Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Diskutime Shoqërore > Realiteti shqiptar te ben te hidherohesh!
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
trojani
Veteran ne forum

Regjistruar: 20/12/2003
Vendbanimi: danimarke
Mesazhe: 900

Realiteti shqiptar te ben te hidherohesh!

Marre nga gazeta Shekulli

06/01/05


Aleksandri Kombi dhe nderi!


Përparim Kabo

Ka disa javë që në kinematë më në zë të Europës shfaqet filmi Aleksandri i Madh, (Alexander the great). Nuk pata fatin ta shoh në periudhën e Krishtlindjeve sepse miqtë që më shoqëronin preferuan një film dite. Doja ta shihja atë film sepse ndoshta autorët mund të kishin përmendur faktin që ai përpara ushtarëve të ardhur nga populli i tij fliste një gjuhë të vecantë, atë të nënës, shqipen dhe betohej vetëm në atë gjuhë. Ndoshta do të flitej edhe për faktin se kur mbërriti në Azinë e thellë ata që e pritën, i thanë:
-Mirëserdhe bir, se para teje, këtu, kanë qenë të parët e tu! Aq sa studiuesi Aristidh Kola arvanitasi i Greqisë e përdor këtë si argument që nuk duhet folur për gjuhë indoeuropiane, por euroindopiane. Për një gjë jam i sigurt, se asnjë aktor shqiptar nuk luan në atë film. Ne nuk kujtohemi jo e jo, të xhirojmë ndonjë film për të, qoftë edhe dokumentar, braktisje kjo që ka mbuluar edhe Skënderbeun i cili bën 600 vjet që ka lindur, edhe Buzukun, “Meshari” i të cilit bën 450 vjet këtë vit, por Nënë Terezën e Bajram Currin, Shtjefën Gjeçovin apo Eqerem Çabejn.
***
Më ngacmoi kjo temë shqetësuese, sepse sot bëhen plot 85 vite kur lindi një tjetër Aleksandër dhe tek përmend emrin e tij, fushat e betejës tkuren dhe kthehen në skenë teatri dhe sheshxhirimi për filmat. Personazhet historik shndërrohen në figura artistike të teatrit dhe kinematografisë, ngjarjet në drama teatrore apo epope filmike të paharruara. Pra, pikërisht në atë vit 1920, kur Europa rregullonte marrëzitë e Luftës së Parë Botërore, më e çmendur dhe më e pamotivuar, kur në Lidhjen e Kombeve një president amerikan fliste edhe për të drejtën e kombeve dhe vendeve të vogla. Atë vit kur disa patriotë shqiptarë mes tyre edhe një djalë i ri që më vonë rezultoi Mbreti i Shqipërisë dhe shkroi historinë duke e shndërruar Shqipërinë nga një vend fisnor në një shtet me administratë ligjore, në atë kohë pra, kur Tirana u shpall kryeqytet dhe Shqipëria mbeti kjo që kemi sot gjeografikisht, erdhi në jetë Aleksandër Prosi, artisti i madh i kombit shqiptar, i dyti në radhën e Aleksandërve të skenës, pas Aleksandër Moisiut. Sot do të ishte 85 vjeç. Hijerëndë, i thinjur dhe me atë profil të mrekullueshëm në galerinë e personaliteteve që ndihmuan kombet e tyre të ngriheshin dhe emancipoheshin si De Sica në Itali, Iv Montan në Francë, Lorenc Oliveri në Angli apo Antoni Kuin në SHBA.
Po këtë vit bëhen plot 20 vjet, që është ndarë nga jeta. Ishte 24 Marsi i vitit 1985. Të gjithë e ndjemë humbjen e parakohshme dhe në rrethana tragjike ku kishte shkuar të xhironte filmin e radhës në kulmin e pjekurisë artistike. 100 role në teatër dhe kinematografi e kishin bërë Sandrin të magjishëm. Zëri i ngrohtë, realizmi, kurajua për të vërtetën, gjallëria njerëzore, artikulimi i fjalës, të jetuarit me rolin e bënin të mbyllej në vetvete brenda mureve të shtëpisë kur meditonte, e bënin një individ artistik unikal. Prosit i shkonte ajo që Moisiu thoshte për veten: “Kurrë nuk jam mësuar të shtirem. Moisiu luan Moisiun”. Nuk gabojmë po të themi Prosi luante Prosin.
Në vazhdën e Aleksandrit tonë të parë të skenës, Prosi kishte një të folur skenik të plotë, të pastër, me zë karakteristik solid dhe artikulim të mrekullueshëm. Zëri teatror, në përgjithësi tek aktorët tanë i ngarkuar me muzikalitetin e gjuhës sonë dhe intonacionin e fonetikës së pasur.
Para disa kohësh, drejtuesja e një shtëpie botuese më dhuroi një CD ku ishte regjistruar “Lahutën e Malësisë” e recituar nga Reshat Arbana. Kur e dëgjon të bujon gjaku dhe frymëmarrja të mbahet në pezm. Shqipja është pasuria jonë më e madhe dhe lëvruesit e saj janë rapsodët më të çmuar dhe më fisnikë. Aleksandër Prosi ishte një nga ata, ashtu si Naim Frashëri, Bexhet Nelku, Pjetër Gjoka, Gjon Karma, Marie Logoraci, Behije Çela, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, por zërat e tyre kanë humbur në harresë, ndërsa, për këta që janë në jetë, askush nuk kujtohet t’i arkivojë si pasuri kombëtare.
