Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Analiza > Shqiptarëve më shumë se kurrë ju duhet të mendojnë se çfarë shteti ju nevojitet Vlerësimi i Temës: 4 votime, mesatarja 5.00.
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
Endri
Moderator

Regjistruar: 03/01/2003
Vendbanimi: Today
Mesazhe: 1498

Shqiptarëve më shumë se kurrë ju duhet të mendojnë se çfarë shteti ju nevojitet

Shinasi Rama: Shqiptarëve më shumë se kurrë ju duhet të mendojnë se çfarë shteti ju nevojitet


Intervistë Ekskluzive e Agjensisë së Lajmeve Kosovapress me Dr. Shinasi Rama, Professor i Shkencave Politike në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA. Ai ka qënë drejtues e organizues i Lëvizjes Studentore në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991 dhe njëri ndër themeluesit e drejtuesit e parë të opozitës kundër sistemit komunist në shtetin shqiptar. Gjatë Luftës së Kosovës ka qënë këshilltar për çështje politike i UÇK-së si dhe Këshilltar i Lartë për Çështje Politike i Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Kosovapress: Professor Rama, zgjedhjet parlamentare në shtetin shqiptar zhvillohen me 3 Korrik. Sa të rëndësishme mendoni ju se janë këto zgjedhje?

Profesor Shinasi Rama: Zgjedhjet parlamentare janë gjithnjë ngjarje me rëndësi për çdo vend e për çdo popull. Zgjedhjet përcaktojnë, para së gjithash, se kush do të drejtojë shtetin për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet qartësojnë edhe natyrën e lidhjes e individëve e partive të caktuara me votuesit e nivelin e besimit që votuesit kanë në prijatarët partiakë, pra shkallën e legjitimitetit të tyre.

Në kontekstin shqiptar, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse në një shtet jo aq të varfër por, fatkeqësisht, shumë të keqadministruar si shteti shqiptar, fati i klaneve politike varet nga niveli i kontrollit që ato kanë mbi shtetin si dhe nga mundësitë që kontrolli mbi shtetin ju krijon atyre për të mbijetuar politikisht e për t’u fuqizuar ekonomisht edhe më tepër se janë sot. Ky është niveli praktik ku duket se ndalen shumica e politikanëve në Tiranë. Për ne të tjerët, zgjedhjet janë të rëndësishme edhe pse ato do të tregojnë se deri ku e kanë mbështetjen e votuesve forcat politike ekzistuese dhe nëse ka ardhur koha e shumëpritun për ndryshime të vërteta. .

Mua më duket se është shumë me rëndësi që në këto zgjedhje në shtetin shqiptar të ngrihen forca të reja politike që do të dalin mbi ndasitë e manipuluara me kujdes nga paria e ashtuquajtur politike e Tiranës për ta drejtuar fatin e shqiptarëve në një rrugë më të mbarë e drejt një të ardhmeje të pastër e të begatë. Në një kohë jo të largët, kur do të vendoset se në cilën rrugë do të ecin të gjithë shqiptarët si popull, do të jetë shumë e rëndësishme se kush e drejton shtetin shqiptar sepse shteti shqiptar do të jetë pjesë thelbësore e zgjidhjes apo e problemit.

Kosovapress:Ky dimension shqiptar i këtyre zgjedhjeve, që ju e quani shumë të rëndësishëm, nuk duket se është i pranishëm në debatet e platformat politike në këto zgjedhje.

Profesor Shinasi Rama: Nuk është krejt ashtu. Ky dimension është i pranishëm edhe pse nuk e përflet kush dhe është i rrethuar me heshtje. Të gjithë politikanët shqiptarë, kudo që gjinden, janë ndeshur vazhdimisht me problemin e çështjes kombëtare shqiptare gjatë këtij eksperimenti të pambaruar politik qysh mbas përmbysjes së komunizmit e deri më tash; e këto të Tiranës nuk bëjnë përjashtim prej rregullit.

Të gjithë politikanët janë shumë të vetëdijshëm se një nga dimensionet kryesore të politikës shqiptare, edhe çka ju intereson më shumë disa fuqive të huaja e veçanërisht atyre europiane, është se si politikanët shqiptarë do të sillen karshi çështjes kombëtare shqiptare. Fakti që kur kanë qënë në krizë politike, si Berisha e ashtu edhe Nano i kanë kërcënuar të huajt me ‘destabilitet’ e me ‘nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare’ edhe pse nuk kanë bërë asgjë në atë drejtim përveçse duke e dëmtuar atë çështje, është shumë tregues se ato e dinë mirë se ku është loja e vërtetë.

Fakti tjetër që ato, por edhe shqiptarët, shpesh e kanë pësuar nga sjelljet e këtyre individëve, është një tregues tjetër se sa të ndjeshëm janë fuqitë e interesuara ndaj kësaj çështje të pazgjidhur politike. Për këto arësye, të gjithë politikanët e Tiranës po i rrinë larg hapjes së këtij problemi e zgjimit të vetëdijes së shqiptarëve. Kjo ndodh edhe sepse cic-mici politik që luhet në Tiranë është më tepër një përpjekje për t’ju hedhur hi syve shqiptarëve e për t’i shmangur nga problemet e vërteta të mëdha që mund t’ju japin zgjidhje edhe problemeve të tyre familjare e personale, që lindin nga jeta e përditshme.

