sarandaebukur
Veteran ne forum

Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817
|
Shkruar nga T.O.
Tuesday, 20 November 2007
Si u bë Hashim Thaçi politikan i skalionit të parë në politikën e Kosovës? Më mirë se ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Allbright, këtë nuk mund ta thotë askush. Zonjës së hekurt të SHBA-së i bëri jo pak përshtypje profili politik i djaloshit, që nën siglën e UÇK-së kish marrë pjesë në bisedimet e Rambujes në vitin 1999. Ndaj, mes anëtarëve të delegacionit kosovar, Hashim Thaçi ishte shpresa e SHBA-së për të dalë nga kështjella e Rambujes në Francë me një marrëveshje. Gazeta "Tirana Observer" boton pjesë të kujtimeve të Madeleine Allbright, botuan librin “Zonja Sekretare”, ku ish-sekretarja e Shtetit rrëfen njohjen e saj me Thaçin dhe mbështetjen që i dha për të pranuar marrëveshjen. Nga ky takim nisi të shkëlqejë dhe ylli politik i Thaçit, ku ai dhe UÇK-ja morën përsipër kostot e një ndërhyrjeje ushtarake të NATO-s.
Delegacioni shqiptar prej gjashtëmbëdhjetë vetash përfshinte udhëheqësin e moderuar politik, Ibrahim Rugovën, gazetarin e respektuar, Veton Surroi, akademikun Rezhep Qosja dhe përfaqësuesit e partive të tjera politike, të pavarurit dhe UÇK- në. Papritmas, delegatët zgjodhën si kryetarin e tyre një komandant të UÇK-së, 29-vjeçarin Hashim Thaçi, i cili kishte një fizik të gjatë e thatim. Me të deri atëherë kishim pasur shumë pak kontakte. Dukej se caktimi i Thaçit pasqyronte rënien e vazhdueshme të Ibrahim Rugovës, i cili pas gjithë asaj fyerjeje nuk e hapi gojën thuajse fare. Kur njëri nga diplomatët tanë e pyeti Rugovën pse ishte aq i plogësht, ai u përgjigj: "Ky është stili im".
Posa arrita në Rambuje, fillova takimin e parë ndër takimet e shumta me delegacionin shqiptar. Termi "i ndryshëm" mund të ishte shpikur shumë mirë për këtë grup, i cili përbëhej që nga enigmatiku Rugova e deri tek pragmatiku Surroi dhe problematiku Thaçi. Askush prej tyre nuk kishte marrë ndonjëherë pjesë në bisedime të koklavitura, sigurisht jo në shkallë botërore. Përveç kësaj, vazhdonin të kishin ende shumë mosmarrëveshje midis tyre. U gëzova që kishin pranuar ndihmën e një ekipi të vogël këshilltarësh të jashtëm, përfshi edhe ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Morton Abramowitz-in, njëri prej miqve të mi të vjetër dhe mbrojtës i jashtëzakonshëm i të drejtave të njeriut.
Pas takimit të përgjithshëm, u takova vetëm për vetëm me Thaçin, në njërën nga dhomat përdhese, ku frynte shumë. Që në takimin e parë, ashtu si edhe në takimet e mëvonshme, u habita nga mosha e tij e re dhe mungesa e përvojës, çka e bënin atë herë kokëfortë e herë të etur për t'u pëlqyer të tjerëve. Në rastin e Rugovës ndjeja se i drejtohesha një kolegu të çuditshëm akademik. Thaçi më ngjante më shumë me një student me mundësi të shkëlqyera, me prirjen për ta dorëzuar detyrën me vonesë. Sipas marrëveshjes sonë, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe do të hiqte krejtësisht dorë nga çfarëdolloj roli të pavarur ushtarak. E dija se Thaçi do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë edhe me garancitë që ofronte NATO-ja, për të përmbushur boshllëkun e sigurisë së krijuar. Që në takimin e pasdites së parë, i kujtova se edhe organizata të tjera ushtarake më pas ishin kthyer në parti politike. Thaçi u përgjigj se priste që delegacioni shqiptar të nënshkruante marrëveshjen, porse do të kalonte njëfarë kohe derisa guerilet t'i përshtateshin kësaj gjendjeje. Duke dashur ta bëja fakt parashikimin e Thaçit, i thashë: "Jam e kënaqur me zotimin tuaj për të nënshkruar". Ai u përgjigj: "Besoj se mund të arrihet marrëveshje, por kjo nuk varet as nga unë, as nga UÇK-ja, madje as nga delegacioni. Mund të ketë vështirësi". Ndërsa filloi java e dytë e bisedimeve dhe unë u ktheva në Washington, vazhdonin të mbeteshin ende dy pengesa të mëdha: Së pari, dëshira e shqiptarëve për organizimin e një referendumi të qartë rreth pavarësisë, të cilën për mendimin tim mund ta zbutnim; së dyti, kundërshtimi serb ndaj një pranie ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, me të cilën do të na duhej të përballshim. Ishte e qartë se qëndrimi serb nuk do të ndryshonte, nëse Millosheviçi nuk vendoste ta ndryshonte atë. Për këtë arsye mora në telefon Beogradin.
