Isra
.............

Regjistruar: 03/12/2004
Vendbanimi: veçse në dorën e Zotit!
Mesazhe: 2053
|
Ditet e fundit eshte perhapur lajmi i vertete dhe i tmerrshem ne Shqiperi qe 4 femije te semure nga talasemia, tashme jane infektuar nga virusi i sidas nga transplatimi i gjakut...
pra siguria e sherbimit mjekesor eshte 0....
ja se c'shkruan me poshte doktori isuf karlo
gabimet “e bardha“ dhe rreziqet e zeza të mjekësisë
Prof. Dr. Isuf Kalo
“Rruga që çon në ferr është e shtruar ndonjëherë me qëllime të mira”.
Asnjë profesion tjetër sa mjekësia nuk e ka provuar kaq shpesh gjatë kryerjes së misionit të saj fisnik këtë paradoks. Dëshira e mirë dhe përpjekjet e admirueshme të saj për të ndihmuar njerëzit në përballimin e sëmundjeve dhe vdekjes, për fat të keq, mund të përfundojnë ndonjëherë në të kundërtën: dëmtimin pa dashje të shëndetit dhe shkurtimin e jetës së pacientëve. Që mjekësia, përveç se shëron e ndihmon, mund që aksidentalisht edhe të dëmtojë, kjo njihet që në lashtësi. Mjekësia nuk është shkencë ekzakte dhe praktikimi i përkryer i artit diagnostiko-kurues të saj në organizmin e gjallë aq të komplikuar të njeriut është realisht i vështirë. Prandaj Hypokrati, babai i motshëm i mjekësisë, pati vënë në tekstin e betimit të mjekëve të rinj porosinë: “Para së gjithash mos dëmto“.
Por me zhvillimin e modernizimin e mjekësisë, të teknologjisë së saj të sotme gjithnjë e më të sofistikuar dhe me proceset e proceduarat e panumurta, të reja dhe të nderlikuara të mjekimit, plotësimi i porosisë së Hypokratit nuk është më i lehtë. Mundësitë e gabimeve njerëzore, atyre teknologjike dhe i aksidenteve të padëshiruara mjekësore janë shumëfishuar. Megjithatë për shekuj me radhë, mjekësia është druajtur t’u hapet të sëmurëve dhe publikut për çka ndodh brenda saj. Ajo i ka ruajtur të fshehtat e sekretet profesionale të saj si tabu hermetike, veçanërisht bëmat fatkeqe dhe gabimet ”e bardha“, joqëllimkeqe të saj. Por në vitin 2000, libri “ Të gabosh është njerëzore“, botuar nga shoqëria amerikane e spitaleve, e theu akullin e misterit. Ai shokoi botën me trasparencën e papritur ekzemplare dhe emocionet qe krijoi. Faktet dhe shifrat e ekspozuara qenë alarmante. Ato tregonin se rreth 100 mijë të sëmurë dëmtohen rëndë nga shëndeti ose humbin jetën në spitalet amerikane çdo vit për shkak të gabimeve mjekësore. Ky numër është më i madh se ai i viktimave në një vit të aksidenteve rrugore dhe të kancerit të gjirit në Amerikë, të marra së bashku.
Prej atëherë lindi për të sëmurët e qytetarët një pyetje e re, e paparashikuar: A janë spitalet vendet më të sigurta, apo më të rrezikshme për jetën ...?! Kjo, jo vetëm për të sëmurët, por edhe për vetë stafin dhe personelin mjekësor. Çështjet e sigurisë, të evitimit apo dhe menaxhimit të rreziqeve prej gabimeve ”të bardha“ të personelit mjekësor apo rreziqeve “të zeza”, jo gjithmonë të dukshme e të njohura të ambientit, produkteve, medikamenteve, gjakut, aparaturave, procedurave dhe proceseve komplekse, shumë faktoriale të diagnostikimit e mjekimit që të sëmurët u ekspozohen ose u nënshtrohen në mirëbesim, po shndërrohen në vendet e Evropës perëndimore në strategji prioritare për analizë, raportim dhe veprim. Siguria konsiderohet tani si kryekërkesa dhe kryekriteri për vlerësimin e cilësisë së kujdesit mjekësor dhe sistemeve shëndetësore.
