Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > Robert Elsie:"Kam Ēelur Njė Dritare Pėr T“i Nxjerrė Letrat Shqipe Nga Muri I Heshtjes
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
i_lire
^^i_lire^^

Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610

Robert Elsie:"kam Ēelur Njė Dritare Pėr T“i Nxjerrė Letrat Shqipe Nga Muri I Heshtjes

Intervistë e Robert Elsiesë për gazetën shqiptare “ILIRIA”

Intervistoi: Robert Elsie është padyshim një nga përkthyesit më prodhimtarë të poezisë dhe trashëgimisë shqipe në anglisht. Lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, ai studioi në University of British Columbia, ku diplomoi më 1972 për studime klasike dhe Gjuhësi. Në vitet pasues ai i vazhdoi studimet pasuniversitare në Gjermani, Francë e Irlandë dhe përfundoi doktoraturën për letërsi më 1978 në Institutin Gjuhësor të Universitetit të Bonit. Prej vitit ’78 ai vizitoi Shqipërinë disa herë me një grup studentësh dhe profesorësh nga Universiteti i Bonit, vizita që së pari i zgjuan interesin për kulturën shqiptare. Për disa vite rresht ndoqi Seminarin Ndërkombëtar mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbajtur në Prishtinë të Kosovës. Nga viti ’82 deri më ’87, punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon.

Prej atëherë ka punuar si interpret i pavarur mbledhjesh, parësisht për shqipen dhe gjermanishten. Së fundmi ka punuar si interpret i njëkohshëm shqip-anglisht-shqip për Gjykatën e Hagës në krejt pjesën e Kosovës të gjyqit të Millosheviçit. Elsie ka përkthyer dhe botuar një varg librash, mes të cilëve History of Albanian Literature; Dictionary of Albanian Literature; A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture; Studies in modern Albanian literature and culture, Albanian folktales and legends; An Elusive eagle soars: Anthology of modern Albanian poetry; Migjeni: Free verse, Flora Brovina: Call me by my name; Who will slay the wolf, Ali Podrimja, Gathering clouds: the roots of ethnic cleansing in Kosovo and Maqedonia, etj.

ILIRIA: Vështirë se ka ndonjë lexues që nuk i ka lexuar përkthimet tuaja të poezisë dhe trashëgimisë letrare shqipe. Ende nuk e kam takuar një shqiptaro-amerikan që nuk ka në bibliotekën e tij të paktën një libër përkthyer nga ju. Cila ishte tërheqja fillestare, ai çast vendimtar që ju grishi aq fort sa t’ju detyronte t’ia përkushtonit kaq shumë kohë dhe energji letërsisë shqiptare?
Robert Elsie: Kam pasur gjithmonë një pasion për gjuhët dhe kulturat e huaja disi të errëta. Kur fillova të mësoja shqipen në vitet ’70 në kursin e studimeve për gjuhësi të krahasuar, u godita nga “muri i heshtjes” që e rrethonte kulturën shqiptare. Diktatura staliniste në Shqipëri dhe veçimi i tejskajshëm nga të cilët shqiptarët vuajtën për dhjetëvjeçarë të tërë, kishte një pasojë afatgjatë: shumë pak të huaj e mësuan shqipen dhe,të jemi të ndershëm, shumë pak ishin t’interesuar, përveç një grushti të tejskajshmish politikë. Por as pamja që ka vizatuar Shqipëria për vetë dhjetëvjeçarin e fundit kaotik nuk ka qenë veçanërisht tërheqëse. Pakësia e shkencëtarëve të interesuar për Shqipërinë dhe mungesa e përkthyesve nga shqipja në anglisht ka treguar që muri i heshtjes nuk është rrëzuar ende. Dhe prapseprap, ka shumë për t’u zbuluar në kulturën shqiptare. Pas vitesh shtypjeje dhe veçimi, shqiptarët kanë shumë për të thënë. Interesi im ka qenë në të ndihmuarit që kjo kulturë, në gjithë larminë e vet, të njihet dhe kuptohet nga bota e jashtme.