Kosovapress: Pra, po shohim se edhe në këtë fushatë ka shumë tensione dhe përpjekje për të polarizuar elektoratin shqiptar e joshqiptar duke synuar per t’i rreshtuar njerëzit mbas nje partie apo grupimi duke u marrë me gjëra të vogla e jo me ato të rëndësishmet. A mendoni se partitë politike janë duke i manipuluar ndasitë politike qëllimisht apo kështu është logjika e lojës politike dhe shqiptarët nuk kanë se si bejnë përjashtim?

Profesor Shinasi Rama: Logjika e lojës politike e dikton se elektorati do të ndahet në dy ose më shumë grupime në fillim të fushatës. Por, në fund të fundit, atëherë kur të vijë momenti për të bërë zgjidhjen përfundimtare, njerëzit do të përqëndrohen në zgjidhjen më të mirë e në zgjidhjen më të keqe që kanë. Paria e Tiranës e ka kuptuar mirë këtë punë se ka 15 vjet që me mitingje e mbledhje ka vazhduar t’i ndajë njerëzit në këtë mënyrë edhe pse në terr tana lopët duken të zeza dhe në shtetin shqiptar ato janë lopë të zeza mirëfilli dhe kjo shihet edhe në mes të ditës.

Edhe në këto zgjedhje, padyshim që ka manipulime dhe përpjekje sistematike për manipulime të ndasive politike nga ana e parisë politike të Tiranës.

Po ashtu, nuk ka pikë dyshimi se manipulimi i ndasive politike ka qënë dhe mbetet një ndër objektivat themelorë të të gjithë prijatarëve të PD-së e të PS-së. Për shembull, Partia Socialiste dhe drejtuesi i saj Fatos Nano kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë për të mbajtur elektoratin e tyre, të ashtuquajtur të majtë, të lidhur për qerren e tyre. Ja, ta analizojmë për një moment se si po sillet Fatos Nano.

Nga një anë, ai dhe sejmenët e tij kanë krijuar një shtet-hije, ku fati i individëve dhe i klaneve të tëra varet nga lidhja personale që ato reshperë kanë me të. Kjo ka bërë që klasa që kontrollon ekonominë të jetë e lidhur fort mbas qerres socialiste dhe mbas këtij shteti hije e gangsterial që drejtohet me dorë të hekurt nga një klan i lidhur me fije të dukshme e të padukshme me PS e me Nanon.

Që z. Nano nuk ka lënë gjë pa sharë si hajdutë e rrugaçë ordinerë shumë prej atyre që sot po i mbron e i promovon si kandidatë për deputetë, dhe që, në kohën e ‘katarsisit,’ i thërriste me nofka mejhanesh – Baçi, Kaçi, e Naçi – është prova më e mirë e ekzistencës së këtij shteti hije gangster e mafioz. Shumica e atyre individëve që bëjnë tregëti, se pak prodhohet në shtetin shqiptar, e kanë këtë mundësi të krijuar nga Nano dhe individët e lidhur me të në kupolën e dukshme e të padukshme të PS-së; këto i frigohen kthimit të PD-së e të Berishës.

Nga ana tjetër, Nano po mundohet ta mbajë elektoratin e vet që po e han një kafshatë bukë me turp e me halle të mëdha duke e mbyllur gojën e sytë, pse pjesërisht i punësuar në shtet, me frikën e kthimit të luftës së klasave e, natyrisht të gogolit Berisha. Gjatë tetë viteve në pushtet ai e ka mbushur administratën shtetërore me individë që i janë besnikë partisë së tij dhe atij vetë, shumë prej tyre të thithur nga minoritetet që ai, si Enver Hoxha dikur, po përpiqet t’i përdorë kundër shqiptarëve.

Ai shpreson se frika se këto të punësuar në shtet, do shqiptarë e më shumë minoritarë, mund të humbin bukën e gojës po ndrroi loja do t’i shtyjë ato dhe familjet e tyre ta mbështesin pa kushte edhe në këto zgjedhje.

Duke i ckërfitë plagët e dhimbshme të kohëve e të viteve të kaluara si dhe duke ju kujtuar shqiptarëve dhe botës tragjedinë e vitit 1997 kur ai vetë, po edhe Ruçi, Gjinushi, Berisha, Imami, Pashko, Ceka, e shumë të tjerë u bënë vegla në duar të tjerakujt, Nano po rreket që të kthejë në gogol kundërshtarët e vet të tanishëm politikë. Puna është se me të njëjtët, ai duket se merret vesh, si thonë nga Jugu, ‘me isharet’ apo edhe haptazi. Disa prej tyre i kanë lidhur këpucët, disa i ka miq të vjetër, disave jua kontrollon pisllëqet, e do ‘kundërshtarëve për vdekje’ ju ka dhënë nga një rrogë si ish-këshilltarë që dredhnin zinxhirin gjatë tetë viteve të kaluara e i shkruanin fjalimet që ai mbante kundër Berishës.

Me paturpësi karakteristike për të, por edhe për plehrat e tjera politike të Tiranës, Nano vazhdon t’i fryjë ndarjes Veri-Jug duke u përpjekur të mobilizojë elektoratin e Jugut në anën e vet dhe duke e shtyrë haptazi kundër Veriut. Është një turp i jashtëzakonshëm për kryeministrin e nje shteti që të shkojë në një fshat të Jugut dhe t’ju kujtojë investimet e qeverisë atje që janë më të mëdha se ato që ka bërë qeveria e tij në shumë qytete të mëdha të Veriut.

