sibishi
Anetar i ri

Regjistruar: 14/11/2005
Vendbanimi: Prishtinë
Mesazhe: 6
|
PKMLSHJ organizatore e kërkesës për Republikë
PKMLSHJ ORGANIZATORE E
KËRKESËS PËR REPUBLIKË
Njëzet e pesë vjetori i demonstratave të vitit 1981 u trajtua nga mediat shqiptare si një ngjarje e rëndësishme historike. Hapësira që u la në shfrytëzim për këto ngjarje kishte për qëllim të hidhej më shumë dritë në lëvizjen që tronditi themelet e Jugosllavisë. Përkundër intervistave të shumta, emisioneve televizive dhe dokumentare, mbetën shumë çështje të pa ndriçuara. Kjo ndodhi nga njëra anë për shkak të trajtimit të pa diferencuar të këtyre ngjarjeve dhe nga ana tjetër për shkak të mos njohjes në thelb nga ana e gazetareve të aktorëve politik të kohës dhe peshës të së secilit në këto ngjarje. Sado që faktet historike mbi organizatat ilegale dhe platformat e tyre politike ekzistojnë trajtimi i ngjarjeve të vitit 1981 nga mediat nuk solli përgjigje në pyetjen se cila ishte organizata që shtroi kërkesën për Republikë, para vitit 1981, gjatë ngjarjeve të vitit 1981 dhe pas tyre, cila ishte platforma politike për këto ngjarje, cilët ishin autorët dhe zbatuesit e kësaj platforme dhe cili ishte roli i veçantë i organizatave politike ilegale të kohës?
Edhe më shumë huti dhe paqartësi
Lexuesit e gazetave dhe teleshikuesit që kanë përcjellur emisionet televizive dhe ato dokumentare nuk mund të mos kenë vërejtur një fakt i cili i ka përcjellur shumicën e të intervistuarve dhe pjesëmarrësve të emisioneve të ndryshme se asnjëherë nuk flasin konkretisht për organizatën të cilës i kanë takuar, nuk përmendin emrin e sajë, nuk flasin për platformën politike që kanë pasur dhe për angazhimin politik para ngjarjeve të vitit 1981. Nëse është thënë ndonjë gjë, është thënë në mënyrë aq të përgjithësuar sa opinioni më shumë është dezorientuar se sa orientuar.
Mos njohja e procesit politik të asaj kohe, të platformës politike, të kërkesave dhe të strategjisë politike, kanë bërë që këto ngjarje të dalin të zbehura, së paku sa i përket prezantimit të tyre para opinionit, gjë që ka zbehur rolin e vërtetë të këtyre ngjarjeve dhe rëndësinë e tyre për zhvillimet e mëtutjeshme në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi.
Një përpjekje për diferencim: organizatat ilegale në Kosovë dhe platformat e tyre politike
Gjatë viteve të shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta në Kosovë vepruan shumë grupe e organizata politike ilegale ndërsa më masoviket ndër to ishin Partia Komuniste marksiste-leniniste shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ)që udhëhiqej nga
Abdullah Prapashtica, Skender Vardari, vëllezrit Maqedonci, në krye me Regjep e Osman Maqedonci, Osman Osmani, Halil Alidemi me shokë, Skender Ibishi, , Nysret Ahmeti, Fatmir Bajrami, Afrim Abazi, Faton Topalli, Famija e gjërë Azemi, në kry me Vahedin e Lumnije Azemi, Kadrie Gashi, Shyqeri Gjinolli e të tjerë. Gjatë kësaj kohe vepronte edhe Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) që udhëhiqej nga Metush Krasniqin, Jusuf Gérvallén, Sabri Novosella, Ramadan Pllanén dhe Grupi marksist –leninist i Kosovës (GMLK) që udhëhiqej nga Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Mustafë Ademi e të tjerë.
