Forumi Horizont Forumi Horizont > Bota Shqiptare > Shqiperia, traditat kulturore > Zhozef Makanga, shqiptari jo si gjithë të tjerët
Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »   Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
Endri
Moderator

Regjistruar: 03/01/2003
Vendbanimi: Today
Mesazhe: 1498

Zhozef Makanga, shqiptari jo si gjithë të tjerët

Zhozef Makanga, shqiptari jo si gjithë të tjerët


Belina Budini

TIRANË – Është rritur në Shqipëri, por kurrë nuk e kanë thirrur shqiptar. Ka patur shokë shqiptarë, shtëpi, punë dhe grua në Tiranë, por as kjo nuk ka mjaftuar për t’u ndjerë shqiptar. Gjuha që njeh më mirë është shqipja, shkruan poezi dhe këndon këngë popullore shqiptare, vdes për raki skrapari dhe më mirë se në shqip nuk di të shajë në asnjë gjuhë tjetër. Jo vetëm këto, por as 27 vjet të jetuara në Shqipëri, nuk kanë mjaftuar që Joseph Makanga të fitonte statusin e shqiptarit. Ashtu sikurse nuk mjaftuan as për dhjetra fëmijë të tjerë me ngjyrë, që në vitet ’60 erdhën në Shqipëri nga vendet komuniste të Afrikës dhe që tashmë enden nëpër botë pa identitet. Drama e tij është që kurrë nuk arriti të ndihej “si gjithë të tjerët” në Shqipëri, edhe pse si gjithë të tjerët nuk ngopej me bukë në atë kohë, pinte çaj me klor dhe i kishte ardhur në majë të hundës marmelata e krimbur e mollës. Edhe pas përfundimit të studimeve të larta për mjekësi dhe gjatë punës si kirurg në spitalin nr.2 në Tiranë, ai mbeti thjesht “kongolezi” apo më keq akoma “zezaku”, për të mos përmendur ndonjë zhargon vlonjat, që Zhozefi e thotë me auto-ironi.
I emigruar më pas nga Shqipëria në 1992, sikurse të gjithë të tjerët si ai, që erdhën në të njëjtën mënyrë në Shqipëri, Zhozefi, në rikthimin e tij të parë ka gjetur një vend edhe më të huaj, edhe më ftohtë, që megjithatë mbetet atdheu i tij i dytë pas Kongos ku ka lindur dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare. Shqipëria është për të një atdhe kontradiktor, që e deshi por edhe e përçmoi, ku ra për herë të parë në dashuri, por ku për herë të parë ia penguan dashurinë me të gjitha mënyrat. Ishte vendi ku nisi të kuptonte botën, por ku u ndërgjegjësua se kjo botë ishte jo vetëm e egër dhe e vështirë siç është për të gjithë, por veçanërisht e padrejtë me të. E kuptoi këtë për herë të pare, kur nuk ia vunë shallin e pionerit si gjithë fëmijëve të tjerë shqiptarë kur mbushnin moshën, megjithëse veshët i kishte plot me tallash propagande për partinë që e donte shumë, por që Zhozefi ende i vogël habitej si nuk mund ta shihte dhe aq më tepër që nuk e ndiente aspak dashurinë e saj për të. Do t’i duhej të rritej edhe ca për të kuptuar se e keqja më e madhe i vinte nga ngjyra e lëkurës, por edhe nga një regjim që funksiononte në mënyrë të çuditshme, si me hënë, që në vitet gjashtëdhjetë e deshi, e rriti dhe e shkolloi, ndërsa pas viteve shtatëdhjetë e përbuzte, e shihte si agjent të mundshëm dhe e mbante larg. Aq sa thotë se, në 13 vjet që jetoi në Tiranë, fillimisht si student dhe më vonë si mjek, nuk zuri asnjë shok.
Dhe nuk ka sesi të mos i duket e huaj Tirana pas kaq vitesh, në rikthimin e tij të parë. Megjithatë thotë se e ka ndjekur ndryshimin e saj si edhe të Shqipërisë gjatë këtyre viteve që ka qenë në emigracion, nëpërmjet televizorit satelitor. “Unë shoh vetëm televizionet shqiptare, dëgjoj radiot shqiptare dhe lexoj gazetat shqiptare në internet", - thotë Zhozefi i cili që nga 1992 jeton në Bruksel ku tanimë ka krijuar një familje të re dhe ka një vajzë të bukur katër vjeçe me gruan e tij të dytë, Elizabetën. Ka mësuar një gjuhë tjetër, frëngjishten, është martuar me një belge, ka bërë studime të tjera plotësuese dhe tanimë punon si dentist në Bruksel dhe nëse nuk e mori kurrë nënshtetësinë shqiptare, tanimë ka atë belge. Kjo sigurisht nuk e ka bërë të ndihet belg, ashtu si nuk ndihet as plotësisht kongolez, megjithëse atje ka rigjetur nënën e tij dhe motrën. Në moshën 47 vjeçare Zhozef Makanga ndihet një njeri pa identitet të vërtetë, ashtu sikurse edhe shokët e tij me ngjyrë të Shqipërisë komuniste që në Kongo tani i quajnë shqiptarë dhe në Shqipëri i kanë quajtur gjithmonë kongolezë.

