Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > Leon Tolstoi i lėnė nė harresė nga kisha dhe shteti i tij, i nderuar nga bota
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Deb*
different

Regjistruar: 08/02/2007
Vendbanimi: diku aty, prane......
Mesazhe: 5515

Leon Tolstoi i lėnė nė harresė nga kisha dhe shteti i tij, i nderuar nga bota

Ilir Hashorva

I lënë në harresë nga kisha dhe shteti i tij, i nderuar nga bota


Jeta
Këtë vit bota do të përkujtojë 100-vjetorin e Leon Tolstoit që përkon me 100-vjetorin e vdekjes së tij. Rusia po e kalon në heshtje këtë përkujtim. Duke e parë Tolstoin jo si shkrimtar, por në anë të tjera, do të mundohemi të gjejmë “psenë?” e indiferencës së shtetit rus.


Leon Tolstoi, bir konti, u lind më 28 gusht të vitit 1828 në Jasnaja Poljana, një fshat, pronë e familjes së tij, rreth 150 km në jug të Moskës. Këtu ai kaloi pjesën më të madhe të jetës. Prindërit i vdiqën herët. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, shkoi në Universitetin e Kazanit, ku filloi studimet në Departamentin e Gjuhëve të Lindjes. Ishte student i dobët, bëri dy-tre vjet, e la shkollën dhe filloi një jetë të çrregullt të cilën e vë në dukje në këtë mënyrë në librin e tij “Rinia”: “Nuk mund t’i kujtoj ato vite pa tmerr, pa neveri, pa dhimbje. Kam vrarë njerëz në luftë, kam thirrur njerëz në duel me qëllim për t’i vrarë, kam luajtur kumar, kam shkapërderdhur frytet e rraskapitjes së fshatarëve, kam qenë kurvar dhe mashtrues. Nuk ka pasur krim që të mos kem kryer - gënjeshtër, vjedhje, marrëdhënie me gra të çdo lloji, dehje, dhunë, vrasje që të mos kem bërë. Kështu jetova për dhjetë vjet.”

Në moshën 23-vjeçare, Tolstoi hyri në ushtri, shkoi në Kaukaz dhe mori pjesë në Luftën e Krimesë të vitit 1856. Në këtë periudhë filloi edhe të shkruante. Ishte 24 vjeç, kur tha se, meqenëse lufta ishte një gjë e keqe, ata që merrnin pjesë në të, më parë duhej të mbysnin ndërgjegjen e tyre.

Në moshën 34-vjeçare Tolstoi u martua me motrën e njërit prej shokëve të tij, me Sofinë (Sonjën) nëntëmbëdhjetëvjeçare, e cila i dha 13 fëmijë.

Nga fundi i viteve 1870, pasi kishte shkruar dy romanet kryesore të tij, “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, Tolstoi kaloi një krizë shpirtërore, e cila e bëri të mendonte për kuptimin e jetës. Për këtë, nuk e ndihmuan dot as shkrimet e filozofëve, as ato të teologëve dhe as ato të shkencëtarëve, por jeta ditore e fshatarit rus e cila i tregoi se, secili, në vend që të jetonte për vete, duhet t’i shërbente Zotit. Në këtë kohë ai rifilloi jetën si një fshatar i thjeshtë rus: la duhanin, pijen, gjuetinë, braktisi pasurinë dhe privilegjet e shtresës së lartë, rrobat e saj, dhe filloi të përdorte veshje fshatari, të punonte në fushë së bashku me fshatarë të tjerë, të pastronte vetë dhomën, të bënte vetë çizmet, u kthye në vegjetarian dhe dënoi ngrënien e mishit, duke thënë: “Në qoftë se njeriu kërkon seriozisht një jetë të drejtë, e para gjë që duhet të bëjë është të mos përdorë mishin e kafshëve. Ai ushqim jo vetëm që nxit pasione të këqija, por ngrënia e tij është krejt imorale, sepse lidhet me vrasjen. Jo vetëm vuajtja dhe vrasja e kafshës janë çnjerëzore, por, duke vrarë kafshën, njeriu mbyt në vetvete, pa qenë e nevojshme, kapacitetin e tij më të lartë shpirtëror – simpatinë dhe mëshirën ndaj krijesave të gjalla – dhe, duke dhunuar ndjenjat, ai bëhet mizor”.

Tolstoi u përpoq me të gjitha mundësitë të lehtësonte ata që vuanin. Ai i kërkoi qeverisë t’u jepte fshatarëve tokë, të nxirrte e të zbatonte ligje të drejta, të hiqte pengesat për arsimimin dhe për fenë. Rreth 12 000 dukhoborë (pjesëtarë të një sekti me origjinë ruse të cilët u persekutuan nga regjimi carist, sepse refuzonin të shërbenin në ushtri nisur nga parime fetare) u ndihmuan me të holla nga Tolstoi për të emigruar në Kanada.

Në fund, ai la gruan dhe fëmijët dhe filloi jetën e asketit dhe pelegrinit. Edhe pse u zhyt gjithnjë e më shumë në mësimet e Krishtit, duket se u ndikua më shumë nga Buda. Largimi nga gruaja dhe familja, nga të mirat e pasurisë, i preokupuar për problemet e njerëzimit dhe nisja e jetës së asketit, ishin të ngjashme me veprimet e Budës.