Në bazën e strategjive për sigurinë, është vënë parimi në dukje naiv i raportimit vullnetar, korrigjimit dhe mësimit prej gabimit. Gabimi në vend që të përdoret si gur për të goditur fajtorin, shikohet si substrakt i vyer për përmirësim. Mbrojtja me ligj prej ndëshkimit e personelit mjekësor që raporton vullnetarisht gabimin me qëllim vetëkorigjimin e tyre, po përdoret me sukses veçanërisht në Angli, Danimarkë përkunder traditës së dështuar të deritanishme të fshehjes dhe frikës nga qortimi e dënimi. Regjistrimi dhe raportimi vullnetar i gabimeve të bardha në mjekësi po nxjerr në pah se kemi të bëjmë, jo vetem me lajthitje individësh, por më shpesh me defekte të sistemeve shëndetësore të mekanizmave pengues, të rreziqeve dhe gabimeve, mekanizma të cilat ose nuk funsionojnë mirë, ose mungojnë.
Madje edhe në vendet e zhvilluara të BE-së, studimet dhe raportimet tregojnë se rreth 10 % e të sëmurëve në spitale dëmtohen ose vdesin nga gabimet mjekësore, nga të cilët, të pakten gjysma mund të evitoheshin.
Ndërkaq informimi, transparenca, ndërgjegjësimi i të sëmurëve si dhe organizimi i tyre në shoqata i ka bërë ata jo vetëm më vigjilentë, por edhe më kërkues për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Madje për të kërkuar zhdëmtim në rastet e dëmtimeve nga neglizhenca e personelit mjekësor. Në krah të tyre janë vënë aktivisht juristët dhe avokatët, duke nuhatur në këto çështje një fushë të re tepër fitimprurëse për ta. Spitalet nga ana e tyre, për të mbrojtur veten dhe personelin nga sanksionet, po paguajnë agjenci sigurimi për t’i mbuluar shpenzimet e mundshme zhdëmtuese ndaj të sëmurëve, në raste gabimesh .
Siguracione personale, për të njëjtën arsye, po paguajnë individualisht edhe personeli mjekësor, për të mbrojtur veten nga zhdëmtimi i gabimeve të paevitueshme, të mundshme në punë e sipër. E gjithë kjo kaskadë ka rritur më tepër koston e spitaleve, e cila në fund të fundit do të paguhet indirekt nga vetë të sëmurët. Rivaliteti financiar midis spitaleve e agjencive të siguracioneve nga njëra anë dhe të sëmurëve e avokatëve të tyre nga ana tjetër, është i fortë sidomos në SHBA. Ky rivalitet arriti madje majat më të larta të politikës në SHBA gjatë fushatës elektorale presidenciale në debatin midis Bushit që mbroi siguracionet, duke kundërshtuar frymën e frikës dhe të dënimit të gabimeve, e cila frikëson mjekët dhe shtrenjton spitalet dhe senatorit Eduart, nga ana e demokratëve, avokat në anën e lobit të tyre dhe të sëmurëve, në favor të zhdëmtimeve financiare dhe vënies më tepër para përgjegjësisë ligjore dhe dhënies llogari të mjekësisë.
Në një sërë vendesh të pasura evropiane si Angli, Holandë, Francë, zhdëmtimet financiare ndaj të sëmurëve, viktima të gabimeve ose neglizhencave të faktuara në qendrat mjekësore, tashmë janë ligjëruar. Por ato po bëhen progresivisht barrë suplementare finaciare e papërballueshme për to.
Raste të izoluara të ankesave, denoncimeve, madje edhe procedimeve analoge si ato të mjekëve të veçantë ose institucioneve mjekësore nga pacientë, ose familjarë me pretendime për dëmtime, ose neglizhencë me pasoja për shëndetin ose jetën e pacientëve, po duken gjithnjë e më shpesh në mediat e vendeve ish-komuniste, madje edhe në vendin tonë. Kërkesat për zhdëmtime financiare ose morale të tilla, nga ana e këtyre të fundit, janë ende të rralla, jo qartazi të mbështetura, sepse mungon praktika dhe eksperienca proceduriale, por mungon edhe kuadri specifik ligjor për t’i trajtuar profesionalisht ato. Nga ana tjetër, për vetë varfërinë, në këto vende është praktikisht ende utopike mundësia e përballimit të zhdëmtimeve të gabimeve mjekësore në rrugë financiare.
Po a jemi ne të parapërgatitur t’i dalim përpara këtij fenomeni apo biznesi të ndërlikuar e të shtrenjtë?