Rrëfimi
Historia e ardhjes në Shqipëri të fëmijëve me ngjyrë gjatë regjimit komunist sipas rrëfimit të njërit prej tyre, Zhozef Makangës. Si erdhën dhe u larguan nga Shqipëria pa marrë kurrë statusin e shqiptarit. Si i fshihnin kur shkonte Mehmet Shehu në Vlorë, paragjykimet e njerëzve dhe damkosja si agjentë

Fëmijët e Afrikës në Shqipërinë komuniste

Ishte vetëm tetë vjeç kur la Kongon, vendlindjen e tij. Bëhet fjalë për vitet gjashtëdhjetë kur Kongoja bënte përpjekje për të dalë nga kolonizimi. “Kongo kishte qenë koloni belge për rreth tetëdhjetë vjet dhe në vitet gjashtëdhjetë nisën lëvizjet për pavarësi. Babai im u vra gjatë këtij rebelimi”, - kujton Zhozefi i cili fill pas vrasjes së të atit që ishte kundër regjimit u zhvendos në një shtet tjetër afrikan për dy vjet derisa në fund të 1965 erdhi në Shqipëri sëbashku me fëmijë të tjerë kryesisht nga vendet afrikane. “Kishte nga ata që i çuan në Poloni, në Çeki e vende të tjera. Mua më sollën në Shqipëri”, - thotë ai duke shtuar se një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve kishin patur prindër në poste të larta shtetërore dhe që për shkak të ndërrimit të regjimit ishin në rrezik në vendin e tyre. “Kishte shumë fëmijë ministrash e nëpunësish të lartë shtetërorë. Madje thuhej se edhe fëmijët e Kabilës kanë qenë në Shqipëri”, - rrëfen Zhozefi duke shtuar se një pjesë e fëmijëve të ardhur ishin fare të vegjël, ndërsa ai ishte tetë vjeç kur mbërriti në Shqipëri. “Na sollën fillimisht në Tiranë dhe na thanë se Shqipëria ishte vendi që do të na shpëtonte nga rreziqet që na kanoseshin në vendet nga vinim. Na premtuan se do të ishim fëmijë të privilegjuar dhe se partia na donte shumë e do të na mbronte”, - kujton Zhozefi duke shtuar se nuk ndodhi aspak kështu. “Një pjesë prej nesh i çuan në Lezhë dhe një pjesë tjetër në Vlorë. Për shkak të klimës së ftohtë na larguan menjëherë nga Tirana ku për pak kohë qëndruam në shtëpinë e fëmijëve. Unë shkova në Vlorë ku do të kaloja rreth 18 vjet. Atje na çuan në shkollën mjekësore, “Jani Minga””, - vazhdon të rrëfejë Zhozefi duke shtuar se pikërisht në këtë shkollë ka kaluar edhe vështirësitë më të madhe që i vuanin edhe shqiptarët e tjerë në fakt si varfërinë esktreme. “Nuk më harrohet kur vinte karroca e bukës dhe turreshim me vrap si të babëzitur dhe nuk e hanim normalisht bukën por e shqyenim me dhëmbë atë. Këto nuk janë kujtime të bukura. Për 18 vjet menyja e mëngjesit dhe e darkës nuk ndryshoi kurrë. Hanim çaj dhe djathë në mëngjes dhe çaj e marmalatë në darkë, aq sa edhe tani kur më kujtohet më vjen për të vjellë”, - thotë Zhozefi. Ai kujton se lumturia më e madhe për ta ishte kur vinin pushtetarët në Vlorë, sepse vetëm atëherë hanin makarona me salcë dhe djathë kaçkavall. Por thotë se nuk i shqitet nga mendja një rast kur i fshehën të gjithë fëmijët me ngjyrë që të mos dilnin në rrugë bashkë me fëmijët shqiptarë për të përshëndetur Mehmet Shehun që shkonte për vizitë në Vlorë. “Edhe më vonë kur u rritëm, nuk i patëm ato privilegjet që na premtuam. Njerëzit na shikonin si të ishim mostra, ndërsa nga regjimi nisëm të konsideroheshim si agjentë pa asnjë shkak. Shumë prej nesh përjetuan drama të vërteta dashurie dhe një pjesë i transferonin sapo binin në dashuri me një shqiptare. Dhe histori dashurie lindën plot. Unë vetë rashë në dashuri me një shqiptare dhe asaj ju desh të vuante shumë për ta kurorëzuar dashurinë e saj me mua”, - tregon Zhozefi. Por problemi më i madh dhe borxhi më i madh që i ka shteti shqiptar këtyre njerëzve sipas Zhozefit është mohimi i nënshtetësisë shqiptare, gjë që ka bërë që edhe sot e kësaj dite ata njerëz të vërtiten nëpër botë as si afrikanë, as si shqiptarë.


