Petrit Kola
Mbushes topi.
Regjistruar: 10/06/2005
Vendbanimi: Ne autobuz
Mesazhe: 996
|
Vetëvendosja përballë ofanzivës neokolonialiste
Fatos Aliu
Plani i Ahtisarit e mohon vetëvendosjen për shqiptarët në Kosovë, ndërsa e zbaton për minoritetin serb. Substanca e këtij plani nuk e përmban pavarësinë e Kosovës, por suspendimin e Kosovës nga pavarësia dhe sovraniteti, tjetërsimin e përkatësisë shqiptare të Kosovës. Kur suspendohet vetëvendosja shqiptare, spekullohet rreth vetëvendosjes së Kosovës në favor të minoritetit serb. Një “pavarësi” e këtillë e Kosovës, edhe po të realizohej, nuk do të duhej të pranohej nga shqiptarët e Kosovës, sepse ajo nuk do të jetë në interes të popullit shqiptar të Kosovës.
Përkundrazi, “pavarësia” e tillë do të ishte në interes të Serbisë dhe kolonializmit ndërkombëtar. Këtë e vërteton heqja dorë nga vetëvendosja shqiptare, përcaktimi për një identitet të ri, kosovar, me të cilin (vetë) mohohet e drejta historike shqiptare ndaj Kosovës. Pikërisht kjo parashihet me planin e Ahtisarit, me procesin e deritashëm politik të zbatuar, të decentralizimit dhe ‘ekstraterritorialitetit’ të kishave e manastireve të Kosovës. Nëse kishat dhe manastiret e vjetra, të kohës ilrire e bizantine, konsiderohen serbe, dhe mbesin nën juridiksionin e kishës Ortodokse Serbe (sipas këtij Plani), atëherë trashëgimia historike e kulturore, autoktonia dhe përkatësia ndaj Kosovës i mbetet serbëve dhe Serbisë. Kështu konfirmohen tezat e pretendimeve serbe ndaj Kosovës. Prandaj, propaganda aktuale mediale për gjoja mundësinë e pavarësisë së Kosovës në të ardhmen, i demaskon dhe denoncon vetë autorët e kësaj propagande kollaboracioniste në interes të Serbisë dhe politikës neokolonialiste ndërkombëtare, të paraparë pas vendosjes së misionit të ri të BE-së në Kosovë.
Pavarësia reale dhe objektive e Kosovës, lidhet me vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës, me vetëvendosjen natyrale, me rënjët e Bujanit Historik, me përcaktimin për Shqipëri Natyrale. Variantat e tjera synojnë dhe kërcënojnë shpërbërjen dhe shkombtarizimin e shqiptarëve.
Vetëvendosja nuk mund të kushtëzohet me rezoluta të jashtme, e misione neokolonialiste. Vetëvendosja mund të përkrahet, të pranohet e të mbështetet nga jashtë, apo të mohohet me metoda të politikave neokolonialiste, por nuk mund të kontestohet e drejta legjitime dhe natyrale e një populli të ndarë e të kolonizuar. Për ta parandaluar këtë vetëvendosje, bashkësia ndërkombëtare, me planin e Ahtisarit, ka hartuar skenarin e manipulimit me vetëvendosjen, me transferin e përkohshëm të sovranitetit të Kosovës në duar të veta, ndërsa Serbisë ia ka lanë mundësitë e hapura për t’a kthyer këtë sovranitet në të ardhmen. Kushtetuta e Serbisë që Kosovën e parasheh pjesë të saj, nuk kontestohet, por kontestohet kushtetuta e Kosovës nga “minoriteti” serb. Pra, sipas këtij plani, serbët nuk janë minoritet, por komb me të drejtën e vetos, ndërsa shqiptarët e Kosovës, mbesin një kolektiv shumicë në Kosovë, por minoritet ndaj Serbisë. Këto janë lojërat e kompromisit pro serb të këtij plani.
