qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547
|
HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)
Kreu X
N'Adrinopojë Murati
Me të bir' e me të tjerë
Brengë të brëndëshmë pati,
Dhe trazim ndër jeniçerë.
Pastaj u hoth mbi të tjerë,
Andej, këtej i përlau,
Papo humbn' ata të mjerë
Si lëpushkat q'i ha kau!
Njeri nukë i qëndronte,
Aq' ish i fortë Murati,
Të gjithë i dobëtonte,
I ndihte djalli dhe fati.
Vetëm një që nukë mundte,
Skënderbe trim shqipëtarë,
Pa qante dhe kokën tundte,
Në zëmër' e kish nakarë.
Pa prishurë Shqipërinë,
Q'ish në kufit e një fqinjë,
Nuk' e shtonte dot Turqinë,
E kish në syt si dëllinjë.
Pa e mblodhi parësinë,
Bënë fjalë gjat' e gjerë,
Si ta prishnjë Shqipërinë
Edhe më të mos ta lerë.
"S'ka të mbarë, tha, Turqija,
Sa është gjall' Skënderbeu,
Do prishurë Shqipërija",
Gjithëve kjo u pëlqeu.
Dyqint mijë luftëtarë!
Njëqint mij' ish kalorija!
Gjithë t'egër' e barbarë,
U mbloth' e u bë gatija!
Mi gjith' ata ushtëtarë
Q'ishin mizëri e mbletë,
Mi të parëtë m'i parë
Ish sulltan Murati vetë.
Pa dhe djalli këtë herë,
Për të shuar njerëzinë,
Top e gjyle kishte nxjerrë,
Të vris njeriu njerinë!
Me arm' e me ushtëtarë,
Me kamilla e me kuaj,
Me shumë burra të parë,
Me të tit' e me të huaj,
Me të madhe kërcëllimë
U nis i tërë rrëmeti,
Me zë e me oshëtimë
Dolli me nxit nga qyteti.
Pa Skënderbeu i mblodhi,
Erth e tërë Shqipërija,
Parësija me vrap rrodhi,
Dhe pas gjithë vegjëlija.
Fortesën' e Sfetigratit,
Që prara Dibravet ishte,
Ja la sipërë Perllatit,
Q'ish shumë trim e shokë s'kishte.
Skënderbeu dolli vetë
E solli rreth Shqipërinë
Me kalorës dymbëdhjetë,
E fortësoj njerësinë.
Prap' u kthye n'ushtëresë
Dhe përhapi trimërinë,
Dhe gas edhe bes' e shpresë,
Gëzoj gjithë njerëzinë.
Fjal' e atij edhe gurë
Munt ta ngjallte me të parët,
Dhe ta bënte trim e burrë,
Jo trimatë, shqipëtarët!
Fortesat' i fortësojti,
Pa përndau parësinë,
Nëpër vënde i dërgojti,
E pas mbajti Moisinë.
Ishin të zottë të parët,
Burra gjith' e shumë trima,
E të tërë shqipëtarët
Ishin posi vetëtima!
Parësi' e Shqipërisë
Ishte bërë zjarr e flakë,
S'i trëmbëshinë Turqisë,
Ndonëse ishin më pakë
Një lëftonte me një mijë,
Edhe nukë trëmbej kurrë,
Armikëtë s'doj t'i dijë,
Ishte kordhëtar e burrë.
Më trim mi gjithë të parë
Ishte Uran bukuroshi
Dhe Tanushi kordhëtarë,
Hamzaj, Muzakë djaloshi,
Dukagjini, Moisiu,
Maneshi shpatullgjerë,
Golemi mjekërëziu,
Edhe të tjer' e të tjerë.
Pa të tërë shqipëtarët
Ishin shumë trim' ahere,
S'i ndaje dot nga të parët
E nonjë pas nukë lere.
Gjithë ç'qenë mbretëritë
Njerës kishinë dërguar,
Skënderbeu me të titë
I pritnë duke gëzuar.