ILIRIA: Paraqitja e vëllimeve të Brovinës dhe Podrimjes janë skajshmërisht informues, por edhe të ngrohtë e parapëlqyes ndjenjësisht. A ka ndonjë arsye për këtë përveç vlerave të poezisë së tyre?
Robert Elsie: Kur fillon përkthimin e poezisë së një autori, ti hyn në kozmosin e tij apo të saj. Secili autor është i ndryshëm dhe secili ka kumtin e vet për t’ia tejçuar botës. Në rastin e Flora Brovinës, që ishte në një burg serb në kohën kur fillova përkthimin, sigurisht që u ndikova nga rrethanat politike të jetës së saj, por në përgjithësi është kumti poetik që ka rëndësi. Unë përkthej autorë punën e të cilëve e kam pëlqyer vetë dhe të cilët mendoj se do të përçohen mirë në një përkthim anglisht. Jo çdo poet, bile edhe ata që unë i pëlqej dhe i vlerësoj, është i përkthyeshëm, të paktën jo nga unë. Megjithatë, kam përkthyer shumë autorë dhe, për mungesë botuesish, e kam vendosur së fundmi shumicën e lëndës në faqen time të re t’internetit www.albanianliterature.com duke ia bërë të mundshme secilit që ka kompjuter. Shumë nga shkrimet dhe librat mund të shkarkohen atje, gjithashtu.

ILIRIA: Si erdhi puna që e mësuat shqipen aq mirë, veçanërisht kur dihet se përkundër anglishtes, ajo është një gjuhë shumë e lakueshme?
Robert Elsie: Siç e përmenda, kam pasur gjithmonë pasion gjuhët e huaja. Duhet ta pranoj se m’u desh kohë ta zotëroj shqipen. Ishte përpjekje e fortë, përballë mungesës jo vetëm të gramatikave dhe fjalorëve të mirë atë kohë, por edhe sa i përket njerëzve për ta ushtruar. Pse u specializova në shqip dhe jo në gjuhën uellsiane, lituaneze apo bretone (gjuha e keltëve-shën. përk) që i kisha studiuar më parë? Ishte thjesht rastësi. Më 1978, ndërkohë që po mbaroja doktoraturën në Gjermani, pata një rast të rrallë me anë të profesorit tim n’Universitetin e Bonit, për ta shëtitur Shqipërinë me një grup studentësh. Mbeta pa mend nga gjithë propaganda politike në mure dhe pankarta që më solli ndër mend ndonjë film shkel e shko të Hollivudit, por gjithashtu u josha nga vendi dhe njerëzit jashtëzakonisht miqësorë dhe mikpritës. E tillë ishte Shqipëria e kohës, një teatër absurdi, prapseprap më mbeti në zemër.

