i_lire
^^i_lire^^
Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610
|
Si e nxiti sėmundja, Gabriel Garcia Markezin, tė hedhė nė letėr kujtimet e njė jete t
Bashkangjitje: garcia-marquez.jpg
Ky file ėshtė shkarkuar 149 herė.
Të jetosh për të rrëfyer:
"Pakësova në maksimum marrëdhëniet me miqtë, stakova telefonin, anulova të gjithë udhëtimet dhe çdo lloj plani tjetër që kisha menduar për të ardhmen. U mbylla brenda, për të shkruar përditë, pa ndërprerje..."
Ai ka qenë gjithmonë një prej shkrimtarëve më të disiplinuar. "Gabo" ngrihej qysh herët në mëngjes, për t'u ulur përpara "Macintosh"-it të tij besnik, me kokën mbushur plot fjalë magjike, nga ato që kanë karakterizuar Amerikën Latine, gati për t'i hedhur në tastierë. Ajo pjesë e Gabriel Garcia Markezit nuk ka ndryshuar kurrë. Por më pas, në 1999 shkrimtari nga Kolumbia, laureat i Çmimit Nobel në vitin 1982 dhe një prej autorëve më të famshëm të Amerikës Latine mësoi se ishte i sëmurë me Kancer limfatik. Në mënyrë të menjëhershme, "Gabo" vendosi të "mbyllej brenda" katër mureve të shtëpisë së tij, për të shkruar me një zell të jashtëzakonshëm, i paparë ndoshta që nga koha kur ai shkruante kryeveprën e tij, "100 vjet vetmi" në vitin 1967. "Shoku" i vetëm i tij ishte paketa me cigare, që ia sillte vazhdimisht e shoqja, Mercedes.
"Pakësova në maksimum marrëdhëniet me miqtë, stakova telefonin, anulova të gjithë udhëtimet dhe çdo lloj plani tjetër që kisha men duar për të ardhmen", i tregoi autori të përditshmes kolumbiane El Tiempo, në një prej komenteve shumë të rralla që ka bërë për sëmundjen e tij, për të cilën zakonisht refuzon të flasë. "U mbylla brenda, për të shkruar përditë, pa ndërprerje".
Sot, tre vjet pasi ka bërë kërkime dhe ka shkruar me qindra fletë, Garcia Markez, 75 vjeç, që iu nënshtrua kemioterapisë në një spital të Los Anxhelesit dhe më pas vendosi të pushojë në shtëpinë e tij në qytetin e Meksikos, pret të shijojë suksesin e njërit prej librave ndoshta më të shumëmpritur, "Vivi Para Contarla", ose "Jetoj për të rrëfyer".
Vëllimi i parë i kujtimeve të shkrimtarit, është një përmbledhje kujtimesh mbushur me emocione, të hidhura dhe të ëmbla, për vitet e para të jetës së njeriut aq shumë të adhuruar në Amerikën Latine, saqë edhe në të gjithë Globin njihet me nofkën, "Gabo". Pjesa më e madhe e tyre është përqëndruar në qytetin "e bananeve", në veri të Kolumbisë, i cili pavarësisht varfërisë dhe izolimit, mbante përbrenda vetes mistere dhe magji, që kanë frymëzuar që në fëmijërinë e tij, tregimtarin Garcia Markez.
Libri 579-faqësh, i botuar nga Shtëpia Botuese kolumbiane Norma, ka dalë në qarkullim të mërkurën në Kolumbi, ndërsa në pjesën tjetër të Amerikës Latine dhe Spanjë, ditën e premte. Ai mund të botohet në gjermanisht dhe italisht ndoshta deri në fund të këtij viti, si dhe në Shtetet e Bashkuara, në fillim të vitit të ardhshëm.
Për adhuruesit e tij, "Vivi para contarla" është një thesar, në të cilin, bashkë me pasurinë, gjendet edhe çelësi i të fshehtave dhe mistereve që frymëzuan Gabriel Garcia Markezin, dhe që do të mund të shpjegojë se si një jetë e pasur, mbushur me personazhe plot ngjyra, furnizoi një imagjinatë shumë të ndezur, e cila i ka sjellë botës disa prej xhevahireve më të çmuar të letërsisë bashkëkohore.