Agjencitë e siguracioneve shtetërore ose private, ndërkohë që rrisin çmimet, paralelisht po mundohen të parandalojnë rritjen e mëtejshme të aksidenteve dhe iniciojnë programe të parandalimit të gabimeve dhe menanxhimit të rreziqeve nëpërmjet trajnimit të personelit mjekësor, raportimit të gabimeve, mësimit prej tyre, por edhe me anë të çertifikimit, riçertifikimit, standardizimit, kontrollit të jashtëm të cilësisë e sigurisë dhe sidomos akreditimit të institucionlizuar të tyre. Problemi i sigurisë deri tani i fshehur dhe i neglizhuar, nuk mund më të mbahet i tillë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë reagoi menjëherë fuqishëm ndaj kërcënimeve që paraqet shtrirja e mëtejshme e këtij problemi në sistemet shëndetësore, sidomos në vendet e varfra, duke nisur në nëntor 2004 programin më të madh të ndërmarrë deri më sot për minimizimin e rreziqeve gjatë kujdesit mjekësor për të sëmurët në institucionet shëndetësore me titull “Aleanca globale për sigurinë e pacientëve gjatë kujdesit mjekësor”. Vendi ynë po përgatitet të përfshihet së shpejti me një program konkret pune në të. Së pari, nëpërmjet pyetjes së thjeshtë: po në Shqipëri si është gjendja për sigurinë e pacienteve? Dhe më pas: Çfarë duhet bërë për ta përmirësuar atë?
Pesë mësime të vlefshme, fatkeqësisht të dhimbshme gjatë aksidentit të fundit të fëmijëve tanë me talasemi
Informimi i parë publik, kurajoz, që bëri disa ditë më parë ministri i ri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, për aksidentin e rëndë e dramatik të infektimit të katër fëmijëve të sëmurë shqiptarë me talasemi, shkaktuar nga transfuzioni i gjakut, ngjalli emocione të forta, pikëpyetje të shumta dhe debat të nxehtë, jo vetëm te prindërit e fëmijëve, të afërmit, media, por edhe tek të gjithë publiku i gjerë. Debatet ishin të shumta dhe ende vazhdojnë. Por, me gjithë drejtësinë, saktësinë dhe mprehtësinë, për fat të keq, ato nuk arrijnë dot ta riparojnë dëmin e rëndë që u bë.
Megjithatë ato kontribuan që të nxirren mësime nga ana e fëmijëve që vuajnë talaseminë, familjarët e tyre, qendrat e transfuzionit të gjakut, mjekësia jonë në përgjithësi, Ministria e Shëndetësisë, media, publiku, madje edhe të sëmurët që vuajnë sëmundje të tjera për të parandaluar që të demtohen a rrezikohen po kaq rëndë edhe ata gjatë kujdesit mjekësor në institucionet tona mjekësore. Sipas mendimit tim, janë të paktën pesë mësime të mëdha që dolën nga këto debate me vlerë përgjithësuese për sigurinë, jo vetëm të të sëmurëve me talasemi ose lidhur me transfuzionin e gjakut, por në tërësinë e sistemit tonë shëndetësor.
Mësimi i parë i madh: transparenca, dobia dhe domosdoshmëria e saj
Raportimi publik i ministrit përbën hapjen e parë të informimit direkt lidhur me një ngjarje të padëshirueshme, në vend të mbylljes, fshehjes dhe heshtjes tradicionale. Hapja dhe informimi katalizuan debatin, reagimin e çiltër, parimor dhe pozitiv me synim për të zbuluar, jo vetëm gabimin konkret, por rrënjët e tij dhe sidomos për të identifikuar zgjidhjet afatshkurtëra e afatgjata. Gabimi nuk u pa si macja e zezë, por me mendje të kthjellët dhe qëllimin e mirë për të parë ku jemi dhe për të gjetur rrugëdaljen e bardhë. A është ky një stil i ri i ekipit të porsardhur ministror në mënyrën e komunikimit dhe menaxhimin e problemeve në bashkëpunim me të sëmurët dhe publikun?
Le ta shpresojmë dhe të urojmë të jetë. Sidoqoftë, transparenca rezultoi e dobishme, madje në rastin e menaxhimit të rreziqeve dhe gabimeve të fshehta mjekësore, minimizimin dhe korrigjimin e tyre, do të thosha se ajo është e domosdoshme.
