Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Mediat Shqiptare > tec-i i Vlorës, po ndodh katastrofa që pritej
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
shaban_qosja
Anëtar Aktiv

Regjistruar: 25/08/2003
Vendbanimi: Paris
Mesazhe: 371

tec-i i Vlorës, po ndodh katastrofa që pritej

tec-i i Vlorës, po ndodh katastrofa që pritej

FATMIR TOÇI, Deputet në Qarkun e Vlorës

Duhej të ishte alarmant për qeverinë shqiptare, që ndërkaq po heshtet, Raporti i Bankës Botërore (Paneli i Inspektimit) në lidhje me ndërtimin e TEC-it të Vlorës, zhurma dhe situata e nderë për ndërtimin e të cilit akoma nuk është shuar në Vlorë dhe gjithë vendin. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore që ka diskutuar rreth raportit ka dhënë (me shumë vonesë) alarmin se nuk janë respektuar politikat e kësaj banke për vlerësimine projektit, për vlerësimin dhe ruajtjen e mjedisit, mbrojtjen e pasurive kulturore të zonës, si dhe vlerësimin ekonomik të veprës. Është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që Banka Botërore reagon për projekte të pastudiuara e të nxituara të Qeverisë shqiptare. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me ndërtimet në bregdetin e Jalës. Por, si edhe në rastin e parë, me shumë vonesë dhe me pasoja të rënda për vendin tonë dhe biznesin e privatëve. Politika të gabuara financiare, qëndrime të qëllimëshme, reflektim me vonesë apo interesa të përbashkëta me qeverinë kjo për Vlorën dhe Bregun jugor të Shqipërisë nuk ka shumë rëndësi. Ajo që mbetet është dëmi i pallogaritshëm që po i shkaktohet mjedisit, zhvillimit të turizmit dhe të biznesit vlonjat, majdje edhe jetës së banorëve të kësaj treve nga një vepër me rrezik ndotjeje të lartë vetëm 6 km larg qendrës së qytetit të Vlorës, ndërtuar në buzë të një gjiri relativisht të mbyllur dhe me mundësi të kufizuara për qarkullimin e ujrave. Banka Botërore kujtohet dhe reagon me vonesë për përzgjedhjen e vendndodhjes së ndërtimit të TEC-it, në një kohë që reagimi intelektual, specialistë dhe analistë e ngritën zërin që në fillim dhe argumentuan nevojën e spostimit të ndërtimit të kësaj vepre të nevojshme në një vend më të përshtatshëm jashtë gjirit, ndoshta diku në afërsi të derdhjes së lumit të Vjosës, ku dhe bregdeti është i pashfrytëzueshëm për shkak të përbërjes kripore të takave të zhveshura nga bimësia. I fuqishëm ishte edhe reagimi i komunitetit vlonjat, jeta e të cilit do të kërcënohej nga një investim i tillë. Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, që mori përsipër shprehjen e vullnetit të vlonjatëve, mblodhi mijëra firma që kundërshtonin ndërtimin e TEC-it dhe të Petroliferës brenda Gjirit të Vlorës. Por siç ndodh në vendet ku demokracia është e brishtë (lexo: diktatoriale) dhe populli i duhet qeverisë vetëm në ditën e zgjedhjeve elektorale, protesta e tyre u injorua dhe vendin e dialogut me komunitetin e rrezikuar e zuri një propagandë e shfrenuar e drejtuar nga shteti duke abuzuar me shqetësimin e qytetarëve për mungesën e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe nevojën për hapjen e vendeve të reja të punës.
