dhe jetonin në Stamboll, si edhe shumë deputetë të këtii Parlamenti që ishin me origjinë shqiptare, filluan të inkuadrohen dhe të bashkëpunojnë me këtë Komitet. Kryetar i tij u zgjodh Abdyl Frashëri.

Anëtarët kryesorë të tij ishin: Vëllezërit Frashëri, pastaj Pashko Vasa, Jani Vreto, Zija Prishtina, Ali Danish Prishtina, Ahmet Korenica, Mihail Harito, Mustafa Nuri Vlora, Abedin Dino, Seid Toptani dhe Mehmet Ali Vrioni. Anëtarë të këtij Komiteti ishin edhe shumë deputetë shqiptarë që ishln zgjedhur si përfaqësues të vilajeteve shqiptare në Parlamentin Osman, në fillim të vitit 1877.20 Prandaj, si anëtarë të Komitetit të Stambollit ishin edhe Haxhi Ymer Prizreni, Zejnel Abedin Prishtina, Mustafa efendi Kosova, Filip (Doda - J. R.) Angeli Efendi Shkodra, Jusuf Efendiu (Shkodra -J. R.) Selim Efendiu etj.

Sipas burimeve osmane21 dhe disa burimeve serbe,22 me inisiativën dhe angazhimin e gjithanshëm të Komitetit të Stambollit u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në të cilën më vonë shumë anëtarë të këtij Komiteti morën pjesë aktive. Disa prej tyre u bënë jo vetëm anëtarë, por edhe udhëheqës kryesorë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Prizrenit dhe të Degëve të saj.
Jovan Haxhivasileviqi thotë se në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndikoi më së shumti Komiteti i Stambollit dhe anëtarët e tij. 23

Porta ishte përpjekur gjatë tërë shekullit XIX t'i zbatojë reformat edhe në viset shqiptare, si dhe në disa vise të Perandorisë, mirëpo kishte hasur në rezistencë të fortë nga ana e shqiptarëve, sepse këto reforma nuk e përmirësuan gjendjen e tyre por, përkundrazi, e vështirësonin. Për këtë shkak Qeveria Osmane e internonte parinë dhe krerët shqiptarë në Azinë e Vogël, të cilëve u ndalohej rikthimi në viset e tyre. Këta më vonë vendoseshin në Stamboll dhe rrethinat e tij.

Këta kundërshtarë të shtetit osman e kishin gjetur strofullën e emigrimit në Stamboll dhe binin në kontakt me personalitete të ndryshme politike të shteteve të huaja, të cilët i nxitnin që të mendonin për atdheun e tyre. Edhe pse shumë personalitete shqiptare, sidomos nga gjysma e shekullit XIX, punonin në shërbime të ndryshme të Perandorisë Osmane, kurrsesi nuk e harruan atdheun e vjetër të tyre.24

Grumbullimi dhe prezenca e tyre e madhe në Stamboll ndikonte dhe i nxiste që të mendonin dhe punonin për lirinë e vendit të tyre.

Haxhivasileviqi, duke transmetuar këtë shënim, thotë: „Në këtë kohë filluan të grumbulloheshin shqiptarët e Stambollit rreth varrit të Ali pashë Tepelenës, si të ndonjë varri të shenjtë. Mbi varrin e tij, i cili gjendet në Silivri Kapisi, shqiptarët e kishin shkruar një mbishkrim: „Këtu pushon koka e të famshmit Ali pashë Tepelenës, i cili 50 vjet me radhë u mundua për pavarësinë e shqiptarëve".25

Në mes të shqiptarëve, të cilët ishin vendosur në Stamboll, kishte personalitete të shquara që u afirmuan edhe në lëmin e politikës, shkencës, kulturës. Ata punonin në mënyrë intensive duke mbledhur rreth vetes edhe shqiptarë të tjerë. Qëllimi i tyre kryesor ishte të vinin lidhje sa më të mira me shqiptarët në atdheun e tyre.26 Gjatë viteve 1876-1878, u formua Shoqëria letraro-kulturoro-politike e shqiptarëve në Stamboll. Kjo Shoqëri kishte edhe Komitetin Qendror (Këshillin Qendror) i cili, edhe pse vepronte në mënyrë ilegale, zhvillonte një aktivitet të gjallë për çlirimin e popullit shqiptar.27

