edzaloshnja
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 30/09/2003
Vendbanimi: SHBA
Mesazhe: 83
|
“Partia e të pakënaqurve” thërret “MJAFT!”
Nga CATHERINE A. FITZPATRICK
Analiste e Radios "Europa e Lirë"
Ka shenja se si në Gjeorgji e Sërbi, një lëvizje e re rinore po lind kohët e fundit edhe në Shqipëri. Kjo lëvizje po përpiqet të tërheqë publikun në luftën për kauza sociale ndërkohë që po mban distancë nga partitë e diskredituara politike.
Lidhja e të Rinjve Ballkanikë dhe Shoqata Kombëtare Shqiptare e Debatit nisën vjet një fushatë për sensibilizimin e publikut mbi nevojën për t’u përfshirë në debatin rreth çështjeve të tilla si parandalimi i trafiqeve ilegale, lufta kundër korupsionit, ndalimi i gjakmarrjes, dhe ulja e tarifave të energjisë elektrike. E quajtur “MJAFT!”, dhe me një dorë të ngritur sikur do të thotë “ndal” si sigël të saj, fushata u zhvillua në formën e mbledhjeve në salla të mbyllura dhe të protestave në rrugë në përpjekje për t’i bërë qytetarët më aktivë në kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Me “financim të konsiderueshëm” nga Hollanda (sipas faqes së internetit të OSBE-së për Shqipërinë), si dhe me mbështetje nga ambasadat amerikane, angleze e gjermane, Fondacioni për Shoqëri të Hapur, dhe programet e OKB-së, MJAFT-i, ashtu si lëvizje të tjera të ngjashme në rajon, ka varësi financiare nga qeveritë perëndimore e organizatat ndërkombëtare dhe, si rrjedhim, është e kufizuar në magnitudën e radikalizmit të saj.
Duke përdorur një kombinim të humorit me pasionin serioz të ilustruar me fotografi dhe grafikë artistike, faqja e MJAFT-it në internet (mjaft.org) është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të tërheqë të rinjtë. Në faqen e MJAFT-it gjëndet ky paralajmërim ironik: “Kjo faqe është vetëm për qytetarët aktivë. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për asnjë pakënaqësi që mund t’i sjellë zyrtartëve të korruptuar dhe qytetarëve indiferentë. Në qoftë se mendon se të jesh një qytetar aktiv është një barrë, kthehu në apati dhe na dërgo një kartolinë nga koha e gurit.”
MJAFT-i është përqëndruar në adresimin e plagëve më të dhimbëshme të shoqërisë Shqiptare me një nivel të ndjeshëm rezonance në publik. Në 10 janar, një gomone e mbingarkuar me shqiptarë që përpiqeshin të shkonin ilegalisht në Itali u mbyt midis dallgëve dhe erës së furishme në zonën e Vlorës. Megjithëse policia shqiptare kërkoi ndihmë nga NATO dhe Italia, 21 veta vdiqën dhe vetëm 11 mbijetuan. Të shpëtuarit i deklaruan Associated Press se ata e ndërmorrën atë “udhëtim të çmendur” sepse vizat e tyre për punë bujqësore në Itali kishin skaduar dhe qeveria Italiane nuk kishte pranuar t’i rinovonte më.
Pas kësaj tragjedie, MJAFT-i organizoi proçesionin “20.000 qirinj” para Kryeministrisë për tre ditë dhe i inkurajoi njerzit të shkruanin mesazhe simpatie për viktimat. Ky aksion preku zemrat e publikut dhe një numër i madh njerëzish erdhën për të shprehur dhimbjen e tyre jo vetëm për jetët e humbura në tragjedinë e gomones, por edhe për të gjitha hallet kronike të Shqipërisë.
MJAFT-i duket të jetë një version i butë i lëvizjes së famshme rinore sërbe Otpor, e cila përdori parrullën “Gotov zhe” (Ai ka marrë fund) në fushatën për dorëheqjen e Milosheviçit, dhe kishte grushtin e mbledhur si sigël të vetën, duke frymëzuar kështu rininë në mbarë Europën Lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik. Kmara, lëvizja rinore e Gjeorgjisë që luajti një rol të rëndësishëm në fushatën “Ta heqim qafe Shevardnadzen” përdori versione gjeorgjiane të parrullës “Ai ka marrë fund”, dhe fushata e rinisë bjelloruse Zubr e ka mbushur Bjellorusinë me grafiti që shkruajnë “Ai ka marrë fund” për presidentin autokratik Lukashenka.