"Lexohet si roman, por ajo është në të njëjtën kohë një kronikë e jetës së autorit si dhe një reportazh për realitetin kolumbian të gjysmës së fundit të shekullit të kaluar", thotë Roberto Pombo, një mik i ngushtë i Markezit dhe botues i edicionit meksikan të revistës kolumbiane "Cambio", drejtor i së cilës është vetë Markezi.
Natyrisht, shu-më lexues e dijnë mirë se ky katundth i vogël dhe i fjetur, mbushur me pemë bajamesh dhe shtëpi shumë-ngjyrëshe druri është Makondo, qyteti imagjinar ku jetonte familja e jashtëzakonshme Buendia, tek "100 vjet vetmi". Eshtë një qytet lufte dhe paqeje, hakmarrjeje dhe dhune, dashurie dhe dëshpërimi, si dhe izolimi të pafund - një parajsë e humbur dhe një metaforë për Amerikën Latine.
Ata e dinë shumë mirë gjithashtu se historitë fantastike të Gjeneral Nikolas Markez, gjyshit të Garcia Markezit - tregime për luftën e 1 mijë ditëve dhe duelet fatale - kanë zënë rrënjë në kokën e shkrimtarit, që në start. Ato u bënë ushqimi kryesor i Gabos për kryeveprat e tij të së ardh mes. Megjithatë, "Vivi para contarla" shkon edhe më thellë.
Lexuesi mëson në Vëllimin e parë të kujtimeve të autorit, momentin e saktë kur 23-vjeçari Garcia Markez, atëherë një gazetar që luftonte shumë për të zënë një pozicion sa më të mirë, kuptoi gjatë një udhëtimi shumë emocional në shtëpinë e tij të lindjes, se fati i tij ishte i lidhur përjetësisht me penën. "Ajo që do të zbuloni është se veprat e Markezit burojnë të gjitha nga kujtimet që vërshojnë, kur ai gjendet përballë shtëpisë ku kaloi fëmijërinë", thotë Pombo.
Dhe me të vërtetë, pohon Markez në veprën e tij, ai kuptoi se do të bëhej "shkrimtar, ose asgjë", dhe që, do të shkruante romanin e parë, ose do të "vdiste".
Autori shpjegon se si pjesa më e trishtë e historisë së Kolumbisë, siç ishte masakra e punëtorëve të Kompanisë së bananeve, "United Fruit" u fut thellë në ndërgjegjen e tij, duke frymëzuar jo vetëm shkrimet, por edhe pikëpamjet e majta. Dhe sa dhimbje i shkaktoi humbja e njerëzve të dashur...
"Sot, është e qartë: Një pjesë e imja kishte vdekur bashkë me të", shkruan Markez për gjyshin e tij, që e adhuronte aq shumë. Dhe vazhdon: "Por unë gjithashtu besoj, pa patur as dyshimin më të vogël, se që atë moment unë isha një shkrimtar në fillesat e veta, që kishte nevojë vetëm sa të mësonte të shkruante".
Vetë Garcia Markezi ka folur shumë pak për librin e tij të ri dhe nuk i është përgjigjur deri tani kërkesave për intervistë. Sipas miqve të tij, një prej shkaqeve është se ai nuk ka aspak dëshirë të flasë për sëmundjen. Një gjë e tillë ka shkaktuar një stuhi spekullimesh në rrethet letrare të Amerikës Latine, ndërkohë që fansat e tij vrisnin mendjen se çfarë stili letrar do të përdorte, dhe si do ta strukturonte veprën e fundit.
"Të gjithë duan të dinë sa më shumë për këtë njeri - është magjia e Makondos", thotë Gerald Martin, i cili është duke përfunduar një biografi të Garcia Markezit. "Ky njeri është aq shumë i famshëm, dhe të gjithë e njohin aq mirë, e megjithatë, ata nuk arrijnë ta imagjinojnë se si do ta shkruajë Gabo historinë e vet".