ILIRIA: Shqiptarët i gjykojnë pjesët letrare që keni përkthyer si më përfaqësueset e poezisë shqiptare. Ndërsa ju keni botuar një vëllim me poezi nga Migjeni, Flora Brovina dhe Ali Podrimja, shumë nga të njohurit e mi po prisnin nga ju një përkthim të Fishtës. Duke pasur parasysh që ai mendohet të jetë një nga themeluesit e poezisë shqiptare, a po punoni për botimin e një vëllimi të veçantë të poezisë së tij?
Robert Elsie: Jam makthosur gjatë nga mendimi i përkthimit të Fishtës dhe për shumë kohë e kam mënjanuar për shkak të të folmes së fortë gege, ndërlikueshmëritë e gjuhës së tij dhe, për mua, kulturës shumë ekzotike të malësive shqiptare. Fishta është sfida përfundimtare për një përkthyes letrar. Por unë jam i pangopur i keq dhe më 2000, më në fund, fillova të përkthej Lahutën e malcis, që e gjykoj si Epika Kombëtare Letrare shqiptare. Puna e përkthimit ishte shumë e vështirë në fillim dhe n’t’vërtetë u dorëzova disa herë, por tani u mësova me gjuhën e Fishtës e mënyrën e shprehjes, dhe po bëj përparim të mirë. Pesë këngët e para të përkthimit anglisht të Lahutës së malcis do të botohen shumë shpejt (m’është thënë për Krishtlindje) në Pejë brenda vargut Dukagjini Balkan Books, ku tashmë kam botuar një numër veprash të tjera n’anglisht. Po ta hedhim shikimin mbrapa, mendoj se përkthimi ka dalë jashtëzakonisht mirë. Jam i kënaqur të paktën, por do t’ia lë lexuesit të vendosë vetë. Po vazhdoj ngadalë me pjesën tjetër të Lahutës së malcis, por ajo është shumë e gjatë - sa Iliada e Homerit - kështu që do të më marrë disa vjet ta përfundoj. Nëse ia dal, do të jetë një arritje historike.
ILIRIA: Ndihmesa juaj shtrihet përtej poezisë, në botimin e shkrimeve dhe studimeve mbi letërsinë, besimin, mitologjinë dhe kulturën popullore shqiptare. Cilat janë nismat tuaja të tanishme?
Robert Elsie: Përveç Lahutës së malcis, kam plotësuar një përkthim anglisht të poezisë gojore epike shqiptare që do të thirret The Songs of the Frontier Warriors (Kangët e kreshnikëve), që i gjykoj si shumë të rëndësishme. Do të botohet shpejt (shpresoj para fundit të vitit) në një vëllim dygjuhësh nga Bolchazy-Carducci Publisher në Vaukonda t’Ilinoisit. Kjo, më në fund, do ta paraqesë epikën shqiptare para botës shkencore dhe lexuesve të huaj. Deri tani, ajo ka qenë nën hijën e epikës më të njohur serbo-kroate, me të cilën është e lidhur ngushtë. Kam përfunduar edhe një libër të ri quajtur Introduction to Albanian Literature (Hyrje në Letërsinë Shqipe). Ky është një lloj më i shkurtë, më i përmbledhur dhe i përditësuar i Historisë së letërsisë shqipe dyvëllimëshe, botuar në Nju Jork më 1995, dhe përqendrohet në autorët madhorë të letërsisë shqiptare nga fillimi deri në vitin 2000. Nuk kam gjetur ende botues për të, por nuk i kam humbur shpresat. Kam plotësuar gjithashtu një përkthim anglisht të një përmbledhjeje tregimesh të shkurta moderne shqiptare, të cilin ia kam parashtruar një botuesi në Çikago. Një vepër tjetër me interes për historianët është Shqipëria e hershme: një lexues i teksteve historike (shekujt XI-XVII), që do të botohet vitin tjetër në Gjermani shpresoj. Së fundmi, kam filluar të punoj mbi një botim të ri të Fjalorit historik të Shqipërisë për Scarecrow Press, që po e përvijoj si një enciklopedi vocërrake të Shqipërisë dhe shqipes. Kjo nisëm përfshin mjaft kërkime dhe punë, kështu që i kam lënë Fishtën dhe përkthimet e tjera mënjanë hëpërhë.

ILIRIA: Më së fundmi keni botuar “Gathering clouds: the roots of ethnic cleansing in Kosovo and Macedonia” (Re të mbledhura: rrënjët e spastrimit kombëtar në Kosovë dhe Maqedoni), një përmbledhje dokumentesh të hershmërisë së shekullit XX. Ndonjë arsye e veçantë?
Robert Elsie: Nuk përfshihem zakonisht në vepra që mund të gjykohen si politike, por në këtë rast doja ta ndihmoja publikun ndërkombëtar të qartësonte diçka. Ka pasur një prirje nga qarqet ndërkombëtare prej luftës në Kosovë ta hedhin gjithë fajin mbi Millosheviçin. Më thjesht, është mëtuar që “nëse Millosheviçi s’do të kishte qenë në pushtet, nuk do të kishte pasur përplasje kombëtare në Jugosllavi dhe vendi do t’ishte prapë i bashkuar. Tashti që Millosheviçi ka ikur, mund t’i vëmë copat prapë bashkë.” Ajo që shumë njerëz jashtë nuk kuptojnë, është që shtypja dhe spastrimi kombëtar në Kosovë ka qenë shumë kohë përpara se Millosheviçi të vinte në pushtet. Në të vërtetë, ka pasur një traditë të mjerueshme spastrimi kombëtar atje përgjatë shekullit XX, nga fillimi deri në fund të sundimit serb. Çdo qeveri beogradase: nga koha monarkike te ajo komuniste dhe paskomuniste mori pjesë në të. Nëse kjo qartësohet, dhe shpresoj që kjo të bëhet nga libri, bashkësia ndërkombëtare do të kuptojë më në fund të kuptueshmen: që një zgjidhje përfundimtare mund të lindë vetëm duke nderuar vullnetin demokratik të popullit të Kosovës.