Nuk thonë kot se mallkimi më i madh është “Të humbtë zëri!”. Sepse zëri është ndërgjegjia e parë, kujtesa e parë, teatri i parë, muzika e parë, filozofia e parë. Sot në 85 vjetorin e Aleksandër Prosit nëse në një lojë “Gines” të gjithë televizionet private, kinematë në të gjithë Shqipërinë, teatrot profesioniste dhe amatore, do të vendosnin të shfaqnin filmat ku ka luajtur Prosi apo të vinin në skenë pjesë teatrore ku ai ka interpretuar, do ta kishin të pamundur, sepse ato janë aq shumë. Ndërsa humori “gines” vjen në këtë situatë, sepse askush nuk kujtohet. Mbase “Tirana 2000” stacioni televiziv që transmeton filma shqiptarë, mund të transmetojë sonte një të tillë, veç nëse do ta dinte që sot është ditëlindja e Aleksandër Prosit. Edhe “Top shoë” mund të flasë për çfarëdo lloj teme interesante ose jo të tillë, por kurrësesi për artistin.
Para disa kohësh pata rastin të shihja në një stacion televiziv francez një emision special për Frederiko Felinin me rastin e përvjetorit të vdekjes. Kishte inçizime direkte, biseda të hapura, por edhe nga sheshi i xhirimit, botime të tij, botime për të, dokumente arkivale, shtëpitë muze ku kishte jetuar. Ndaj para se të shkruaja këto rradhë hapa Fjalorin Enciklopedik të shqipes. Për Aleksandër Prosin kishte pesë fjalë të thata, varfëri e vdekur. Emri jo i saktë, sespe atje quhet Sandër dhe jo Aleksandër, vendlindja shkruhet në Tiranë. Ndërsa ai ka lindur në Shkodër. Po, Aleksandër Prosi ka lindur në Shkodër, ku nëna e tij shkodrane ndodhej për vizitë, ndërsa i ati zanatçi dhe tregtar i vogël, ishte nga Tirana, me origjinë nga komuniteti i vyer i arumunëve ose llacifacët e Tiranës si edhe quheshin ata. Me sa duket artisti i ardhshëm priti që Tirana të shpallej kryeqytet pastaj të bënte këmbë në qytetin ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës, shkoi në Austri ku studioi dy vjet mjekësi, deri sa, iu ndërpre bursa dhe u kthye, në një ditë të shënuar, (që është harruar tani më) 11 Janar 1946 megjithëse ende Shqipëria është nga forma e regjimit, Republikë. Aleksandër Prosi fliste katër gjuhë: shqip, vllahisht, gjermanisht dhe italisht. Që i vogël kishte pasion filmat dhe mblidhte me kujdes e pasion negativat e filmave dhe i ruante me fanatizëm, aq sa ra nga mësimet. Pra kinemaja krijoi tek ai filozofinë e artistit. Përmes intuitës artisti Prosi dha gjithçka në artin e aktrimit, sepse ishte jeta e tij e vërtetë. Eshtë viti 1948 kur ai paraqitet në teatër, ku e shpuri vëllai i tij mjek, por të filluar një lloj tjetër mjekimi atë shpirtëror, virtual dhe estetik, kujdes që kuronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve që i bënte spektatorët të mendonin gjatë kur dilnin nga teatri, apo të humbnin gjumin kur sillnin në mendje fjalët e tij brilante në rolet filmike. Zëri i tij kishte muzikën e ndjenjës njerëzore, sepse Prosi kishte qënë violinist dhe kishte studiuar me mjeshtrin Ludovik Naraçi i cili ishte përgatitur në Shkollën Çeke nga profesori i madh Shevçik një nga mjeshtrat botërorë të violinës. Prosi kishte kënduar edhe në korin e Filarmonisë së Shtetit përpara se t’i futej aktrimit. Ndërgjegjia e tij artistike ishte e pasur, sepse ai ishte edukuar me Vagnerin (shpirtin gjerman) dhe me Shubertin të cilët i kishte për zemër, por dhe me Verdin dhe lirikët italianë në përgjithësi. Ai kishte një fonotekë të pasur në shtëpi dhe tingujt që vinin nga disqet e vjetër e bënin të ndjehej i mbushur dhe gjithnjë në pathos. Arti teatror gjeti tek ai një profil të formuar intelektual… Kjo ndodh me të gjithë ata që jetojnë një jetë dhe vdesin vetëm njëherë si njerëz, por që dinë të lindin, vdesin dhe rrojnë në aktrim si individë të ndryshëm. Ëndrrën e tij për t’u bërë violinist nuk e mbërriti dot as në brezin e dytë, sepse të dy djemtë muzikantë do të bësheshin njëri violonçelist, tjetri violist. I regjistroi në shkollë muzike, sepse i pëlqente ky kult abstrakt, por fisnik, larg propagandës dhe më afër përsiatjes shpirtërore. Hermetizmi i saj të siguronte më mirë në atë sistem okult.