Me Misionin e Ri në Kosovë, me planin e ri të kontrollit të Kosovës dhe hartën e re të Kosovës, largohemi edhe më shumë nga rruga e Vetëvendosjes Natyrale. Kosova bëhet vatër e shkombtarizimit të shqiptarëve, e tjetërsimit të pronës dhe pasurisë kombëtare. Ky mision, pra, do që jo vetëm ta rehabilitojë Serbinë, por edhe ta legjitimojë pronësinë e saj mbi Kosovën, përmes statusit të pakicës serbe si komb (mjafton të shihet Neni 1.6 i Planit të Ahtisarit, gjuha e pakicës 5% serbe barazohet me gjuhën e shumicës shqiptare, mbi 90%). Cilido që të jetë statusi i Kosovës, sipas këtij plani, përjashtohet dhe mohohet vetëvendosja shqiptare, synohet një komb i ri multietnik në Kosovë, një vetëzhvendosje apo (vetë)fundosje multietnike e Kosovës, përkundër fakteve historike se serbët në Kosovë janë ardhacakë, kolonistë, pa rrënjë etnike në këto treva. Serbve nuk ju takon trashëgima historike e kulturore në asnjë pëllëmbë të Kosovës. Kishat dhe manastiret e Kosovës datojnë nga koha iliro-shqiptare dhe Perandoria Bizantine, ato i përkasin Shqipërisë Natyrale. E drejta shqiptare është e mbjellur në themelet e Ilirisë, e jo në karpatet e Rusisë.
Nëse Gjykata Ndërkombëtare pretendon drejtësi, është vetë UNMIK-u ai që duhet të paditet e gjykohet, për politikën neokolonialiste dhe antishqiptare të zbatuar në Kosovë, për tetë vjetët e pasluftës, në kollaboracion me Serbinë kriminale, për shkeljen e të gjitha akteve e konventave ndërkombëtare për vetëvendosje e dekolonizim, të cilat i ka sjellë vetë OKB-ja*. Jo vetëm Serbia, por edhe serbet kolektivisht, kanë qenë dhe janë përkrahës dhe nxitës të politikës gjenocidale të Serb'isë. Dëshmi e kësaj janë dokumentet gjenocidale të cilat i ka nxjerrë vetë Serbia, me qubrilloviqët e rankoviqët e vet, në të gjitha periudhat e zgjërimit pansllavist në Ballkan. Por, OKB-së dhe Bashkësisë Ndërkombëtare i mungon drejtësia dhe përcaktimi për të vërtetën historike. Po të kishte zbatim të drejtësisë ndërkombëtare, Serbia nuk do të ishte shtet. Po të kishte drejtësi, veprat gjenocidale kundër njerëzimit, do të ishin kriter për diferencimin e hordhisë nga kombi, ndërsa gjenocidi do të dënohej, e nuk do të shpërblehej.
Prandaj , shqiptarët duhet t'i përvishen vetë punës së tyre kombëtare që ju takon, për ta realizuar vetë vetëvendosjen, e jo ta presin nga jashtë.
Populli shqiptar nuk mund t'i pranojë shantazhet e misioneve mashtruese, në emër të integrimeve dhe modernizmit. Ne nuk mund të pretendojme integrime me jashtë, duke u dezintegruar nga brenda, si komb, aq më pak me një klasë politikanësh e dallkaukësh të shitur, e me llumin e rekrutuar kollaboracionist, shërbëtorë të ish-jugosllavisë e Serbisë, autorë të krimit e korrupsionit të institucionalizuar ekonomik në Kosovë, shkatërrimtarë të pasurisë kombëtare, në kooperim me agjentura jolegjitime, siç është AKM-ja - «Agjencia e Mirëbesimit të Kosovës».