Të dërguarit' u thanë:
"Ç'ndihm' u duhetë, na thoni,
Se gjithë mbretërit tanë
Do t'u apënë ç'të doni."
Skënderbeu : "Na gëzuat,
Miq të mir' e të vërtetë!"
Tha "dhe shumë na nderuat,
Nder u dhëntë Zoti vetë.
Kur t'u kërkojmë, të vini,
Tani gjithë ushtërinë
Gati e n'armë ta kini,
Dhe ahere letë vinë."
Me urtësi Skënderbeu
U tha vetëm këto fjalë,
Të dërguarit' i ktheu
E dërgoj me ta të falë,
Gjith' ushtërit' e Muratit,
E shumë si mizërija,
Ju lëshua Sfetigratit,
U çkul e tërë Turqija!
E rrethuan Sfetigratnë,
Sulltani njeri dërgojti
Ta bindte burrë Perllatnë
Perllati ndënj' e dëgjojti,
Pa i tha: "Thuaj Muratit,
Sa të jetë gjall' Perllati
Fortesën e Sfetigratit
S'e merr dot kurrë Murati."
Me të msuar këtë fjalë,
U ashpërua Murati
Posi deti kur hedh valë,
Tha: "Dal, pa më sheh Perllati."
Krisi topi si gjëmimi!
Si rrufeja gjyl' e shkretë
E rrih fortesën, po trimi
S'u trëmb, ish burr' i vërtetë.
Armikët' u zëmëruan
Dhe gjithë fuqin' e mblodhë,
Fortesësë ju lëshuan,
Me rrëmbim të math u hodhë.
Menjëherë shqipëtarët
Ua dhanë me shigjetë,
Stavë u bënë të vrarët,
Ranë përdhe posi fletë
Të tjerëtë u përhapnë,
U trëmbn' e u frikësuan,
E gjithëkush zuri trapnë,
Nga fortesa u mërguan.
Pas asaj gjithë të parët
Thirrë dhe Murati vetë,
Ju lëshuan luftëtarët
Prapë fortesës si retë.
Po të brëndësmitë prushnë
Dhe finjën' e vajn' e zjerë
U hodhë dhe sheshn' e mbushnë
Me të vdekur' e të nderë.
Prapë e muarrë vrapnë,
Shoku-shoknë më s'e panë,
Iknë gjith' e u përhapnë,
Sicili nxitoj mënjanë.
Sulltan Murati tha: "Unë,
Që njerëzit gjith' i munda,
Të pësonj sot këtë punë
E të më thyhetë hunda!
Unë kaq' kombe të tjerë
I prisha dhe i kam vrarë,
E të mos munt këtë herë
Ta nxjerr tej me shqipëtarë!"
Pa tha, "Atë që të kthehet
Këtu vdekja do ta presë
Si mjerë kush të gënjehet!
Hidhuni përmbi fortesë!"
Pas kësaj, gjith' u përmblodhë,
Duke shkelur mi të vrarë,
Dhe fortesësë ju hodhë
E nëpër muret u varë
S'vunë re usht' e shigjetë
Si galatë u vërvitnë
Dhe u vranë shumë vetë,
Po të tjerëtë u ngjitnë.
Më s'bënte punë shigjeta,
Po kur zhveshnë shqipëtarët
Shpatat' e prehta të shkreta,
I mori djalli barbarët.
"Oburra!", thirri Perllati,
"Sot ta marrë vesh Turqija
Dhe vetë sulltan Murati
Ç'trima djem ka Shqipërija.
Biruni me vrap, o shokë!"
Tha, edhe gjithë po shtinin,
Turqit' pa dor' e pa kokë
Nga mur'i fortesës binin.
Kur nj'e madhe kërcëllimë
E tundi të tërë dhenë
Dhe ndriti një vetëtimë,
Turqit të mahnitur mbenë!
Një zë i math po dëgjohej,
Një rrëmet unjej nga bregu,
Tymi sa vinte po shtohej,
"Popo!", thanë, "Skënderbegu!"