PKMLSH-ën si parti dhe LNÇKVSHJ-ën dhe OMLK-ën si organizatë i ndante platforma politike dhe strategjia drejtë zgjidhjes së çështjes kombëtare, ndërsa i bashkonte lufta dhe qëllimet përfundimtare për liri dhe pavarësi.
Përderisa PKMLSHJ kishte për platformë politike kërkesën për republikë si kërkesë të fazës së parë dhe të dytë në strategjinë e saj të proklamuar drejtë zgjidhjes së çështjes kombëtare, OMLK dhe LNÇKVSHJ kishin për platformë politike bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë.
LNÇKVSHJ dëmtohet rëndë gjatë burgosjeve të vitit 1979 dhe 1980 prandaj dhe prezenca e sajë gjatë ngjarjeve të vitit 1981 është më e vogël. Pjesëtarët e OMLK-ës janë aktiv gjatë ngjarjeve të vitit 1981.
Platforma e OMLK-ës për bashkim me Shqipërinë është proklamuar në trakte të ndryshme dhe në gazetën “Liria” e cila është botuar si organ i GLMK-ës dhe më vonë OMLK-ës, ndërsa platforma e PKMLSHJ-ës dhe strategjia e sajë në një varg dokumentesh të botuara para vitit 1981 dhe pas tij për të cilat do të shkruajmë më vonë.
Marsi dhe prilli i vitit 1981 e gjejnë OMLK-ën me platformën për bashkimin me Shqipërinë. OMLK provoi që ta shtronte kërkesën e sajë kryesore, pra bashkimin me Shqipërinë në demonstratat e vitit 1981. Këtë mund ta dëshmoj më së miri Hydajet Hyseni i cili kërkesat e OMLK-ës i shtroi në fjalimin e mbajtur me megafon për të cilin ka dëshmi dhe një fotografi e cila është botuar shumë herë në shtyp. Hydajet Hyseni ka qenë në këtë kohë i arratisur në Zvicër dhe është kthyer në Kosovë pas fillimit të ngjarjeve të vitit 1981. Për platformën politike të OMLK-ës dhe qëndrimin e saj ndaj kërkesës për republikë para ngjarjeve të vitit 1981 ka dëshmi edhe në arkivin e shtetit shqiptar dhe në arkivin e PPSH-ës.
OMLK ishte një organizatë patriotike pjesëtarët e së cilës morën pjesë aktive në lëvizjen ilegale në Kosovë dhe në ngjarjet e vitit 1981. Pas shtruarjes së kërkesës për republikë me 26 Mars 1981 dhe sidomos pas qëndrimit të shtetit shqiptar lidhur me ngjarjet e vitit 1981 të publikuar me 8 prill 1981, OMLK ndryshoi platformë politike të sajë duke pranuar platformën dhe strategjinë e PKMLSHJ-ës e cila u bë platformë gjithë popullore. Në shtator të vitit 1981, gjashtë muaj pas demonstratave të vitit 1981 OMLK bëri Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës.
Pjesëtarët e OMLK-ës, duke u mbështetur në traditën patriotike ilegale luajtën rol të rëndësishëm edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta. Hydajet Hyseni dhe disa nga shokët e tij u bënë aktivistë të dëshmuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke zënë pozita kyçe në hierarkinë e sajë deri pak ditë para fillimit të luftës në Kosovë. Edhe tani ata kanë zënë pozita të ndryshme duke qen të përfaqësuar edhe në parlament.
Kush ishte PKMLSHJ dhe cili ishte roli i sajë?
Shtruarja e kërkesës për republikë me 26 mars 1981 nga PKMLSHJ nuk ishte ndonjë befasi as për udhëheqjen e Kosovës dhe të LKJ-ës as për OMLK-ën. Të dy organizatat, secili në mënyrën e tyre, para ngjarjeve të vitit 1981 ishin konfrontuar me këtë kërkesa dhe kishin qëndrimin e tyre ndaj saj. Udhëheqja e atëhershme e Kosovës i bëri publike qëndrimet e saj ndaj kërkesës për republikë përmes mjeteve të informimit dhe aksioneve të shumta kundër saj, ndërsa qëndrimet e OMLK-ës ndaj kërkesës për republikë janë të deponuara në arhivat e shtetit shqiptar.