Mësimi i dytë: sistemi ynë shëndetësor është i pasigurt
Transfuzioni i gjakut dihet që është një nga procedurat që flet më qartë për sigurinë e sistemit shëndetësor. Rreziqet e tij janë të ngjashme me ato të avionit. Pasiguria në këtë proces është shenjë e keqe dhe tregues sinjifikativ për pasigurinë e të gjithë sistemit shëndetësor. Në fakt, mekanizmat që do të garantonin sigurinë dhe do të evitonin aksidentin te fëmijët tanë talasemikë munguan ose dështuan. Sistemet prevenuese, grumbulluese dhe kontrolluese të tij rezultuan me defekte. Ato u zbuluan vetëm jashtë vendit tonë, madje shumë vonë, pasi fëmijët ishin infektuar. Pas kësaj, komentet dhe justifikimet mendoj se janë të tepërta, të papranueshme, joserioze, madje janë të rrezikshme, sepse dëshmojnë mungesë përgjegjësie, mungesë të dëshirës, të aftësive për të ndryshuar dhe për t’u vetëkorrigjuar. Ç’është më e keqja, janë ofenduese për të sëmurët, sepse, megjithëse u dëmtuan katër fëmijë të pafajshëm (kaq dihen) dhe katër familje, askush nga ata që e shkaktuan pa dashje dëmin direkt nuk u tha: më fal.
Përkundrazi, me arrogancë të çuditshme, u fajësuan vetëm njerëzit që dhurojnë gjakun me pagesë të gjakut dhe u kërkuan “dritare“ alibie dhe justifikimi. A thua ata e kanë fajin pse te ne nuk ka dhurues të tjerë vullnetarë, pa pagesë? Apo e kanë metodat e deritanishme shabllone të promovimit e motivimit të dhurimit vullnetar, të cilat vazhdohen skematikisht, ndonëse kanë rezultuar joefikase? Vallë dhuruesit e paguar e kane fajin pse ata nuk ekzaminohen nga qendrat e transfuzionit imtësisht, saktësisht e konform protokollit? A thua është faji i tyre që në qendrën tonë kombëtare të transfuzionit në të cilën janë harxhuar në dekadën e fundit jo pak para (vetëm nga Holanda nëpërmjet OBSH-së, janë dhuruar 1 milion dollarë), ku kanë ardhur me dhjetëra ekspertë të shquar nga jashtë për të ndihmuar, duke qëndruar, ndonjëri edhe 3 vjet, ku janë bërë dhjetëra specializime, trajnime, pra a thua është faji i dhuruesve që në këtë qendër, sa herë ndërrohen drejtuesit, fshihet çdo memorje institucionale dhe momentalisht ajo nuk ka asnjë strategji?
Në raste analoge në vendet e tjera të Evropës dorëheqja ka qenë minimumi i reagimit etik dhe i respektit ndaj dhimbjes së pacientëve e familjarëve. Një kolege drejtuese e lartë shëndetësie në një vend fqinj, jo shumë kohë më parë, dha menjëherë dorëheqjen pasi vdiqën 27 të sëmurë aksidentalisht, për shkak të defekteve të fabrikimit të një filtri aparature të blerë e përdorur jo nga ajo vetë, por nga vartës të saj. ”Dritaret” pra nuk duhen kërkuar vetëm si rrugë shpëtimi, por edhe si hapësira të prurjes së flladeve të mentalitetit të freskët bashkëkohor në menaxhim. Ato duhen për të nxjerrë mësime nga ky rast dramatik, por edhe për të parë përtej tij, rrugët e parandalimit të rreziqeve dhe pasigurive në tërësinë e sistemit tonë shëndetësor? Le ta shpresojme dhe le të punojmë të gjithë së bashku për të.
Mësimi i tretë i madh: forca e të sëmurëve
Atë na e dha organizata joqeveritare e të sëmurëve me talasemi. Në mënyrë impresionante, të qartë, të qetë, fisnike. Meqenëse, çuditërisht askush nuk u tha asnjë fjalë keqardhjeje, përfitoj nga ky rast, t’iu shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim si mjek katër fëmijëve të dëmtuar, prindërve të tyre dhe të gjithë të sëmurëve të tjerë, që vuajtën këtë ankth të zgjatur bashkërisht. Presidenti i tyre e vuri gishtin me saktë se cilido në plagë. Ata dëshmuan se dinë çfarë kërkojnë dhe kërkuan bashkëpunim.
Kërkuan të drejtat e tyre legjitime. Jo si lëmoshë, as si limonatë keqardhjeje. Impakti që ata krijuan, besoj do të jetë i madh në përshpejtimin e procesit të organizimit dhe partnershipin e të sëmurëve të tjerë në përgjithësi. Këta të fundit, për fat të keq, janë shumë pak aktivë në sistemin tonë shëndetësor.
