astras
larguar

Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214
|
Beatles -komente poezi
Kaq shumë është thënë dhe shkruar për Beatles, dhe historia e tyre tashmë ka marrë ngjyrime mitike. Natyrisht që ata ishin më të mëdhenjtë e skenës së Rock-ut, që me artin e tyre ndikuan tërë periudhën dhe vetëdijen artistike të muzikantëve që do të pasonin. Beatles sollën një stil të ri në muzikë me idetë e tyre eksperimentale dhe vizionare për drejtimin që duhej të merrte muzika pop e kohës. Kreativiteti, dinamizmi, origjinaliteti, optimizmi dhe aftësia për të komunikuar midis tyre dhe me publikun – ishin disa nga sekretet që i japin ende dhe sot pas dhjetra viteve, epërsi të padiskutueshme grupit që solli një frymë revolucionare.
Ata sintetizuan atë që ishte më e mira e Rock’n’roll-it të hershëm, dhe më tej ndryshuan në dicka origjinale duke krijuar imazhin e një grupi të vetë-përmbajtur që shkroi dhe interpretoi materialin e tij. Si kompozitorë ata ishin mjeshtra, dhe risitë në fushën muzikore ishin shumë thelbësore, sidomos për evoluimin e blues-it në Rock-un e mirëfilltë. Si këngëtarë, të dy, John Lennon dhe Paul McCartney ishin midis vokalistëve më të mirë dhe më shprehës, ndërsa si grup ata ishin harmonikë, fotozhenikë dhe transmetonin një ndjenjë optimizmi. Gjithashtu ata ishin grupi i parë britanik, më i spikatur që parapriu invazionin e Rock-ut nga Britania e Madhe në Amerikë, gjë që i dha Rock-ut një dimension ndërkombëtar.
Më shumë se cdo grup tjetër, suksesi i Beatles ishte rasti i grupit sinergjik ku shumatorja e forcave është më e madhe se shuma e pjesëve të vecanta. Lidhja midis pjestarëve të Beatles ishte shumë e fortë sepse anëtarët e grupit kishin luajtur muzikë sëbashku, pothuaj pesë vjet para se të dilnin në skenën e Rock-ut.
Rrotull vitit 1957, ata debutonin në një grup të quajtur The Quarrymen. Në vitin 1960 grupi mori një emër tjetër, The Silver Beatles, dhe në fund ata ranë dakort që të quheshin vetëm Beatles.
Pagëzimi i parë i tyre u bë në Hamburg, ku grupi bëri shumë prova për orë të tëra në një nga lagjet “me drita të kuqe”, e njohur në gjithë botën. Pas provës së zjarrit, ku grupi dha disa shfaqje në publik, The Beatles kthehen në Liverpul duke u bërë një nga më të shquarit e skenës të quajtur beat. Ndryshimi i fundit ndodhi në përbërjen e grupit, kur bateristi Pete Best zëvendësohet nga Ringo Starr, dhe ata nxorën hitin e parë Love Me Do/P.S. I Love you në shtator të 62-it. Por fenomeni “Beatles” nuk mori jetë derisa ata kompozuan këngën Please Please Me që shkoi në majë të klasifikimit britanik në fillim të vitit 1963. Kënga ishte vërtetë e jashtëzakonshme, me një ritëm dhe melodi që kapi zemrat e njerëzve, e shoqëruar nga kitara të mbarsura me tinguj gjallërues. Please Please Me qëndroi në krye të klasifikimit për rreth 30 javë, duke i bërë Beatles një nga grupet më popullorë të asaj kohe.
Ajo që i bëri të famshëm në një kohë të shkurtër, ishte se ata morën elementët më të mirë të Rock-ut dhe pop-it dhe krijuan një univers origjinal dhe unik. Sfondi artistik ku Beatles debutuan që nga fillimet ishin muzikantë të njohur si: Elvis Presley, Buddy Holly, Chuck Berry, Little Richard, Carl Perkins dhe Everly Brothers. Mbi këtë sfond ata mbivendosën kitara të stuhishme, tekste këngësh të mencura dhe plot kuptim, një vokal entuziast - të shkrira në një dhunti rinore plot vrull dhe frymëzim. Grupi ishte i aftë të përthithte nuanca të shumllojshme të muzikës pop, gospel apo folk, dhe natyrisht të përshtaste apo orkestronte standartet e muzikës blues. Grupi u bë një fenomen i paparë në skenën britanike dhe këngët e tyre u shitën me miliona. Pas disa koncerteve dhe daljeve në TV, fama e tyre kapi qiejt – kishte lindur ajo që do të quhej Beatlemania, vajzat dhe djemtë e rinj do ta shoqëronin grupin me klithma histerike, kur shfaqeshin në publik apo gjatë shfaqjeve. Mania për Beatles arriti dhe në Amerikë, fill pasi grupi ishte ftuar në Ed Sullivan Show, duke paraprirë dyndjen britanike në anën tjetër të Atlantikut me grupe si: The Rolling Stones, The Animals, The Kinks që frymëzuan grupe të reja amerikane si: The Beau Brummels dhe Lovin’ Spoonful.
