Tulipani
< ArtHolic >

Regjistruar: 12/01/2007
Vendbanimi: Secret Garden
Mesazhe: 4717
|
Bashkangjitje: img.jpeg
Ky file është shkarkuar 18 herë.
Shekulli
Të bësh postprodhimin e një filmi jashtë vendit është mundim që s’ka regjisor shqiptar që s’e ka hequr. Ka qenë edhe për Saimir Kumbaron, për filmin e tij “Ne dhe Lenini”. Faji i infrastrukturës që mungon. Me pak vizion dhe besim do ta kishte edhe Shqipëria në Albafilm Studio ku në vite nuk është kryer asnjë investim.
Për çdo film afro 100 mijë euro dalin jashtë Shqipërisë
“Duket utopi, por duhet filluar që tani. Po “ua japim” paratë të huajve dhe nuk po investojmë në infrastrukturën e kinemasë sonë”. Përfundimi i regjisorit Saimir Kumbaro vjen nga përvoja me filmin në proces “Ne dhe Lenini”.
Autori i “Koncert në vitin ‘36” dhe “Vdekja e kalit” tregon se çfarë torture është për të dhe në përgjithësi për regjisorët shqiptarë, faza e postprodhimit të filmit e cila kryhet pothuajse e gjitha jashtë vendit. Këtu ngec puna.
Projekti filmik “Ne dhe Lenini” i xhiruar në pesë javë më 2007, është një prodhim shqiptaro – franko - maqedonas. Për herë të parë Ministria e Kulturës e Maqedonisë, ka pranuar të marrë pjesë dhe të mbështesë një prodhim shqiptar. Është financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë me vlerën 300 mijë euro, pa llogaritur 130 mijë euro të cilat Kumbaro i fitoi si regjisor nga Fondi i Jugut (Francë), falë politikës që ka ndjekur deri para pak vitesh Ministria e Jashtme Franceze për të zhvilluar kinematografinë e vendeve frankofone dhe të Evropës Juglindore, politikë që sot është ndërprerë.
Një pjesë e buxhetit shkon për nevojat e postproduksionit të cilin Kumbaro aktualisht po e bën në Francë, “tregu i përbashkët” për shumicën e filmave shqiptarë të realizuar në bashkëprodhim me të huajt, në këto dhjetë vite.
Bashkëprodhimi, dmth, producentët e huaj i “imponon” regjisorit shqiptar shërbime speciale si kamera, laboratorë, montazh, zëra që kanë një buxhet të madh. “Nuk është puna se regjisorët shqiptarë zgjedhin të huajt ngaqë janë më profesionistë, por ngaqë producentët e huaj na imponohen me shërbime që ne nuk mund t’i kryejmë”,- thotë Kumbaro.
Filmit “Ne dhe Lenini”, montazhi, miksazhi dhe pastrimi i zërit i kanë kushtuar 45 mijë euro. Edhe një herë sa kaq kanë kushtuar kamera, sistemi i ndriçimit dhe teknika.
“Janë 45 mijë euro që unë i kam hedhur në Bullgari. Janë para të taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që këto mund t’i hidhja në Albafilm Studio. Nëse infrastrukturën do ta gjeja në AlbaFilm, atëherë do të kërkoja nga të huajt vetëm shërbimin me operatorë, inxhinierë zëri dhe teknikë, elementë që hë për hë nuk mund t’i gjejmë në Shqipëri”.
Sipas hesapeve të Kumbaros për një buxhet të filmit shqiptar që me zor i mbërrin 400-500 mijë eurot, janë vërtet shumë ato 100 mijë euro që dalin jashtë për qiratë:
kamera, set dritash, karelë, ekran etj, afro 50-60 mijë euro;
dhe pastrim zëri, montim zëri, dublim zëri, dublim zhurma, miksazh – afro 50 mijë euro. Janë blerje që rrisin buxhetin e filmave shqiptarë.
Ka ardhur koha që njerëzit që merren me administrimin e kinematografisë dhe proceseve të saj në Shqipëri të shtrojnë disa çështje për diskutim të cilat do kërkonin mbështetje nga qeveria dhe zgjidhja mund të vinte vetëm prej saj. Por në radhë të parë duhen hedhur idetë nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe Alba Film Studio, fosilja e dinosaurit Kinostudio ku prej vitesh nuk është kryer asnjë investim.