Veç rrezikut të pashmangshëm të ndotjes së Gjirit të Vlorës, që padyshim do të sjellë vdekjen e ngadaltë të tij, pasojat janë të mëdha (dhe kanë filluar të ndihen që tani) për fatin e pyllit gjigand me pisha që shkrihet pikërisht në zonën e ndërtimit të TEC-it dhe të Petroliferës, por edhe Porti i Kontenierëve, i cili është planifikuar me kapacitet rreth tre milionë kontenierë në vit. Vlonjatët e quajnë Pylli i Sodës masivin gjigand të gjelbër në veri të qytetit, që është jo vetëm frymëmarrja e qytetit, por edhe një prej faktorëve më të rëndësishëm për mbrojtjen e Gjirit nga erozioni, fenomen mjaft i përhapur në gjithë bregdetin shqiptar. Të tria këto vepra industriale kërkojnë hapsira të mëdha territori dhe kanë filluar të ndërtohen në kurriz të zonës së gjelbër duke e tkurruar çdo ditë ndjeshëm Pyllin e Sodës. Po t’i shtojmë këtu edhe rrezikun që i vjen kësaj zone të gjelbër nga ndotjet teknologjike dhe gazrat e TEC-it dhe të Petroliferës, si dhe tendencat e lëvizjeve mekanike të popullsisë rreth veprave prodhuese, ka rrezik që në një kohë mjaft të shkurtër Vlora të degjenerojë në një qytet të zhveshur buzë një deti të ndotur e pa jetë.
Duke përdorur me hipopkrizi argumentin e nevojave për energji elektrike që ka vendi dhe popullata qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka bërë trasparente se me ç’kosto do të prodhohet kjo energji elektrike nga TEC-i i Vlorës, kur dihet se lënda e parë e tij do te jetë nafta, çmimi i së cilës në tregjet ndërkombëtare është i paqëndrueshëm me tendencë rritje, si dhe kur dihet që rrezervat botërore për këtë produkt të energjitikës janë drejt shterrimit. Gjithashtu dihet se kostoja e planifikuar e ndërtimit të këtij TEC-i është diçka më shumë se 112 milionë dollarë, shifër që do të ketë një ndikim jo të vogël në koston e produktit të energjisë elektrike që do të prodhohet nga kjo ndërmarrje. Sot mendohet se rezervat e naftës në botë nuk do t’i kalojnë të 20 vjetët dhe bota që tani është e alarmuar në gjetjen e burimeve alternative të energjisë. Po çfarë do të mbetet pas këtyre viteve për Vlorën dhe vlonjatët? Një gji i ndotur me pamundësi zhvillimin e turizmit në një terren të shkretuar e me bimësi të tharë, gjë që do ta bënin të vështirë (në mos të pamundur) edhe mundësinë e jetës në këtë zonë që natyra e ka krijuar me shumë bujari.
Nuk e dimë se si do të vejë fati i zhvillimit të turizmit në këtë zonë në një situatë të tillë. Qeveritë shqiptare kanë trumbetuar dhe vazhdojnë të propagandojnë me hipokrizi për zhvillimin e një turizmi elitar në Vlorë dhe në Jugun e Shqipërisë. Në një kohë që janë pakësuar dhe ngadalësuar investimet për zhvillimin e infrastrukturës së zonës, nuk është marrë në konsideratë prej vitesh financimi i asnjë projekti të paraqitur nga pushteti vendor, madje po bëhen të gjitha përpjekjet dhe presionet politike për dekonstitucionalizimin e Këshillit Bashkiak të qytetit me qëllim bllokimin e veprimtarisë normale të pushtetit vendor për t’i bërë qytetarët të pakënaqur ndaj tij, na mbetet të mendojmë se ky është një sulm i mirëorganizuar ndaj Vlorës dhe qytetarëve të saj që kanë qenë dhe janë një oponencë e përherëshme e keqqeverisjes në vazhdimësi, veçanërisht në 5-vjeçarine fundit. Sot Vlora qëndron në elitën e turizmit shqiptar, falë nismës dhe investimeve private për shfrytëzimin e resurseve turistike. Zhvillimi i turizmit ka shfryrë, në një masë të ndjeshme, problemin e papunësisë, jo vetëm për qytetin, por edhe për zonat ruralë përreth, të cilat i kanë vënë ekonomitë e tyre bujqësore e blektorale në shërbim të përballimit të kërkesave të turizmit me prodhimet e tyre. Sot në Vlorë, nga Narta deri në Orikum, madje duke përrfshirë edhe Llogoranë janë ngritur dhe janë vënë në shërbim të pushuesve të vendit e të huaj mbi 100 hotele dhe mbi 500 restorante, pa llogaritur disa qindra bare e njësi të tjera tregëtare me destinacion turizmin. Në këto njësi punojnë mijëra punonjës, të cilët nuk kanë asnjë të krahasuar me ata 50 apo 100 punëtorë të paspecializuauar që do të punojnëe në TEC-in e Vlorës apo Petroliferën e shumëpërfrolur.