Është turp të thuhet prej tij se nuk gjen një njeri të edukuar në Veri ta bëjë ministër në një qeveri të mbushur me jeniçerë denbabaden e me sejmenë të Enver Hoxhës. Më në fund, ai po përpiqet që t’i tregojë botës se kundërshtari i tij që e ka mbajtur në këmbë ai vetë – si mollatarta që mban hurin e huri mollatartën – d.m.th., presidenti i PD-së, Salih Berisha, nuk është i besueshëm dhe është i pazoti për të qeverisur si duhet apo për të respektuar interesat e fuqive të huaja të caktuara.

Këtë e di e gjithë bota dhe nuk ka nevojë të na e thotë Nano. Berisha nuk është politikan i besueshëm apo i zoti dhe ka bërë aq shumë krime kundër shqiptarëve sa sot, për të mbijetuar, i duhet të mbajë mbi kurriz të gjithë plehrat e PPSH-së dhe t’i vejë në listën e vet, si kandidatë të PD-së.

Por Nano e thekson këtë paftësi të vërtetuar të Berishës, duke i mëshuar argumentit që qeveria e tij, e ashtuquajtur socialiste, ka qënë në shërbim të interesave të të huajve se ka ruajtur stabilitetin. Po ta shohim nga interesi i shqiptarëve kjo shprehje do të thotë se, as më pak e as më shumë, zoti Nano e sheh veten si mëkëmbës të interesave të huaja të caktuara e mëkëmbësin e cakton dikush e nuk kanë nevojë edhe ta zgjedhin shqiptarët. Tash nga fundi, duket se ka edhe fytyrë të na qahet se edhe Greqia po e braktis, e me demek, pse po punon për shqiptarët.

Manipulimi, me nje fjalë, është shumëplanësh, sistematik, i stërholluar por edhe tejet i neveritshëm pse po i detyron njerëzit që ta shesin të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre për një kafshatë buke e të bëjnë zgjidhjet të shtyrë nga frika e lugatit komunist apo e gogolit pseudodemokrat. Mund të ndodhë që që zotit Nano t’i duket vetja Napoleon për nga zgjidhjet strategjike dhe shkathtësia e manipulimit të ndasive politike por dëmi që ju ka shkaktuar e që po ju shkakton shqiptarëve ai dhe klanet rrugaço-mafioze të drejtuara prej tij është i pallogaritshëm.

Kosovapresso a mendoni se vetëm PS-ja po i manipulon ndasitë? Për shembull, duket se ka një përpjekje të sinqertë për të ngritur koalicione të gjëra paraelektorale si bie fjala, nga ana e PD dhe e Sali Berishës për të kaluar mbi ndasitë tradicionale e për një fillim të ri.

Professor Shinasi Rama: Jo, jo, të mos keqkuptohemi. Unë e përdora Nanon si shembull po aty s’ka kurrfarë fillimi të ri nga pala tjetër, përveç nje sjelljeje ma tepër rrotull mullarit të barit. Për mua, paria politike e Tiranës është rreshtuar në dy aradhe qe janë si dy faqet e medaljes, por që janë të lidhura ngushtë me shumë fije të dukshme e të padukshme.

Për shembull, Salih Berisha dhe PD janë të lidhura në mënyrë simbiotike me Fatos Nanon e me PS-në, jo vetëm pse vijnë nga e njëjta ‘shtëpi e lindjes’ por pse në këtë moment kanë interesa, metoda, e objektiva të përputhshme për të ruajtur një status quo politike me ujra të turbullta në shtetin shqiptar. Ndërsa Fatos Nano po i mëshon frikës së luftës së klasave nga një anë, Salih Berisha po i mëshon luftës së klasave nga ana tjetër. Salihi po rreket fort që duke u përpjekur të mbledhë rreth vetes të djathtën, çka do që ajo është, por më mirë me thanë, njerëzit që nuk i durojnë këto që sot janë në pushtet, të bëhet ‘njëshi’ edhe një herë.

Duke e paraqitur veten si instrumental në luftën kundër komunistëve të tanishëm, ai po rreket të mbledhë votat e të persekutuarve politikë, të hallexhinjve, të njerëzve që kanë vuajtur nën sistemin komunist dhe të atyre që që nuk mund të durojnë xhambazllëkun e handrakut të parisë së Tiranës.

Ashtu si Nano, as Salih Berisha nuk ka kurrfarë interesi që të mobilizojë popullin në bazë të ndonjë platforme tjetër përveçse duke u marrë me Nanon e çakallët e hienat e klaneve mafioze të Tiranës. Kështu, mua më duket se Salih Berisha është angazhuar në një përpjekje të dëshpëruar për jetë a vdekje që të ruajë kontrollin e monopolin mbi të ashtuquajturën ‘e djathta shqiptare.’

Kjo po ndodh sepse Berisha dhe partia e tij janë krejtësisht të diskredituar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha drejtimet, jo vetëm nga ajo periudhë qeverisjeje krejtësisht e paaftë dhe e papërgjegjshme kur ishte në pushtet por edhe më vonë në opozitë e deri tani. Në çoroditjen politike që e ka mbërthyer shtetin shqiptar, e vetmja mënyrë për të ndenjur mbi ujë për të e për ato që i vijnë rrotull është që të paraqesin partinë e tyre si zgjidhjen e vetme që garanton të ardhmen pak më mirë se pala tjetër. Këtë ai e Nano duhet t’ia garantojnë elektoratit të polarizuar e të ndarë që është lidhur tradicionalisht me PS apo me PD-në.