Më e butë, por sidoqoftë një lëvizje rinore si çdo tjetër në rajon që financohet nga donatorët perëndimorë për t’i shërbyer komunitetit nga ka lindur, MJAFT-i ka gjasa të mëdha të kthehet në diçka më serioze. Faqja e internetit të OSBE-së për Shqipërinë fokusohet në programet sensibilizuese të MJAFT-it; ndërsa faqja e MJAFT-it ka artikuj rreth protestës së fuqishme para Kryeministrisë dhe thirrjeve për dorëheqjen e tij. Drejtuesit e lëvizjes gjithashtu bëjnë edhe deklarata për t’u distancuar pa ekuivok nga dhuna dhe nga opozita politike. Mbetja në kuadrin e një lëvizje masive proteste që synon ndryshim pa u përzjerë direkt në politikë është në një farë mase rrjedhim i presionit të donatorëve, por edhe shenjë e deziluzionimit me politikën në Shqipëri.
Ndërsa Berisha përdori parrullën “Nano ik” në protestat e organizuara prej tij, drejtuesit e MJAFT-it vendosën të mos marrin pjesë në to, megjithëse disa nga përkrahësit e tyre mund t’i jenë bashkuar protestave dhe fryma e MJAFT-it ndihej qartë në to.
“Koha Jonë” komentonte në 13 shkurt se “MJAFT-i ka objektiva të ndryshme me të opozitës” E përditshmja theksonte se shqiptarët po pyesin vehten pse nuk po vazhdon MJAFT-i të protestojë për rritjen e çmimeve nga monopolistët shtetërorë dhe private, duke vënë në dukje se ata presin më shumë nga lëvizja se sa thjesht sensibilizimin e qytetarëve. “Lëvizja MJAFT është shndërruar tani nga një grup aktivistësh që synonte shkundjen e apatisë së shqiptarëve të thjeshtë, në një forcë që, edhe pse jo institucionalisht, përfaqson moralisht interesat e tyre.” - theksonte e përditshmja.
Udhëheqësi i MJAFT-it Erion Veliaj e dënoi dhunën e protestës së 7 shkurtit, duke thënë: “PD-ja nuk e sheh protestën si një mjet për përmirsimin e gjërave por si një mjet për të arritur qëllimin e saj – që është marrja e pushtetit nga Berisha." Duket se informacionet e fundit rreth shkeljes së të drejtave të njeriut nga qeveria e re gjeorgjiane që zëvendësoi atë të Shevardnazes mund të kenë zënë vend në koshiencën e shoqërisë civile edhe në Shqipëri.
Kur MJAFT-i protestoi në 16 janar rreth tragjedisë së Vlorës, “shqiptarët panë se egzistoka një grup të rinjsh e të rejash që dilka të protestoka jo për përfitime politike, por thjesht se iu dhemb shpirti kur shohin që bashkëatdhetarët e tyre, për t'i shpëtuar varfërisë së tejskajshme, përpiqen të kapërcejnë në mes të dimrit një det që ka bërë shumë kurbanë deri më sot.” - komentonte Koha Jonë. Më tej, ajo argumentonte se duke mos marrë pjesë në protetën e Berishës, MJAFT-i nuk po heshtëte; përkundrazi, drejtuesit e tij "po jepnin një mesazh të qartë e të fuqishëm" se ata nuk janë të lidhur me politikanët, dhe rrjedhimisht janë shumë më të besueshëm. "Berisha synon pushtetin, ndërsa MJAFT-i ka si objektiv të tij presionin e vazhdueshëm ndaj qeveritarëve (kushdo qofshin) në mënyrë që ata të përmirsojnë jetesën qytetarëve të thjeshtë." - theksonte e përditshmja.
Kështu MJAFT-i duket se po e paraqet vehten më tepër si një grup i shoqërisë civile se sa një opozitë politike, dhe akoma bën dialog me qeverinë, i cili dallohet nga toni i theksuar kritik. Në 29 janar, MJAFT-i ishte një nga grupet e shoqërisë civile që u takuan me Nanon për të trajtuar çështje të tilla si kthimi i studentëve shqiptarë në perëndim, raportoi Oneworld.com. Veliaj kërkoi të gjehen fajtorët e vërtetë të tragjedisë së Vlorës dhe gjithashtu këroi që Nano të kërkonte falje publike për "papërgjegjsinë dhe arrogancën e treguar nga institucionet shtetërore" në lidhje me problemin kronik të emigrimit.
Stili i ri i lëvizjes masive është "muzika e një 'partie' që po rritet vazhdimisht në 13 vjetët e fundit në Shqipëri -- 'Partisë së të Pakënaqurve'" komentonte Korrieri në 18 janar. Gazeta i përshkruante njerëzit e shumtë që vajtonin ndërsa ndiznin qirinjtë për të mbyturit në det si njerëz që "thërrisnin nga thellësia e shpirtit 'Mjaft!'"
Shqipëroi Eduard Zaloshnja
__________________
Mos i bej te tjereve ate qe nuk deshiron ta bejne te tjeret ty!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|