Peripecia, pa dokumenta

Vital Pakasa, i vetmi që kërkon të kthehet në Shqipëri

Ai ka të njëjtën moshë me Zhozefin dhe kur u largua nga Shqipëria për në Kongo nuk mendonte se do të pendohej kaq shpejt. “Atje të gjithë e thërrasin shqiptari dhe nuk ka arritur të integrohet dot me vendasit, pasi ka patur vështirësi edhe me mësimin e gjuhës. Kënaqet vetëm kur mblidheshim dy a tre shokë të Shqipërisë për të folur shqip. Dhe ne vetëm shqip flasim me njëri-tjetrin”, tregon Zhozefi duke shtuar se Vital Pakasa është i vetmi ndër shokët e tij të Shqipërisë që dëshiron të kthehet në Shqipëri për të jetuar, pasi të tjerët janë rregulluar në vende të tjera. Por atij i mungon nënshteësia shqiptare, ndërkohë që jeton pa dokumenta, ende si refugjat, në vendlindjen e tij. Zhozefi përmend edhe rastin e një shoku tjetër, Jean Matte që vdiq në Kongo dhe nuk arriti kurrë t’i bënte dokuemntat si shqiptar megjithëse e dëshironte shumë një gjë të tillë. Ndër shokët e Zhozefit në Shqipëri ka mbetur vetëm një mjek që quhet Yrben Massena.


Tragjedia

“Si ma vranë fëmijën dhe dashurinë në Tiranë”

Tragjedia më e madhe e jetës së Zhozefit erdhi sëbashku me gjënë më të bukur që i ndodhi në Shqipëri, njohjes me një vajzë shqiptare me të cilën ra në dashuri. “Ajo ishte vajza e një drejtuesi të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe iu desh të përballonte fatkeqësi të mëdha për shkak të kësaj dashurie me mua. Madje i hoqën edhe mitrën për të mos mbajtur fëmijën e një zezaku në bark”, - tregon i mbytur nga emocioni Zhozefi. Nuk e ka të lehtë të flasë për këtë histori, por shton se ajo u bë shkak edhe për vdekjen e babait të vajzës me një aksident të inskenuar, por që sipas tij ka lidhje me dashurinë e vajzës së tij. Historia e Zhozefit me vajzën shqiptare zgjati deri në 1998 dhe tani ajo jeton në Amerikë, ndërsa Zhozefi ka krijuar një familje të re me një prezantuese radiofonike belge me të cilën ka një vajzë që quhet Elyorissa.