Njerëzit nuk po marrin vendime politike në bazë të interesave të tyre të vërteta por ende janë të motivuar nga kujtimet e vuejtjeve të përjetuara në sistemin e atëhershëm dhe më pas. Nuk ka njeri në shtetin shqiptar që nuk e sheh veten si të persekutuar, realisht apo jo, nga shteti i kontrolluar nga PPSH e nga këto parti që janë pasardhëset e saj. Për të pasur sadopak mbështetje ndër shqiptarët, si Nano ashtu edhe Berisha, duhet të mënjanojnë e mbysin forcat e reja politike që po lindin dhe të ruajnë të paprekur monopolin e tyre mbi elektoratin e rreshtuar ushtarakisht në mbështetje të njërës apo tjetrës palë.

Kjo ndodh jo për arësye ideologjike se në atë shtet nuk bëhet fjalë për ideologji përveçse si muhabet kafehanesh; kjo ndodh, pra, për shkaqe personale e klanore. Për shembull, nga ana e Berishës, është Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe rritja e saj që e frigon atë shumë.

Salihi e sheh LZHK-në si një forcë që po ja thith elektoratin e individët me influencë lokale që i duhen duke e konkurruar haptazi për kontrollin e së djathtës, që në fakt është një shportë karavidhesh pa ideologji e pa kurrfarë koncepti të së djathtës, por që Salihit i duhet që të duket kompakte. Kështu, me këtë objektiv në mendje, më duket se Salihi po rreket që ta paraqesë të djathtën si të bashkuar e të konsoliduar, e të aftë për qeverisje. Ai synon për t’i bindur njerëzit që kur të shkojnë në qëndrën e votimit t’ja japin votën atij e jo LZHK-së.

Si rregull, njerëzit nuk duan t’ja japin votën dikujt që nuk ka shanse të qeverisë. Duke e ditur këtë gjë, Salihi është i gatshëm të bëjë çdo gjë pa përjashtim vetëm që të duket sikur i ka shanset që të vijë në pushtet.

Për këtë ai shan Nanon gjithë ditën e ditës por mendjen e ka tek LZHK. Salihi po rreket që të paraqitet si shtylla e së djathtës e si fitimtar i mundshëm. Dhe Nano e kupton si duhet. Nano i ka vënë si kundërshtar një këngëtar opere; Salihi i ka vënë si kundërshtar një dirigjent orkestre simfonike. Po të donin të luftonin politikisht kundër njeri-tjetrit si duhet, do ta gjenin mënyrën se nuk është e vështirë por qëllimi i tyre nuk është ky. Ato duan të thyejnë e dobësojnë partitë që kanë lindur vitin e kaluar dhe që kanë shanse t’jua thithin elektoratin tradicional PS-ist e PD-ist.

Kosovapressor, professor Rama, të dy palët po i mëshojnë argumentit se të huajt po i mbështesin dhe se kanë kredibilitet në botë.

Professor Shinasi Rama: Shiko, si Salihi ashtu edhe Nano e kanë një problem të madh se e kanë të lidhur fatin me mbështetjen e huaj. Të dy janë politikanë mizerabël që kërkojnë të shiten sikur i mbështet SHBA, Greqia, Europa apo ndonjë shtet tjetër kur shumë të huaj, edhe kur i takojnë, i trajtojnë si hokatarë e pijanecë mejhanesh.

Edhe pse politika ka rregullat e veta dhe natyrisht askush nuk duket se do t’jua thotë ndër sy, ato e kanë kredibilitetin e humbur me kohë, qysh kur bërtisnin kundër shteteve që kinse po i mbështesin sot, njëri në shtyp hapur e tjetri në aktivet e PD-së.

Për të krijuar përshtypjen e ndryshimit personal ato po luftojnë fort e me të gjitha mënyrat për të bindur të huajt se kanë ndryshuar dhe për t’i bindur shqiptarët se të huajt po i mbështesin; të huajt bëjnë sikur i besojnë ose më mirë nuk thojnë asgjë, se helbete, kush ka nge me i prishë punët me zhumilet kur këto i zgjedh populli i tyre? Pra, po në këtë kontekst të dukjes ‘fitimtarë’ tek shqiptarët dhe tek të huajt duhet parë synimi i tyre i përbashkët për të paraqitur çdo alternativë që i rrezikon sadopak apo që ju bjen ndesh sikur është e lidhur me të ose se është e paaftë për të qeverisur.

Për shembull, kthimi në PD i atyre që i vunë flakën shtetit shqiptar në bashkëpunim me Nanon, Ruçin, e shumë të tjerë, dhe që i shërbyen atij klani për vite të tëra më pas nuk është ndërtim koalicioni. Gramoz Pashko i ‘çekut të bardhë’ dhe ato që bënë programin ekonomik, politik, e social të PD-së në vitin 1991 duhet të shkojnë në gjyq së bashku me Nanon, Bufin e tjerë që i kontribuan atij shkatërrimi të ekonomisë kombëtare si plangprishësit më të papërgjegjshëm që mund të ketë pasur ndonjë herë ai popull e jo të bëhen kandidatë për deputetë.

Këto individë pa ndershmëri politike – se në politikë nderi matet me qëllimet që njeriu i ven vetes e këto nuk patën qëllim me i shërbye popullit të tyre por e shkatërruan ekonominë e shtetin sistematikisht, e në vitin 1997, disa prej tyre u veshën deri edhe me uniforma të huaja e i vunë flakën vendit kur ju dha mundësia – tashti na shiten nga Salihi, që i toleroi e mbështeti edhe atëherë, si mendje të ndritura e si shpëtimi i kombit e shtetit. Kthimi i këtyre zhumileve të partisë në gjirin e saj mirëpritës është thjesht një përpjekje e Salihit për të hipur në karrike me çfarëdo çmimi që ai mendon se i kërkohet.

