~Enigme~
Simplexity
Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073
|
Tirana
ngrihet, ose më mirë shtrihet, në një fushëgropë të qetë, rreth njëqind e tridhjetë metra mbi nivelin e detit, det i cili është jo më shumë se tridhjetepesë kilometra larg: tridhjetepesë kilometra rruge të mirë për të mbërritur në Durrës, që është porti natyror i Tiranës. Kësaj rruge po i shtohet tani një autorrugë, edhe thonë se do ti shtohet së shpejti edhe një hekurudhë. Këtë parafolje e kam lexuar në një libër italian shkruar dhjetë vite të shkuara dhe unë po e tejshkruaj besnikërisht, duke shtuar këtu urimet e mia vetjake.
Është qytet që nuk ka qenë kurrë i lashtë, sepse edhe në kohët e lashta ishte modern. Banonin aty thuajse vetëm zotërinj të mëdhenj, plutokracia e kohës, e përfaqësuar prej bejlerësh latifondistë që vinin të kërkoninn aty gjatë verës freski dhe shëndet, duke i ikur malarjes dhe vapës së Durrësit e të fushave përreth. Ishte si njëfarë Meranoje e zonës. Dhe ky karakter aristokratik, pakëz balnear dhe pakëz kolonial, i ka mbetur. Në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, me qytetet e tjera, Tirana është kopshti i Mbretërisë, kuintesenca e saj e stërholluar. Ndoshta sot, me dyndjen e madhe njerëzore që ka teptisur aty për të banuar për shkak të centralizimit të ministerializmit, ajo është borgjezuar dhe rënduar paksa. Më shumë se të bukurën, synon të madhen; më shumë se te qëllimi, e ka mendjen te rehatia. Dhe si mund të ishte ndryshe? Popullsia e saj, që dhjetë vjet të shkuar ishte tridhjetë mijë banorësh, është më shumë se dyfishuar dhe rritet përditë duke e bërë të kotë çdo statistikë që të mëtojë ta ngulisë në një shifër. Për këtë popullsi në shtim të vijueshëm qyteti është tanimë i ngushtë dhe kërkon shfryrje në lindje e në perëndim, duke u kacavarur shpateve të kodrës që lartohet mbi të nga ana e Elbasanit dhe majë së cilës po ngrihet Pallati i ri Mbretëror.
Ka një jetë të gjallë trafiqesh, të dendur nga ana sociale, ka hotele jo të këqia, ka shërbime të mira. Doemos, është një botë e shkartisur, e shkartisur në mënyrë piktoreske: gjen aty toskun, tregtar finok, që ka çalltisur në qytet për të shitur prodhimet e tij, me kostumin e tij të hijshëm bardh-e-zi, epirotin me fustanellë, mirditorin e veriut hijerëndë dhe artistokratik, ciganin, maqedonin, malaziasin, sllavin; gjen aty borgjezin e Tiranës, që është në Tiranë vetëm se e ka hedhur hera, ngase mund ta gjeje, të njëjtë, edhe në Romë ose në Milano; gjen aty zonja me qyrk, vendëse e të huaja, dhe gra fshatarake, të zbathura e të rreckosura; gjen automobilë luksi dhe karroca parahistorike që një-e-dy i bien borisë si të qenkëshin automobila edhe ato dhe vizatojnë përdredhore fantastike përgjatë rrugëve, sepse karrocierët shqiptarë kanë një gjeometri krejt vetjake dhe një armiqësi instinktive për vijën e drejtë. Mandej botën ndërkombëtare, posaçërisht atë diplomatike që është këtu, si në çdo kryeqytet tjetër, gjithmonë e njëjta, me bridget e veta dhe me çajet e veta, me çajet e veta dhe me bridget e veta, por me këtë rrethanë rënduese: që këtu, për shkak të ngushticës së mjedisit, bie shumë në sy edhe i jep tonin jetës mondane.
Tirana nuk shkëlqen aspak për dëfrime. Ka tri kinema të këqia, pa kurrfarë diskutimi të këqia. Dhe asnjëe teatër. Por Qarku italo-shqiptar që po ngrihet monumental (ndoshta paksa tepër monumental?) përbri Pallatit të vjetër Mbretëror do ta mbushë zbrazëtinë, së toku me pishinën, fushat e mbuluara të tenisit, restorantin luksoz. Është një sipërmarrje vigane, e rritur si një kërpudhë në një hapësirë pak muajsh falë veprimtarisë së patrit, magjistarit italian që ndërton në gjithë botën katërmijë e më shumë ngrehina në vit me lata druri dhe nuk e lë të vdesë gjindjen që vete e banon aty. Kështu që ky qark Skënderbe, lindur nën shënjesën e marrëveshjes kulturore italo-shqiptare, do të jetë një dorë e fundit për mobilimin perëndimor të Tiranës dhe do tu lejojë jo vetëm studiuesve, por edhe sportistëve dhe viveurs-ve vendës e të huaj ti kenë zili më pak edhe tu ngjajnë më shumë atyreve të Romës e të Londrës.