Shpirti i këtij Komiteti ishte Abdyl Frashëri, si dhe anëtarët e tjerë: Naim Frashëri, Konstandin Kristoforidhi, etj. Lidhjet kryesore të këtij Komiteti bëheshin në mes shqiptarëve të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut, sepse në këtë kohë nga radhët e shqiptarëve të pasur, në këto vise kishte edhe shumë shqiptarë myslimanë të arsimuar dhe të shkolluar.28

Komiteti i Stambollit, duke e njohur gjendjen e vështirë në viset shqiptare, zhvillonte një propagandë të dendur duke u udh-hequr nga ideja kryesore që të gjithë shqiptarët të përfshihen në një lëvizje të armatosur kundër pushtetit osman. Gjithashtu ky Komitet ka zhvilluar propagandë ndër shqiptarët që të luftojnë për një Shqipëri të pavarur dhe në të njëjtën kohë e kanë përgatitur dhe organizuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.29

Haxhivasileviqi, përkitazi me çështjen shqiptare, sjell mjaft shënime faktografike, por interpretimet dhe komentimet e tij janë tejet tendencioze dhe nacionaliste. Edhe ato burime serbe që i ka përdorur, i ka keqpërdorur, kurse në disa raste jep shënime, që janë pjellë të mendjes së tij dhe nuk kanë kurrfarë mbështetje shkencore. Tezën e tij se gjoja Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijesë e Portës me karakter fetar dhe panislam, e hudhin poshtë qartazi dokumentet osmane30 si dhe shumë burime të tjera evropiane.31


Komiteti Politik i Stambollit e themeloi Shoqërinë Kulturore dhe për një qëllim tjetër. Nëse do të zbulohej aktiviteti i tij politik, ai do të vazhdojë veprimtarinë e tij nëpërmjet të kësaj shoqërie. Pas themelimit të Shoqërisë, e tërë veprimtaria politike u zhvillua pothuajse nëpërmjet të saj. Me shuarjen e Lidhjes u ndërpre edhe aktiviteti i Komitetit Politik, kurse veprimtaria e Shoqërisë Kulturore u zhvillua në kushte shumë të vështira, kështu që pas vitit 1884 u shua tërësisht. Ndërkaq, më vonë, në vitet 1885 -1886, Jani Vretoja i formoi Degët e kësaj Shoqërie në Bukuresht dhe në Aleksandri.32

Me ashpërsimin e gjendjes politike në vitet 1878-1879, në kohën kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u ballafaqua me vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit dhe me qëndrimin armiqësor të Portës së Lartë, plasi lufta në terrenin politik dhe diplomatik, e cila e ngriste popullin në këmbë që të mbrojë me armë në dorë identitetin kombëtar dhe integritetin tokësor të shqiptarëve. Kjo luftë i bashkoi edhe më fort intelektualët shqiptarë në Lëvizjen Kombëtare dhe shtroi kërkesë të domosdoshme në organizimin e punës në terrenin ideologjik, politik dhe propagandistik.33

Kësaj kërkese i prinë patritotët dhe ideologët shqiptarë të Stambollit të cilët në fillim të vitit 1879, me anë të Shoqërisë Kulturore, arritën të botojnë „Alfabetaren" dhe me këtë rast, propo-zuan një alfabet të vetëm dhe të përbashkët për gjuhën shqipe, duke u munduar t'i zgjidhnin të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistonin deri atëherë rreth kësaj çështjeje. Kjo „Alfabetare" u botua në 20.000 kopje dhe u dërgua në kolonitë e tjera shqiptare të mërgimit dhe në viset shqiptare.34 Kishte për qëllim të rriste ndërgjegjen kombëtare në masat e gjera popullore.