Kujtimet janë shkruar në një stil gazetaresk, të drejtpërdrejtë, me shumë pak grima nga realizmi magjik, që karakterizon pjesën më të madhe të veprave të tij. Libri përmbledh jetën e Markezit, deri në mesin e viteve pesëdhjetë, pikërisht atëherë kur Gabo, djali i madh i një farmacisti dhe një punëtoreje të telegrafit, lë fakultetin Juridik, për t'u bërë gazetar.
Libri është "gdhendur", nën ndikimin edhe të historisë shpesh të dhunshme të atyre kohëve, kaosit të Bogotazos, ose demonstratave të vitit 1948 në kryeqytetin kolumbian, të cilat shpërthyen pas vrasjes së politikanit shumë popullor, Jorge Eliécer Gaitįn. "Besoj se u ndërgjegjësova", shkruan Markez, se "atë ditë të 9 prillit 1948, në Kolumbi filloi shekulli i Njëzetë", një aluzion ky për dhunën që ka mbërthyer këtë vend, qysh atëherë.
Më pas, ai rritet si një kronist në gazetat e qyteteve bregdetare si Kartagjena dhe Barankuila. Eshtë një botë mbushur me redaktorë të mençur, me këshilla të mënçura për gazetarin e ri në moshë, dhe një koleksion miqsh letrarë që frekuentojnë një bar me emrin La Cueva, ku diskutojnë për shkrimtarë si Uilliam Folkner, Daniel Defo dhe Xhejms Xhois.
"Ne kishim aq shumë gjëra të përbashkëta", shkruan autori, "sa shpesh na thonin se kishim të njëjtin baba". Kujtimet ndalen pikërisht në çastin kur Markez boton librin e tij të parë, "Stuhi gjethesh" dhe niset për në Europë, ku do të punojë si korrespondent i gazetave kolumbiane.
Të paktën dy vëllime të tjerë janë në përgatitje e sipër, ku njëri vazhdon ndoshta kujtimet e tij deri në 1982, kohë kur Gabo mori Çmimin Nobel, dhe tjetr përqendrohet në marrëdhëniet e tij me figura të tilla botërore, si Fidel Kastro, Bill Klinton dhe Fransua Miteran.
Për vetë Markezin, botimi i kujtimeve të tij në "Vivi Para Contarla" do të thotë rikthim për të eksploruar edhe njëherë fëmijërinë e tij, dhe për të fshirë në të njëjtën kohë mitet dhe pasaktësitë që janë shkruar për të që nga koha kur fitoi famë spektakolare, pas botimit të "100 vjet vetmi". "Ai donte ta tregonte vetë historinë e tij, si u rrit bashkë me gjyshin në një shtëpi të vogël, në një vend të papërfillshëm, por gjithësesi, magjik", thotë Martin. "Ai kishte kohë që priste ta bënte këtë, dhe tani ishte me të vërtetë momenti i duhur". Ashtu si në librat e mëparshëm, Gabo është mbështetur tek një dyzinë të afërmish, miqsh dhe në disa raste gazetarësh, të cilët, nën kontratë, e kanë ndihmuar të grumbullojë detaje dhe fakte, që do ta ndihmonin të rindërtonte ngjarjet. "Duhen kapur mbresat, kujtimet, duhet shkuar tek miqtë dhe të afërmit, duhen ballafaquar deklaratat me kujtimet", i tha në fillim të këtij viti Markezi një gazetari brazilian.
I njohur për prirjet e tij gazetareske, Markez gërrmoi hollësi të rëndomta, siç është përshembull bekgraundi i një lojtari bejzbolli nga Republika Dominikane, të cilin e kishte njohur 50 vjet më parë, apo historia e një bordelloje në bregdet, ku kishte jetuar për disa kohë, ose emri i një radhitëseje që kishte punuar në të njëjtën gazetë me të, në vitet e para të punës.
