Klodel
.

Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Mesazhet e pathëna të zgjedhjeve
Mentor Nazarko
Tani që procesi zgjedhor ka prodhuar disa rezultate, mund edhe të nxirren disa mesazhe prej tij. Të vlefshme qoftë për fituesit, qoftë për humbësit.
Sipas të gjitha gjasave, Partia Demokratike rezulton partia e parë e këtyre zgjedhjeve. Të fitosh zgjedhjet me një prani të shtuar votuesish, pra me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, qoftë në Jug, qoftë në Veri, sigurisht i bën nder fituesit. Po të llogarisësh se ky fluks rritës është i përbërë më së pari prej të rinjsh, të lëkundurish, emigrantësh, njerëzish që nuk kanë votuar më parë apo kanë votuar pak, si pasojë e mosbesimit ndaj cilësisë së ofertës politike, kjo e shton vlerën e fitores me një pjesëmarrje kaq të madhe në votime. Të fitosh në qytetet më të mëdha të vendit, njëherësh dhe qytetet më të civilizuara të tij, si Tirana, Durrësi, Korça, Shkodra merita shton vlerën e vet dhe aq më shumë të marrësh dy në tri zona një një qytet si Vlora, ku kreu i opozitës ishte një nga figurat më të kontestuara. Kështu pra mund të thuhet pa frikë se PD-ja është fituesi moral i këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë nuk ka asnjë diskutim, që njeriu më i lumtur në rruzullin tokësor duhet të jetë kreu i kësaj partie, zoti Sali Berisha, i cili fitoi një bast tmerrësisht të vështirë me armiqtë e tij, që e quanin “pasuria më e madhe e tyre”, por ndoshta dhe me veten. Përkundër një tradite të konsoliduar ndërkombëtare, ku burrat e shtetit që largohen nga pushteti në rrethana të ngjashme me të tijat nuk rishfaqen më në pushtet, madje dhe në politikë, ai vjen në poltronën më të rëndësishme të shtetit, në një republikë parlamentare si e jona, pikërisht me një mbështetje të tillë të madhe që duhet ta bëjë përveç se krenar, shumë herë më të përgjegjshëm për besimin e marrë.
Një mesazh tjetër i rëndësishëm për këtë fitore, pavarësisht se zoti Berisha në një mënyrë të pakuptueshme e redukton si “fitore të linjës antikorrupsion”, është dhe fitorja e të rinjve dhe figurave të Komitetit të Orientimit të Politikave dhe në përgjithësi rezultati i shkëlqyer i tyre. Edhe atje ku ata humbën, ata sollën rezultate të shkëlqyera për partitë e tyre, në qendra urbane ku e majta ka dominuar historikisht. Rezultati i Apollon Baçes, gazetarit të shkëlqyer, që në fakt e kishte shkëputur pak kontaktin me mediat e mëdha, ishte i jashtëzakonshëm, dhe po ashtu ai i Neritan Sejaminit, Eris Hoxhës dhe i Besnik Aliajt në Sarandë, që luftuan kundër njerëzve më të fortë të pushtetit, apo figurave më të rëndësishme organizative të PS-së.
Po ashtu dhe fitorja mbi përfaqësuesit aq shumë të diskutuar, të anatemuar të monopoleve, të korrupsionit shtetëror, ishte një tjetër mesazh i rëndësishëm i fitores së Partisë Demokratike, që zoti Berisha me shumë intuitë e afishoi si arritje të madhe. U mundën njerëzit që kanë investuar shumë në fushatë dhe jashtë saj, investim që me sa duket, u injorua prej zgjedhësve me një pjekuri të jashtëzakonshme. Nëse do të ishte fituar dhe mbi Shpëtim Idrizin e Doganave apo Andis Harasanin e KESH-it, kjo lloj fitoreje do të ishte dhe më e shijshme, por me sa duket, përzgjedhja jo fort e studiuar e kandidatëve të opozitës përballë tyre, megjithëse aktivistë dhe militantë të vjetër, veç të tjerave nuk solli një fitore. Fitorja mbi këto figura ishte me një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen demokratike të vendit, veçanërisht fitorja në Durrës. Shqipëria rrezikonte të shndërrohej si republikat mafioze apo si Italia e Jugut gjatë qeverisjes demokristiane, ku vetëm revolucionet e armatosura mund të siguronin rotacionin ose operacionet e pushtetit gjyqësor të tipit “Duart e pastra”, një diçka e paimagjinueshme hë për hë në Shqipëri, të paktën në ato përmasa. Zgjedhjet do të bliheshin rregullisht prej politikanëve biznesmenë, kështu që do të kishim të njëjtin oligarki për një kohë të gjatë.