Shekulli

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 02:37
Endri nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Endri Kliko këtu për të kontaktuar me Endri (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: Endri Shto Endri në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Endri në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
wydra
y'know

Regjistruar: 10/10/2004
Vendbanimi: From Beyond
Mesazhe: 982

Unhappy

oh c'mu prish gjaku... ma kane treguar historine e Zhozefit disa te njohur te tij... vertete rrengjethese dhe shume dhimbese (ajo e dashurise gati e pabesueshme ne absurditetin e saj)

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 03:52
wydra nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të wydra Kliko këtu për të kontaktuar me wydra (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: wydra Shto wydra në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto wydra në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
trojani
Veteran ne forum

Regjistruar: 20/12/2003
Vendbanimi: danimarke
Mesazhe: 900

Dhe me thoni ju mua se nuk ka rracizem ne Shqiperi!!!

__________________
Dite me te mira pasketaj vine
shkoi erresira

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 13:12
trojani nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të trojani Kliko këtu për të kontaktuar me trojani (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: trojani Shto trojani në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto trojani në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
freedom
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 08/05/2005
Vendbanimi: ngecur ne qiell
Mesazhe: 33

Ka

Por mos harroni racizem ka ne cdo vend.Por kjo nuk na jep aspak te drejte ta lejojme vendin tone te sillet ne kete menyre.Nuk ka fjale te tjera vecse te ulim koken ne turp.Ata njerez qe erdhen ne nje shqiperi qe predikonte vellazerim midis popujve te botes duhej te ishin pritur si vellezer.Dhe shpresoj qe nje dite ne shqiperi ne brezi i ri te mos i lejojme kurre emigrantet te kene te njejtin fat.

__________________
FREEDOM.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 13:25
freedom nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të freedom Kliko këtu për të kontaktuar me freedom (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: freedom Shto freedom në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto freedom në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Endri
Moderator

Regjistruar: 03/01/2003
Vendbanimi: Today
Mesazhe: 1498

Mendimi i nje useri(albquietman) tjeter per te njejten ceshtje

Historine e vajzes qe permendet e kam degjuar. Vajza ishte me origjine nga Kuci. Nuk eshte e vertete qe i jati i vajzes u vra, sipas autores se artikullit, ne nje aksident te inskenuar. I jati i vajzes u vra aksidentalisht nga nje zjarrfikese qe po kalonte me shpejtesi kur ai po kalonte ne vijat e bardha, dhe kjo ka ndodhur afer bankes, ne qender te Tiranes. Kjo ndodhi se ai ishte shume i shqetesuar per fatin e vajzes qe ishte lidhur me Zhozefin. Si cdo prind ai donte qe vajza e tij te lidhej me rracen e saj, dhe kjo eshte e natyrshme.

Fakti qe keta te ardhur nga Kongo nuk moren nenshtetesi shqiptare, sipas Zozefit, eshte per te ardhur keq. Por kam frike se Zhozefi i ekzagjeron gjerat. Une i mbaj mend ne Tirane Zhozefin me shoke. I shikonim tek fakulteti i mjekesise, sepse cuditerisht, te gjithe kongolezet ne Tirane ishin per mjekesi. Nuk mbaj mend qe keta njerez te ishin te perbuzur, sic mundohet te na tregoje autorja e artikullit. Me sa kuptoj une, per hir te sensacionit, autorja ne fjale i ka ekzagjeruar gjerat tej mase...

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 23:07
Endri nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Endri Kliko këtu për të kontaktuar me Endri (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: Endri Shto Endri në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Endri në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
wydra
y'know

Regjistruar: 10/10/2004
Vendbanimi: From Beyond
Mesazhe: 982

Citim:
Po citoj ato që tha Endri
Mendimi i nje useri(albquietman) tjeter per te njejten ceshtje

Kjo ndodhi se ai ishte shume i shqetesuar per fatin e vajzes qe ishte lidhur me Zhozefin. Si cdo prind ai donte qe vajza e tij te lidhej me rracen e saj, dhe kjo eshte e natyrshme.



