astras
larguar

Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214
|
Rolling Stones
Rolling Stones – vetëm rock’n’roll.
Ishin fundvitet 60-të, koha kur The Rolling Stones nisën t’a quanin veten si grupi më i madh botës. Invazioni britanik që kishte filluar me The Beatles melodiozë, u pasua nga Rock & roll-i me bazë marramendëse blues-i, dhe një vrull shpërthyes i grupit The Rolling Stones, të cilët i dhanë një kuptim tjetër muzikës Rock. Mick Jagger u bë simboli ballor i grupit duke shpalosur një sensualitet fodull, i cili, shpeshherë, transmetontë atë djallëzi që bëri për vete mijëra të rinj, si dhe krijoi armiq të betuar midis prindërve të tyre. Keith Richards me pamje të përcudnuar iu bashkëngjit Mick-ut, paksa në hije, por gjithmonë pranë për t’a mbështetur atë në performancat e jashtëzakonshme, me kitarën që shpesh dialogon me vokalin. Ndryshe nga grupet e kohës ku këngëtari kryesor rrinte statik, Mick Jagger ishte dinamik dhe shkonte nga një cep i skenës në cepin tjetër, i palodhur. Shumë nga tekstet e këngëve u shkruan nga të dy, Jagger dhe Richards, kompozime që kishin brenda që nga rhythm & blues, blues të kulluar, Rock klasik, romanticizëm dhe mbi të gjitha një atmosferë gjeniale që i bëri ata një nga legjendat më jetëgjata të historisë së Rock-ut. Madje ata eklipsuan dhe grupe të tjera të kohës si The Animals dhe Them.
Sapo arritën majat e popullaritetit në Britani, The Rolling Stones filluan të eksperimentonin muzikalisht si disa grupe të tjera të kohës: The Kinks, The Beatles dhe The Who, por ata nuk e braktisën asnjëherë blues-in nga i cili morën atë shpirtin e pashkatërrueshëm për të carë lart mbi ëndrrën e hipive, në një kulturë të re të muzikës Rock. Rrënjët nga ku morën jetë The Rolling Stones vinin nga bluesmen-ë si Alexis Corner, Muddy Waters, Howlin’ Wolf, B. B. King dhe natyrisht Chuck Berry.
Pak pasi ishte përzënë nga grupi, Brian Jones u gjet i mbytur në pishinë – shumë incidente të tjera pasuan në jetën dhe koncertet e grupit, por Rolling Stones nuk e ndalën frymën. Në tridhjetë vitet që pasuan ata vazhduan të incizonin dhe të jepnin shfaqje, duke u bërë një nga më të shquarit si asnjë grup tjetër britanik.
Emri The Rolling Stones u huazua nga një këngë e Muddy Waters. Shfaqja e parë u dha në Marquee Club në Londër në korrik të 62-it, por grupi e mori pamjen që njihet nga të gjithë rreth vitit 1963 duke rekrutuar Bill Wyman dhe Charlie Watts në bateri – kombinim më i mirë nuk mund të gjehej.
Imazhi i Rolling Stones ishte e kundërta e The Beatles – ata ishin rebelë e skandalozë, një lloj shfrenimi seksual shoqëronte shfaqjet e tyre, të cilat jo rrallë mbaronin në skena orgjike apo të turpshme. Rivaliteti midis dy grupeve e rriti famën e Rolling Stones në Amerikë – në këtë kohë grupi nxjerr albumin It’s All Over Now, një titull apokaliptik që zuri vendin e parë në klasifikimin britanik. Menjëherë pas këtij suksesi ata nxorrën Time is on My Side që hyri në dhjetë më të mirat e hiteve në Amerikë. Më 1965 ata kompozuan The Last Time që parapriu të famshmen (I Can’t get No) Satisfaction, me kitara sirenë dhe tinguj të fuqishëm e shpotitës që nuk ishin dëgjuar më parë. Ata interpretuan në Ed Sullivan Show, dhe ashtu si me The Doors atyre iu kërkua t’i ndryshonin lirikat nga “t’a kalojmë natën bashkë…” në, “të rrimë pak kohë bashkë…”
Krijimet e fundit kishin nxjerrë në pah talentin e Jagger dhe Richards të cilët me lirikat ironizuese dhe stilin improvizues muzikor kishin shkuar përtej blues-it.