Pas kësaj stolisjeje dafinash mbi kokën e fituesit, mbeten për t’u analizuar dhe mesazhe të tjera.
Këto zgjedhje konfirmuan dhe një herë barazpeshën që ekziston midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri, palë politike që me shumë gjasa në momentin kur të kemi të dhënat përfundimtare, do të dalë se votat e kapitalizuara prej secilit front duhet të jenë përafërsisht të barabarta. Kjo do të thotë që potenciali për një rilindje reale të së majtës me simbole të tjera individuale dhe vlerash është i pranishëm. Takimet e tjera elektorale të radhës janë shumë afër, kështu që shija e hidhur e humbjes mund të tretet më kollaj. Për t’u përmendur këtu rezultati elektoral i partisë së zotit Meta, që është dëshmia më e mirë e potencialit të së majtës: brenda pak kohësh ai arriti të krijonte një parti konkurrente, e cila megjithëse e sulmuar egërsisht nga pushteti, arriti të thyente atë në shumë zona, duke siguruar një kapital të mirë themelor për të ardhmen. Nëse ai do të zgjerojë partinë edhe drejt qendrës, nëse do të thërrasë personalitete të tjera me autoritet brenda partisë, veprime që mund edhe t’i kishte bërë më parë, sigurisht që LSI-ja ka shanse për t’u rritur elektoralisht. Megjithëse partia më e diskriminuar, për shkak të presionit të qeverisë, diversionit të saj apo sistemit të Dushkut, rezultati i saj është i paprecedent, veçanërisht po të nisemi dhe nga koha e shkurtër e aktivitetit të saj politik. Ndërkohë nuk duhet konsideruar si shenjë e mirë për shëndoshjen e së majtës, fitorja e të ashtuquajturit “grup i Tepelenës”, të zgjedhur kryesisht në zona të sigurta, ku megjithatë u ngushtua diferenca midis fituesit dhe humbësit.
Berisha, i parë prej ndërkombëtarëve
Por ka dhe të hidhura që qëndrojnë pas këtyre zgjedhjeve. Bashkësia ndërkombëtare rezulton përgjithësisht skeptike ndaj rezultatit të tyre, sepse në të vërtetë ato nuk pritet të prodhojnë stabilitet të madh, për shkak të diferencës jo aq shumë të madhe në numrin e vendeve në Parlament, pasojë e sistemit zgjedhor që përcakton Kushtetuta dhe ndarjes së zonave, ndarje që favorizon të majtën. Në këtë pikëpamje, nëse nuk luhet mirë politikisht me aleancat, sigurisht jo duke tërhequr në karrocë dhe partinë e Milos, si pasojë e një opozite që pritet të jetë e fortë nga humbësit mbi argumente të tillë si revanshizmi etj., qeverisja e PD-së do të kërcënohej. Përgjithësisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka treguar shenja entuziazmi për produktin e këtyre zgjedhjeve, gjë që lidhet kryesisht me atë që është drejtuesi i opozitës fituese, zotit Sali Berisha. Nuk ka entuziazëm si ai që karakterizoi ndryshimet në vende të tjera të ish-Lindjes, si Gjeorgjia apo Ukrahina. Për t’u veçuar qëndrimi i segmenteve të rëndësishme të politikës apo institucioneve amerikane, që për të qenë realistë, ishin në mbështetje të konfiguracionit politik qeverisës apo nuk u kujdesën se vizita apo mesazhe të tyre do të keqpërdoreshin. E tillë ishte dhe prania e shefit të CIA-s dhjetë ditë para zgjedhjeve, që në rastin më të mirë duhej të dinte dhe të evitonte që ardhja e tij në Tiranë të përdorej politikisht. Të njëjtën shije la dhe përdorja që iu bë një figure të ndritshme proshqiptare