Megjithatë, në rastin konkret të talasemisë, familjarët e të sëmurëve, përveç ankesave dhe kërkesave të drejta ndaj sistemit shëndetësor, besoj do të dinë të qartësojnë edhe detyrat dhe rolin e tyre të domosdoshëm pararojë në krijimin e shembullit për dhurim vullnetar nga ata vetë, në planifikimin, organizimin e rregullt të dhurimeve në nivelin e rrethit më të afërt të familjes, miqve, dashamirësve. Në kushtet e individualitetit të shprehur që përjetojmë dhe të krizës së solidaritetit midis nesh, vështirë se problemi i nevojës së dhurimit vullnetar të gjakut të zgjidhet nga njerëz të tjerë vullnetar, pa shembullin e tyre parësor, të qartë e të mediatizuar.
Mësimi i katërt: aleanca me median
U dëshmua që probleme të tilla me reperkusion të gjerë shoqëror nuk evidentohen dot dhe as nuk zgjidhen pa ndihmën e mediave. Por është detyrë e medias të rishikojë objektivisht veten nëse është apo jo në nivelin e duhur të profesionalizmit për trajtimin e problemeve të tilla sa serioze, aq dhe komplekse e të thella. Ra në sy në këtë rast konkret impenjimi i admirueshem, por edhe nxitimi, limitimi, zhurmimi me doza sipërfaqësie. Ishte sidomos evidente ngutja e medias për të rendur pas lajmit, jo pas rrënjëve të problemit, duke u treguar e paaftë për ta parë më gjerë fenomenin, për ta shtrirë vizionin tej kufijve të aksidentit që ndodhi, në pjesën e nënujshme, të padukshme, por shumë më të madhe të ajzbergut në sistemin tonë shëndetësor.
Mësimi i pestë: standardizimi dhe integrimi
Ai lidhet me domosdoshmërinë e lëvizjes dhe përparimit tonë drejt standardeve e kritereve rajonale e evropiane të akreditimit dhe çertifikimit të detyruar të institucionve, laboratoreve dhe praktikave mjekësore. Testet e laboratoreve tona, me këtë që ndodhi, u vunë në dyshim. Ne krijuam dyshime për veten dhe sigurinë e sistemit ndaj të sëmurëve. Nuk duhet të gënjejmë më tej veten. Fjala nuk është vetëm për testet e gjakut. Është për standardizimin dhe kredibilitetin e laboratoreve tona, të sistemit shëndetësor në tërësi, për standardizimin dhe kontrollin rigoroz në bazë të tyre, të të gjitha proceseve dhe mënyrës sonë të punës në mjekësi. Të sëmurët nuk njohin më kufij për të zgjidhur hallin e tyre dhe as mjekësia e vendeve fqinje nuk qëndron më indiferente për çka ndodh te ne apo përreth kufijve të saj. Po t’i kishim dhe respektonim siç duhet në vendin tonë standardet dhe protokollet evropiane, gabimi me fëmijët talasemikë do ishte evituar dhe qipriotët nuk kishin pse të vinin të testonin fëmijet tanë. A bënë keq që erdhën? Kurrsesi jo... Tregu mjekësor dhe bashkëpunimi rajonal janë të hapur për ne dhe për ta.
Në vend të mbylljes
Ngjarja e hidhur me fëmijët tanë të sëmurë me talasemi nuk është e para dhe vështirë se do të jetë e fundit në një sistem shëndetësor të pasigurt, të pastandardizuar dhe jo të mirëkontrolluar siç është ai yni. Por ajo mund të shërbejë si një rast i mirë për t’u shkundur dhe angazhuar se duke ruajtur e vazhduar transparencën e nisur, vetëkritikën dhe vetëkorrigjimin, një ditë do të mund të vemi edhe ne me dinjitet profesional, me të njëjtat motive miqësore qëllimmira, të kontribuojmë në Qipro, në Evropë, rajon apo gjetkë. Oskar Uajldi ka thënë: ”Të gjitha ëndrrat tona bëhen realitet po të kemi guximin t’i ndjekim ato pas...” Besoj se mjekësisë sonë nuk i mungojnë të tillë guximtarë optimistë.
(marre nga gazeta shekulli)
__________________
Vdes vetem ajo dashuri, per te cilen nuk enderrohet më (Pedro Salinas)
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|