Lene më mandej, koalicionin grandioz që po ndërton. Edhe Salihi e din se koalicione të tilla janë si shporta e karavidheve.

Ato individë që ishin në shërbim të gjithkujt përveçse të shqiptarëve do të rreken të përfitojnë në kurriz të njëri-tjetrit dhe po durojnë njeri-tjetrin deri sa të hyjnë në parliament e të zënë vendet. Sherri fillon mbas zgjedhjeve kur të prishen pazaret dhe këto kanë dhënë prova se nuk lidhen në asnjë hu përveçse mbas interesit të tyne të ngushtë e vetjak. Ato individë nuk lidhen me asgjë me njëri tjetrin përveçse me interesa të momentit për të cilat edhe do të ndahen sa të vijë momenti. Por Salihi nuk është i interesuar aq shumë të fitojë se sa të mbesë një forcë e madhe në lojën politike. Për të kjo është luftë për jetë a vdekje dhe prandaj po i toleron deri në këtë pikë.

Kosovapressor njerëzit mendojnë e thonë se këto të dy janë zgjidhjet. Ose për njërin ose për tjetrin do të votojmë se nuk ka të tjerë.

Professor Shinasi Rama: Nuk është e drejtë moralisht por edhe nuk është krejt ashtu realisht që të thuhet se këto janë zgjidhjet që kemi. Ky ngushtim i qëllimtë i zgjidhjeve që kanë shqiptarët në shtetin shqiptar është një rreth vicioz nga i cili duhet të dalin të gjithë dhe sa më shpejt aq më mirë. Puna është se në shtetin shqiptar nuk do të ketë ndryshime po nuk u thye ky monopol i ndasive ekstreme në miq të ‘njëshit’ dhe në shërbim të hijes së luftës së klasave. Nuk duhet të zgjidhim midis dy të këqijave atë më të voglën, por të kërkojmë politikanë jo të konsumuar që ofrojnë shpresë, zgjidhje të mençura e njerëz që janë të gatshëm për shërbim publik; ne duhet ta shohim këtë zgjedhje si një mundësi për ta thyer këtë monopol të së keqes që na ka kaplluar e jo ta përjetësojmë të keqen se mandej e kemi fajin vetë. Një zgjidhje e keqe vetëm sa e përjetëson gjendjen e keqe.

Nganjëherë është me mirë me pa përpara e jo mbrapa. Ne na duhen njerëz që na ofrojnë të ardhmen e jo njerëz që na mbajnë të lidhur për vuejtjet tona e për vazhdimin e qëllimtë të luftës së klasave. Këtë nuk mund ta arrijmë pa e thyer monopolin e tyre.

Le të ketë zgjedhje të tjera të parakohshme kur të thehet monopoli i këtyre partive. Në një shtëpi ku digjet një jorgan në ditë nuk duhet të shqetësohen për pleshtat që digjen një herë. Ne na duhet një politikë e re me ide të reja dhe me rreshtime të reja që të dalim nga zgjedha e luftës fiktive të klasave që po e përjetësojnë Nano dhe Berisha.

Kosovapress:A mos po thoni se manipulimi i luftës së klasave është qëllimi kryesor i tyre?

Professor Shinasi Rama: Pa pikë dyshimi. Ne duhet ta marrin vesh qartë e një herë e mirë që lufta e klasave si po vazhdon nuk ka kurrfarë baze ideologjike por është thjesht një mjet manipulimi politik që po përdoret nga një pari e zvetënuar për të ndenjur në pushtet. Partitë politike që lindën në shtetin shqiptar mbas Dhjetorit 1990 e kryen jo mirë një funksion të caktuar qartë për to. Ai rol ishte që lufta e klasave të mos bëhej e armatosur.

Ato dështuan dhe tragjedia e vitit 1997, për të cilën janë fajtorë lojtarët kryesorë politikë të sotshëm, është njolla më e zezë dhe kulmore në këtë luftë, herë të zhvilluar hapur e herë me mjete të stërholluara. Por lufta e klasave duhe të shihet si një përpjekje dokishoteske nga ana e do individëve që e përdorin atë luftë si frigën e ujkut me mbajtë tufën e deleve të tyre bashkë.

Tashti është qesharake që në shtetin shqiptar të flasësh për luftë klasash në atë mënyrë që fliste sistemi i dikurshëm megjithëse mund e duhet të flitet për luftë klanesh mafioze e gangsteriale. Shihi, për shembull, socialistët. Disa janë të pasur, por masa më e madhe janë të varfër e jetojnë në skamje. Socialistët e pasur merren vesh më mirë me ish-kundërshtarët e prindërve të tyre, se sa me vetë njerëzit e familjeve të tyre. Të dy palët nuk e kanë për gjë të hyjnë në biznes e të lidhin marrëveshje interesash që s’kanë kurgjë të bëjnë me luftën e klasave.

Socialistët e varfër, shpesh njerëz që duan të jetojnë me nder, intelektualë e njerëz të edukuar, janë tmerrësisht të tensionuar nga frika e kthimit të Berishës e mundësia e heqjes së tyre prej punës së shtetit dhe mund të turren të mbështesin Nano që i bjen daulles së tij duke e vënë gogolin Berisha të kërcejë si ariu në sheshin Skanderbeg ku e ka lënë të gërthasë deri sa i ka dalë gjuha mbas shpine për nja 7-8 vjet.