Ka ardhur koha të mendohet për atë lloj infrastrukture të kinemasë shqiptare e cila në formën që e përshkruan regjisori Saimir Kumbaro, mund të duket utopi. Sipas tij“infrastruktura e shkatërruar në Alba Film mund të vihet në eficiencë. Nëse bizneset e mediave që janë vendosur sot në ato ambjente e kuptojnë se me një investim prej 400 mijë eurosh do t’i shërbenin postproduksionit kinematografik dhe televiziv, do krijohej mundësia që i gjithë produksioni të bëhej në vend. Madje mund të tërhiqeshin edhe producentët e huaj të kryenin shërbime tek ne, meqë në vendet e tyre çmimet për shërbimet që thashë janë shumë të larta”, shpjegon Kumbaro. “Ne xhirojmë në vit 2 filma artistikë, disa filma të shkurtër, disa dokumentarë dhe vizatimorë. Kinematografia shqiptare do të ndodhet shumë shpejt në një kolaps. Pse? Sepse QKK jep vetëm 70% të buxhetit për prodhim, 30% regjisorët dhe producentët duhet t’i gjejnë vetë, gjë që është tepër e vështirë. Prandaj kërkoj që të jemi më vizionarë për të ardhmen. Blerja e dy kamerave, investimi për postproduksionin do të ulte ndjeshëm shpenzimet e prodhimit. Investime të tilla për kinematografinë zor se bëhen nga privatë. Duhet një mbështetje nga qeveria.”
Kumbaro kujton që disa herë, ish-drejtorë të Alba Filmit kanë bërë publike projekte për fjala vjen një studio zëri, investim i parashikuar në kufijtë e 300 mijë eurove. Një projekt i tillë i është dorëzuar para pesë vitesh ministrit të Kulturës të asaj kohe nga drejtori i Alba Filmit, Kujtim Gjonaj. Nuk u bë asgjë.
Këto kushte e kanë çuar kinemanë shqiptare në udhëkryq. Ky është mendimi i regjisorit dhe sipas tij ky është udhëkryq financiar. “Ndërkohë që në botë filmi më pak i kushtueshëm është 1 milion euro, ne bëjmë film me 400 mijë euro. Në variantin e parë të filmit nisa që t’i bëj titrat në sfond të gjallë. Ndërrova mendje, është aq i kushtueshëm sa vendosa t’i fus titrat në sfond të zi. Është një buxhet që ndikon në cilësinë e filmit.”
Çështja e buxheteve nuk është thjesht financiare. Është çështje edhe politike, konkurrimi dhe përfshirje e kineastëve tanë në struktura ndërkombëtare si për shembull është Euroimage-i ku janë anëtarësuar të gjitha vendet e Europës. Ka mbi dhjetë vjet kjo historia e anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën kinematografike evropiane ku projektet filmike që aplikojnë në QKK, mund të gjejnë mbështetje të mirë edhe në Euroimage. Por kjo nuk ka për të ndodhur për aq kohë sa vendi ynë nuk plotëson kriteret që për të keqen tonë kanë të bëjnë me gjendjen përtokë të infrastrukturës në kulturë. Dhe siç thotë Kumbaro “mund të bëhemi pjesë në Euroimage nëse zoti Rama do të çlirojë dy kinematë, “Agimin” dhe Kinema “Dajtin”. Sepse një nga kushtet është që duhet të kesh një numër të caktuar sallash kinemaje.”
Si në një reaksion zinxhir, frika është se edhe po i patëm ato salla kinemaje, njerëzit nuk kanë për të shkuar. Edhe dashuria për artin është e dyshimtë.
Filmi
Lenini nuk ka vdekur, ai jeton në një shtëpi pleqsh në Shqipëri.
- Zoti Lenin! A do t’i thuash ministrit të na sjellë një doktor?
- Shoku Lenin! A mund të na i rrisësh pensionet se këto para që marrim nuk na dalin as për ilaçe?
- Tavarish Lenin! Vetëm ju mund ta anulloni vendimin që shtëpia jonë mos t’i kthehet pronarit.
Janë këto disa nga dialogët e filmit ku pleqtë kërkojnë t’iu vihet e drejta në vend. Strehën e tyre “Lulet e vjeshtës” ku ata kanë futur kokën kërkon t’ua marrë një “bos” ndërtimesh që përkrahet nga një ministër. Adil Kakavijaka falsifikuar letrat por pleqtë nuk arrijnë të gjejnë të drejtën. Një ditë, ata shohin në Tv një fragment nga drama “Orët e Kremlinit” ku aktori Llazar Korita (Lazër Filipi) që interpreton rolin e Leninit nuk dallohet nga i vërteti. Fillojnë ankesat dhe kërkesat. Por a do të arrijë Lenini t’iu plotësojë dëshirat?
Interpretojnë aktorët Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Mehdi Malko, Hajrie Rondo, Leon Çino etj.. Skenari është shkruar nga Ruzhdi Pulaha.
-----------------------------------
Sa keq te vjen qe ne ne Shqiperi diskutojme ende gjera te tilla. Ne vend qe regjizoret te mendojne si te arrijne te realizojne nje film sa me te mire duhet te merren dhe sa cent i ka ngelur qe te perfundoje filmin .
Sa here permendet shteti kemi nje deshtim, vazhdojme te ecim me idene se arti eshte i parendesishem e ha vec para. Dhe per sa kohe do kemi mendimet e mbrapshta se ndryshimet behen vec me politike?
__________________
"Sono gli altri le strade, io sono una piazza, non porto in nessun posto, io sono un posto"
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|