Vërtet po vij me vrap Mbreti,
Moisiu dhe Muzaka,
Në mest të ati' rrëmeti
U hodhë mbi ta si flaka!
Kish dhjetë mijë të zgjedhur,
Të tërë ishin kaluar,
Gjithë çela ishte mbledhur,
Vdekjenë sillnin nër duar.
Kalorinë e dërgojti
Sulltani mi Skënderbenë,
Mbreti gjith' i copëtojti,
Pa u dha dërrmën' e dhenë.
Armikët' i ngau data,
Gjith' ushtërin' e lëshojti
Murati, po erdhi nata
E vdekjenë e ndalojti.
Nga kjo punë u helmua
Fort shumë sulltan Murati,
N'anët tjatrë u gëzua
Me shokët' e tij Perllati.
Mbreti me shokëtë iku,
Zuri një vent të mërguar,
Po s'e mori vesh armiku,
Pa ndenj gjithë natën zgjuar.
Jashtë po rrinte Murati,
Edh'e tërë ushtërija,
Me shokët brenda Perllati,
Ata edhe Perëndija,
Gjithënjë fjal' u dërgonte,
E rrihte t'i mashtëronjë.
Pun' e rremeja s'mbaronte,
Pa më s'dij si të punonjë.
Kërkonte t'i haj më besë,
Po fjal' i dërgoj Perllati,
"Mos bjerë më atë shpresë
Se s'epetë Sfetigrati."
Pshihej dielli, dil hëna,
Shkonte nata, vinte dita,
S'mbaron dot pun' as e thëna,
As gënjeshtëra, as mita.
Armikët' ishin radhosur,
Nëpër sheshe kishin rënë,
Të sëmur' e të plagosur,
Vendin' e kishinë zënë,
Dhe nga vap' e zjarr'i shumë
Ishin prer' e dobëtuar.
Ca kishin rënë në gjumë,
Të tjerëtë rrinin shtruar.
Hëna herë në re pshihej,
Herë delte e tregohej,
Epte drit' e përsëritej
Dhe prapë me re mbulohej.
Ahere majë një bregu,
Me Tanushn' e me të tjerë,
Kishte dalë Skënderbegu
Dhe i pa gjithë të nderë.
O hëna krahrorergjëndtë!
Ti u bëre tradhëtore?
Zoti për faj mos ta zëntë!
Të gjorët më qaf' i more!
I pa ashtu Skënderbeu
Dhe u fal më Perëndinë,
Pa shokëvet u rrëfeu,
Tha: "E shihni ushtërinë?
E shihni sulltan Muratnë,
Q'ish i patundur si shkëmbi,
Veç këtu s'e gjen dot fatnë,
Pa gjithë botën e trëmbi.
Ajy që nuk' u munt kurrë,
Që ka prishur mbretëritë,
S'i ndënj kundrejt ndonjë burrë,
Ndaj nesh ka rënë në shkitë!
Gjithë botën' e ka marrë,
S'e ka trëmburë rrëmeti,
S'munt dot vetëm shqipëtarë.
E shihni? Këmbëkuc mbeti!
Pa t'u derdhemi një herë,
Atje tek janë të shtritur,
Të dremitur' e të prerë,
Të dobët' e të drobitur."
Me të thënë këshru mbreti,
Gjithë burrat' u gëzuan,
U lëshuanë së qeti,
Armikut ju afëruan.
Pa nisinë Moisinë
Me shumë trima të tjerë,
E qyrë mir' ushtërinë
Dhe u kthyen menjëherë,
Gjith' u derdhë më të qetë,
Në mest t'ushtërisë vanë
Burrat trima të vërtetë,
Armikët fare s'i panë.
Moisiu, si turk veshur,
U thosh më gjuhët të tyre:
"Përse s'flini?" duke qeshur,
Me farë turku mënyre!
Ujku i urëtë shumë
Kur futet ndaj bagëtisë
Dhe barin' e gjen në gjumë,
S'ja mbyll derën e shtëpisë
Ashtu edhe shqipëtarët
Me vërtik shum' u lëshuan,
Pa i shuanë barbarët,
I therë e i rrëzuan!
