Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706
|
Ilir Kulla
Bashkangjitje: ilir kulla.jpg
Ky file është shkarkuar 27 herë.
Nje specialist i fushes se sigurise tregon pasojat e skandalit te dites (nuk minimizon dhe thjeshton situaten siç pretendon ndokush).
Wikileaks dhe një mit që rrëzohet
Ilir Kulla, PhD ne shkencat e sigurise.
Julian Assange, një askush deri para shumë pak kohësh, kurrë nuk do ta kishte menduar se do të vinte një ditë që ai do të bëhej njeriu më i kërkuar i botës. Jo në variantin e Bin Ladenit, por në variantin kibernetik të tij. Sikleti në të cilin, publikimi i mijëra dosjeve dhe dokumenteve sekrete, konfidenciale dhe zyrtare të Pentagonit në Irak dhe Afganistan, e sidomos të korrespondencës sekrete të Departamentit Amerikan të Shtetit me më shumë se 270 seli diplomatike amerikane në mbarë botën, është i pashoq në historinë e SHBA-ve. Përveç kuriozitetit që ngjall kjo histori, dalëngadalë duke u publikuar të gjitha dokumentet, do të shihen edhe pasojat tepër të rënda të kësaj ndodhie, e cila me të drejtë në SHBA dhe jashtë saj është quajtur tërmet i paprecedent.
* * *
Dy janë shtyllat kryesore të sistemeve të sigurisë ndërkombëtare, konfidencialiteti dhe besueshmëria. Me publikimin e më shumë se 250 mijë dokumenteve të tilla, të dyja këto shtylla janë rrëzuar. Kjo është një ngjarje që të paktën për momentin ka lënë këto pasoja, por me kalimin e kohës, bota do të shohë të gjitha pasojat e tjera. Për më tepër që ky tërmet informativ, i ndodh fuqisë më të madhe botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fuqisë më të madhe ushtarake, ekonomike, politike, diplomatike dhe modelit më të madh dhe më të mirë që bota ka njohur deri më sot, ose të paktën kështu është besuar deri tani në mitin e madh të SHBA-ve. Pas kësaj, efektet e Julian Assange dhe të Wikileaks, jo vetëm do të dëmtojnë marrëdhëniet mes një fuqie, e cila nuk di të ruajë vetveten, por njëherësh, miqtë e vet, informatorët e shërbimeve të veta sekrete, politikanët të cilët rrezikojnë karrierën dhe jetën e vet në rajone të vështira të botës duke ruajtur një profil filoamerikan dhe filoatlantik dhe duke u shërbyer SHBA-ve.
* * *
Po, filoatlantik, sepse kjo çështje rrezikon të ketë pasoja shumë të rënda brenda Aleancës Veri-Atlantike, NATO-s. Kjo për shkak të faktit se SHBA është lokomotiva e NATO-s dhe e sistemit të saj të sigurisë. NATO-ja ka mekanizma shumë të fortë të brendshëm për ruajtjen e të gjithë sistemit vetjak të sigurisë. Tre shkallët e sekretit në NATO-s, "Konfidenciali", "Sekreti" dhe "Tepër Sekreti" deri më tani janë konsideruar si të pathyeshëm. Ndërkohë që një gazetar hacker, zotëri askush deri para shumë pak kohe, i ka kaluar të gjitha këto pengesa! Por, ka dhe një çështje tjetër të rëndë për Aleancën, çështja e vlerësimeve personale dhe politike për lidershipin e vendeve mike dhe aleate brenda NATO-s. Të gjitha vlerësimet pezhorative për kryeministren e Gjermanisë, presidentin e Francës, kryeministrin e Italisë, atë të Spanjës, për kryeministrin e Turqisë, nga ana e përfaqësuesve zyrtarë të Vëllait të Madh brenda Aleancës, do të krijojnë një klimë jo vetëm të keqe në marrëdhëniet personale mes lidershipit, por edhe përbëjnë fillimin e një epoke të rëndë mosbesimi apokaliptik politik, nga ai që bota nuk ka njohur që në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Vetëm një javë më parë, NATO-ja e quajti sukses shumë të madh marrëveshjen me Rusinë, ndërsa tani mjafton Julian Assange të rirrezikojë marrëveshjen për mbrojtjen bërthamore SHBA-Rusi dhe rikthimin e erërave të Luftës së Ftohtë.
* * *
Ka dhe dy çështje të tjera shumë të mprehta në këtë histori që kanë të bëjnë me perceptimin e publikut. Së pari, perceptimi i brendshëm amerikan. Çështja "Watergate", që i kushtoi postin dhe karrierën presidentit Nikson në vitet '70 ishte si një pikë uji në krahasim me Wikileaks-in. Askush nuk mund të përllogarisë se ç'do të ndodhë këtej e tutje në politikën amerikane, por sigurisht republikanët të cilët çështjet e sigurisë, diplomacisë dhe të mbrojtjes i kanë pasur gjithnjë kalin e tyre të betejës nuk do të lënë, që administrata Obama ta kalojë kaq lehtë. Dikush e ka vlerësuar këtë ngjarje si 11 shtatorin kibernetik në SHBA. Mund të jetë, por një gjë është e qartë, 9 vjet më parë, njerëzit në Amerikë u bënë njësh me autoritetet e tyre shtetërore dhe me presidentin kundër terrorizmit, tani me gjasë në një vend ku liria e shtypit përbën një nga shtyllat e demokracisë, rrezikon të ndodhë e kundërta. Opinioni i brendshëm rrezikon t'i kundërvihet dhe të kërkojë fajtorët për atë që ka ndodhur. Në planin e jashtëm nëpër botë, dikush do të thotë si në rastin e 11 shtatorit, se e ka bërë vetë SHBA-ja dhe se ky është një mashtrim i shërbimeve sekrete amerikane. Po kjo tezë do të mund të qëndronte në këmbë para epokës së globalizmit. Tani pas epokës së globalizmit, kur interneti është bërë pjesë e jetës së përditshme të shumicës së banorëve të këtij globi, të administrosh pasojat e Julian Assange dhe të Wikeleaks-it do të jetë e pamundur edhe për vetë shërbimet sekrete më të mira të botës. Mund të themi se me globalizmin dhe shpërndarjen e internetit në çdo cep të botës, SHBA-të kanë nxjerrë djallin nga shishja dhe tani nuk po mund ta fusin më atje. Me Wikeleaks-in dhe Julian Assange, rrezikon të bjerë edhe miti i fundit i Superfuqisë së Botës.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|