siç është Bob Dol, në një mesazh misterioz, që sipas Geri Kokalarit, është servirur prej Brus Xheksonit, lobistit të njohur, ish-zëvendësshefi i fushatës së Dolit për president i SHBA-së. Duke konsideruar se përgjithësisht SHBA-ja nuk bën politikë me qendra të unifikuara apo dhe rezolutën e Kongresit që duhet konsideruar si tërheqje veshi për qeverinë, ekziston potenciali që gjithçka të përmirësohet ndaj fuqisë më të madhe politike dhe më miqësore ndaj shqiptarëve. Për më shumë që nuk besohet se SHBA-ja do të ftohet me Shqipërinë, për shkak të problemeve të dikurshme me Berishën. Gjithçka do të varet prej hapave politikë që do të hedhë ditët e para të qeverisjes së vet zoti Berisha, i cili me shumë dëshirë zgjedh 100-ën si Napoleoni për të karakterizuar sukseset e tij të dëshiruara politike me kostumin e kryeministrit. Pra prej tij duhet një pjekuri politike e jashtëzakonshme, e cila duhet treguar, më së pari, në qëndrimin që mbahet sot ndaj institucioneve zgjedhore që po vazhdojnë punën, ndaj institucioneve të pavarura dhe në qëndrimin e ashpër që duhet mbajtur ndaj atyre figurave të emigracionit të ri shqiptar që janë të kërkuara prej autoriteteve. Zoti Berisha duhet të tregojë vëmendje të madhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila nëpërmjet kritikave për procesin zgjedhor, që tani i bien atij në kurriz dhe jo humbësit, mund të kushtëzojë ecurinë e qeverisjes së tij: janë kritika që mund të përdoren si pretekst për të vonuar dhe procesin e integrimit, që në shkallë globale ka pësuar ngadalësim. Ai duhet të tregohet më i butë në fjalorin e tij politik, duke hequr dorë prej akuzave të egra që ka bërë deri më tani dhe duke i provuar ato. Vërtet Prokuroria është e pavarur, por ai ka detyrimin të furnizojë atë me prova të korrupsionit të tmerrshëm apo të krimeve të tjera të kundërshtarëve, për të cilat ka qenë shumë dorëlëshuar gjatë kohës që ka qenë në opozitë. Nëse zoti Berisha reagon ashpër ndaj lidhjeve të politikës me trafiqet, apo jep shenja modestie në marrëdhëniet me të huajt, -jo vetëm ndaj Greqisë, - me mediat, me opozitën asgjë nuk është e pamundur. Ai duhet të mbajë premtimin e tij kryesor për organizimin e zgjedhjeve të lira, “sado që të kushtojnë ato”, proces që lidhet, më së pari, me reformimin e zyrave të gjendjes civile, zyra të domosdoshme për rritjen e besueshmërisë së shtetit, të dokumenteve të identitetit të lëshuara prej tyre, të nevojshme dhe për përmirësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Zoti Berisha duhet të mbajë fjalën për të thirrur në qeverisje bashkëkohësinë, ashtu siç premtoi, që sigurohet nëse ai afishon në të figura të KOP-it apo të ngjashme me të, figura që do të amortizonin ndjeshëm skepticizmin ndaj tij. Berisha nuk duhet të jetë sentimental ndaj disa prej partive që hynë në Parlament thjesht prej tij, dhe duhet të shohë në këtë drejtim me një sy tjetër partinë e zotit Pollo, që ka marrëdhënie të shkëlqyera në Perëndimin. Nëse nuk lëvizet mirë në këtë drejtim, ka gjasa që gëzimi i fitores së arritur me kaq dëshirim, do të ishte tepër i shkurtër. Berisha e fitoi bastin me shqiptarët, tani duhet të rifitojë atë me Perëndimin.
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|