Ç'u ka bërë Skënderbeu
Armikëvet atë natë,
I griu, i shoj, i preu!
Ish rrufe ajo, s'ish shpatë!
Aqë ngrinte shumë shpata,
Sa shkelte mi yjt' e shkonte,
Me vrap nga frik' e saj nata
Ditësë vent i lëshonte!
Gjaku më gjut kish arritur,
U mbush vendi me të vrarë,
Armikëtë të mahnitur
Po ikënin duke qarë!
Sa të zgjuhetë nga gjumi
E të marr' armët' armiku,
Gjaku ish bërë si lumi,
Mbreti me shokëtë iku.
Bisha duke përlëfytur
Deshtë i lë mbi dhet rrahë,
Edhe ikën në gjak mbytur,
Nxiton si shqipja me krahë!
Më të nesëret Murati
U ngrit me shum' idhërime,
Më anët tjatrë Perllati
S'e la të bënte fitime.
Tri herë muarrë vrapnë,
Të tri herët' i përndanë,
Gjith' ushtërin' e përhapnë
Dhe shumë syresh i vranë.
Shqipëtarët dit' e natë
Më të gjith' anët u binin,
Atyre u hiqninë shpatë,
Fortesës ngrënje i shpinin.
Një mëngjes gjith' e rrethojnë
Armikëtë Sfetigratnë
Dhe i bien' e s'pushojnë,
Po s'e trëmbin dot Perllatnë!
Firuz pashënë Murati
Me mijë tetëmbëdhjetë
E dërgoj me vrap lugati
Të zij vënt, të rrij i qetë,
Skënderbenë ta ndalonjë,
Ta mbanj' e të mos e lerë,
Dhe ky vetë të lëftonjë
E fortesësë t'i bjerë.
Murati këto po shtinte
Dhe Sfetigratn' e shtrëngonte,
E Skënderbeu po vinte,
Se të gjitha i mësonte.
Kishte mijë dymbëdhjetë
Burra trima shqipëtarë,
Dhe sa të gjith' ishte vetë,
Q'ishte mi të tër' i parë.
Firuz pasha më një gropë
E kish ndarë ushtërinë,
E kishte bërë tri copë
Edhe po priste të vinë.
Më nj'anë vete Muzaka,
Moisiu më tjatr'anë,
Mbreti vet' u fut si flaka,
Armikëtë gjith' i ranë,
Po ajy si vetëtima
Hyri me kordhë në dorë,
I ndau burratë trima,
U dha gjithëve tërthorë.
Si i hapi e i prishi,
Qëndroj e u çloth mënjanë,
Të parëtë gjith' i grishi,
Për luftënë fjalë thanë.
Firuz pasha: "Shqipëtarë!"
Thirri, "Ku e kini mbrenë?
Jo më nxjerrki ca kusarë!
Ç'e gjet vallë Skënderbenë?
Ajy burri trim që kini
Iku vall' e mori malë?
Pa ma bini, pa ma bini,
N'është trim, këtu të dalë."
Kështu u tha Firuz pasha
Me buj' e duke lëvduar
Dhe duke vrarë të trasha,
I ziu e kish të shkruar!
Mbreti trim, me të dëgjuar
Këtë fjal', u ashpërua
Dhe hyri me nxit kaluar,
Posi fajkoj ju lëshua,
I tha: "Do ta mësosh mirë
Ku ësht' ajy që kërkove!
S'më vjen keq, se me dëshirë
Vdekjenë vetë e ftove."
Duke thënë kshu, e ndoqi,
Ju hoth me vrap edh'e zuri,
Një kordhë të mir' i hoqi,
Kokënë përdhe ja shturi!
Koka ra dhe ligjëronte,
Nuk' i kishte sosur fjalët,
Trup'i tij dhe po qëndronte,
Sindëkur ishte mbi kalët!
Armikëtë si e panë
Që u vra e ra i pari,
Gjithë ç'kishinë i lanë
Dhe ikënin si i marri.
