Forumi Horizont Forumi Horizont > Arti & Kultura > Muzika > Video Muzikore > Jimi Hendrix
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
astras
larguar

Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214

Jimi Hendrix

James Marshall Hendrix, që më vonë do ta quante veten Jimi, lindi më 27 nëntor 1942 në Seatle, Washington. Pas ndarjes së prindërve Jimi jetoi me të jatin dhe u mahnit nga koleksioni i xhazit që ndodhej në shtëpinë e tyre. I ati, Al, kuptoi pasionin e Jimi-t për muzikën dhe i bleu një kitarë të lirë. Në moshën 11 vjeçare Jimi filloi të shfaqte shenjat e një kitaristi të madh, aftësi të cilat ai i kultivoi dhe zhvilloi me kalimin e kohës.
Pas ushtrisë Hendrix filloi të luante në kitarë, me disa muzikantë të njohur të blues-it dhe soul-it si B.B. King, Sam Cooke, Solomon Bourke, Little Richard, Eric Clapton, Ike & Tina Turner dhe grupe të tjerë, të shquar të kohës. Por shpejt e ndjeu se nuk ishte i lirë të bënte atë që donte me muzikën. Kështu ai krijoi grupin e tij dhe filloi bashkëpunimin me basistin e grupit anglez Animals, Chas Chandler. Ky i fundit e bindi Jimi-n të shkonin në Londër dhe prej këtej nis dhe mbretërimi i pashoq i Jimi-t në interpretimin e kitarës virtuoze dhe të këngëve që mbeten edhe sot po aq të famshme sa në kohën kur u shkruan. Edhe vetë Bob Dylan-i ia pati zili se si Hendrix-i rikëndoi disa nga këngët e tij të njohura, apo shkatërrimin që Hendrix-i i bëri himnit të flamurit Star Spangled Banner ku kitara imiton bombardimet në Vietnam.

Jo vetëm një mjeshtër në kitarë, Hendrix hulumtoi në zona mirëfilli poetike, produkti i të cilit ndihet në lirikat e këngëve. Fjalët e tij janë të mbarsura me imazhe krijuese dhe tinguj që pikturojnë një panoramë të mrekullueshme në imagjinatën tonë. Shumë prej lirikave dhe muzika janë shkruar nga vetë ai, me përjashtim të disa këngëvë të marra nga blues-i klasik, të cilave Hendrix-i i dha atë prekjen magjike të një ritëm & blues me nuanca xhaz, acid rock, hardcore, forcë, dinamizëm dhe natyrisht e gjithë kjo në praninë e tingujve transhedentalë të kitarës.

Lirikat e Hendrix-it janë shpesh vizionare, herë-herë me përkatësi religjioze apo dhe romantike me evokime të trazuara të vdekjes së sublimuar si tek A do jetoj nesër, ose janë magjike madje dhe mbinatyrale. Frymëzimet e vërteta vinin nga religjioni i zi dhe nga mahnitja e pafundësisë qiellore e fëmijës së brishtë. Këtu fantazia shtrihej në monologje të gjatë në kitarë apo ëndrra të thella që dëshmonin tërë vetminë, frikat e djaloshit, nevojën e tij intime për paqe të brendshme dhe purifikim. Në disa këngë të tjera ai nuk luan atë muzikën e tij të fortë, por shndërrohet në poet metafizik apo personazh psikedelik, që siç thoshte Bo Didley “ai ishte e vetmja mace e zezë që mund të luante psikedeli”.

Jimi Hendrix ishte i jashtëzakonshëm në improvizim dhe disa nga këngët e tij i ka interpretuar në disa versione të ndryshme, të gjitha të mahnitshme. Në dorën e Jimi-t kitara akustike fitonte një lloj psikologjie, ndërsa kitara elektrike bëhej orkestër, një makinë tingulli me një gamë të pamatë mundësish, duke arritur kufijtë vibrativë të zërit njerëzor. Për të kitara ishte një zgjatim i trupit, por dhe i mendjes. Gjithë mimika, lëvizjet e dorës dhe të krahut, apo të gojës bëheshin funksionale për të nxjerrë tingujt e fundit torturues, për t’u përmbyllur në ritin ceremonial të sakrifikimit të kitarës, djegie në skenë. Ky ishte shfrimi i Hendrix-it pas gjithë asaj shfaqjeje ku publiku provonte gjithçka që nga deliri hipnotik jashtë hapësirës dhe kohës deri në një çmenduri gjeniale.
Sekuencat e fundit të Hendrix në skenë vijnë nga post-Woodstock-u me plehra dhe trupa lakuriqë ku tingujt e kitarës së tij vellojnë me një mjegull mistike si për t’i vënë vulën fundit të një brezi që e kishte për zemër thënjen “Seks, drogë & rock’n’roll”. Ishte koha kur qindra amerikanë vriteshin nga mitralozi në Vietnam dhe “brezi i luleve” kërkonte paqe dhe dashuri, natyrisht të kombinuar me pak drogë dhe LSD.
Këmbët në tokë e kokën lart tek yjet. Jashtë prej mjegullimës së purpurt një kon i ndritshëm lëshon një ortek tingëllimash, tingujsh, notash dhe vegimesh që ta shastisin mendjen.

