AngelDevil
Shejtone
Regjistruar: 02/05/2009
Vendbanimi:
Mesazhe: 14611
|
Nacional – evropianizmi Lubonja.
.... Në historinë e Shqipërisë së shekullit XX një nga faqet më interesante të politikave mistifikuese identitare ka qenë krijimi i mitit “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Origjina e kësaj thënieje është një poemë e famshme e një prej rilindasve më të njohur, Vaso Pasha, e shkruar në fund të shekullit XIX kur elitat shqiptare filluan lëvizjen nacionaliste (shqiptariste). Vaso Pasha ishte një katolik që shërbente si funksionar i lartë në Perandorinë Osmane. Në kohën e rënies së Perandorisë truajt e banuar nga shqiptarë ishin të ndarë mes muslimanësh që sikurse thashë më lart identifikoheshin më shumë me turq dhe të krishterësh ortodoksë dhe katolikë që identifikoheshin me kaurë me dallime jo të vogla me njëri tjetrin.
Për këtë Vaso Pasha shkroi një poemë ku midis të tjerash u drejtohet këtyre shqiptarëve me fjalët: “Mos vështroni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thirrje, pra, i përgjigjej novojës që u lindi shqiptarëve turq e kaurë në fundin e shekullit XIX të mbronin tokat e banuara prej tyre ndaj pretendimve serbe dhe greke në kontekstin e një Perandorie Osmane që po shpërbëhej si nga dekompozimi i brendshëm ashtu edhe nga presionet që vinin nga fuqitë e mëdha perëndimore. Sikurse e shpjegon shumë qartë edhe historiania franceze Nathalie Clayer ky varg nuk ishte një pasqyrë e gjendjes në terren në atë kohë, por një thirrje për të dalë nga ajo gjendje.
Ajo që ndodhi me kalimin e viteve është tipike për procesin e mistifikimit identitar. Vargu i parë, ai që thotë “mos vështroni kisha e xhamija”, që në një farë kuptimi tregon se ku e kishin të orientuar realisht vështrimin shqiptarët deri në atë kohë, ra nga kujtesa ose më saktë nga imagjinimi i shiptarëve për vetveten për të mbetur vetëm vargu i dytë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Nëpërmjet një qasjeje esencialiste ndaj identitetit, me kalimin e viteve, gjatë thuajse gjithë shekullit XX “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” u shndrrua në një nga mitet themelues të nacionalizmit shqiptar dhe shërbeu për të pakësuar rolin ndarës të feve në Shqipëri në emër të ngjizjes së një identiteti të përbashkët kombëtar. Ai ndikoi që në ndërgjegjen kolektive shqiptare të futet ideja se që në krye të herës ata nuk kanë qenë asnjëherë thellësisht fetarë pasi, historikisht, kanë pasur ndjeshmëri më të fortë ndaj një tjetër identiteti, atij kombëtar, dhe fetë e ndryshme në këtë aspekt nuk kanë qenë tjetër veçse rroba të ndryshme që shqiptarët i kanë veshur nga nevoja, por gjithë duke mbetur në thelbin e tyre shqiptarë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet kjo qasje esencialiste u forcua shumë më tepër pasi u bashkua edhe me teorinë marksiste “feja opium për popullin” dhe se fetë ishin agjentë të të huajve. Pas një periudhe përpunimi ideologjik që u shoqërua edhe me arrestime e dënime të klerikëve të shumtë, veçanërisht atyre katolikë, në vitin 1967, nën ndikimin edhe të Revolucioni Kulturor kinez, nacional – komunistët shqiptarë e ndaluan me ligj ushtrimin e fesë në Shqipëri duke e shpallur atë vendin e parë ateist në botë e duke i detyruar besimtarët ta ushtrojnë në fshehtësi besimin e tyre fetar duke shtuar kështu edhe një ndarje tjetër dramatike midis mistifikimit identitar dhe realitetit.
Kështu, në vitin 1989 kur Nënë Tereza bëri vizitën e parë në Shqipëri në një konferencë shtypi një gazetare i drejtoi një pyetje koment:
“ Ju vërtet folët për Jezu Krishtin, por feja e Shqiptarit është shqiptaria.”
Përgjigja e Nënë Terezës ishte:
“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin.”
Që prej asaj kohe gjatë këtyre njëzet vjetëve në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime. Ndër më të rëndësishmit, krahas atyre të sistemit ekonomik dhe politik qenë edhe njohja e të drejtës për të ushtruar besimin fetar si dhe ndrrimi në mik të madh të Shqipërisë i armikut të madh që ishte Perëndimi kapitalist. Ndërkohë në Ballkan, me disintegrimin e Jugosllavisë, siç dihet, filloi një valë nacionaliste që nuk mund të mos prekte edhe Shqipërinë që ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane të banuara nga shqiptarët pas Luftrave Ballkanike më 1912 e kishte përjetuar si një padrejtësi historike me shkëputen e Kosovës dhe të Maqedonisë perëndimore të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në këto kushte të reja shqiptarët u gjendën mes tjerash edhe përballë një krize identitare dhe nevojës së një ridefinimi të identetitit. Më saktë duhet thënë se elita që trashëgoi pushtetin komunist u gjend përpara nevojës për të ndryshuar “hartën identitare” që kishin përdorur nacional - komunistët.