Patriotët shqiptarë, që jetonin në mërgim, sidomos në Stamboll, si u theksua edhe më parë, qysh nga viti 1869 dhe sidomos në vitin 1871 protestuan në mënyrë të ashpër kundër administratës osmane, e cila zbatohej në vilajetet e banuara nga shqiptarët. Këtë reagim e shohim nëpërmjet të gazetës „Basiret" që botohej në Stamboll dhe të gazetës „Prizren" që dilte në Prizren, sepse e para në numrin 465 të vitit 1871 kishte botuar një artikull me nënshkrim „Një Shqiptar" („Bir Arnavut") në të cilin theksohej se popullsia e Vilajetit të Prizrenit, si ajo myslimane, po ashtu edhe ajo e krishterë, është me shumicë me origjinë shqiptare. Prandaj gazeta e Prizrenit, e cila botohej përgjysmë në gjuhën turke dhe në gjuhën „bullgare" (serbe - I. R.) nuk i shërbeu askujt.35

Artikullshkruesi nga Stambolli kërkon që të dy faqet e gazetës të shtypen në gjuhën shqipe, e jo në gjuhën „bullgare" (serbe). Sipas mendimit të artikullshkruesit, sa i përket alfabetit shqip, kjo çështje mund të zgjidhej lehtë. Alfabeti mund të përpilohet me shkronjat që do të huazoheshin nga alfabeti latin.

Redaksia e gazetës „Prizren" në nr. 7 të 25 shtatorit 1871 i përgjigjet atij duke thënë se nuk është e vërtetë se popullsia është krejtësisht shqiptare në Sanxhakun e Shkupit dhe në atë të Nishit, por është edhe „bullgare" (lexo maqedone) dhe serbe të cilët i kanë edhe shkollat e veta në Prizren në gjuhën „bullgare" (serbe). Gjuha shqipe ende nuk ishte gjuhë letrare, por edhe po të ishte do të kishte shpenzime të mëdha për të shtypur gazetën me një alfabet të ri (latin). Në qytete shqiptarët e dinin gjuhën turke, kurse në fshatra do të hapeshin shkollat turke, prandaj do të mësonin dhe lexonin në gjuhën turke.36

Artikullshkruesi i gazetës „Basiret" përsëri kërkon nga gazeta „Prizren" të japë sqarime për çfarë arsyesh nuk mund të botohej edhe në gjuhën shqipe dhe sipas tij edhe gazeta e Vilajetit të Janinës dhe ajo e Shkodrës do të duhej të dilnin edhe në gjuhën shqipe. Në përgjigjen e vet të 6 nëntorit 1871 gazeta „Prizren" thotë se nuk është kompetente të mirret me këto çështje.37

Është interesante se si redaksia e gazetës në fjalë nuk e zë në gojë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Shkodrën, të cilat ishin të banuara në shumicë me popullsi shqiptare, por e përmend me tendencë Nishin, Shkupin, ku kishte edhe popullsi të konsiderueshme serbe dhe maqedone.
Këtë polemikë në formë të kërkesës lidhur me shtypjen e gazetave të vilajeteve edhe në gjuhën shqipe, ku me shumicë banonte popullsia shqiptare, e kishte zhvilluar Ismail Qemali i cili kërkonte që kjo kërkesë të zbatohej në jetë.

Në këtë kohë Ismail Qemali merrej me publicistikë dhe ishte shef i korrespondencës dhe kryeredaktor i gazetës së Vilajetit të Danubit që dilte në Rushquk (Ruse) të Bullgarisë, ku ishte vali Mithat pasha.38 Si duket edhe nga kjo, Ismail Qemali, megjithëse ishte jashtë Stambollit, gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare sidomos gjatë periudhës 1878-1881, mbante korrespondencë me Komitetin Politik dhe Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip të Stambollit. Nga kjo polemikë mund të konkludojmë se Qeveria Osmane nuk dëshironte që popullsia shqiptare të arsimohej në gjuhën amtare. Ajo frikësohej se, nëse ajo do të ngritej në pikëpamje arsimore dhe kulturore, gradualisht do t'i dilnin prej dore viset shqiptare. E gjithë kjo luftë që e zhvillonin patriotët shqiptarë me qarqet sunduese osmane, kishte karakter politik.