Po kjo eshte shume e natyrshme. Dhe une po te kisha nje vajze qe do dashurohej e do ngelte me barre me nje zezak do ti fusja nje narkoze dhe do ti beja abort ne gjume, me kete rast duke i hequr dhe mitren, meqe aborti do behej ne kushte shtepie, per te mos prishur reputacionin e vajzes (dmth familjes). Pastaj, c'do me duhet mua nese s'do kete mundesi me te beje femije vajza, une si prind shembullor do te dua qe mos lidhet me nje rrace tjeter.

Keto qe kam shkruar me lart i kam nga nje burim qe mendoj se eshte me se i sigurte, nga kolege klase te Zhozefit. Te cilet pas kaq vitesh kujtonin se sa djale i mire dhe studioz ishte ai, ndersa keta per fat te keq nuk i kishin dhene dot shoqerine qe meritonte, sepse i druheshin konsekuencave.

P.S. Nuk jam une ajo qe ka te drejte te gjykoj njerezit, por ama s'mund te rri pa thene, qe ate babain (qe s'e meriton ate titull) e denoi zoti.

Modifikuar nga wydra datë 23/05/2005 ora 01:52

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 22 Maj 2005 23:20
wydra nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të wydra Kliko këtu për të kontaktuar me wydra (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: wydra Shto wydra në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto wydra në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
agata
idealiste

Regjistruar: 21/02/2004
Vendbanimi: Utopial
Mesazhe: 2981

Citim:
Po citoj ato që tha trojani
Dhe me thoni ju mua se nuk ka rracizem ne Shqiperi!!!


Kush nga Shqiptart e ka pohuar nje gje te tille?!?!?!

__________________
Gjysma e asaj qe shkruaj ndoshta eshte e pa kuptimte per ju, por un e shkruaj qe gjysma tjeter te mund te arrije tek ju. FIRDUSI

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 23 Maj 2005 01:14
agata nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të agata Kliko këtu për të kontaktuar me agata (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të agata't! Kërko mesazhe të tjera nga: agata Shto agata në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto agata në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
trojani
Veteran ne forum

Regjistruar: 20/12/2003
Vendbanimi: danimarke
Mesazhe: 900

Citim:
Po citoj ato që tha sabina


Kush nga Shqiptart e ka pohuar nje gje te tille?!?!?!



Asnjeri.

__________________
Dite me te mira pasketaj vine
shkoi erresira

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 23 Maj 2005 18:57
trojani nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të trojani Kliko këtu për të kontaktuar me trojani (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: trojani Shto trojani në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto trojani në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
IQVLORA
me pushime

Regjistruar: 17/09/2003
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 2750

Histori e dhimbeshme

Nuk e mohon njeri qe ne shqipot kemi qene dhe jemi racist.Nje shoku jone thyeu kemben ne pune dhe une dhe nje shoku jone shofer,i cili ishte evgjit e shoqeruam per ne spital dhe mbasi e hodhi kemben ne allci e cuam ne shtepine e tij ne nje fshat afer Selenices.Mbasi pime ndonje gote raki une dhe shoferi tham se do te iknim per ne Vlore se ishte vone ne darke.Babai i shokut tone te aksidentuar na tha keto fjale:<>Ibiri u turperua nga gabimi qe beri i jati dhe uli koken,ndersa une i thashe xha Rrahman ky shoku yne,shoferi pra eshte evgjit nga Llonxha dhe mos e turpero tet bire se ne e kemi ate shok te mire dhe e respektojme.Plaku i kerkoi te falur shoferit duke i thene se na ka mbetur si shprehje ne te vjeterve,por ti qenke vertete djale i mire.E themi me fjale qe nuk jemi racist por a mund te me thote ndonje vajze ketu se a mund te martohet me nje xhamajkan dhe ne karroce te mbaje nje femij te zi dhe t'ja coje nenes dhe babait ta puth e perkedhel ate?Nqse ndonje thote se po do te genjeje.Persa i perket Zhozes ne vlonjatet e njohim te gjithe ate dhe shoket e tij sepse e vizitonim shkollen mjekesore aso kohe ndonjehere,sepse kishte nxenes nga te kater anet e shqiperise plus kongolezet.Do t'ju them se shkolla mjekesore dhe tregetarja kishin trajtimin me te mire nga te gjitha konviktet e tjere ne Vlore.Nuk jane aspak te verteta ato qe thote autorja e shkrimit per sa i perket ushqimit.Shume punonjese te konviktit Zhozen dhe shoket e tij i merrnin neper shtepia te shtunen dhe te dielen,bile nje kongoleze e quajtur Liljana ne mos gabohem luante volejboll me ekipin e te rriturave ne kategorine e pare.dua te them se ne si qytet nuk i kemi perbuzur,por edhe ai shtet i menderosur kujdesej per ta me shume se te tjeret.Por duhet te dini dicka qe niveli ekonomik i Shqiperise nen udheheqjen e Partise i atill ishte.Per sa u perket problemeve te tjera me vjen keq per Zhozen.