Mund t'i thosha "kupë egjiptiane" edhe Millosheviçit. Sipas tij, numrin e shqiptarëve në Kosovë e shtonin më me shumë se 50 për qind dhe se ai vetë ishte njëkohësisht edhe mbrojtës i tolerancës etnike, edhe mendimtar i shekullit të njëzetenjëtë. Përpjekja jonë për ta nxjerrë atë nga universi i tij paralel vazhdoi gjatë gjithë javës. Kur i telefonova përsëri të enjten, më tha: "Problemi ynë i madh është se nuk po gjejmë dot një zgjidhje që të mos na largohen joshqiptarët nga Kosova. Kosova ka qenë fortesa e Perëndimit të krishterë kundër islamizmit për pesëqind vjet". Këto ishin mendimet e tij të shekullit të njëzetenjëtë. Ndonëse drejtpërsëdrejti nga Millosheviçi munda të përfitoja fare pak, delegacioni serb më në fund iu përgjigj pjesëve politike të projektit. Kjo gjë na dha zemër neve, por jo shqiptarëve, të cilët i shihnin me nervozizëm juristët e Grupit të Kontaktit, që rrinin për orë të tëra me serbët. Gjatë javës mora në telefon Thaçin, i cili më tha se dëshironte të pranoheshin më shumë sugjerime të shqiptarëve. Megjithatë, në tërësi mbetej optimist. U ktheva sërish në Francë dhe të shtunën në mëngjes u takova për pak kohë me delegacionin shqiptar, si me të gjithë anëtarët një nga një, ashtu edhe kolektivisht. Kosovarët më thanë se do ta miratonin marrëveshjen - kornizë kur të dyja palët të takoheshin me ministrat e Grupit të Kontaktit atë pasdite. Meqenëse serbët nuk i kishin trajtuar ende çështjet që lidheshin me sigurinë, kosovarët kishin një rast të artë për ta izoluar Millosheviçin. Po prisja gjithë shpresë që ta shfrytëzonin këtë rast. Më pas u zhvillua takimi.
Ishte menduar që e shtuna të ishte dita e fundit e bisedimeve, po ndërkaq ramë në ujdi që t'i zgjatnim ato edhe tri ditë të tjera. Teksti i marrëveshjes ishte larg së qeni i përfunduar dhe na duhej kohë për të ndryshuar qëndrimet. Thaçi nuk ishte i vetmi nga gjithë delegacioni që kishte rezervat e tij. Për shkak të kohës që kishim shpenzuar gjatë javës për të bindur serbët, shumica e shqiptarëve nuk ndiheshin rehat. Ata kishin nisur të dëgjonin njerëz nga jashtë, që u thoshin të mos u besonin as evropianëve, as neve. Kishin frikë se mënyra me të cilën u kërkohej të parashtronin kërkesat e tyre, do të bëhej pengesë e përhershme për arritjen e pavarësisë. Gjithashtu nuk dëshironin as të çarmatoseshin. Njëkohësisht as qëndrimi i francezëve nuk na ndihmoi; pa dhënë asnjë shpjegim, ata nuk pranuan t'i lejonin oficerët e NATO-s të hynin në kështjellë për t'u shpjeguar shqiptarëve hollësitë e planit tonë ushtarak. Në vend të tyre, këto shpjegime i dha një avokat i Grupit të Kontaktit, i shoqëruar nga një kolonel i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, i cili kishte mundur të fuste vjedhurazi uniformën e tij brenda kështjellës.
Pas dështimit të së shtunës, fillova të përdorja taktika të shumëllojta. Së pari, i thashë Thaçit se ishte një udhëheqës i madh e i mundshëm. Kur nuk më doli gjë me këtë, i thashë se ishim zhgënjyer me të dhe se gabohej nëse mendonte se do t'i bombardonim serbët edhe sikur shqiptarët ta hidhnin poshtë marrëveshjen. Në një rast të tillë nuk do të arrinim kurrë të siguronim mbështetjen e NATO-s. "Nga ana tjetër, - i thashë, - nëse ju thoni "po" dhe serbët thonë "jo", NATO-ja do të godasë derisa forcat serbe të largohen nga Kosova dhe forcat e saj të hyjnë brenda. Në këtë mënyrë do të keni siguri dhe do të jeni në gjendje të vetëqeveriseni". Thaçi u përgjigj se synimi i vetëm i UÇK-së ishte lufta për pavarësi dhe se për ta do të ishte shumë e vështirë të hiqnin dorë nga një gjë e tillë. "Ju s'keni pse të hiqni dorë, por duhet të tregoheni realistë. Kjo marrëveshje është për tre vjet. E dimë se problemi është te Millosheviçi. Por gjendja mund të paraqitet krejt ndryshe pas tre vjetësh. Ky është shansi tuaj. Kapeni atë, sepse nuk do t'ju vijë kurrë më!". Ndonëse shihej qartë se ndihej i turpëruar dhe thuajse me lot në sy, përsëri Thaçi nuk tha "po".
Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen se si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa të provoja edhe Adem Demaçin. Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit të ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni, ku ndodhej, si dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që të mbështeste qëndrimin tonë. Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: - Ka dy javë që palët po bisedojnë; edhe fare pak orë ka mbetur që të skadojë afati i fundit. Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t'i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t'ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.
Më në fund, Jamie erdhi dhe doli me Thaçin, duke u përpjekur t'ia hiqte mendjen duke i folur për filmat dhe Hollivudin. Pas pak Surroi e përfundoi deklaratën, ndaj na duhej edhe Thaçi. Kështu, Jimie e mori edhe njëherë Thaçin dhe e drejtoi për nga zyra, ndërkohë që Jamie gjoja ankohej: "Hej, po unë sapo ndeza cigaren!". Kur u kthye në zyrë, Thaçi u përpoq përsëri ta ndryshonte tekstin, por Surroi nuk donte të pranonte asnjë ndryshim. Deklarata e nënshkruar nga Surroi iu kalua ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit dhe Jamie e shpalli atë publikisht.
Pavarësisht nga përplasjet dhe dështimet, ikëm nga Rambujeja me pjesën më të madhe të atyre që kishim kërkuar. Ndërkaq kishim një delegacion shqiptar pak a shumë të bashkuar, si dhe një vizion të qartë se ç'formë do të kishte një Kosovë demokratike në të ardhmen. Shqiptarët kishin debatuar dhe ishin lëkundur, po përfundimisht kishin zgjedhur paqen. Dy javët e ardhshme Thaçi u përpoq të sqaronte komandantët dhe kuadrot e UÇK-së për marrëveshjen e Rambujesë. Ai u rishfaq përsëri pak përpara se të fillonin bisedimet në Francë, më 15 mars, si dhe shoqëroi delegacionin në Paris. Aty nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen prej tetëdhjetë e dy faqesh, në një ceremoni pesëminutëshe, e cila u bojkotua si nga delegacioni jugosllav, ashtu edhe nga bashkëbiseduesit rusë.
Shefer: Të krijohet sa më parë qeveria e re!
Zgjedhjet në Kosovë morën vlerësime pozitive nga të gjitha selitë diplomatike në botë. Por tashmë duket se problemi i radhës është krijimi i qeverisë së re. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, u ka bërë thirrje dje partive politike të Kosovës që të mos humbasin kohë për të krijuar qeverinë e re. Në një komunikatë për shtyp, Shefer vlerësoi procesin zgjedhor, si dhe falënderoi 12 mijë trupat e NATO-s që ndodhen në Kosovë për kontributin që dhanë në këtë proces. Ndërkohë që thirrja për krijimin e menjëhershëm të qeverisë së re u bë dje edhe nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Sejdiu, në një komunikim të bërë dje me mediat, ka kërkuar nga partia që rezultoi fituese në zgjedhje krijimin e menjëhershëm të kabinetit.
"Nuk ka status neutral për Kosovën"
Pala kosovare nuk do të pranojë asnjë status neutral. Kjo ka qenë deklarata që përfaqësues të ekipit të Unitetit kanë bërë dje në Prishtinë para nisjes për bisedime me palën serbe në Bruksel. Sot është takimi i radhës mes delegacionit dypalësh, ku do të diskutohet për çështjen e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që afati i fundit i përcaktuar është data 10 dhjetor. Pas kësaj date pala kosovare ka deklaruar se do të shpallë pavarësinë e njëanshme, gjë që ka sjellë dhe reagimin e palës serbe dhe shteteve të tjera që mbështesin atë. Ndërkohë që, nëse ky hap do të hidhet nga pala kosovare, do të këtë dhe mbështetjen e SHBA-së dhe një sërë shteteve të tjera. Gjithsesi, politika kosovare këto ditë duket se në qendër të vëmendjes së saj do të ketë krijimin e qeverisë dhe konstituimin e Parlamentit të ri, që do të përballojë dhe sfidat e shpalljes së pavarësisë.
Thaçi: Pas 10 dhjetorit, Kosova do caktojë vetë rrugën e saj
Fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhshëm, Hashim Thaçi, deklaroi dje se, pas datës 10 dhjetor, Kosova do të caktojë vetë agjendën e saj për pavarësinë. Në këtë mënyrë, Thaçi ka lënë të kuptohet se cilido të jetë fati i negociatave me palën serbe, Kosova nuk pranon kompromis veç pavarësisë. "Ajo do ta marrë vendimin për pavarësinë e saj dhe pres mbështetjen ndërkombëtare për këtë", deklaroi Thaçi. Ndërkohë që reagime pas zgjedhjeve ka pasur dha nga pala serbe, duke këmbëngulur në variantin e vjetër, se nuk do të ketë asnjë lëshim nga Beogradi për çështjen e pavarësisë. Por kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret kompromis me Beogradin rreth statusit të Kosovës. "Nuk pres një kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por do ta respektojmë agjendën e Treshes deri më 10 dhjetor", tha Thaçi në një intervistë për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|