Një mik i tij, Jaime Abello dhe Jaime Garcia Markez, njëri prej vëllezërve të shkrimtarit, u ulën shpesh herë për të shkruar raporte të detajuara për Gabon, ndonëse detajet misteriozë kishin një rëndësi periferike për librin. "Gabo, si një gazetar i mirë, mbledh gjithnjë shumë informacione, por përdor vetëm një pjesë të tij", thotë Abello, Drejtor i Fondacionit në Kartagjenë, të cilin Markez e krijoi për të trajnuar gazetarë të rinj.
Vetë Markez rilexoi edhe njëherë editorialët e dikurshëm në gazetë, romanët e tij, libra për atë vetë dhe familjen e tij, si përshembull intervistat e Silvia Galvisit me klanin Markez. Gjithashtu, shkrimtari intervistoi shumë prej të afërmve të tij. "Kur na telefononte dhe na pyeste për detaje shumë të vogla, kisha ndjesinë se kërkonte vetëm interpretimin tonë, se ndoshta po përpiqej të shihte nga këndvështrimi ynë", thotë Jaime Garcia Markez, 62 vjeçar.
Autori ka shfauqr më shumë interes për rindërtimin e Arakatakas, e cila njihet si një vend mbushur me personazhe imagjinarë, plot dhunti natyrore.
Në rininë e tij, Garcia Markez ishte i mrekulluar veçanërisht nga historitë për vdekjen. Në kujtimet e tij ai shkruan se si ka parë trupin e parë: një burrë i goditur për vdekje, teksa përpiqej të hynte me forcë në një shtëpi, një "pamje që do të më mbetej në kokë për vite me radhë".
Por, Markez është një shkrimtar i munduar nga vdekja, disa thonë se ka shumë frikë prej saj. Një gjë e tillë është evidente në librat e Gabos; pothuajse të gjithë fillojnë me vdekje, apo një temë të ngjashme me të. Shmangja që Garcia Markez i bën funeraleve është legjendare, dhe vdekja e njerëzve të afërt të tij - dy vëllezër dhe e ëma vdiqën gjatë kohës që shkruante kujtimet - e prekin thellë. "Njëherë, Markez tha: Nuk është se kam frikë nga vdekja, por jam i zemëruar me të", thotë i vëllai, Jaime.
Gustavo Tatis, gazetar në qytetin bregdetar të Kartagjenës, thotë se njëherë, shkrimtari ka shpjeguar frikën e tij nga vdekja në një intervistë. "Problemi me vdekjen është se ajo zgjat përgjithnjë", kish thënë.
E vërteta është se Markez ka sakrifikuar shumë për të përfunduar vëllimin e parë, që sapo ka dalë në qarkullim. Shkrimtari pëlqen shumë të qëndrojë pranë njerëzve me pushtet. Ai është mik i shumë liderëve botërorë, shpesh herë ka pirë e është dehur, me rebelë e diplomatë, madje në vendin e tij ka luajtur shpesh ndonjë rol pas kuintave, gjatë bisedimeve për paqe.
Të gjithë ata që e njohin mirë Markezin thonë se që në hapat e tij të para si gazetar ai ka menduar të shkruajë historinë e jetës, si dhe pjesë të historisë së trazuar të Kolumbisë. Ngjarje të jetuara, disa personale, janë të ndërthurura në të gjithë veprat e Gabos. Prindërit ishin frymëzimi i tij kur shkruante "Dashuri në kohërat e kolerës", dhe një vrasje e ndodhur në një qytet të vogël, ishte modeli për "Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar".
Shumë miq të tij thonë se kanceri, thjesht e nxiti Markezin të shtrëngojë rripin. Miqtë më të ngushtë thonë se vepra më e fundit e Markezit duhet parë thjeshtë si një festim i jetës së shkrimtarit, dhe jo si lajmëtare e vdekjes. Dhe vërtetë, thotë Abello, "titulli i librit flet më qartë për këtë histori".
"Gjithë motivimi i tij përmblidhet në atë titull, Të jetosh për të rrëfyer - është kënaqësia e të rrëfyerit të historisë", ka thënë Markez. "Eshtë njësoj si të thuash: Ia vlen të jetosh".
__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|