Populli shqiptar aderon një bashkëpunim e partneritet me shtetet dhe popujt e Evropës. Por, misionet e standardeve të dyfishta janë bërë vetë barriera bashkëpunimit, në emër të bashkëpunimit. Këto misione punojnë me standarde të dyfishta, flasin për heqjen e sovranitetit të Serbisë ndaj Kosovës, ndërkaq e monopolizojnë këtë sovranitet, duke e avancuar minoritetin serb në nivel të kombit, duke krijuar mini-shtete serbe në Kosovë, bërthamat e ardhshme të hegjemonizmit serbomadh.
Ky Plan e mohon vetëvendosjen shqiptare, parasheh të shpërbëhet çdo strukturë kombëtare e mbrojtëse e Kosovës, në emër të krijimit të një force të re mbrojtëse, nën kontroll të ri. Prandaj, nuk është rastësi pse kushtëzohet bashkimi me Shqipërinë, por jo edhe me Serbinë, nga e cila ofrohet nënshtetësia e dytë.
Me refuzimin e planit të propozuar të zotit Ahtisari, ne vetëm dëshmojmë pjekurinë dhe vendosmërinë tonë për të vendosë vetë për të ardhmen tonë.
Me JO-në tonë, përcaktohemi, se a duam të mbesim shqiptarë (nëse e refuzojmë), apo do të shndërrohemi në një kolektiv multietnik të skllavëruar në Ballkan.
Por, zgjidhjet e imponuara dhe artificiale do të dështojnë, si edhe politikat e vazalëve të Kosovës. Kombi shqiptar është i patjetërsueshëm, i pa asimilueshëm.
Grupi Negociator i Kosovës, krijuesit dhe mbështetësit e tij, duhet t'i japin llogari popullit për politikat e tjetërsimit të tokave shqiptare dhe të trashëgimisë historike e kulturore të Kosovës.
Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje nuk e thotë kot se vetëvendosje do të thotë shporrje e okupatorëve kolonialistë, çrrënjosje e çdo mbeturine kolonialiste*.
Orientimi i popullit shqiptar për një shtet shqiptar, me një flamur, një gjuhë, një himn kombëtar, për Shqipëri Natyrale, është shpëtimi dhe ringjallja e kombit dhe Atdheut tonë. Ky është standardi ynë primar. Këto janë politikat kombëtare që duhet zhvilluar sot, për ta zënë hapin historik përgjatë rikonsolidimit të popujve dhe shteteve në Ballkan. Prandaj shansin historik për përmirësimin e padrejtësive ndaj kombit tonë nuk duhet ta lejmë për nesër.
Lëvizja Vetëvendosje është forca e vetme reale dhe shpëtimtare, e cila e ka të qartë rrugën e një procesi të ri politik, të cilin duhet zhvilluar në pajtim me vullnetin e popullit tonë, për zbatimin e të drejtës së tij historike për vetëvendosje.