Nga ana tjetër, ish-të persekutuarit janë bërë pjesë integrale e popullit shqiptar dhe janë të integruar majft mirë në jetën politike, ekonomike e shoqërore; shumë prej të ish-persekutuarve janë bërë politikanë me peshë, shkrimtarë, figura të artit e kulturës shqiptare, doktorë shkencash, profesorë, dekanë, biznesmenë, e me rradhë.

Kërkuan nga Salihi mbështetje gjatë 15 viteve të shkuara dhe i dhanë mbështetjen e tyre pa kursim. Gjatë këtij procesi, ato shpenzuan kapital të çmueshëm politik pse shumë prej tyre e lidhën fatin e tyre me PD-në, dhe PD dihet se nuk ishte më shumë se një karrocë Nastradini që e sillte Salihi nga i thoshte mendja se frynte era; në dukje e bënte këtë për të fituar mbështetjen e tyre dhe Salihi zhvilloi luftën e tij të klasave duke i hequr njerëzit prej punës e duke ju prerë telefonat e duke dënuar zonjën Hoxha për kafet që ju kishte nxjerrë bashkëfshatarëve në kohën e Enver Hoxhës.

Për më tepër duhet thënë se, në shtetin shqiptar, është populli shqiptar ai që ja ka vënë kapakun luftës së klasave. Asnjë shqiptar nuk po e vret shqiptarin tjetër për shkak të asaj lufte klasash. Nuk u vranë asnjë nga sejmenët e Enver Hoxhës vetëm e vetëm se shqiptarët janë shpirtmëdhenj.

Edhe kur politikanët deshën që shqiptarët të vrasin njeri-tjetrin, shqiptarët nuk e bënë atë gjë; mjafton të kujtojmë se si ndodhi në vitin 1997 kur politikanët i shtynë të vriten e shqiptarët nuk e bënë atë gjë. Një element tjetër që e ka ndryshuar konceptin e luftës së klasave është edhe ndërhyrja shtetërore për të kompensuar si duhet masën e të persekutuarve politikë për vuejtjet e tyre.

Me mirëkuptimin e pajtimin e Berishës, Nano ndërtoi një plan strategjik që praktikisht i ka ngritur të persekutuarit në një nivel me familjet e dëshmorëve. Kjo nuk mund t’i paguajë për vuejtjet e tyre por kjo ju ka garantuar një të ardhur financiare për do vite të mira, çka për Nanon e Berishën, ju ka mbyllur gojën politikisht.

Po ashtu, kjo masë ju ka krijuar mundësi për të përparuar e gjetur veten në këtë shoqëri që po krijohet atje. Nga ana tjetër, kjo masë shtetërore ka krijuar tensione se paratë nuk bien nga qielli ato dalin nga buxheti i shtetit dhe shteti shqiptar nuk ka para për të ndërtuar një urë e jo më për të mbajtur mijra familje me pension të persekutimit politik. Nano e ka gjetur zgjidhjen duke shitur gjithçka në pronë të shtetit dhe duke u përgatitur për t’i lënë çelsat e kashtës atij që mund të vijë në pushtet nesër dhe që do të detyrohet të rishikojë këtë sistem shpërblimi që është në funksion tash në shtetin shqiptar dhe që është një barrë e jashtëzakonshme mbi buxhetin e shtetit.

Më në fund është edhe çështja e diskreditimit politik të shumë prej atyre që kanë qënë të persekutuar nga Nano e nga Berisha. Nga ana e socialistëve, që thuhet se kanë frikë kthimin e luftës së klasave nga ana e Berishës, nuk mund të flitet asesi për ideale të majta.

Si mund të flitet për urrejtje klasore kur fëmijët e tyre janë ndër rrugaçët e Tiranës, kur ato vetë i kanë shtyrë njerëzit t’jua pijnë gjakun shqiptarëve që mbronin institucionet shtetërore në Vlorë, kur nuk kanë lënë gjë pa bërë për t’u bërë pasanikë, kur nuk janë ndalur para vuejtjeve të emigrantëve, e shkelin përditë mbi fatin e atyre vajzave të mjera pa të ardhme që shesin trupin rrugëve të botës për një kafshatë buke, kur ecin rrugëve të Tiranës duke përbuzun jetimët e braktisun prej shtetit që ato e drejtojnë. Këto individë nuk kanë as klasë as ndjenja njerëzore e lene ma kombëtare; këto zhumile kanë vetëm interesa personale e duhen trajtuar si të tillë.

Nga ana tjetër, ka individë që kanë bërë nga 30 vjet burg, simbas tyre për t’i ruajtur nderin kombit shqiptar e për të luftuar komunizmin, por që sot korruptohen e ndyhen për një grusht lekë si prej Berishës ashtu edhe prej Nanos. Atëherë, njeriu i thjeshtë si puna ime, ka të drejtë të habitet e të vëjë pikëpyetje se a thua me të vërtetë ka qënë ashtu.

Po pate hyrë në burg për ideale, ato ideale duhet ti manifestosh edhe mbas burgut, në jetën qytetare kur je i lirë ose përndryshe je kalë i thyer. Sot, në shtetin shqiptar shumë prej të persekutuarve që kanë hyrë në politikë janë ndyrë deri në atë pikë sa të vjen neveri; shembujt më të mirë janë do individë si Pjetër Toma apo Arbnori që kërkoi dhe i mori paratë e sekustruara nga familja e tij si bashkëpunëtore e fashizmit, jo si familje patriotike a nacionaliste, në flori si deshi ai vetë, kur të persekutuarit e tjerë bënin grevë urie për një shpërblim me hangër bukë.