Qëndrimi i OMLK-ës para ngjarjeve të 26 Marsit të vitit 1981 ishte i kuptueshëm për shkak që lidhje të drejtpërdrejta në nivel të Komiteit Qendror të PKMLSHJ-ës dhe organeve drejtuese të OMLK-ës, në kushtet e ilegalitetit nuk kishte. Takimet që bëheshin horizontalisht mes pjesëtarëve të të dy formacioneve nuk mjaftonin për ta sqaruar platformën dhe strategjinë politike të PKMLSHJ-ës dhe për ta bërë OMLK-ën aleate të platformës së PKMLSHJ-ës.
Partia komuniste marksiste leniniste Shqiptare në Jugosllavi krijoi bërthamën e saj të parë në vitin 1975 dhe u themelua si parti në vitin 1978.
Në platformën e sajë politike prej 147 faqesh ajo ka analizuar gjendjen e popullit shqiptar në Jugosllavi duke ardhur në përfundim se zgjidhje e vetme e mundshme në rrethanat e tilla ishte krijimi i Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. PKMLSHJ përcaktoi në këtë dokument edhe strategjinë politike duke përcaktuar tri faza të zhvillimit politikë në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare.
PKMLSHJ parashihte që në fazën e parë të kërkohej nga institucionet e Kosovës dhe ato federative që ta merrnin iniciativën për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke ua njohur shqiptarëve në federatë statusin e kombit dhe të drejtën për ta pasur republikën e tyre.
Kjo fazë e paraparë në strategjinë e PKMLSHJ-ës filloi në vitin 1979 me letrën e cila iu dërgua Mahmut Bakallit me 14 Mars 1979 (Raporti i komisionit për përgjegjësinë e Mahmut Bakallit, Rilindja 26.09.1981)
Gjatë vitit 1979 dhe 1980 PKMLSHJ organizoi aksioni “Pyetja”. Ky aksion kishte për qëllim që në të gjitha instancat shoqërore e politike në Kosovë, kudo që ishte e mundur, të shtrohej pyetja përse Kosova nuk po bëhej republikë. Ky aksion kishte për qëllim që të afirmohej kërkesa për Republikë dhe të bëhej si e tillë çështje diskutime. Pyetja të tilla u shtruan që nga shkollat e mesme e deri tek shkollat politike të Lidhjes Komuniste të Kosovës.
Me 27.07.1979 PKMLSHJ iu drejtua organizatave shoqërore politike me një informatë për situatën politike dhe ekonomike të krahinave shqiptare në RSFJ.
Me 15 mars 1980 iu dërgua një telegram Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Në të gjitha këto dokumente PKMLSHJ kërkonte nga organet e Kosovës dhe ato federative që të shtrohej për zgjidhje kërkesa që Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi t’i njihej statusi i Republikës, ndërsa shqiptarëve statusi i kombit.
Mahmut Bakalli, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të Kosovës në atë kohë ishin të njoftuar mirë për kërkesat e PKMLSHJ-ës prandaj dhe është për tu habitur pse edhe sot bëhen sikur nuk kanë ditur asgjë dhe se janë gjetur të befasuar nga demonstratat e vitit 1981.
PKMLSHJ parashihte për fazën e dytë shtruarjen e kërkesës për republikë përmes demonstratave. Kjo fazë do të zhvillohej në rast se udhëheqja e Kosovës dhe ajo federative do ta bënte veshin e shurdhur dhe nuk do ta shtronte për zgjidhje çështjen e kërkesës për republikë.