Qysh nga muaji mars i vitit 1878, Komiteti i Stambollit mori qëndrim që në radhë të parë të zhvillojë një luftë diplomatike, duke iu kundërvënë presionit të Fuqive të Mëdha, si edhe aspiratave të shteteve borgjeze ballkanike lidhur me mbrojtjen e tërësisë territoriale të viseve shqiptare, të cilave iu kërcënohej rreziku në një anë nga Rusia Cariste, që i përkrahte qarqet sunduese të shteteve ballkanike, e cila sidomos tentonte ta zgjeronte Bullgarinë në dëm të tokave shqiptare, kurse në anën tjetër nga Austro-Hungaria dhe Italia që ndërhynin në çështjen shqiptare, sidomos nëpërmjet të misionarëve klerikalë dhe të kishave të tyre.39

Komiteti, duke e vlerësuar situatën e përgjithshme politike e hartoi brenda muajit prill Projektin ide të Programit të parë me karakter kombëtar, të cilin e miratoi më 30 maj. Më datën 10 (22), 25, 26, 27, 28 dhe 29 qershor të vitit 1878, kur Kuvendi themelues i Prizrenit vazhdonte mbledhjet e tij, disa artikuj të këtij Programi, janë përfolur dhe komunikuar në formë të kamufluar nga Sami Frashëri në gazetën „Tercüman-i Sark", për të cilët mendojmë se janë aprovuar nga mbledhjet e Kuvendit të Lidhjes gjatë muajit qershor të vitit 1878.40 Këto pjesë jepeshin në gazetën e përmendur dhe shkruheshin nën maskën e titujve: Çështja lindore, intrigat sllave dhe greke në Rumeli, protestat e popullsisë shqiptare etj. Samiu vepronte në këtë mënyrë që të mos zbulohej nga Qeveria Osmane aktiviteti politik dhe ilegal i Komitetit. Zakonisht këta artikuj politikë nuk nënshkruheshin nga ana e Samiut. Mirëpo, disa prej tyre nënshkruheshin me pseudonime të ndryshme, me qëllim që ta bënin me dije Portën dhe opinionin evropian se shqiptarët nuk do të lejonin të bëheshin pazarllëqe me tokat e tyre. Zakonisht përdorej pseudonimi Patrioti Iskender, Patrioti nga Gegëria, Patrioti nga Toskëria, Patrioti nga Rumelia (Ballkani).41 Pa dyshim këta artikuj i shkruanin patriotët dhe ideologët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtarët e Komitetit të Stambollit.

Sikurse dihet, artikujt kryesorë në këtë gazetë i ka shkruar vetë Sami Frashëri. Në bazë të një artikulli, që është shkruar pikërisht atë ditë kur Sami Frashëri paraqitet si kryeredaktor, më 10 (22) qershor 1878, shihet haptazi se aty janë shprehur kërkesat për bashkimin e viseve shqiptare në një administratë të vetme unike, dhe për mbrojtjen e viseve të tyre nga pretendimet e shteteve monarkiste ballkanike.42

Këto kërkesa janë pjesë të nxjerra nga Programi i parë kombëtar, të cilat botoheshin në gazetën „Tercüman-i Sark", në mënyrë të pjesërishrne, siç u theksua edhe në parë, për të mos u hetuar aktiviteti i Komitetit Politik, derisa të përforcohej Lidhja.

Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, i cili zhvillonte një aktivitet politik mjaft të suksesshëm për mbrojtjen dhe bashkimin e kombit dhe të tokave shqiptare, e intensifikoi punën gjatë muajve prill edhe maj 1878, në një nivel më të lartë. Prej 18-29 maj të vitit 1878 Komiteti mbajti disa mbledhje, kurse më 30 maj 1878 aprovoi një Proklamatë e cila u drejtohej të gjithë patriotëve shqiptarë dhe kërkonte të organizoheshin dhe të mobilizoheshin në të gjitha drejtimet dhe instancat për të mbrojtur tokat e tyre që rrezikoheshin nga qeveritë monarkiste ballkanike.43

Kjo Proklamatë pati jehonë jo vetëm ndër intelektualë, por edhe te borgjezia shqiptare. Ajo zgjoi ndërgjegjen kombëtare edhe ndër masat e gjera popullore; te fshatarësia, klasa punëtore, zejtarët të cilët ishin gjithnjë të shtypur dhe të eksploatuar nga sistemi feudal osman dhe administrata e tij e korruptuar.

