Endri
Moderator
Regjistruar: 02/01/2003
Vendbanimi: Today
Mesazhe: 1498
|
Praslin Investiment, nis punimet kompania më e re e ndërtimit
Praslin Investiment, kompania e re e ndërtimit, i nisi punimet në fillim të muajit shtator, në bashkëpunim me firmën investuese Espanja sh.p.k.
Krijimi i kompanisë
Praslin Investiment është kompani e re në tregun shqiptar, e cila ka si objekt të aktivitetit ndërtimin e komplekseve të banimit. Ideja për krijimin e kësaj kompanie i ka fillesat që në vitin 2002, kohë kur u ble trualli prej 13 mijë metrash katrorë, në afërsi të Kopshtit Botanik. Mbi këtë truall aktualisht kanë nisur punimet për ndërtimin e një kompleksi banimi. Projekti i ndërtimit përfundoi para pesë muajsh, dhe menjëherë pas saj filluan procedurat përkatëse për marrjen e lejes së ndërtimit. Punimet nisën në fillim të muajit shtator dhe pritet që kompleksi të jetë i përfunduar brenda tre viteve të ardhshme. Praslin Investiment vepron vetëm si kompani ndërtuese, e cila projektin e saj të parë po e realizon nëpërmjet investimit të Espanja sh.p.k.
Objektivi
Në fillimet e veta projekti konsistonte në ngritjen e një kompleksi të përbërë nga vila trekatëshe, të cilat i afroheshin më tepër idesë së vilave private. Me realizimin e studimit të planit të ri urbanistik në vitin 2003, Bashkia e Tiranës vendosi ngritjen e objekteve me lartësi deri në pesë kate. Duke qenë se të gjitha ndërtimet përreth u ngritën në lartësinë mbi pesë kate, projekti i parë i kompanisë Praslin Investiment ndryshoi. Ishte e pamundur që në objekte të larta deri në shtatë kate të ndërtohej një kompleks me vila, që nuk do dukej, thotë Arben Golemi, arkitekt i këtij kompleksi. Në këtë mënyrë, projekti i kompanisë u përsërit, duke planifikuar ngritjen e objekteve pesëkatëshe, në respektim me planin urbanistik të miratuar nga Bashkia e Tiranës.
Projekti i kompleksit
Kompleksi i ri që po ndërtohet është punimi i parë i realizuar nga kompania e re Praslin Investiment. Ky projekt përmban ngritjen e dhjetë pallateve pesëkatëshe, të cilat do të funksionojnë si zonë rezidenciale e mbyllur. Gjithsej do të jenë 300 apartamente, të cilat variojnë nga 65 metra katrorë deri në 250 metra katrorë. Në territorin prej 13 mijë metrash katrorë do të shfrytëzohet për ndërtim vetëm 38% e sipërfaqes, ndërsa pjesa tjetër prej 62% të sipërfaqes së përgjithshme do të jetë infrastrukturë dhe hapësirë e gjelbër. Brenda kompleksit do të ndërtohen rrugë të brendshme me gjerësi 7 metra, si edhe 1 metër e 20 centimetra për trotuare anësore, nga të dy krahët e rrugës. Katet e para të apartamenteve do të shfrytëzohen për biznese të ndryshme, në shërbim të banorëve të kësaj zone rezidenciale.
Shërbimet
Në katet e para të ndërtesave do të ketë një rrjet shërbimesh, si bar-restorant me sipërfaqe 200 metra katrorë, farmaci, një supermarket, dyqane për shitjen e aksesorëve të ndryshëm, duke filluar nga ato kozmetike e deri tek ato të ndërtimit etj. Të gjitha hapësirat e kateve të para janë të shitura, thotë Golemi, - dhe shërbimi i tyre duhet të jetë 24-orësh. Përsa i përket sistemit të ngrohjes, Golemi shprehet se do të realizohet nëpërmjet sistemit qendror. Veç kësaj, shërbimi i mirëmbajtjes do të jetë 24-orësh. Për këtë janë punësuar 30 persona vetëm për mirëmbajtje, si edhe 20 të punësuar të tjerë për administrimin e kompleksit. Duke qenë se kjo zonë rezidenciale ndodhet larg qendrës së Tiranës, me qëllim që të evitohen zhurmat, kompania vë në dispozicion për banorët e kompleksit transport gratis 24-orësh. Për banorët e këtij kompleksi do të realizohet transporti nga zona rezidenciale deri te stadiumi Dinamo dhe anasjelltas, thotë Golemi. Megjithatë, ky lloj transporti do të funksionojë në çastin kur bashkia ta ketë përfunduar planin për unazën e re të kryeqytetit.
Realizimi i projektit
Për ta realizuar këtë projekt ndërtimi, marrin pjesë trembëdhjetë brigada të specializuara në fushat përkatëse, me të cilat kompania ka lidhur kontrata. Si firmë investitore për realizimin e këtij kompleksi deklarohet Espanja sh.p.k., e cila e ka marrë përsipër këtë bashkëpunim në sajë të një kredie nga Raiffeisen Bank.
Çmimet
Për të pasur një apartament pranë kësaj zone rezidenciale, çmimet e truallit janë 600 euro për metër katror dhe 1 200 euro për metër katror, kur bëhet fjalë për katet e para të ndërtesave, që do të shfrytëzohen për biznes. Nga dhjetë ndërtesa, që përmban projekti, do të shiten vetëm shtatë prej tyre me çmimet e sipërpërmendura. Sipas Golemit, tri ndërtesat e tjera do të jepen me qira, por do të kenë të njëjtat komoditete, si edhe apartamentet e blera. Kur bëhet fjalë për çmimet e qirave, ato mendohen të variojnë nga 25 mijë lekë për apartamente me sipërfaqe 65 metra katrorë deri në 60 mijë lekë për sipërfaqet 250 metër katrorë. Sipas Golemit, afati i dorëzimit të apartamentit, nga çasti i prenotimit, është një vit.
Plani afatgjatë
Edhe pse kompania Praslin Investiment është shumë e re në tregun shqiptar, në planin e saj afatgjatë radhiten një sërë projektesh. Sipas Golemit, i cili aktualisht është arkitekti i kompanisë në fjalë, me përfundimin e ndërtimit të këtij kompleksi do të fillojë plani i ndërtimeve për bregdetin shqiptar, duke filluar nga Durrësi e deri në Sarandë.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|