Me 10 dhjetorë 1980 PKMLSHJ vendosi kalimin në fazën e dytë të veprimit strategjik duke themeluar Shtabin Organizativ i cili morri për detyrë organizimin e demonstratave më 1981 në të cilat do të shtrohej kërkesa për Republikë. Siç dihet PKMLSHJ e shtroi kërkesën për republikë me 26 Mars 1981.
Protesta e 11 marsit të vitit 1981 krijoi kushtet për ta shtruar në demonstratë platformën e PKMLSHJ-ës. Shtabi Organizativ i PKMLSHJ-ës dërgoi menjëherë njerëzit e PKMLSHJ-ës në demonstratë për të plasuar aty kërkesën për republikë.
PKMLSHJ nuk arriti ta shtroj kërkesën bazë të sajë në këtë demonstratë. Megjithatë ajo futi parollën “Drejtësi – Barazi” e cila u brohorit nga të gjithë të pranishmit.
Me 25 Mars, kur punonjësit e sigurimit shtetërorë të Pejës provuan ta burgosin Ali Lajçin, burgosjen e tij e pengoi Abdullah Prapashtica i cili ju komunikoi inspektorëve të sigurimit, se Mustaf Sefedini, Sekretarit Krahinor të Punëve të Brendshme kishte urdhëruar që të mos bëheshin burgosje në qendrën e studentëve.
Ky ishte shkaku për tu organizuar në konvikte dhe për të kërkuar të nesërmen nga udhëheqja e Kosovës që studentët pjesëmarrës në protestën e 11 marsit të mos arrestoheshin.
Kush dhe si e organizoi 26 marsin është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Ajo që dihet më pak në opinion, edhe pse është thënë në shtyp, është fakti që me 26 Mars 1981, Shtabi Organizativ i PKMLSHJ-ës dërgoi njerëzit e tij në protestë dhe shtroi kërkesën për Republikë e cila që nga ajo ditë u bë kërkesë gjithë popullore.
Me 14 Prill 1981 PKMLSHJ, duke u frikësuar se do të mund të komprometohej kërkesa për republikë nga aktorë të ndryshëm, morri përsipër publikisht organizimin e demonstratave të vitit 1981. “Nota” e PKMLSHJ-ës dërguar institucioneve të ndryshme u publikua nga i gjithë shtypi i brendshëm dhe i jashtëm. Ajo u citua nga agjenci të ndryshme botërore të lajmeve dhe nga Zëri i Amerikës. Lidhur me këtë ka njoftuar edhe gazeta “Rilindja” në Prill të vitit 1981 si dhe më 26. shtator 1981.
PKMLSHJ ka shpërndarë programin e kërkesave të cilat do të duhej të brohoriteshin në demonstrata. Ky program është shpërndarë gjatë demonstratave në mars dhe në prill të vitit 1981 në Prishtinë dhe në qytete të ndryshme të Kosovës. Edhe për këtë fakt ekzistojnë një varg publikimesh të cilat do të botohen të përmbledhura në një shkrim të veçantë.
Faza e tretë e programit të PKMLSHJ-ës ishte lufta e armatosur. Kjo fazë do të fillonte në rast se kërkesa për republikë nuk do të realizohej as përmes presioneve të kombinuara politike si demonstratat e protestat e ndryshme në rrugë. Në këtë rast nuk do të kërkohej më barazia dhe pavarësia brenda federatës, por bashkimi me Shqipërinë. Kjo fazë e paraparë nga PKMLSHJ u realizua në praktikë nga UÇK .
Pra ne deri tek kjo fazë e tretëm nuk kishim luftuar sistemin. Angazhjimi ynë, për të qenë të sinqertë, ishte ashtu si edhe qëndron në dokumentet partiake dhe veprimet praktike të PKMLSHJ, pavarsia dhe barazia me kombet tjera në ish federatën jugosllave në rrafshin politik, ekonomik dhe territorial, e jo shkatërrrimi i sistemit.