Tash do ish-të persekutuar politikë na janë bërë konsuj e ambasadorë të Nanos, dhe shumë të tjerë janë tejet të implikuar si edhe provohet nga shembujt e fundit të korrupsionit në Institutin e ish-të persekutuarve politikë. Më në fund është edhe niveli i lartë ideologjik ku duhej të zhvillohej kjo luftë klasash. Puna është se shumë prej të ish-persekutuarve mendojnë se vazhdojnë të luftojnë komunizmin por kjo është luftë me mullinjtë e erës.

Komunizmi nuk është më sistemi dominues në shtetin shqiptar; komunizmi është në Kinë, në Kore në Kubë e tjerakah dhe atje duhet luftuar po deshe me u marrë me atë punë. Nuk ka dyshim se edhe për do kohë të mira, idetë komuniste nuk kanë kurrfarë shansi të bëhen sunduese në shtetin shqiptar. Në shtetin shqiptar, ish-pasuesit e Enver Hoxhës janë bërë miliarderë, dhe sot ato janë të gatshëm të luftojnë komunizmin më egër se të gjithë të persekutuarit politikë të mbledhur bashkë. Puna, pra, është se në shtetin shqiptar nuk mund të ketë luftë klasash, por ka luftë klanesh që kacafyten nën thirrjet për luftë klasash e larje hesapesh e kërkojnë ose të mbajnë pushtetin ose të vijnë në pushtet në atë mënyrë.

Hesapet e ngatërresës së tyre po i lajnë të gjithë shqiptarët që duan të hanë një kafshatë bukë me nder e që duan të rrisin fëmijët e tyre si duhet; të persekutuarit e këtij sistemi të dominuar nga paria e Tiranës janë të gjithë shqiptarët që po lejohen të bëhen pre e klaneve kriminale e mafioze. Shteti nuk ofron as punë, as shkollim, as shëndetësi e as edukim as mundësi për të bërë gjëra të tilla që do të çojnë në begati e jetë më të mirë.

Shqipëria është e kantonalizuar me Jugun nën ndikimin grek, me zonën metropolitane Durrës-Tiranë të hapur për të gjithë të huajt si hani pa porta dhe me Veriun që është kthyer qëllimisht në një zonë tribale si në Afganistan.

Është e drejtë dhe legjitime për gjithkënd të pyesë se pse pesëmbëdhjetë vjet mbas ndryshimeve politike kur vendi duhej të hynte në rrugë të zhvillimit e përparimit, në vend që të merremi me fatin e të ardhmen e dy brezave që po lindin të humbur e të persekutuar, pse janë të paedukuar, të pamësuar, të papunë, në vend që të merremi me fatin e dhjetra mijëra vetëve që kanë përfunduar burgjeve e rrugëve të botës si pjesë e trafikut njerëzor, klasa politike na shtyn ta kërkojmë veten e të ardhmen në gjykimin se çka mendojmë ne në lidhje me atë që bëri Enver Hoxha e sistemi i tij kriminal. Nuk janë problemet e luftës së klasave me të cilat duhet të merremi sot, por problemet praktike të jetës dhe mbi të gjitha, na duhet të merremi me natyrën e shtetit që na duhet për të mbrojtur veten e interesat e të gjithëve në këto kohë të vështira që jetojmë.

Kosovapress:Cila duhet të jetë atëherë ndasia kryesore në këto zgjedhje?

Professor Shinasi Rama: Nuk ka pikë dyshimi që në thelb këto zgjedhje duhet të vendosin se kush do ta kontrollojë shtetin, por për shqiptarët më e rëndësishme është që të mendohen mirë se çfarë shteti ju nevojitet se do ideologë partiakë po mundohen t’jua shesin sapunin për djathë. Partitë e mëdha politike flasin për ideologji e parime universaliste por ideologjitë që ato propagandojnë, edhe pse shumë të vyeshme në kontekste të tjera, në shtetin shqiptar nuk ofrojnë zgjidhje të shëndosha apo immediate në interesin e të gjithë shqiptarëve. Njëra palë flet për socializëm e për të majtë, kur liderët e partisë janë miliarderë dhe shteti që ato e kontrollojnë është kthyer në një sistem për të mbrojtur interesa mafioze, klanore, e kriminale në shërbim të gjithkujt por veç të shqiptarëve jo.

Nga ana tjetër, PD flet për ide liberale, po ç’liberalizëm-zeza kur njerëzit shesin trupin për një kafshatë buket e nuk ka as shtet ligjor, as administratë të shëndoshë, as ekonomi, as shoqëri civile, as vlera te respektuara shoqërore as mbështetje për liberalizëm por elektorati i saj është një masë njerëzish që besojnë se po u bë Salihi kryeministër kanë me u zgjidhë tana gjanat tak-fak.