Këto fjalë për lirinë
Dhe të drejtat e njeriut;
Duan të na hedhin hi në sy.
Nga viti 1966 The Stones vendosën që t’i përgjigjeshin grupit The Beatles duke nxjerrë një album me kompozime origjinale, Aftermath. Në këtë kohë del Paint It Black dhe kënga me ndikime Lindore I’m Going Home. Kjo situatë vazhdoi deri nga viti 67 kur në skenë del albumi Between the Buttons i orientuar kah pop-i.
Për një kohë ata u magjepsën nga psikedelia dhe bashkë me Beatles, Mick Jagger takoi Maharishi Mahesh Jogi-in – si pasojë e këtyrë përqasjeve ata kompozojnë Dandelion/We Love You ku gjehej pop dhe psikedeli.
Fushat e Edenit
Janë plot me plehra;
Dhe ne jemi midis dy zjarreve.
Përdorimi i drogës ishtë një fenomen i përhapur - edhe anëtarët e Stones nuk i shpëtuan dot. Brian Jones “iku” nga grupi sepse po bëhej gjithmonë e më i varur, Jagger dhe Richards arrestohen për mbajtje droge, dhe disa skandale të tjera i ndodhën grupit. Pas vdekjes së Brian Jones, Mick Taylor që sapo kishte ikur nga grupi John Mayall’s Bluesbreakers, ftohet tek Stones.
Rreth viteve 70-të popullariteti i tyre filloi të binte ndërsa Jagger ishte i zënë me famën e tij dhe Richards po zhytej thellë-e-më-thellë në drogë. Albumi Goat’s Head Soup që doli më 1973 arriti të kapte vendin e parë, por nuk u prit aq mirë nga publiku. Pas ikjes së Taylor, Ron Wood vjen tek Stones dhe menjëherë del albumi Black n’Blue. Nga 1973 deri më 1978 grupi është shumë prodhimtar, Wyman dhe Wood nxjerrin albume solo ndërsa i pandreqshmi Richards arrestohet përsëri për përdorim heroine, së cilës ata të gjithë i kënduan me pasion te Brown Sugar (Sheqer i kaftë pse më shijon kaq shumë). Shumë vite të jetës së Richards kanë kaluar në drogë dhe ai mbetet emblema e veteranit që ka ditur si të mbijetojë mes hedonizimit, drogës, teprive të tjera, por i frymëzuar dhe i gjallëruar nga muzika që ata krijuan. “Muzika! Për mua është gëzimi vetë… fëmijët dhe gruan i dua shpesh, por muzikën e dua përgjithmonë – është filli që përshkon jetën time dhe ku unë jepem i tëri”. Edhe rudhat në fytyrën e tij sikur zhduken kur ai merr kitarën në dorë.
Jeta ime varet në fije të perit
Jam si miza në rrjetë të merimangës,
Sytë i mbaj nga e ardhmja.
A e shihni dritën?
Në ditë të mira dhe të këqija, grupi ishte gjithmonë i gatshëm të përballonte sfidat dhe sukseset. Ata ishin të aftë t’a mbanin suksesin dhe ky ishte virtyti (midis shumë veseve) që i shpëtoi. Fama mori në qafë shumë personazhe, por Stones e patën largpamësinë për të arritur deri në fund të udhës. “Rock’n’roll-i është i mirë kur ke besim në të – pak mëdyshje dhe ke humbur”.
Sepse jeta është një shans
Mbi një kodër që era e ka fshirë;
Dhe farat e dashurisë
Lodrojnë në hapësirë.
Padyshim që Rolling Stones qëndrojnë mbi të gjithë heronjtë luftarakë të Rock-ut që e bënë betejën e tyre – “keni diellin, keni dhe hënën – keni ajër për të marrë frymë – keni dhe The Rolling Stones”.
“Zoti na ruajtë; s’ma merr mendja se duan të bëjnë ndonjë film për ne! Unë sigurisht s’do t’a shikoja. Shresoj të kem vdekur në atë kohë. Nuk caj kokën për vete, as për Mick-un, por kush do t’a luajë rolin e Carlit?” – thotë Keith Richards.
__________________
Bye
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|