Komiteti i Stambollit i kishte vënë vetes detyrë të rëndë dhe me përgjegjësi të madhe. Ai kishte rol të madh në organizimin e masave shqiptare për zgjedhjen e çështjes shqiptare.
Në këtë drejtim Komiteti i Stambollit i dha shumë rëndësi krijimit të marrëdhënieve sa më të mira me fqinjtë, sidomos me grekët, malazeztë dhe serbët. Komiteti i Stambollit arriti të vënë kontakte dhe të lidhet me forcat progresive në viset shqiptare dhe në këtë drejtim kontribuoi mjaft. Kur në vitin 1877 në mes të Malit të Zi dhe Turqisë shpërtheu lufta, shqiptarët morën qëndrim neutral, edhe pse ishin shtetas osmanë dhe nxiteshin nga Qeveria Osmane që të hynin në luftë kundër malazezve.44

Komiteti angazhohej në mënyrë maksimale që konflikti ndërfqinjësor dhe ndërnacional të zgjidhet në mënyrë paqësore. Në Proklamatën e tij thuhej: „Komiteti do të bëjë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen para opinionit publik dhe diplomacisë evropiane -të të drejtave të kombësisë shqiptare në Shqipërinë Veriore, siç ka bërë për të njëjtën arsye edhe në Epir".45

Përveç kësaj Komiteti Qendror i Stambollit deklaronte: „Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me mbarë fqinjët tanë: Malin e Zi, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë; ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur që ta mbajmë atë (tokë) që është e jona. T'u lihen shqiptarëve tokat e tyre".46

Në të vërtetë, kjo proklamatë kishte karakter kombëtar. Ajo tregonte se lufta e popullit fqi kundër Perandorisë Osmane kuptohej drejt dhe përkrahej, por me një kusht: Toka e shqiptarëve të mos prekej. Në të theksohej vendosmëria e shqiptarëve për të mos lejuar shkeljen dhe copëtimin e trojeve, që ua kishin lënë të parët. Komiteti Qendror i Stambollit e shihte si obligim që gjithashtu t'u bënte me dije Fuqive të Mëdha se shqiptarët nuk kishin asgjë të përbashkët me sistemin feudal dhe despotik të shtetit osman, i cili i kishte lënë ata në errësirën shekullore.47

Komiteti e përhapte devizën se shqiptarët ishin fare mirë në gjendje të qeverisnin veten.
Në Promemorien drejtuar ambasadorit britanik në Stamboll, Komiteti Qendror theksonte: „Shqiptarët janë të vendosur t'i këpusin të gjitha lidhjet me sundimin osman; ata kërkojnë një administratë të veçantë, që u përgjigjet më tepër nevojave dhe aspiratave të tyre. Shqiptarët kërkojnë të drejtën të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesëtarë të së cilës janë".48

Po të kemi parasysh historinë e shqiptarëve në shekullin XIX, duke parë me kujdes këtë pjesë të promemories, arrijmë në këtë përfundim: shqiptarët i kundështuan reformat osmane të Tanzimatit, sepse ato kishin për qëllim të forconin edhe më shumë shtypjen osmane. Shqiptarët, në kundërshtim me pikëpamjet e të tjerëve, janë në gjendje ta qeverisin vetvetën, janë të gatshëm të ndjekin rrugën e qytetërimit, por shtypja e huaj i pengonte të ecnin përpara.49

Tendenca e përparimit nuk është aspak e huaj për ne. Por, para së gjithash, shtrohet detyra e ngutshme e mbrojtjes së tokave tona, e luftës së vendosur kundër përpjekjeve për t'i copëtuar trojet shqiptare. Prandaj, edhe qe vendosur të formohet një qendër dhe organizatë e përgjithshme rreth së cilës do të bashkoheshin të gjithë shqiptarët. Përfaqësuesit e lëvizjes patriotike shqiptare vendosën që kjo qendër të ishte në Prizren,50 i cili kishte rendësi të madhe politike dhe ekonomike për viset shqiptare.

Komiteti i Stambollit, si edhe më vonë Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, preferonin marrëdhënie të mira me popujt fqinj të Ballkanit. Komiteti i Stambollit përkrahte në tërësi inisiativën e disa përfaqësuesëve progresivë serbë dhe malazezë, si edhe të Lidhjes Shqiptare, që të formohej një aleancë në mes tyre, sikurse që ishte vepruar me boshnjakët kundër armikut të përbashkët.