Vlora ka resurse akoma të pallogaritëshme për zhvillimin e turizmit. As 10 % e bregut të Gjirit të saj nuk është sot në shfrytëzim. Zhvillimi i turizmit në Gjirin e Nartës, gjithë vijën bregdetare të Karaburunit deri në lartësitë mbi det deri në Llogora do ta bënin Vlorën, padyshim, një prej potencialeve më të mëdha të turizmit në gjithë Mesdheun. Madje edhe Ishulli i Sazanit, ishulli i vetëm i banueshëm i Shqipërisë, tani që jemi bërë anëtar të NATOS nuk ka kuptim që të mos i kthehet përdorimit civil në shërbim të turizmit.
Në mbyllje duam të theksojmë se këtë rrezik të mbijetesës dhe të një jetë normale Vlora i ka dhuratë nga politikat e gabuara të qeverive shqiptare në dy dekadat e fundit. Nano dhe Berisha, si dy prej aktorëve kryesorë që kanë lozur me fatin e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe, e kanë përdorur edhe Vlorën si plaçkë tregu në interes të mbajtjes dhe forcimit të pushtetit të tyre, pa e vrarë shumë mëndjen për zhvillimet e ardhëshme të zonës dhe jetën e banorëve të saj.
Sot, kur kanë kaluar pak vjet nga fillimi i punimeve të TEC-it dhe të Parkut Industrial pranë tij, është më aktual se kurrë shqetësimi i qytetarëve të Vlorës dhe i përfaqësuesve të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, të cilët që para gati tre vjetësh i shkruanin Bankës Botërore se ky projekt do të “… shkatërronte mjedisin, turizmit, zonat e sigurta për peshkim, habitatin natyror, ekosistemin, kolonitë koralore,, si dhe vlerat unike historike dhe kulturore të gjithë Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës”.
Banka Botërore mundohet të vërë një llustër mbi krimin e rëndë që po bëhet sot në Gjirin e Vlorës kur thotë se “TEC-i është ndërtuar, tani duhet rregulluar sa mundet”. Ky oportunitet nuk mund të mbulohet as me financimet shtesë që Banka Botërore kërkon t’i bëjë qeverisë shqiptare “…për një plan të detajuar për reagimin ndaj derdhjeve të naftës, përpara se termocentrali të vihet plotësisht në punë…të sigurohet sa më parë blerja e pajisjeve të nevojshme, si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundëshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit”. Është e tmerrëshme kur lexon shprehje të tilla; tani që TEC-i është i gatshëm për t’u vënë në punë, në projekt dhe në realizimin e tij nuk janë parashikuar masa për shmangien e pasojave të mësipërme.
Jam i sigurtë që vlonjatët, por edhe shqiptarët që e duan vendin e tyre, nuk mendojnë si Banka Botërore dhe nuk kanë qenë dhe nuk janë aspak dakort me veprimet e nxituara e të papërgjegjëshme të qeverisë shqiptare. Ne nuk mund ta pranojmë përfundimin e Bankës Botëerore se “TEC-i është ndërtuar, tani duhet rregulluar sa mundet”. Çdo ditë që kalon pasojat shtohen dhe rikuperimi natyror i tyre bëhet gjithmonë e më i vështirë. Dilema është e fortë dhe sfida për këdo është e madhe: Çdo të bëhet me Vlorën? Do ta lëmë të vdesë ngadalë për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës shqiptare dhe interesave të ngushta të përfaqësuesve të saj, apo duhet të nxitojmë ta nxjerrim nga koma ku ka nisur të bjerë për shkak edhe të indiferencës sonë të pafalëshme?

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 29 Tetor 2009 16:46
shaban_qosja nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të shaban_qosja Kliko këtu për të kontaktuar me shaban_qosja (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: shaban_qosja Shto shaban_qosja në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto shaban_qosja në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 16:48 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Mediat Shqiptare > tec-i i Vlorës, po ndodh katastrofa që pritej

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.