Orion
Student

Regjistruar: 04/11/2003
Vendbanimi: Italy ( Rome )
Mesazhe: 802
|
Bisedimet konkrete për statusin e Kosovës, pas një muaji
Mbyllen dy ditët e para të bisedimeve historike për Kosovën. Asnjë rezultat konkret, por ekzaminohen opinionet e palës shqiptare dhe serbe
Bisedimet konkrete për statusin e Kosovës, pas një muaji
B. Budini
VJENË - Kur finalja e pavarësisë së Kosovës sapo ka nisur në Vjenë, bisedimet dyditore kanë përfunduar dje duke shënuar fillimin e mbarë të negociatave, me gjestin simbolik të shtrëngimit të duarve ndërmjet delegacioneve shqiptare dhe serbe. Megjithatë, këto bisedime nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret. “Ne nuk prisnim një marrëveshje, por një prezantim të pozicioneve të ndryshme me qëllim që të ekzaminojmë opinionet e palëve. Dhe ky takim ishte një sukses në këtë kuptim. Kjo është shumë e rëndësishme për jetën e njerëzve të Kosovës”, - citon të jetë shprehur drejtuesi i punimeve në Vjenë, Albert Rohan, e përditshmja “Liberation”. Në takimin e Vjenës është folur gjatë për fatin e minoritetit serb, i cili kërkon një formë vetadministrimi për Kosovën. Duket se negociatat kanë nisur “nga poshtë”, pra me rregullimin fillimisht të çështjeve lokale për të favorizuar bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve para se të zgjidhet çështja kryesore që është statusi final.
Megjithëse gjatë takimit ka pasur edhe mosmarrëveshje serioze, dy ditët e para të bisedimeve kanë përfunduar me një atmosferë tolerance dhe konstruktive, siç është shprehur zëvendësi i të ngarkuarit special të OKB-së për Kosovën, diplomati austriak Albert Rohan. Zoti Rohan është shprehur se më agresivë ishin përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët shpesh ishin tepër të emocionuar. Megjithatë, ai është i kënaqur mbi marrëveshjen për vazhdimin e bisedimeve. Pala serbe dhe ajo shqiptare në paraqitjen para gazetarëve ka theksuar se takimi ishte konstruktiv dhe i hapur. Mirëpo të dyja palët kritikonin konceptet e tjetrës. Pala shqiptare theksoi se serbët kërkojnë ndarjen e Kosovës në linja etnike. Ndërkohë që pala serbe ka kritikuar konceptin e Kosovës, duke e quajtur atë tepër centralist, dhe ka kërkuar kalimin e sa më shumë detyrave dhe obligimeve në nivelin lokal. Ky ishte takimi i parë i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit.
Rohan nuk deshi të prononcohet se cili mund të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës dhe theksoi se kjo çështje i takon Këshillit të Sigurimit të OKB, i cili duhet të marrë vendimin përfundimtar. Megjithatë ai shpreson se çështja e statusit do të zgjidhjet brenda këtij viti.
Ndërkohë që bisedimet e ardhshme pritet të nisin më 17 mars, bilanci i raundit të parë të bisedimeve të drejtpërdrejta midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve mbi të ardhmen e Kosovës ka qenë pozitiv. Diplomati austriak Albert Rohan, i cili kryesoi sesionin dyditor në Vjenë në emër të Kombeve të Bashkuara, tha se qëllimi i këtyre bisedimeve nuk kishte qenë arritja e ndonjë marrëveshjeje specifike në këtë etapë. Ai tha se kishte hapësirë për pika të përbashkëta në qëndrimet e palëve.
Grupi i Kontaktit, i cili kryeson procesin, e ka bërë të qartë se pavarësia për Kosovën është një prej opsioneve në pajtim me vullnetin e shumicës shqiptare. Por Serbia ngul këmbë në asgjë më shumë se një autonomi të zgjeruar për Kosovën. Gjatë këtyre dy ditëve në Vjenë është debatuar për disa çështje të rëndësishme si decentralizimi i pushtetit, ruajtja e objekteve fetare, siguria e minoriteteve, investimet për një jetë më të mirë, çështjet juridike, policia, arsimi dhe çështjet sociale. Për shumë pak prej këtyre çështjeve është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
22/02/2006 ( Shekulli )
__________________
[o_O]-[JuVeNtUs]
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|