The Beatles vazhdonin të canin përpara me këngë si: I feel Fine, Ticket to Ride dhe Yesterday – ishte koha kur grupi po shfaqte ndikimin e Bob Dylan-it në lirika dhe në stilin ritmik të të kënduarit. Në fund të 1965-ës doli në dritë një nga albumet më klasikë të tyre: Rubber Soul. Lirikisht, Lennon, McCartney dhe Harrison kishin shkuar shumë përpara, përtej skenarëve të thjeshtë të mardhënjeve midis vajzave dhe djemve, në tema më komplekse, të ndërthurura me emocione vetjake dhe shoqërore. Paul McCartney kishte një stil të shkruajturi më të përpunuar për gjërat që ai ndjente dhe që i ndodhnin, ndërsa Lennon-i kishte profilin e djaloshit mendimtar që shpesh del jashtë vetes për hir të grupit apo interpretimit. Vetja e tij e vërtetë ishte e ngulitur thellë, dhe shumë nga shkrimet e tij ravijëzojnë mendimet e tij të brendshme. Ai këndon për trishtimet në jetën e tij, dhe pastaj tërhiqet tek idetë ku gjen paqe dhe prehje.
Ndihem si i vetëvrarë;
Madje urrej dhe rock and roll-in tim
Jam vetëm, jam vetëm,
Dua të vdes, dua të vdes.
Ndërkohë grupi kishte arritur në fazën e ngopjes dhe ishte lodhur nga shoqërimi me klithma dhe gjeste të cmendura, nga turma dhe spektatorët. Në Filipine grupi u sulmua fizikisht nga disa simpatizantë të Mbretëreshës, sepse anëtarët e grupi treguan mospërfillje ndaj saj. Edhe në Amerikë u dogjën disa disqe të Beatles pas një thënje të Lennon-it se ata ishin më të mëdhenj se Jezu Krishti. Koncerti i tyre në Amerikë i vitit 1966 ishte i fundit para një publiku, dhe grupi vendosi të mos jepte shfaqje live për t’iu dedikuar incizimeve në studio. Kjo lëvizje u interpretua nga media si një prag-ndarje, sidomos pas thashethemeve që të katërt e Beatles po kompozonin më vete në studio të vecanta.
Në këtë kohë del Sgt. Pepper… duke shënuar një hop në muzikën e tyre - një zonë me ngjyrime psikedelike. Lirikat ngjasonin pak si përralla, në muzikë ndiheshin vibracionet indiane, tinguj transhedentale derdheshin nga lart, dhe shumë besonin se albumi përfaqësonte një nga triumfet në pop artin progresiv. Më tej pason himni i brezit hipi, e famshmja All You Need Is Love - ata u bënë zëdhënësit dhe modeli i një brezi të tërë.
Na ka ardhur në majë të hundës
Nga politikanët kokë derra, psikotikë
Ajo që duam është e vërteta
Na jepni vec të vërtetën.
Pas vdekjes se menaxherit të tyre Brian Epstein, në fillim të vitit 1968 The Beatles udhëtuan në Indi për të zhvilluar kurse meditimi me Maharish-in, një mjeshtër joge. The White Album që vijoi pas këtij udhëtimi, kishte nota të spikatura të një materiali të ri muzikor që dukej i frymëzuar nga përvoja e pasur dhe ndricuese e Indisë. Lennon si guximtar dhe “i athët” në interpretim dhe McCartney më romantik, plotësonin në mënyrë të përkryer njëri-tjetrin, por në këtë album ndihej se cdo anëtar i grupit ishte i prirur për nga pjesa individuale, se sa ajo e përjetimit në grup. Këto ishin shenjat e para të shpërbërjes; Harrison e kishte kaluar fazën fillestare dhe po bëhej gjithmonë e më kreativ në tekste dhe në muzikë, Ringo Starr iku pa thënë gjë në mes të incizimeve te albumit dhe Lennon u njoh me atë që shpejt do të bëhej gruaja e tij, Yoko. Në këtë situatë Paul McCartney, kompozon Hey Jude që i kushtohet të birit të Lennon, Julian i cili po kalontë caste të vështira nga divorci i afërt i prindërve të tij.
Gjendja rëndohet edhe më shumë pasi Beatles nuk kishin në duar këngë të klasit të parë për të punuar me to, dhe si për të vulosur fatin e tyre, ata dhanë një shaqje të improvizuar në janar të 69-ës. Policia e ndaloi shfaqjen dhe kjo ishte dukja e fundit e grupit në publik. Viti 1969 ishte dhe viti i ndarjes së Beatles si pasojë e mosmarveshjeve midis Lennon e McCartney-t, por një album i fundit doli para se gjithcka të mbaronte: Abbey Road. Konflikti arriti kulmet kur McCartney hodhi në gjyq anëtarët e tjerë për të parandaluar një ribashkim tjetër. Që nga shkrirja e grupit, ata filluan të krijonin dhe interpretonin në mënyrë individuale. Pati disa fjalë për një ringjallje të Beatles nga vitet 70-të, por shpresat u shuan përfundimisht pas vrasjes së John Lennon-it në dhjetor të 1980-ës.
Popullariteti i Beatles si njësi-grup krijues mbetet dhe sot një realitet që koha nuk e ka zbehur aspak. Si cdo vepër tjetër arti, edhe krijimet e Beatles bartin një madhështi të pakohë që vazhdon të kapë breza të rinj dëgjuesish – disqet e tyre do të shiten përsëri, ata do të dëgjohen në radio dhe shumë muzikantë do t’i referohen atyre në shumë rrafshe.
Atje, atje është një vend,
ku mundem të shkoj;
Dhe është në mendjen time
Dhe atje s’ka kohë.
Pergatiti G.M
__________________
Bye
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|