Katrë mijë luftëtarë
Kishin rënë posi duaj,
Mben' ata më vënt të vrarë
Dhe gjë e plaçka e kuaj.
Murati ish derdhur vetë
Që ta mirrte Sfetigratnë,
Po la mije shtat' a tetë
Dhe s'e mundi dot Perllatnë.
Shtat' a tetë mij' u vranë,
E shih q'u prish ushtërinë,
Më s'e nxij dheu sulltanë,
Pa e mblodhi parësinë,
Tha: "Fortesënë ta lemë,
Se puna nukë pronditi,
Si druri që s'lëshon pemë",
Edhe ushtërin' e ngriti.
"T'i derdhemi Shqipërisë,
E tejpërtej", tha, "ta djegim,
Tëmerr të math njerëzisë
T'i apëmë e t'i ndjekim;
Pa duke bërë rrëmujë,
Përpara gjithë t'i vëmë,
Të hyjmë brënda në Krujë,
E gjësendi të mos lemë."
Mblodhi shokë' Skënderbeu,
Që hanin hekur me dhëmbë,
Armikut udhën' ja preu,
Nuk' i la të bënin këmbë.
I pa që iknë Perllati
E ju derdhë Shqipërisë
Ushtërija dhe Murati,
Papo ju duk dit' e zisë,
Tha: "O shokë, ne më çpresim?
Po shuhetë Shqipërija,
Jakëni gjithë të vdesim!
Si ta apë Perëndija!"
Kshu tha burri trim, Perllati,
Dhe vuri armët' e lara,
Mori udhënë nga Mati,
Që t'u dil turqet përpara.
Fluturuanë si flakë
Edhe në fortesë lanë
Nga shokëtë ca të pakë,
Q'ishinë gjithë dibranë.
Shërbëtori që bij ujë,
Tha: "Popo, ç'na qënka thënë!"
"Ç'ësht' ", i thanë, "kjo rrëmujë?"
Tha: "Qeni në pust ka rënë!"
Dibranët nuk' e pinin
Ujët' e kërmës' së shkretë,
Tjatrë pus s'kish, qysh të rrinin?
Pa ujë s'rrohet në jetë.
Një tradhëtor, kanë thënë,
Për të mirët të Turqisë
E pat shtënë në pust qënë,
Q'i bëri dëm Shqipërisë!
Gjith' ata burra dibranë
Muarrë armët' e shkuan,
Fortesën, vetëm e lanë,
Opopo! qysh u marruan?
Ata posa kishin dalë
E me shumë vrap po vinin,
Muarrë të gjithë malë,
Kërkonin ujë të pinin.
Armikëtë ishin thyer
Dh' ata që mbenë të gjallë,
Përsëri ishinë kthyer,
U poqnë ballë për ballë.
Këta me vrap ua dhanë
Edhe përpara i vunë,
Njëzet a tridhjet' i vranë
Dhe fortesën prap' e zunë.
Armikëtë e rrethuan
Si mizërija fortesën,
Po dibranëtë lëftuan,
U bënë gati të vdesën.
Sulltani nukë mënojti,
Se i pa se s'kishin shpresë,
Me njeri fjalë dërgojti,
T'ikin me arm' e me besë
Etj' e shkret' i kishte prurë
Afrë vdkjesë të tërë,
Ishin gjithë të sëmurë,
Pa të ndryshmë qenë bërë!
Vëndësit dhe luftëtarët
Me armë në dorë shkuan,
Nuk' i mbajtnë dot të parët,
Punë të keqe punuan!
Armikëtë më s'mënuan,
Po fortesësë ju derdhë
E gjithë shum' u gëzuan,
Se pa luftë brënda erdhë.
Kështu e mori Murati
Fortesën' e Shqipërisë,
Ra pa luftë Sfetigrati
Q'ish në kufit të Turqisë!
O fortes' e Sfetigratit!
Rrufeja të të kish rënë!
Sa re në lakt të Muratit,
Nukë je më për të qënë!