Gjithsesi ky modernitet perëndimor i Tiranës nuk është vetëm fryt artifici, majmunërie dhe plani rregullues. Në të vërtetë, treva e Shqipërisë së mesme, së cilës Tirana i është qendër, është historikisht më e evoluara, më pak e egërsuara nga ana fizike. Është treva që, prej kodrës qendërperëndimore, zbret shkallë-shkallë drej detit duke nxjerrë përpara si karakoll Durrësin. Dhe Durrësi është, së toku me Shkodrën, kryeura e Perëndimit në Shqipëri. Duam a nuk duam, qytetërimi ndjek ende, si itinerar rrezatimi, itineraret e legjioneve romane: rrugën Apia dhe rrugën Egnatia. Nuk është ky një vrojtim i atij që shkruan, i cili nuk është amator gjeometrie: por një rreth i hequr me kompas, me qendër Romën dhe që të ketë për rreze vijën Romë-Tiranë, dhe një tjetër rreth me qendër Stambollin dhe që të ketë të njëjtën rreze, vijnë e puqen në kufijtë lindorë të Shqipërisë. Është një përkim i çuditshëm.
E sigurtë është që kjo trevë qendrore, as mal as fushë, as veri as jug, është sot më e evoluara. Ndoshta edhe më pak e pastra, nga ana etnike, sepse nuk është as toske as gege; dhe pasja e detit dy hapa pranë, e detit drejt të cilit ajo zbret ka nxitur te njerëzit që e banojnë zakone tregtare që, në përgjithësi, për shqiptarin race të pastër janë të huaja. Sidomos Venediku ka bërë shkollë. Kujtimi i magazeve të mëdha dhe i zyrave venedikase është këtu ende i gjallë. Mbetje heterogjene qytetërimesh të ndryshme dhe kundërthënëse, të shtyra nga vala e furishme e historisë prej jugut, prej veriut, prej lindjes, janë shkrirë këtu me elementin më të fuqishëm roman.
Shqiptari i Shqipërisë së mesme është më pak i dhënë mbas pretimit dhe aventurës. Nga Mati e poshtë është më pak luftëtar, është më shumë tregtar dhe katundar. Organizimi social është ende pjesërisht feudal dhe bejleror: por dashuria për fitimin dhe shpirti i nismës e kanë ngritur plebën në proletariat edhe e kanë ulur fisnikërinë në borgjezi. Ndërsa shqiptarët e veriut, thellësisht aristokratikë e konservatorë, edhe nga ana racore konservatorë, i kanë jetuar shekujt e historisë së tyre në një izolim të shkëlqyer që nuk u ka lejuar as takime, as përzierje me sllavët kufitarë, nga Mati e poshtë ndikimi helen bëhet gjithnjë më i ndjeshëm duke u ushtruar sidomos nëpërmes klerikëve të Kishës ortodokse. Këta të Shqipërisë së mesme nuk janë ende të helenizuar si ata të jugut, por ndikimi ndihet në doket dhe zakonet nëpërmes një shqise kritike më të stërholluar, një depërtueshmërie më të madhe ndaj ideve të reja dhe kërkesave të reja, një embrioni intelektualizmi. Vetë muslimanët, aq xanxarë ndaj modernes, aq të ngurtësuar nga dogma, priren të skapullohen nga shtërngesat kuranore duke bërë të vetat forma më të pajtueshme me jetën europiane nëpërmes revolucionit liberal të bektashizmit, që kishte për të qenë njëfarë Reforme apo Proteste islamike.
Sikur Tirana të ishte kryeqyteti jo i Shqipërisë, por vetëm i kësaj treve qendrore, ajo kishte për të qenë krejtësisht logjike dhe e intonuar, në ekuilibër absolut. Por është kryeqyteti i Shqipërisë dhe Shqipëria nuk është e gjitha këtu. Kujdes periferinë: atje kanë shpërthyer të gjitha kryengritjet, edhe më të fundit.
__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|