Bashkimi në platformën e PKMLSHJ-ës
Bisedimet që u zhvilluan në Turqi përmes përfaqësuesve të PKMLSHJ-ës e cila përfaqësohej nga Abdullah Prapashtica, Osman Osmani e Faton Topalli dhe LNÇKVSHJ-ës që përfaqësohej nga Sabri Novosella dhe Xhafer Durmishi sollën bashkimin në Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi të cilës pak më vonë (në mai 82) iu bashkëngjit edhe OMLK.
Platforma e PKMLSHJ-ës që ishte bërë gjatë demonstratave të vitit 1981 platformë e gjithë popullit, u bë edhe platformë e LRSSHJ-ës e cila më vonë (edhepse jo në rrugë demokratike dhe nhga të gjitha struktuarat që përbënin atë) ndërroi emrin në LPRK dhe LPK.
Dokumentet flasin...
PKMLSHJ ka zhvilluar një varg aktivitetesh të ndryshme para gjatë dhe pas ngjarjeve të vitit 1981. Për rolin e PKMLSHJ-ës ka burime të shumta si libra, artikuj gazetash, raporte të Kryesisë së SFRJ-ës, Komitetit Krahinor të Kosovës, të dhëna në arkivat e shtetit shqiptar, stenograme bisedash mes përfaqësuesve të PKMLSHJ-ës dhe PPSH-ës, të dhëna nga agjencitë e ndryshme botërore të cilat mund t’i ndriçojnë shumë mirë ngjarjet e vitit 1981. Burime të rëndësishme janë edhe vet materialet e publikuara të PKMLSHJ para, gjatë dhe pas ngjarjeve të vitit 1981, si dhe shumica e aktorëve dhe protagonistëve e PKMLSHJ, të cilët edhe më pas dhe edhe sot veprojnë për realiziimin e qëllimeve të cilat as në minimumin e paraparë ende nuk u realizuan. Ne mbështesim edhe më tutje të gjitha forcat dhe lëvizjet e rezistencës të cilat edhe tani (jo nga pozita) angazhohen maksimalisht për aspiratat kombëtare dhe njerëzore në këto hapsira.
Megjithatë pjesëmarrësit e ngjarjeve e kanë vështirë për ta ruajtur objektivitetin kur është fjala për të folur për vetveten. Prandaj dhe është detyrë e historianëve dhe analistëve t’i mbledhin të gjitha faktet dhe duke u mbështetur në metodologjitë shkencore për analiza politike dhe vërtetim të fakteve historike t’i analizojnë këto ngjarje dhe nga perspektiva e paanshme ta ndriçojnë rolin e aktorëve të veçantë politik të kohës.
Demonstratat rezultat i pozitës kolonialiste
Demonstratat e vitit 1981 ishin rezultat i pakënaqësisë së popullit shqiptar në Federatë dhe pozitës së tij prej të robëruari. Statusi i kombësisë, i një populli që pas serbëve dhe kroatëve ishte i treti për nga madhësia në federatë dhe megjithatë nuk gëzonte pozitën e popullit, zhvillimi i pabarabartë ekonomik, varësia politike ekonomike dhe territoriale, pozita e të kolonializuarit, bënë që demonstratat të shpërthejnë si nevojë për të ndryshuar (përmes republikës si realizim të barazisë) pozitën e popullit shqiptar në Federatë.
Reagimi brutal ndaj kërkesës demokratike për një republikë shqiptare brenda federatës, flet më së miri për pozitën e popullit shqiptar, trajtimin armiqësor ndaj tij dhe përpjekjet për kolonizimin dhe robërimin e mëtutjeshëm të tij.