I dashur Aleksandër, bashkë jemi takuar vetëm një herë, krejt rastësisht, dhe shkëmbyem dy fjalë intime. Ti puthe një dorë gruaje me të cilën kishe punuar në shumë filma. Ka disa kohë që ndjek nga afër Aristidhin, djalin tënd, violonçelistin që ti e shpure atë shtator tek shkolla “Kongresi i Përmetit” të studionte për violinë.
Ai luan mrekullueshëm. Ka një tingull të pastër dhe të ngrohtë dhe një teknikë korrekte prej matematicieni. E dëgjova së fundmi tek Vivaldi, në “Stinën e dimrit”, kur dialogonte me një violinë brilante të shkollës gjermane. Ishte një duet perfekt. Një ditë Aristidhi më tha: “Duhet të iki. Po bëjmë varrin e babit”. Dhe zëri iu mallëngjye. Fjala “babi” dhe disa fjalë të tjera më prekën shumë… Jetojmë kohë çudirash, Sandri, sepse me shtëpinë tënde të vërtetë, Tetarin Popullor, ka patur disa histori makabre, gati horror. Një herë e ndanë në copa dhe i ndërruan emrin. Histori e vjetër si në kohën kur Peran***** Osmane pushtoi Shqipërinë e na ndërroi emrat dhe besimin fetar. Pastaj na llahtarisën se po vinte zjarri dhe do të digjeshim, por varka e Noes ishte gati të na shpëtonte. Kishin ardhur ndërtimtarët që do të ndërtonin pallate dhe do të jepnin nja 2-3 kate për strehim për teatrin. Pastaj erdhën “kujtes-heqësit”. Ata që thonë se nuk kemi pasur teatër dhe kinematografi, paçka i dashur Aleksandër, se tek ato dhoga që mbushën 60 vite jetë, vitin që shkoi, ishte luajtur edhe Shekspiri, edhe Gogoli e Çehovi, edhe Ibseni e Sebastiani, edhe Spiro Çomora e Vedat Kokona, edhe Minush Jero e Fadil Paçrami, Dritëro Agolli e Ismail Kadare. Por “kryekujtes-heqësi”, “këshilltari i lartë” deklaroi: “Në pritje të Godosë”, sepse sot fillon teatri. Jam i sigurtë se në ato kohë dhe sot e gjithë ditën, varret iu janë vidhisur nga dhimbja. Pa teatrin ju nuk duhet të quheni se keni ekzistuar dhe histori nuk paskërkemi pasur, kujtesë jo e jo, pra ka qenë një kohë pa kohë, kur të gjithë merrnim vetëm frymë. E gjithë kjo vlen për një teatër absurd të luajtur mes nesh si komunitet. Sepse të dy shtëpitë që pate i nderuar Aleksandër Prosi, nuk ishin të tuat, u doli pronari dhe nuk ka një shtëpi muze për ty. Sot në 85 vjetorin tënd të lindjes nuk ka një botim për ty, nuk ka një album me rolet e tua apo studime akademike për personalitetin tënd.
Veçse të gjithë të përdorin si Dhaskal Todër dhe Ismail Qemal, si mjekun e periudhës së luftës, apo profesorin e “Dorës së Ngrohtë”. Të pëlqejnë si daj Vrana dhe të admirojnë si kapiten i digës, të admirojnë si gjeneral i ushtrisë së vdekur dhe habiten me inxhinierë Sharën e Kënetës. Madje ka nga ata, që nuk e dinë nëse je gjallë apo ke vdekur, sepse ti për ata, je i vdekur nëse vdes në film dhe je i gjallë nëse mbetesh i tillë në fund të tij.
I dashur Aleksandër, jam i sigurtë se po t’i dëgjoje këto fjalë do ta ndaje përgjysmë cigaren “Partizani” si aso kohe, dhe do ta pije kafen me shokët tek “Volga” para shfaqjes, që të mblidhje veten dhe do të më thoshe: Jam i nderuar që i takoj kombit shqiptar dhe krijoj e interpretoj art për të, ky është nderi më i madh.”
Të falemnderit Artisti i Popullit Aleksandër Prosi!

Somario
E gjithë kjo vlen për një teatër absurd të luajtur mes nesh si komunitet. Sepse të dy shtëpitë që pate i nderuar Aleksandër Prosi, nuk ishin të tuat, u doli pronari dhe nuk ka një shtëpi muze për ty. Sot në 85 vjetorin tënd të lindjes nuk ka një botim për ty, nuk ka një album me rolet e tua apo studime akademike për personalitetin tënd.

Titull rezervë
Prosi luante Prosin



06/01/2005

__________________
Dite me te mira pasketaj vine
shkoi erresira

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 07 Janar 2005 02:33
trojani nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të trojani Kliko këtu për të kontaktuar me trojani (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: trojani Shto trojani në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto trojani në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 02:48 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Diskutime Shoqërore > Realiteti shqiptar te ben te hidherohesh!

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.