Ishe zonjë, zojn' të bënë,
Dolle pej sër' e pej radhe,
S'je paskëtaj për të qënë!
Perllati ishte përzjerë,
Nër luftëra ishte ndodhur
Me gjithë shokët' e tjerë,
Pa ish këputur' e lodhur.
Kur e dëgjoj këtë fjalë,
U mahnit, mbeti si shtyllë,
Në zëmërt i erth një valë
Dhe u verth e u bë dyllë!
Tha: "Popo, ç'bëra që ika!
Të më mirr ushta në ballë,
Të më paske rënë pika,
Sot të mos isha i gjallë!"
Kështu tha çelë Perllati,
Në shpirtit kish brengë shumë,
Krahrorgjeri, leshragjati,
I derdhi lottë si lumë!
Nuk' e linte trimërija,
Pa vu kokënë ndër duar,
E mundonte vetëdija,
Ish vrënjtur' e shëmëtuar!
Burr'i math, i trash', i gjatë
Ndënji pak e u mejtua,
Hodhi dorënë mi shpatë,
Mbreti trim ju afërua.
Foshnja kur i flet ati,
Si e lak me lotthit dhenë?
Ashtu dhe çelë Perllati
Qau kur pa Skënderbenë!
Dhe i thotë: "Mos më lerë
Të më vrasë vetëdija,
Dua të vdes menjëherë,
Se më s'më nxë Shqipërija!"
Pa e qafoj Skënderbeu,
Duke thënë shumë fjalë,
Zëmrënë ja përdëlleu,
Q'ish plot breng' e gjithë valë.
Foshnja, gra, pleq, luftëtarë
Rrininë buzëlëshuar,
Me fytyrëzë të vrarë
Faji i kish turpëruar.
Mbreti u tha: "Keq mos kini,
Pa prap' e vëmë në dorë,
Juve shëndoshë të jini,
Pa Zoti s'na lë të gjorë.
Kijeni zëmrën të gjerë,
Kurrë mos u dobëtoni,
Puna sido që të bjerë,
Burra e trima qëndroni."
Kshu tha, po shum' u helmua
Nga ky dëm i math që patnë,
Po nukë ju zëmërua,
Se e doj shumë Perllatnë.
U dha gjë, plaçkë e arë
Të ardhuret Skënderbeu,
Dhe shtëpi e qe e farë,
Të gjithë i ngushëlleu.
Si u muarr Sfetigrati,
U nis për n'Adrinopojë,
Më s'ndenji fare Murati,
Se pa të madhe nevojë,
I numëroj luftëtarët
Si tufën' e bagëtisë,
Ishin shuarë barbarët,
S'ish as gjysm' e ushtërisë.
La tetë mij' ushtëtarë
Dhe topa gjyl' e të tjera
Në Sfetigrat q'e kish marrë,
A ja la, të themi, hera.
Skënderbeu e mësojti
Dhe dolli me dhjetë mijë,
Më çdo anë i dërgojti,
Përpara, pas e nër ijë:
Herë vënt të ngushtë zunë,
Herë në ball' i goditnë,
Herë përpara i vunë
E herë në prit' i pritnë.
Kështu i pren' e i vranë,
Të shumëtë mb'udhë mbetnë,
Të pakëtë mezi vanë
E zunë kryeqytetnë,
Mbreti erth në Kruj' e zbriti,
Edh' e hapi ushtërinë,
Pas dy muaj e porsiti
Të mblidhetë, parësinë.
Mbreti pa punë po s'rrinte,
S'lodhej kurr' e s'i rëndohej,
Edhe në gjumë kur flinte
Për Shqipërinë mejtohej.
Dolli e pa Shqipërinë
Edhe gjyqet' e çdo punë,
Vuri nd'udhë mirësinë,
Njeri s'la në të përdhunë.
Në ditët të ati mbreti
E sa rroj ajy në jetë,
Në Shqipëri njeri s'mbeti
Në të keq e në të metë.
Shqipëtarët gjith' i qitte,
Q'i kish djem e i donte,
Për luftë vet' i stërvitte,
Shumë bukur' i mësonte.