Të gjithë vepruan për vetëdisimin kombëtar
Përpjekja e organizatave ilegale për t’i marrë të gjitha meritat për shpërthimin e ngjarjeve të vitit 1981 nuk ka bazë historike. Hedhja e pjatës së parë në mezën e studentëve, dalja në rrugë me 11 mars për kushte sociale dhe ekonomike, protesta e 26 marsit kundër burgosjeve, dhe shtruarja e kërkesës për republikë nga PKMLSHJ me 26 Mars, platforma e PKMLSHJ-ës për Republikë e cila u kthye në një platformë gjithë (popullore) kombëtare dhe propagandimi i sajë para ngjarjeve të vitit 1981 janë indikatorë të rëndësishëm të cilët nuk mund të mohohen. Nuk mund të mohohet as roli i aktorëve të veçantë rreth organizimit të demonstratave nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës. Megjithatë kjo nuk është e tërë. Nuk duhet mohuar se të gjitha këto u bënë të mundëshme sepse në Kosovë u krijua një terren për diçka të tillë.
Ndryshimet kushtetues pas plenumit të Brioneve i dhanë shqiptarëve mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik, politik dhe kulturorë. Hapja e Universitetit të Kosovës ndikoi shumë në krijimin e kuadrove të cilat edhe përcaktuan kahjet zhvillimore të popullit shqiptar në Kosovë. Nuk ka dyshim se orientimi i përgjithshëm, heq këtu pjesën e kolabortorëve klasik, ishte kombëtar. Zhvillimet në arsim, kulturë, ekonomi vunë bazat për vetëdisimin e popullsisë, të zhvillimit kombëtar por edhe të ngritjes së vetëdijes për të kuptura pozitën në të cilën ndodhej populli shqiptar në federatë. Ky rol i inteligjencës shqiptare, i punonjësve të Universitetit, të profesorëve nëpër shkolla të mesme, arsimtarëve, ekonomistëve dhe njerëzve të kulturës e shkencës (pse jo edhe të politikës) në përgjithësi nuk mund të mohohet. Nuk mund të mohohet as roli (i segnmenteve të sistemit shoqërorë, si ai) i televizionit, shtypit periodik, teatrove dhe sistemeve të tjera sociale të vendit të cilat i krijuan bazat për shpërthimin e ngjarjeve të vitit 1981. Me këtë rast kurrsesi nuk duhet hartruar rolin e individëve dhe grupeve shoqërore të paorganizuar nëpër grupe e organizata ilegale, të cilat në momente të caktuara ishin në ballë të ngjarjeve dhe orientonin masat në mënyrë shembullore. Pa kontributin e tyre sigurisht se shumçka do të shkonte ndryshe.
Roli i Partisë së punës së Shqipërisë
Roli i PPSH-ës në ngjarjet në Kosovë ishte dytësorë. Makineria propagandistike e shtetit shqiptar ndikoi përmes kulturës dhe muzikës, historisë dhe letërsisë të forcohej besimi i shqiptarëve në vetëvehten dhe të luftohej kompleksi i vlerës së ulët dhe paaftësisë për t’i dol zot interesave të veta. Njëkohësisht PPSH luante para demonstratave të vitit 1981 edhe rol destruktiv duke dhënë orientime të gabuara për shqiptarët e Kosovës. Për shembull PPSH luftonte vetadministrimin jugosllavë dhe kërkonte nga shqiptarët e Kosovës që krah për krah me popujt e Jugosllavisë ta luftonin atë dhe të ndërtonin një sistem të centralizmit demokratik. Vetadministrimi, apo vetëqeverisja siç quhej në Kosovë u mundësonte shqiptarëve për t’i ikur centralizmit për të cilin serbët ishin shumë të interesuar.
Megjithatë pas ngjarjeve të vitit 1981, që nga data 8 prill 1981, PPSH dhe Qeveria Shqiptare luajtën rol konstruktiv duke mbështetur programin e PKMLSHJ-ës si zgjedhje të vetme të mundshme në situatën aktuale. Roli i Shqipërisë në afirmimin e kërkesës për republikë në qarqet ndërkombëtare ishte i madh, sado që Qeveria Shqiptare, për shkak të pozitës në të cilën ndodhej, nuk arriti të krijoj mbështetje të shteteve të cilat do ta përkrahnin kërkesën për republikë.
Faton Topalli
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|