Por, kjo aleancë mund të arrihej vetëm me kusht sikurse kërkonte Lidhja e Prizrenit, që më parë qarqet sunduese të Serbisë dhe të Malit të Zi të hiqnin dorë nga pretendimet e tyre territo-riale kundër viseve shqiptare.51 Këtë kusht në parim qarqet në fjalë e kishin pranuar, pasi që këtë gjë e vërtetojnë lajmet telegrafike që kishin arritur në Stamboll, ku thuhej: „Kuptohet se serbët dhe malazezët i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që të bëjnë një marrëveshje me Komitetin Qendror të Lidhjes, selia e së cilës është në Prizren.52

Komiteti i Stambollit e përkrahte këtë ide dhe shprehej se nëse do të veprohet në baza të barabarta, të shëndosha dhe parimore, kjo aleancë do të ishte e mundshme, bile më se e nevojshme dhe forcat shqiptare do të luftonin me siguri së bashku me forcat serbe, malazeze dhe boshnjake kundër ushtrisë së Austro-Hungarisë, sidomos për mbrojtjen e Sanxhakut të Novipazarit për t'u ndërprerë depërtimin forcave të saj në drejtim të Detit Adriatik.53

Këtë gjë e vërteton edhe një dokument osman i 13 shtatorit të vitit 1878, i cili vë në pah se pas luftës së Gjakovës ndërmjet forcave shqiptare dhe ushtrisë osmane, u arrit armëpushimi dhe u bë një marrëveshje me serbët për ndërprerjen e armiqësive.54

Më 18 qershor 1878 Komiteti Politik i Stambollit mbajti një mbledhje dhe e shqyrtoi situatën politike në përgjithësi, veçanërisht gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin viset shqiptare. U rnor vendimi që të dërgohej një protestë duke i kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha, që tentonin që kufijtë e shtetit grek të zgjeroheshin në dëm të viseve shqiptare.55

Komiteti deklaronte: „Ne i respektojmë të drejtat e të tjerëve dhe nuk kërkojmë tjetër gjë, vetëm se gjithashtu të respektohen dhe të merren parasysh të drejtat tona. Neve as që na shkon ndërmend të paraqesim projekte në dëm të fqinjve tanë, por kërkojmë që fqinjtë tanë të heqin dorë nga synimet zaptuese të tyre kundër nesh dhe vendeve tona".66

Komiteti i Stambollit protestoi te përfaqësuesit e Kongresit të Berlinit: „Ne i kemi shpallur të pajustifikueshme qëllimet aneksioniste të Greqisë dhe sot po e përsërisim dhe po e verifikojmë po atë deklaratë. Ne protestojmë kundër copëtimit të atdheut tonë të dashur. Humbja e vendeve aq të shtrenjta për qenien tonë kornbëtare nuk do të jetë për ne veçse një dënim me vdekje. Populli shqiptar është vendosur të ngrihet si një trup i vetëm kundër lëshimit qoftë edhe të një pëllëmbë toke më të vogël të vendlindjes së tij".57„Evropa nuk mund të mos i njohë të drejtat tona. Ne u bëjmë thirrje ndjenjave të saj të na shpëtojë nga fatkeqësitë e mëdha që na kërcënohen nga sulmet e Greqisë".58

Komiteti i Stambollit, duke vazhduar aktivitetin e tij të pandërprerë, më 20 qershor të vitit 1878, në mbledhjen e vet mori qëndrim që t'ia dërgojë një memorandum Kongresit të Berlinit dhe të kërkojë prej tij ta marrë parasysh edhe çështjen shqiptare, ruajtjen e tërësisë territoriale të viseve të tyre, si edhe për zbatimin e reformave përmirësuese nga ana e Portës. Ky Memorandum i ishte drejtuar Bizmarkut, kryetarit të Kongresit të Berlinit dhe përfaqesuesit të Gjermanisë, Andrashit, ministër i punëve të jashtme dhe përfaqësues i Austro-Hungarisë në Kongres, dhe Vadingtonit, ministër i punëve të jashtme dhe përfaqësues i Francës në Kongres.