Nga ajy zot e mësonin
Luftën me shumë dëshirë
Shqipëtarët, pa lëftonin,
Me armikët' aqë mirë.
Vate vetë këtë herë
Skënderbeu pa Hynjadhë
Edhe mbretërët e tjerë,
Miqt' e tij gjithë me radhë.
Derdhi këtë herë topa,
Pru italjan' e gjermanë
E ç'i duhej nga Evropa,
Dhe fransës' e venetjanë.
Të gjith' i kish miq, si thamë,
Po më mik i Shqipërisë,
Q'e kish mbreti vëllamë,
Ishte mbret'i Italisë.
Alfonsin kish mik për kokë,
Vëlla të dashur përjetë
E ballë në gjithë shokë,
Mbreti trim e i vërtetë.
Sindëkur i porositi,
U mbluadhë parësija,
Mbreti me nder shum' i priti,
Si ja epte njerëzija.
Parësi e mëmëdheut
Ishte mbledhurë e tërë,
Për dasmët të Skënderbeut
Fjal' e mejtim kishte bërë.
Pa mbretit të gjith' i vanë
Me një zë e me një gojë,
Përnjëherë gjith' i thanë:
"Neve shohëm një nevojë.
Të lutemi gjithë ç'jemi,
N'emërit të Shqipërisë,
Një fjalë që do ta themi,
U bëftë e Perëndisë.
Kombin duhet ta gëzojmë
Edhe gjithë Shqipërinë,
Andaj duam ta martojmë
Këtë herë zotëninë."
Mbreti qeshi dhe tha: "Mua!
S'më dini që s'mbanj dot zgjedhë?
Tani kërkoni një grua
Në robëri të më hedhë!"
Pleqësi' e parësisë
Dhe më afërë i vanë:
"Kjo dëshir' e Shqipërisë
Do të mbarohet'" i thanë.
"Paskëtaj më s'të dëgjojmë,
Se kjo punë është jona;
Mëmëdhenë s'e shkretojmë,
Për tjatrë gjë urdhërona."
"U ap fjalë që të vlohem,
Si të marrëm Sfetigratnë,
Do t'u dëgjinj të martohem,
Po pa të mundim Muratnë."
Skënderbeu këtë fjalë
Tha, ata gjith' u gëzuan,
I thanë: "Të qofshim falë"
E fjalë të tjera s'shtuan.
Ushtërinë prap' e mblodhë,
Të gjithë trimatë vanë
E Sfetigratit ju hodhë,
Më të gjith' anët i ranë.
Fjal' e njeri dërgoj mbreti,
Që të epenë me besë,
Po këtë s'e desh Ahmeti,
Q'ish i parë në fortesë
Tha: "Sa gjak derdhi Turqija
Edhe prapë nuk' i mundi,
Të derthnjë dhe Shqipërija,
Pa të shohëm më së fundi."
Më topt edhe për fortesë
Shqipëtarët s'ishin msuar,
Në të huajt kishin shpresë,
Se ata ishin të vuar.
Po e dinte Skënderbeu
Dh'e njohnë gjithë të parët,
Që s'fitonte mëmëdheu
Pa stërvitur' shqipëtarët.
Gjithë të huajt' Turqija
Menjëher' i frikësonte,
Fill e vetëm Shqipërija
Dhe shqipëtari lëftonte!
Mbreti e rrethoj fortesën,
Që t'i lij n'uri të mbesin,
Dhe Dërgoj tanushn' e Shtresën
Me shok' udhënë t'i presin,
T'i rrinë kundrejt Turqisë,
Asnjë armik të mos lenë
T'i qasetë Shqipërisë,
T'u apën dërrmën' e dhenë.
Përsëri sulltan Murati
Me dyqint mij ushtëtarë
Erdhi drejt posi zapati,
Si edhe herën' e parë.
Andaj e tër' ushtërija
Erdhi në Krujë dhe mbreti,
E u zunë nga gatija,
Se kohë shumë s'u mbeti.
__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|