arturm
Veteran ne forum
Regjistruar: 07/12/2006
Vendbanimi: itali
Mesazhe: 1195
|
Mos i bini më qafë Bujar Nishanit!
Nga Mero Baze
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë t’i dërgojnë Berishës mesazhe të tërthorta për të respektuar institucionin e prokurorisë dhe shërbimet sekrete pas emërimit të Bujar Nishanit si president politik i PD-së në krye të shtetit. Intervista e gjatë e Filip Rekerit, njeriut thuajse më të rëndësishëm në Uashington për Shqipërinë, deklaratat e ambasadorit amerikan Arvizu dhe gjuha e rrumbullakosur e zyrtarëve të Brukselit ndaj Nishanit, shkon e gjitha në një pikë shumë kritike, tek kufiri që Nishani nuk duhet të kalojë në raport me institucionet. Nga mënyra si flasin, si shkruajnë dhe çfarë komentesh bëjnë njerëzit më të rëndësishëm të Perëndimit për Shqipërinë, të krijohet ideja se këtë vend e ka pushtuar një njeri i plotfuqishëm, që ata nuk kanë ç’i bëjnë dhe po përpiqen ta sabotojnë pushtetin e tij me yçkla të vogla, duke mikluar ushtarët e tij nëpër poste. Kjo është një rrugë e gabuar dhe pa rezultate. Lufta e ftohtë e Perëndimit me Berishën, përpjekjet dhe energjitë e harxhuara për të “kapur” njerëzit që ai emëron në poste dhe sidomos betejat qesharake për të mikluar Nishanin që të bëjë çfarë thotë SHBA dhe jo çfarë thotë Berisha, është energji e harxhuar kot, bile në drejtim të gabuar.
Impakti i parë negativ në shoqërinë shqiptare në këtë rast është se Berisha është aq i fortë sa dhe SHBA nuk ka çfarë t’i bëjë dhe përpiqet t’i “rekrutojë” Nishanin. Kjo përshtypje në fakt është përforcuar nga karshillëku arrogant që Berisha i bëri SHBA me ngjarjen e 21 janarit, me shpalljen puçiste të kryeprokurores, presidentit dhe shefit të SHISH, dhe më pas me hedhjen në koshin e plehrave të ekspertizës së FBI për vrasjet e 21 janarit. Edhe pse karshillëku i tij ndaj SHBA ishte ekstrem dhe i paramenduar, ndaj tij nuk pati kundërpërgjigje. Përkundrazi lobistët e tij rregulluan një udhëtim në SHBA, një foto plot mizaskena me Hillari Klintonin dhe ca deklarata që relativizonin premtimin e tij për dialog politik në Shqipëri.
U duk se tek presidenti nuk do të toleronin. As aty në fakt nuk ndodhi ndonjë gjë. Berisha zgjodhi jo vetëm një ushtar të hierarkisë së lartë të tij, por tërësisht të pamundur, bile dhe fizikisht, për të dalë nga kontrolli.
Presioni i tanishëm që presidenti i ri të mos prekë institucionet, sidomos SHISH dhe prokurorinë, është një ulje e madhe pazari, për të mos thënë një poshtërim që Berisha po i bën Perëndimit në raport me autoritarizmin e tij.
SHBA dhe Bashkimi Evropian po sillen me problemet e Shqipërisë sikur i ka shkaktuar një fuqi jashtëtokësore dhe ata po merren me rregullimin e pasojave. Ne u jemi mirënjohës që ata duan të ndreqin gjithçka që është prishur në këtë vend, por këtu nuk ka rënë ndonjë kometë dhe ka shkatërruar gjithçka. Thjesht ka ardhur në pushtet Sali Berisha. Ndaj problemi duhet të adresohet aty ku qëndron. Mos i bini më qafë Bujar Nishanit. Mos i kërkoni atij të futet në luftë me Berishën, të mos heqë Ina Ramen në nëntor, por në prill, të mos dekretojë ndonjë ushtar të ri të Berishës në atë post, të mos fusë hundët në ShISh apo Gjykata… Është e tepërt për të. Ai është zgjedhur në atë detyrë fiks për të kundërtën e asaj që i kërkoni dhe nuk e keni zgjedhur ju, por Sali Berisha. Përpjekja për ta rrethuar Berishën me ushtarët e vet është e lodhshme dhe fyese për demokracinë shqiptare. Përballë Sali Berishës nuk është një turmë injorante, por populli shqiptar, i cili po rri i tulatur dhe i fjetur, mes të tjerash nga mesazhet e dyzuara të Perëndimit kundër liderit të tyre. Deklarata gjysmake dhe balancimi i tyre me “të këqij” nga të dy anët, humbja e betejave të Perëndimit me Berishën dhe mos ndëshkimi për asgjë i tij, falja e vrasjeve të 21 janarit dhe vjedhja e zgjedhjeve, kanë krijuar dëshpërimin e madh se Perëndimi nuk e do Berishën, por nuk ka çfarë i bën. Për një popull si ky i yni, që jeton më shumë me legjendën e mikut të madh se sa me fuqinë e vet, kjo është vdekjeprurëse. Shqipëria nuk mund të shpëtojë me skemën e Perëndimit që të mbrojë demokracinë e rrezikuar nga Berisha duke rekrutuar ushtarët e Berishës. Jo! Është shumë e thjeshtë. Duhet folur qartë, në mënyrë dëftore, me një kuptim dhe vetëm një kuptim kundër atij që shkakton luftën me institucionet, kundër atij që do të kontrollojë ShISh, kundër atij që po merr gjykatat dhe prokurorinë, kundër atij që ka vrarë më 21 janar, kundër atij që ka vjedhur më 8 maj. Nëse flitet qartë dhe me një kuptim kundër tij, nuk ka nevojë të rekrutohet as Nishani, as Pollo, as Ruli, as Imami, dhe Ilir Meta. Shqiptarët e zgjidhin vetë çështjen me Sali Berishën nëse kuptojnë se SHBA dhe Bashkimi Evropian janë qartazi kundër Berishës. Presioni i ri kundër tij është jo funksional dhe gjysmak, për të mos thënë i dëmshëm për mentalitetin e kësaj shoqërie. Nëse shqiptarët duhet të shpresojnë kur të tradhtojë Bujar Nishani Sali Berishën të rregullojnë demokracinë e tyre, këtë vend e ka marrë lumi. Mos i bini më qafë Bujar Nishanit se dhe nëse ua bën këtë nder, nuk u bën dot nder shqiptarëve. Shqiptarët e kanë problemin me Sali Berishën dhe e zgjidhin kur ta kenë Perëndimin aleat të qartë kundër tij.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|