Mua më duket se ndasia kryesore në këto zgjedhje duhet të jetë në lidhje me mënyrën se si të dalim nga ky qerthull lojnash infantile me idelogji universaliste e me politikane individualistë e të mendojmë se cili lloj shteti na duhet me ju garantue njerëzve sigurinë e jetës, sigurinë e një kafshate buke gojet, me ju garantue edukim, shërbim shëndetësor e mbrojtje nga elementët kriminalë, spekulatorë e të pandershëm që kërkojnë të kontrollojnë shtetin. Ne na duhet një shtet që t’ju kthejë shqiptarëve respektin për veten, t’ju kultivojë virtytet e dinjitetin që i ka spikatur gjithmonë, në mënyrë që të jemi një komb si duhet e si e meritojmë, i nderuar e i respektuar midis gjithë kombeve të tjerë.

Kosovapress:Nëse Nano e Berisha nuk po mund të ofrojnë zgjidhje si duhet, po atëherë, çka mund të thuhet për forcat e reja politike?

Professor Shinasi Rama: Forcat e reja politike që kanë dalë qysh vjet në skenën politike, edhe pse duhet ta provojnë veten në qeverisje, meritojnë vëmendje e mbështetje. Ato po sjellin një frymë të re politike, janë duke luftuar kundër këtyre individëve dhe sistemeve korruptive që i mbajnë gjallë dhe kanë ngjallur shumë interes në brezin e ri. Edhe pse sot ato forca janë të anuara nga elektorate të ngrira në të majtë ose në të djathtë dhe luftën e bëjnë me Nanon e Berishën, zgjidhjet që forcat e reja ju japin problemeve akute të politikës shqiptare nuk janë më në linjën e pushtetit personal e lidhjeve ekskluzive me Greqinë apo me fuqi të tjera, por disi më ndryshe. Ato forca kanë lëvizur nga plani i luftës së klasave dhe po flasin shumë më kombëtarisht. Sado të pambrritshme të duken objektivat e tyre sot, qoftë kur janë të shtruara në planin e bashkimit kombëtar, qoftë në planin e integrimit europian ato janë objektiva për të cilat duhet të diskutohet e që janë të thelb të zgjidhjeve të mundshme.

Kështu, kontributi i tyre është i dukshëm pse mund të organizohet debati politik si duhet, por edhe sepse këto janë edhe zgjidhjet e vërteta apo të mundshme ku duhet të ecim e të kërkojmë të ardhmen tonë. Politikanët duhet të paraqesin platforma e zgjidhje e jo të merren me persekutimet e kohës së shkuar apo me inate personale e ta shesin fatin e popullit për një vizë apo për një leje për me ndërtue pallat pa leje. Prandaj mendoj se dalja e partive të reja politike ka qënë një hap i madh përpara dhe që duhet inkurajuar; gjithsesi, këto parti duhet të luftojnë fort që të mos mbesin peng i së ‘majtës’ apo i së ‘djathtës’ tradicionale, por pa frikë të luftojnë që t’i shtrijnë dorën të gjithë shqiptarëve. Nuk duhet që të zëvendësojnë Nanon e Berishën por pa frikë le të rrezikojnë për të ardhmen e të gjithëve dhe kjo do të jetë zgjidhja. Ndryshe do të vijmë rrotull mullarit të barit.

Kosovapress:Në se ju i shihni gjërat kështu, si mendoni se duhet t’i shohim këto zgjedhje?

Professor Shinasi Rama: Pavarësisht nga çmimi i madh që duhet të paguhet, këto zgjedhje duhet të shihen si një ngjarje e përkohshme e kalimtare drejt një momenti kritik, drejt zgjedhjeve presidenciale, që, nëse gjërat shkojnë për mbarë, duhet të na çojnë në zgjedhje të parakohshme në vitin 2007. Deri atëherë do ta kemi marrë vesh mire se si ka ndryshuar raporti i forcave politike në shtetin shqiptar dhe se cilat parti do të forcohen apo dobësohen.

Deri atëherë, edhe shumë njerëzve, e ne veçanti personave politikë, do t’ju jetë dhënë mundësia të reflektojnë e të bëjnë zgjidhjet e drejta. Askush nuk është i pagabueshëm, askush nuk është i pakorigjueshëm. Ne jemi një popull i vogël dhe kemi nevojë për çdo njeri që din e që mund të ndihmojë. Ne jemi një popull me zemër të madhe dhe që dimë të falim. Ka ardhur koha që politikanët në shtetin shqiptarë ta kuptojnë se ato kanë një popull të mrekullueshëm, të zotin e shumë të aftë, por që e kanë braktisur dhe e kanë lënë në fatin e tij duke kërkuar të fitojnë respektin e të huajve apo të pasurohen vetë ato e klanet e tyre në kurriz të këtij populli.

Ka ardhur koha që t’i kthejnë sytë nga populli i tyre dhe aty ta kërkojnë nderimin, respektin, e mbështetjen politike që ju duhet. Këto zgjedhje duhet të përgatisin terrenin politik që kemi mundësi të dalim nga ky qerthull e të fillojmë një jetë të re, me shpresë e me mundësitë që kemi si të barabartë me kombet e tjerë. Të gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë se zgjidhja është në duart e tyre, dhe në votën e tyre dhe se duhet të zgjedhin politikanë që mendojnë për to e që do të jenë në shërbim të tyre.

Kosovapress:Falemnderit.

Professor Shinasi Rama: Shume falemnderit edhe prej jush.

Modifikuar nga Klodel datë 07/06/2005 ora 15:49

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 07 Qershor 2005 04:51
Endri nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Endri Kliko këtu për të kontaktuar me Endri (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: Endri Shto Endri në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Endri në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 14:05 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Analiza > Shqiptarëve më shumë se kurrë ju duhet të mendojnë se çfarë shteti ju nevojitet

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.