Endri
Moderator

Regjistruar: 03/01/2003
Vendbanimi: Today
Mesazhe: 1498
|
Prifti: “Projektbuxheti 2005, më i keqi pas ‘97”
Prifti: “Projektbuxheti 2005, më i keqi pas ‘97”
Ervin Qafmolla
TIRANË-Deputeti i LSI-së Dritan Prifti ka kritikuar dje paketën fiskale dhe projektbuxhetin 2005 në një analizë të publikuar në shtyp. Gjithashtu ai ka dënuar edhe rritjen e çmimeve të bërë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare. Sipas Priftit, buxheti i vitit 2005 që qeveria ka sjellë për aprovim në Parlament, pa asnjë hezitim mund të quhet buxheti më i dobët që hartohet nga qeveria pas vitit 1997. Deputeti i LSI-së ka deklaruar se nga ana formale ky buxhet nuk është i denjë as për një detyrë kursi të një studenti të Fakultetit Ekonomik. Sipas tij, vihet re një konfuzion shifrash, një tendencë për të fshehur dështimet dhe një mungesë e theksuar sinqeriteti dhe profesionalizmi në argumentimet për rritjen ekonomike, evazionin fiskal apo rritjen e pagave. Prifti u shpreh se “ndryshimet e bëra në paketën e re fiskale për të ndihmuar biznesin, kanë qëllim të vërtetë ndihmën ndaj disa bizneseve të veçanta, ndërkohë që duket se janë harruar plotësisht shtresat më në nevojë”. “Ulet tatim fitimi për bizneset nga 25 në 23% me pretekstin se do të lehtësohet barra fiskale mbi firmat, ndërkohë që tatim fitimi do të vazhdojë të kërkohet paradhënie në mënyrë arbitrare nga zyrat e tatimeve”, -tha Prifti. Sipas tij, të gjitha bizneset janë të sigurtë që zyrat e tatimeve do t’u kërkojnë atyre më shumë tatim mbi fitimin se në 2004, pa marrë aspak parasysh që është bërë një ndërhyrje në ligj që ul vlerën e tatim fitimit. Gjithashtu, deputeti i LSI-së thekson se në paketën e re fiskale ka kthim mbrapa në procesin e decentralizimit të pushtetit vendor, sepse taksa vendore mbi biznesin e vogël, që do të fillonte të mblidhej nga pushteti vendor në 2005, propozohet të anulohet dhe të mbetet në përgjegjësi të zyrave tatimore. Duke folur për taksën e biznesit të vogël ai ka thënë se “vetëm në këto muaj të 2004, kjo taksë është vjelë 107%, me mjete dhune dhe arbitrare. Deputeti i LSI-së bëri të ditur se rreth 910 milionë lekë më shumë se plani janë arkëtuar nga biznesi i vogël, në një kohë që deficiti në mbledhjen e të ardhurave nga qeveria në 2004 është 12 miliardë lekë, të ardhura që nuk janë mbledhur nga bosët e kontrabandës dhe korrupsionit. “Qeveria nuk ka pse i merr biznesit të vogël më shumë se ç’duhet, dhe nuk duhet të godasë këtë biznes që mban të punësuar 70% të popullsisë, për të kompensuar lëshimet korruptive që u bëhen bosëve të mëdhenj”, -deklaron deputeti i LSI-së. Gjithashtu, duke krahasuar rritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve, ai ka theksuar se “asnjëherë në historinë moderne shqiptare nuk ka pasur asnjë vit buxhetor ku të ardhurat të rriten kaq pak (2.4%) dhe shpenzimet kaq minimalisht (1.9%)”. “Buxheti i vitit 2005 nuk paraqet asnjë fushë prioritare, sepse pothuajse në të gjitha fushat, investimet bien ose nuk rriten aspak dhe qeveria deklaron me zë të lartë prioritete si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, kurse në anën tjetër, nuk tregon aspak vëmendje për të treguar me shifra konkrete se këto sektorë vërtet janë prioritarë”, -përfundoi deputeti Dritan Prifti.
BUXHETI 2004 BUXHETI 2005 % e RRITJES
TE ARDHURAT 164 miliardë lekë 168 miliardë lekë 2.4 %
SHPENZIMET 206 miliardë lekë 210 miliardë lekë 1.9 %
DEFICITI 42 miliardë lekë 42 miliardë lekë 0
INVESTIMET 2004 2005 diferenca
INVESTIMET GJITHSEJ 47 miliardë lekë 49 miliardë 2 miliardë
BUJQESI 4.5 miliardë lekë 4.5 miliardë lekë 0
TERRITOR/TURIZEM 9.8 miliardë lekë 9.1 miliardë lekë -700 milionë
TRANSPORT 13.2 miliardë lekë 12.5 miliardë lekë -700 milionë
ARSIM 4.7 miliardë lekë 4.5 miliardë lekë -200 milionë
SHENDETESI 3 miliardë lekë 3.3 miliardë lekë +300 milionë
PUSHT. VENDOR 350 milionë lekë 234 milionë lekë -116 milionë
PUNESIM 699 milionë lekë 676 milionë lekë -23 milionë
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|