Prishtinë, 2 shkurt 2007
* Aktet ndërkombëtare të cilat përshkruajnë natyrën e të drejtës për vetvendosje, e të cilat po shkelen nga UNMIK-u, nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë (me ndihmën e klasës vazale politike të Kosovës), janë:
1 Karta e Kombeve të Bashkuara (Neni 1, 2 dhe 55 - viti 1993)
2 Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut (1950)
3 Deklarata e Njohjes së Pavarësisë së vendeve dhe popujve të kolonizuar (1960)
4 Deklarata e Marrëdhënieve të Miqësisë (1970)
5 Akti Final i Helsinkit (1 gusht 1975)
6 Karta e Parisit dhe Dokumenti i Kopenhagës (1990)
7 Deklarata e Vjenës (1993)
Citojmë disa nga obligimet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare që dalin nga dokumentacionet e fundshekullit XX të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara:
“Duke njohur prioritetin e dekadës së filluar nga viti 1990 të Kombeve të Bashkuara për çrrënjosjen e kolonializmit dhe respektimin e domosdoshmërisë së zbatimit të Deklaratës për Njohjen e Pavarësisë së Vendeve dhe popujve të Kolonizuar, në bazë të Rezolutës së AKB, 49/89, 49 U.N. GAOR Supp. (no. 49) at 43, U.N. Doc. A.49/49 (1994) mbi obligimet të cilat dalin nga Rezoluta e aprovuar nga ana e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në sesionin e saj të 49-të, sipas të cilës (pika 10 e Dokumentit të sipërtheksuar):
“I kërkohet Komitetit Special të vazhdojë të gjejë mjetet më të përshtatshme për zbatimin e shpejtë dhe të plotë të Deklaratës dhe të përkujdeset për jetësimin e aksioneve të aprovuara nga Asambleja Gjenerale, të cilat i përkasin Dekadës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Kolonializmit në të gjitha territoret ndaj të cilave nuk është ushtruar e drejta për vetëvendosje, në veçanti:
a) Të formulojë propozimet specifike për eliminimin e mbeturinave të manifestimit të kolonializmit dhe për këtë t’i raportojë Asamblesë Gjenerale;
b) Të bëjë sugjerime konkrete të cilat do t’i ndihmonin Këshillit të Sigurimit për t’i ndërmarrë masat më të përshtatshme në pajtim me Kartën dhe zhvillimet në vendet e kolonizuara nëse ato janë harmoni me sigurinë dhe paqen ndërkombëtare;
c) Të vazhdojë të ushtrojë zbatimin e rezolutës 1514 (XV) nga ana e Anëtarëve të Shteteve dhe të rezolutave të tjera relevante mbi dekolonizimin;
d) Të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje speciale Territoreve të vogla, në veçanti nëpërmjet koordinimit dhe vizitave të rregullta të misioneve, dhe t’i rekomandojë Asamblesë Gjenerale hapat më të përshtatshëm të cilat duhet të ndërmirren për aftësimin e popullatës së këtyre territoreve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe pavarësi;
e) Të ndërmirren të gjitha hapat e domosdoshëm për të siguruar mbështetje të gjërë ndërkombëtare nga qeveritë e tjera, për t’i realizuar objektivat e Deklaratës dhe për t’i zbatuar rezolutat relevante të Kombeve të Bashkuara “.
E drejta për kontroll të resurseve natyrore
Në Rezolutën 1803 (XVII) të Asamblesë së Përgjithshme, Kombet e Bashkuara kanë deklaruar “të drejtën e popujve dhe kombeve për sovranitet të përhershëm mbi pasuritë dhe resurset natyrore”1, ndërsa Konventat Ndërkombëtare mbi të drejtat humane në Nenin 1(2) afirmojnë të drejtën e popujve “për të disponuar lirisht me pasuritë dhe resurset natyrore”.
Domosdoshmëria e këtij aspekti evidentohet në veçanti kur është mohuar e drejta e popujve për të pasur kontroll mbi vendin dhe resurset natyrore nëpërmjet shtetit të tyre. Ky është rast tipik kur këto resurse kanë vlerë të madhe ekonomike. Atëherë ato eksploatohen nga shtresa dominuese e popullatës ose elita përkatëse për përfitime personale, ose për përfitime të korporatave të huaja (transaksionale). Ky eksploatim zakonisht rezulton me ndryshime të mëdha të mjedisit jetësor të popullatës, territori i së cilës është i shfrytëzuar. Nganjëherë edhe vendet e shenjta shkatërrohen, si edhe pyjet e paprekura dhe fushat pjellore, zhvendosen fshatrat dhe qytetet e tëra, ndërsa komunitetet nuk janë në gjendje që të mirëmbajnë mënyrën e tyre të jetësës. Me fjalë të tjera, dhunohet e drejta e popujve për vetëvendosje në mënyrë themelore, shpeshherë të pakthyeshme.
__________________
Kolonel Anastas Janullatosi, jashte nga Shqiperia!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|