Anëtarët e Komitetit të Stambollit, me anën e këtij Memorandumi deshtën ta bënin me dije opinionin evropian që, lidhur me çështjen shqiptare duhet të kishin kujdes, pasi që tokat shqiptare kishin zot të vetin. Lidhja nuk pranonte që Porta e Lartë dhe Sulltani ta përfaqësonin popullin shqiptar, meqë ajo kërkonte sikurse edhe kombet e tjera ballkanike ta formojë një shtet autonom.59

Në këtë Memorandum thuhet: „Ne do ta tepronim në qoftë se në mes të shqetësimeve serioze që e preokupojnë tani Kongresin do të fillonim t'i flisnim për histori, për gjuhë dhe për etno-grafi, për të provuar ekzistencën e popullit shqiptar. Ne mjaftohemi të tregojmë këtu kufijt e viseve shqiptare që fillojnë nga Tivari, Shkodra, me të gjitha malet e banuara nga katolikët, nga Peja, Kurshumlija, Prishtina, Leskovci, Vranja, Shkupi, Manastiri, Grebeneja, Pindi, Kallarita e Narta dhe mbarojnë në gjirin e Mbrakisë.60

Komiteti i Stambollit gjithashtu kërkonte nga Kongresi i Berlinit se nëse si pasojë e Traktatit të Shën Stefanit, mënyra e administrimit të brendshëm do të pësonte ndryshime, në këtë rast në emër të popullit shqiptar kërkonte që të formohet një Komision ad hoc i përbërë nga shqiptarët dhe nën mbikëqyrjen e Fuqive të Mëdha dhe me pëlqimin e Portës së Lartë të studiojë formën dhe të hartojë rregulloret e institucioneve të reja lokale, duke ua përshtatur karakterit, zakoneve dhe nevojave të viseve shqiptare.61

Si shihet, Komiteti i Stambollit me këtë kërkon që të formohet një administratë e veçantë, ku do të bashkoheshin të gjitha viset shqiptare në një njësi territoriale të vetme e cila do t'u përgjigjej rrethanave politiko-ekonomike dhe nevojave kxolturore-arsimore të popullit shqiptar.