ILIRIA: Gjatë kohës së parë të gjyqit të Millosheviçit në Hagë keni shërbyer si interpret shqip-anglisht për Gjykatën. A keni ndonjë kujtim të veçantë nga kjo?
Robert Elsie: Gjyqi i Millosheviçit është thënë të jetë gjyqi më i madh në historinë evropiane pas Nurembergut dhe unë e mendoj si privilegj të kem qenë në gjendje të marr pjesë në të. Punova si interpret i njëkohshëm shqip-anglisht-shqip për Gjykatën çdo ditë prej mesit të shkurtit deri në fund të gushtit 2002 dhe besoj të kem qenë i vetmi përkthyes i pavarur që jam përfshirë në pjesën e Kosovës të gjyqit nga fillimi në fund. Duhet ta pranoj se kujtimi kryesor nga gjyqi është stresi. Përkthimi ishte çuditërisht i vështirë. Kur përktheja nga shqipja n’anglisht, isha i ndërgjegjshëm që jo vetëm në gjykatë, por edhe në mediat ndërkombëtare, pra në kohë të caktuar në mbarë botën, po dëgjonin zërin tim dhe që çdo gabim mund të ndryshonte rrjedhën e gjykimit. Kur po përktheja nga anglishtja në shqip, isha barazisht i ndërgjegjshëm që gjithë Kosova dëgjonte shqipen time - dhe gjithë gabimet e mia gramatikore e shqiptimore - në televizion. Megjithëse kam bërë mjaft përkthim mbledhjesh të nivelit të lartë për shqipen, mendoj se gjashtë muajt në Gjykatë ishin koha më e vështirë e karrierës sime dhe sigurisht më stresuesja. Siç e vërejti një koleg imi në Hagë, ishte si rrugëtim nëpër gropa çdo ditë. Kodet gjuhësore të anglishtes dhe shqipes në gjyq ishin tejet të ndryshme. Anglishtja e gjykatës është jashtëzakonisht e stërholluar dhe e ndërlikuar, të cilën duhej ta përktheja në shqip por edhe t’ia bëja të kuptueshme dëshmitarëve shqiptarë, që ishin shpesh fshatarë të thjeshtë dhe pak dinin për veçantitë ligjore. Ende s’jam i sigurtë deri në ç’shkallë ata dhe shikuesit e TV-së nga Kosova kanë kuptuar çfarë po thoja. Drejtimi tjetër, nga shqipja, apo më mirë nga kosovarçja n’anglisht, t’i prishte edhe më shumë nervat, sepse ishte shpesh e vështirë të kuptoheshin të folmet vendore që flisnin dëshmitarët dhe të përçoheshin dëshmitë e tyre nga një kod i papërpunuar në një anglishte të kuptueshme. Kishte edhe shumë probleme kulturore që përfshiheshin në përkthim. Stresi i vazhdueshëm i punës atje e pati një përfitim, gjithsesi. Më ruajti nga thithja e gjithë atij tmerri nga dëshmitë dhe më ruajti nga sakatosja prej gjakut dhe therjeve që ishim të detyruar të dëgjonim çdo ditë. I admiroj gjithë ata njerëz trima që i mbijetuan tmerret e pathëna dhe erdhën nga Kosova për të dëshmuar.

__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!

Modifikuar nga i_lire datė 12/10/2003 ora 06:41

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 08 Shtator 2003 23:02
i_lire nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė i_lire Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me i_lire (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė i_lire't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: i_lire Shto i_lire nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto i_lire nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 07:50 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > Robert Elsie:"Kam Ēelur Njė Dritare Pėr T“i Nxjerrė Letrat Shqipe Nga Muri I Heshtjes

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.