Jimi vdiq në Londër pasi kishte marrë disa pilula qetësuese. E dashura e gjen të mbytur nga e vjella e tij. Një natë më parë ai po punonte për një këngë të re. Vargjet përmbyllëse ishin:

Historia e jetës
është më e shpejtë
se një pulitje sysh
Historia e dashurisë
është përshëndetje
derisa të shihemi përsëri.

Robert Plant i grupit anglez Led Zeppelin kujton: “Po dëgjoja një disk të Hendrix-it, kur im bir më pyet se kush po luante në të. Ah, biri im i thashë, ky është zoti vetë.”
Ndërsa këngëtarja amerikane Cher ka thënë: “Jimi Hendrix ishte zot nga natyra dhe ai e provoi këtë gjë me muzikën e tij”.

Ky ishte Jimi Hendrix i konsideruar si kitaristi më i madh i të gjitha kohërave dhe i krahasuar nga kritikët me Bethoven-in apo Charlie Parker në xhaz.

__________________
Bye

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 07 Mars 2006 03:52
astras nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të astras Kërko mesazhe të tjera nga: astras Shto astras në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto astras në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
astras
larguar

Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214

Fëmija Vudu

Unë jam fëmija vudu
Zot, unë jam fëmijë vudu.

Ditën që linda,
O Zot të betohem, hëna u bë e kuqe ndezur.
Nëna ime e varfër duke qarë tha: “Ciganja kishte të drejtë!”
dhe ra përtokë e vdekur.
(ki mëshirë)

Kështu luanët e maleve më gjetën atje tek prisja
Dhe më ulën në kurriz shpiponjash
(ishin krahë shqiponjash, e dashur, e kam vërtet)
Ai më çoi në skaj të pafundësisë,
Dhe kur më ktheu përsëri,
Më dha një unazë shtrigash venusi
Hej, tha ai
Fluturo, jepi fluturo sepse unë jam fëmija vudu.
Hej!

Po, bëra dashuri me ty,
E Zoti e di, ti s’ndjeve dhimbje
Thuaji, unë bëj dashuri me ty në gjumë,
(ki mëshirë)
Sepse jam mijëra milje larg
Por jam dhe aty në kornizë të pikturës tënde
(Çfarë po thoja tani?)
Po, unë jam një fëmijë vudu
Zoti e di, jam fëmija vudu.

Pra shigjetat e mija janë prej dëshire
Larg prej Jupiterit, minierave t’squfurit
(a poshtë nga Deti Methabit)
Kam një zog që pingërin, kaq zëlartë,
Ti po mendon se ne lojtëm mendsh, hmmm…

Po notoja në kopshte të lëngët
Apo në rërë të kuqe t’Arizonës
Rërë rishtas hedhur.

Shijoja mjaltë prej lules quajtur Blu,
Andej nga California
Dhe New York-u mbytet kur ne rrokim duart
Sepse unë jam një fëmijë vudu
Zoti e di, jam fëmija vudu.

__________________
Bye

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 07 Mars 2006 03:54
astras nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të astras Kërko mesazhe të tjera nga: astras Shto astras në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto astras në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
astras
larguar

Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214

Kështjella prej rëre

Diku në rrugë dëgjoja tek bërtisnin “turp të kesh”
E dera i përplasej në fytyrën të bërë tapë
Dhe tani ai rri jashtë
Ndërsa fqinjët flasin prapa shpine
“O vajzë ti je çmendur fare” ai ulërin
Ku iku dashuria që patëm të dy?
Mbështetet në derë dhe nis e qan
Dhe lotët që bien barin e thajnë.

Dhe kështjella prej rëre ra në det, e tëra.

Një indian i vogël trim para se të bënte dhjetë,
Luante luftash në pyll me shokët e tij
Dhe ai ëndërroi se kur të rritej
Do të ishte prijës luftëtar, i paepur
Shumë hëna kaluan dhe ëndrra u rrit derisa
Ai këndoi këngë luftarake dhe luftoi të parën herë
Por diçka shkoi keq,
U vra në gjumë nga një sulm i beftë, atë natë.

Pra kështjella prej rëre u tret në det.

Ish një vajzë e vogël, me zemër të thyer
Se qe sakate për jetë,
Dhe nuk nxirrte zë.
E ajo lutej të mos rronte,
Kështu vendosi të vdiste
Shkoi me karrocën te shkëmbi pranë detit
Dhe qeshi me këmbët: “nuk do vuaj më”
Por sakaq një pamje, që kurrë s’e kish parë e bëri të hidhej
“vështro, një anije me krahë të artë po kalon tej”

Dhe anija lundroi horizontit, vazhdoi rrugën e vet…

Dhe kështjellën prej rëre e mori deti.

__________________
Bye

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 07 Mars 2006 03:56
astras nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të astras Kërko mesazhe të tjera nga: astras Shto astras në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto astras në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 14:21 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Arti & Kultura > Muzika > Video Muzikore > Jimi Hendrix

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.