__________________
Kur nuk keni mesuar asgje nga askush dhe kur askush nuk ka mesuar asgje nga ne,atehere thjeshte kemi humbur rastin ne jete.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 23 Maj 2005 23:44
IQVLORA nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të IQVLORA Kërko mesazhe të tjera nga: IQVLORA Shto IQVLORA në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto IQVLORA në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
erzeni_be
Veteran ne forum

Regjistruar: 07/07/2004
Vendbanimi:
Mesazhe: 1306

Pershendetje

Pergezimet e mia Endrit per materialin e percjelle.

S'ka dyshim qe historia e Zhozefit eshte nje histori e dhimbshme dhe e trishtueshme.
S'ka dyshim gjithashtu qe historia e Zhozefit eshte edhe e zbukuruar dhe sterholluar per te qene e dhimbshme dhe e trishtueshme.

Kete (te dyten) e mbeshtes ne dy fakte:
Se pari, nuk duhet harruar qe ne ate kohe, historia e shqiptareve ne teresi ka qene e dhimbshme dhe e trishtueshme.
Nuk mendoj se vuajtjet e Zhozefit indentifikohen teresisht me ngjyren e lekures se tij.
Sepse plot shqiptare te bardhe, ne ate kohe kane germuar dhe lene eshtrat e tyre "per partine" por edhe nese i kane shpetuar eshtrat e tyre, as qe behej fjale per shkollim te femijeve te tyre, e lere me shkollen e larte...

Dua te them me kete qe vuajtjet e Zhozefit nuk jane aspak si pasoje e ngjyres se lekures tij, por si pasoje e pergjithshme e gjendjes se shqiptareve ne ate kohe, kjo nuk hedh aspak poshte rracizmin qe dikush mund te kete shprehur ndaj tij, sepse pre e rracizmit te verber eshte edhe nje shkodran kur zbret ne Vlore apo nje gjirokastrit kur ngjitet ne Has.

Se dyti, une kam patur rastin personalisht ta takoj Zhozefin ne kliniken e tij dentare ne Bruksel, dhe nuk kam hasur tek ai keto nota trishtimi ne bisedat e rastit me te.
M'u ka dukur ne pamje dhe ne te shprehur, nje njeri i qeshur, i hapur dhe i lumtur.
Jeta nuk shkon ne vaj per askend sikur qe s'ka shkuar ne vaj as per Zhozefin as per 99% te shqiptareve (ndryshe nuk i kishim marre rruget e Botes)
Dhe jam i bindur se ate racizem per shkak te ngjyres se lekures , qe atij mund t'iu kete bere ne Shqiperi, aq racizem, per te mos thene me shume, i behet atij edhe ketu ne Bruksel.
Rracizmi eshte nje fenomen i lashte sa edhe vete njerzimi, ai ka shoqeruar njeriun ne te gjitha kohrat.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 29 Qershor 2005 23:49
erzeni_be nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të erzeni_be Kliko këtu për të kontaktuar me erzeni_be (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: erzeni_be Shto erzeni_be në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto erzeni_be në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 04:13 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »   Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Bota Shqiptare > Shqiperia, traditat kulturore > Zhozef Makanga, shqiptari jo si gjithë të tjerët

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.