Në këto kushte operacioni që kryen këto elita në pushtet u mbështet mbi një rimodelim të hartës së vjetër të nacional - komunizmit, por duke i hequr asaj kmponentet komuniste dhe duke i aplikuar evropianizmin si ideologji e re, nëpërmjet një mistifikimi të ri identitar.
Ç’është nacional – evropianizmi në thelbin e vet? Diskursi që filloi të qarkullojë dhe të bëhet dominant në vend, pas rënies së komunizmit dhe afrimit me Perëndimin, ishte ai sipas të cilit kombi shqiptar, më në fund, pas pesë shekujsh robëri nën Turqi dhe gjysëm shekulli në Lindjen sllavoortodokse, u kthye, më në fund, në origjinën e tij evropiane. Pra diskursit të vjetër nacionalist të një lloj vetorientalizmi, që ka qenë edhe diskurs i rilindasve shqiptarë në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, kur kërkohej shkëputja nga Turqia, iu shtua diskursi antikomunist që Lindjen e identifikon me botën komuniste dhe që komunizmin, ashtu sikurse edhe pesë shekuj nën Perandorinë Otomane, i konsideron si diçka të huaj për thelbin e shqiptarit, si një aksident historik pra që ia sollën sllavët, por pa arritur ta prishin substancën shqiptare. Ndërkaq mbetej për t’u modifikuar edhe çështja e raportit të shqiptarëve me fetë sepse “feja e shqiptarit është shqiptaria” tingëllonte shumë e fortë në kontekstin e ri kur një pjesë jo e vogël njerëzish iu kthyen besimeve tradicionale musliman e të krishterë (ortodoksë dhe katolikë) ashtu sikurse edhe një numri besimesh të tjera që hynë në vend. Në këtë kontekst vendi është ende në fermentim, por nuk mund të mos shquash një diskurs dominant që, si të thuash, mund të konsiderohet edhe pjesë integrale e “hartës identitare” zyrtare që përdoret nga elita në pushtet . Në këtë diskurs gjejmë vazhdimësinë e tezës nacional – komuniste se feja muslimane është një fe e imponuar nga pushtuesi. Ndërkaq “feja e shqiptartit është shqiptaria” tenton të zëvendësohet me mitin e tolerancës fetare të shqiptarëve, që thellë thellë është një version i zbutur i “feja e shqiptarit është shqiptaria” sepse përmban mitin e indiferencës së shqiptarëve përsa i përket feve. Ish presidenti i Shqipërisë gjatë viteve 2001 – 2006, Alfred Moisiu, në një fjalim në Oksford e ka quajtur tolerancën fetare të shqiptarëve, gjithnjë duke përdorur një qasje esencialiste për identitetin si: « nje tipar etnotipik te shqiptareve », ”nje traditë që vjen nga thellesia e shekujve » që “ka ekzistuar madje edhe para shfaqjes së faktorit osman”. Ai e paraqet këtë si guri i çmuar që ne mund t’i paraqesim Perëndimit për të na pranuar në komunitetin e vet: “toleranca nderfetare ishte nje prej cilesive që tërhoqi menjëhere vëmendjen dashamirëse të të gjithe atyre dijetarëve dhe politikanëve, shqiptarë e të huaj, që besonin dhe kerkonin tek populli shqiptar një imazh tjetër. » (6). Por krahas kësaj, duke qenë se jemi edhe pas 11 shtatorit këtij diskursi i është shtuar gjithnjë e më fort fort edhe identifikimi i kthimit në origjinën evropiana me kthimin në origjinën kristiane, madje katolike. Në fjalën e tij në Oksford Moisiu tha midis të tjerash edhe se: « Shpesh shqiptarët quhen një popull musliman, ose me shumicë muslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë europiane. Si rregull, është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.” (7)
Në këtë diskurs edhe heroi kombëtar Skënderbeu, i cili njihet se ka qenë i krishterë ortodoks kthehet e bëhet katolik. Madje Kadare, i cili është një ndër farkuesit kryesorë të nacional - evropianizmit e ka cilësuar Skënderbeun shpesh në prononcimet e tij mbi identitetin evropian të shqiptarëve si “pararendës i Natos”. Kurse kryeministri Berisha, me rastin e hyrjes së Shqipërisë në Nato në pranverën e vitit 2009, deklaroi shumë herë në fjalimet e tij të rastit se Shqipëria më në fund, pas pesë shekujsh lundrimi në ujëra të mundimnshme kishte mbrritur në brigjet e ëndërruara.