Komiteti organizativ dhe politik i Stambollit e lidhi ngushtë luftën kundër copëtimit të viseve shqiptare me luftën për autonominë territoriale administrative të vendit. Komiteti i Stambollit zhvilloi një aktivitet të gjithanshëm si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Ai arriti që të lidhet me forcat progresive të brendshme të viseve shqiptare dhe me udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare qysh në fillim të vitit 1878, dhe së bashku me këto forca i bëri të gjitha përgatitjet për formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këtë ide dhe detyrë të shenjtë arriti ta realizojë plotësisht më 10 qershor 1878.
-----------------------
1 Basbakanlik arsivi, Stamboll, Fondi Yildiz Evrak esasi, miihte-life dok. nr. 1187/1, më tej B. B. A. I; Krahaso: Lidhja e Prizrenit në do-kumentet osmane 1878—1881, Përgatitur nga Iliaz Rexha, Arkivi i Ko sovës, Prishtinë, 1978, f. 184.
2 Historia e letërsisë shqipe, vëllimi I, II, Prishtinë, 1971, f. 441; N a-cip Alpan, Arnavut alfabesi nasil dogdu, Ankara, 1979, f. 52—54.
3 Historia e popullit shqiptar, vëll. II, Prishtinë, 1969, f 117—120.
4 Mumeyyiz gundiiluk gazetesi, nr. 79, viti H. 1286 (1869), Belediye Kutuphanesi, Istambul.
5Ibn Kemal, Tevarih* Ali Osman, Istambull, 1!
"Bursali Mehmed Tahir, Osmanli muelifleri, Istambul, 1910.
7 Ilijaz Rexha, Hulumtimi i dokumenteve dhe dorëshkrimeve në gjuhët orientale në Kosovë, Vjetari i Arkivit te Kosoves, Pnshtinë, 1974, f. 192.
3 Dar-al-vasaik tarihlye kavmiye — Arkivi Qendror i Egjiptit, Kajro.
9H. Kaleshi, Roli i shqiptarëve në letërsinë orientale, Seminari i Kulturës Shqiptare për të huaj, Prishtinë 1976, nr. 2. f. 152.
10 Jahja Dukagjin Zade Arnauti, Koxha Sinan Pasha, Lutfi Pasha, Koçi Beu, Fazil Ahmed pashë Qyperliu, Mufid Libohova, Syrja Vlora etj. 'Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Shkodër, 1939, £. 4.
2 R e x h e p Qosja, Kolonia e Stambollit, Seminari i Kulturës Shqi-ptare për të huaj, nr. 4.
13 Basbakanlik arsivi, Meclis-i meb'usan, Istambul, 1293 (1878), Zabit Ceridesi, Devre, 2 cild, ictima, 1, f. 144—55.
14 Historia e letërsisë shqipe, vep. cit., f. 449; Historia e popullit shqip-tar, vep. cit., f. 90.
15 Nacip P. Alpan, Prizren Arnavut Birligi, Ankara, 1978, f. 33.
16 Baçbakanlik arçivi, Meclis-i Meb'usan, vep. e cit., f. 155.
17 Po aty, f. 155.
18 Po aty, f. 155.
19 Po aty, f. 156.
20 Po aty, t. 157.
21 B. B. A. I, dok. nr. 1174/1.
22 Jovan Had2ivasilevi<5, ArbanaSka Liga, Beograd, 1909, f. 29.
23 Po aty, f. 30. M Po aty, f. 31.
"Cedo Mijatovid, Carigradske slike i priliJce, f. 164; Sipas H a x h i v a s i 1 e v i q i t, f. 31.
26 Po aty, f. 32.
27 Po aty, f. 33.
28 Po aty, f. 33—34.
29 Po aty, f. 35.
30 Lidhja e Prisrenit në dokumente osmane, f. 10; Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878—1881, Përgaditur nga Kristaq Prif ti, Tiranë 1978, f. 6—8.
31 Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878—1881, Buri-me frenge, Përgatitur nga L i g o r M i 1 e, Tiranë, 1978, f. 3—5; Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze 1878—1881, dokumentet i tran-skriboi, i shqipëroi, dhe i komentoi Skënder Rizaj, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978, f. 18—20; Lidhja e Prizrenit në dokumente austriake 1878— 1881, përkthyar nga Ahmet Abdullahu, (dorëshkrimi në Arkivin e Kosovës); Lidhja e Prizrenit në dokumentet jrenge 1878—1881, Përkthyer
Gjyltekin Shehu, (dorëshkrimi në Arkivin e Kosovës).
32 Historia e letërsisë shqipe; Historia e popiMit shqiptar, f. 91.
33 Suleyman Kiiçe, Osmanli tarihinde Arnavudluk, Izmir, 1944, f. 246.
34 Historia e letërsisë shqipe, f. 441.
gen 119,
35 Prizren vilayet gazetesi, nr. 7, 25. 9. 1871. H. Kaleshi, H. Jur-K
36 PO aty.
37 Po aty.
38 H. Kaleshi, H. JUrgen Kornrumpf, vep. e cit. t. 120.
39 Basiret gazetesi, 21 prill 1878. Belediye ktitiiphanesi, Istambul.
40 Terciiman-i çark, nr. 74 10 (22) qershor 1P78, Belediye kiituphanesi, Stamboll.
41 Tercuman-i $ark, nr. 79 dhe nr. 80, 27—28 qershor 1878.
42 Terciiman-i ?ark, nr. 81, 29 qershor 1878.
43 Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878—1312, Përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Akademia e Shkencave KSPSH, Tiranë, 1978, f. 18.
44 Po aty 18.
45 Po aty 19.
46 Po aty.
47Kolë Xoxi, Lidhja Shiptare e Prizrenit, Tiranë. 1978, f. 50.
48 Po aty, £. 50.
49 Po aty, f. 51.
50 Po aty, f. 51.
61 Tercuman-i $ark, nr. 108, 15 gusht 1878. 52 Tercuman-i $arJc, nr. 109, 16 gusht 1878.
w Terc&man-i ?ark, nr. 104, 11 gusht 1878; T. ?ark, nr. 130, 6 shtator 1878
54 Basbakanlik arsivi, Fondi Irade defteri, dok. nr. 62915.
55 Aktet e RUindjes kombëtare shqiptare, f. 37.
56 Po aty.
57 Po aty.
58 Po aty, f. 38.
59 Po aty, t. 48. «° Po aty, f. 49. 01 Po aty, f. 50.

__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 14 Shtator 2003 02:27
i_lire nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të i_lire Kliko këtu për të kontaktuar me i_lire (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të i_lire't! Kërko mesazhe të tjera nga: i_lire Shto i_lire në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto i_lire në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 15:32 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Rilindja dhe Pavarsia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë > Komiteti I Stambollit Dhe Aktiviteti I Tij

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] nuk lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.