Në kontesktin e këtij mistifikimi të ri identitar një rol të rëndësishëm ka marrë edhe Nënë Tereza. Nga një figurë që nuk njihej thuajse fare nga shqiptarët është kthyer në një heroinë kombëtare e krahasueshme me Skënderbeun. Qënia e saj me origjinë shqiptare dhe katolike njëherësh ka filluar të përdoret si princip identitar me teknikat e njëjta nacionaliste me të cilat është ndërtuar miti i Skënderbeut në shekullin XIX por duke i bashkuar nacionalizmit edhe idenë se paraqitja e shqiptarëve si të krishterë do të na bëjë më të pranueshëm për evropianët. Kjo shpjegon edhe lulëzimin e monumenteve të Nënë Terezës në ambjentet publike shqiptare që nga Aeroporti i tiranës deri në universitetin e Tiranës.
Ndërkohë që elitat ndërtojnë këtë diskurs në realitetin e përditshëm shqiptarët kanë përjetouar ekzodin masiv kryesisht për në Greqi dhe Italia por edhe në Turqi e SHBA Gjermani e Britaninë e Madhe. Po t'i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në për vendet e Ballkanit. Ata bëjnë shumë tregëti me Turqit punojnë në Greqi, shkojnë përpushime në Malin e Zi, bëjnë tregëti me maqedoninë e Greqinë ku punojnë por edhe ku takohen me turq, grekë, serb, maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë greke, shkollat më të mira në Tiranë i kanë turke etj. E megjithatë, kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme, ashtu sikurse edhe historinë e tyr të përbashkët shumëshekullore dhe theksojnë e glorifikojnë ato elementë që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e armiqësi. Edhe lufta për të përvetësuar Nënë Terezën midis shqiptarëve dhe sllavëve të maqedonisë, që po zhvillohet kohët e fundit tregon se historia e përshkruar në fillim të shkrimit mbi eposin e kreshnikëve vazhdon në këto treva.
Realiteti i jetuar pra është shumë më kompleks nga harta që kërkon t’i mbivendosë elitga në pushtet dhe pikëpyteja që ngrihet është a mundet një nacional – evropianizëm i formuluar si më lart të jetë përgjigja e drejtë në kuadrin e integrimit në Evropë.
Vështirësia që paraqet mistikimi identitar i përshkruar më sipër në këtë kontekst është shumëplanëshe. Më së pari kompondentja nacionaliste e kësaj harte vazhdon ta ndajë Ballkanin e shqiptarëve nga Ballkani i sllavëve apo grekëve apo turqve. Po ashtu si vazhduese e oroientalizmit, ajo është një pengesë për të njohur të kaluarën e përbashkët osmane të shqiptarëve trashëgiminë e përbashkët historinë e përbashkët.
Nacional evropainizmi nuk se i injoron disa nga ato që mund të quhen vlerat evropiane, si ekonomia e tregut pluralizmi politk, të drejtat e njeriut por njëkohësisht ai shihet edhe si një formë e daljes së shqiptarëve në Evropë në bregun tjetër duke i lënë të gjithë të tjerët, armiqtë historikë: sllavë, grekë turq nga ana tjetër e bregut. Një nacional evropianizëm i tillë po ashtu ka prirjen të kthejë në shtresë të diskriminuar pjesën e popullsisë shqiptare të besimit musliman duke rrezikuar që, ndërkohë që elita shqiptare në pushtet predikon Naton, Perëndimin, Jezu Krishtin e Nënë Terezën si fe pushteti duke grabitur e varfëruar edhe në emër të tyre shumicën e shqiptarëve, muslimanizmi të fillojë të bëhet gjithnjë e më shumë "feja e të varfërve", që mund të instrumentalizohet nesër edhe politikisht, për të përmbysur këtë elitë. (8)Ky lloj nacional evropianizmi pra, nuk është përgjigja e duhur për të përballuara sfidat e së ardhmes evropiane të shqiptarëve. Ashtu sikurse nacional – komunizmi në periudhën e diktaturës ai synon të bashkojë në emër të pushtetit të një elite dy diktrina që në thelbin e tyre përjashtojnë njëra tjetrën. Kam parasysh me këtë faktin se ai që mund të konsiderohet si thelbi i identitetit Evropian, si projekt i bashkëjetesë së kombeve të kontinentit në paqe dhe haromoni dhe krijimit të një identiteti mbinacional evropian, është bash e kundërta e asaj që predikon nacionalizmit pasi ky identitet evropian, sikurse e shtjellojnë edhe Jurgen Habermas dhe Jacques Derrida, në artikullin e tyre të përbashkët të botuar në "Frankfurter Algemeine Zeitung" në 2003 është rezultat i ngjarjeve dramatike historike që ka përjetuar Evropa për shkak të luftrave me karakter fetar apo nacional. Është pra identiteti i atyre popujve që "kanë mësuar, me një çmim të lartë, se si diferencat mund të qetësohen, kontrastet të instucionalizohen dhe tensionet të stabilizohen". Është identiteti i një hapësire kulturore ku është kuptuar më mirë se kudo se "njohja reciproke e tjetrit, në diversitetin e tij, mund të bëhet shenja e një identiteti të përbashkët"
_________________________
Shkeputur nga "Shqipëria: midis mistifikimeve identitare dhe realitetit".
__________________
.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|