Tolstoi, kundër kishës
Me kalimin e viteve, Tolstoi përqafoi më shumë fenë, por u largua nga dogmat dhe ritet kishtare. Ai filloi të hulumtonte mësimet origjinale të Krishtit, veçanërisht ato që ishin paraqitur te Predikimi në Mal. "Feja - thoshte ai - i dha kuptim jetës, por kisha e fyeu arsyen". Atij i kishte bërë veçanërisht përshtypje parimi i krishterë i moskundërshtimit të së keqes dhe i dashurisë për kundërshtarin. Mbi këtë bazë ai kritikoi hipokrizinë e shoqërive të krishtera të kohës të cilat predikonin krishterimin dhe praktikonin dhunën, luftën dhe vrasjet kriminale.

Tolstoi kritikoi rëndë Kishën Ortodokse Ruse dhe të gjitha kishat e krishtera si institucione të korruptuara që kishin falsifikuar krishterimin e vërtetë. Pasi kishte menduar se kishte kuptuar mesazhin e Krishtit, ia dedikoi jetën që i mbetej zhvillimit dhe propagandimit të besimit të tij të ri. Ai hodhi poshtë të gjitha sakramentet, të gjitha mrekullitë, agjërimet, lutjet, Trininë e Shenjtë, pavdekësinë e shpirtit dhe të tjera dogma të fesë së krishterë tradicionale, të cilat i konsideronte si errësime të mesazhit të vërtetë të Krishtit. Tolstoi kërkoi një trajtim racional të krishterimit që nuk duhet të kishte të bënte me misteret, ritualet dhe traditat. Ai besonte se Krishti ishte mësuesi më racional dhe më human që kishte parë njerëzimi dhe jo biri i Zotit, trupi i të cilit u ringjall dhe shkoi në qiell. Ai besonte se misteret e Biblës si hyjnia e Krishtit, virgjëria e Marisë, apo fluturimi në qiell ishin krejt pa kuptim. Për të, Bibla ishte e mbushur me të pavërteta të shtuara nga kisha për të tërhequr vëmendjen e njerëzimit nga mësimet racionale të saj, për t’i mbajtur të krishterët në gjendje hipnoze. Tolstoi e rishkroi Biblën. Ai hoqi të gjitha pjesët e pakuptimta, harmonizoi tregime kundërthënëse dhe dha jetën e Krishtit në mënyrë kronologjike. Bibla e Tolstoit mbaron me kryqëzimin e Krishtit. Për Tolstoin, i gjithë krishterimi përmbahej në këto që theksonte Krishti në Predikimin në Mal:

“Keni dëgjuar të jetë thënë, një sy për një sy e një dhëmb për një dhëmb, por unë po ju them, mos i rezistoni asnjë të keqeje: cilido që do t’ju godasë në faqen e djathtë, i ktheni edhe të majtën. Në qoftë se ju padit dikush në gjyq dhe ju merr pallton, jepini edhe xhaketën”. Për Tolstoin zbatimi i këtyre udhëzimeve ishte revolucionar. Krishti propozonte një metodë të re, radikale dhe të urtë për njeriun që t’i përgjigjej çdo forme të së keqes. Por, njerëzimi, duke mos iu përgjigjur udhëzimeve të Krishtit, ishte kapur në një rreth vicioz të përgjigjes dhëmb për dhëmb, pra dhunshëm, dhe kjo mënyrë e kishte përhapur edhe më shumë të keqen, zemërimin dhe dhunën.

Autoritetin e kishës Tolstoi e luftoi me një seri shkrimesh si “Kritikë teologjisë dogmatike” , “Një rrëfim” etj. Në këtë kohë shumë klerikë e akuzuan atë për herezi dhe donin të hiqnin qafe. Vepra e madhe e fundit e Tolstoit, ishte “Ringjallja.” Në të Tolstoi vinte në dukje dhe kritikonte të këqijat e shoqërisë, natyrën e korruptuar të sistemit të drejtësisë dhe padrejtësitë e kishës, si dhe ritet e saj. Në këtë kohë Sinodi i Shenjtë e shkishëroi Tolstoin dhe urdhëroi vendosjen lajmërimit për shkishërimin e tij në derën e çdo kishe, të firmosur nga kryepeshkopi dhe nga dy peshkopë.

Tolstoi, kundër shtetit
Për Tolstoin, shteti ishte një institucion që përdorte dhunën për të imponuar ligjet e padrejta që nxirrte. Meqenëse esenca e krishterimit ishte mosreagimi me dhunë ndaj dhunës, të krishterët duhej t’i rishikonin marrëdhëniet e tyre me shtetin. Një njeri nuk mund të ishte njëkohësisht i krishterë i ndershëm dhe të pranonte legjitimitetin e shtetit, sepse shteti ishte ndërtuar në kundërshtim me parimet e Krishtit. Në qoftë se do të viheshin në jetë parimet e Krishtit, shteti do të ishte i tepërt.

Tolstoi kritikoi politikën qeveritare të patriotizmit që justifikonte dhunën dhe luftën. Për Tolstoin, ai lloj patriotizmi ishte vetëm një instrument që përdorej nga shteti për të arritur ambiciet e veta. Tolstoi besonte se të qenët i krishterë, do të thoshte të ishe pacifist dhe të qenët pacifist kërkonte t’i shpallje luftë qeverisë.

Ai shkruante: “Një i krishterë i mirë nuk grindet me një tjetër, nuk sulmon një tjetër dhe as nuk përdor dhunë kundër një tjetri. Përkundrazi, ai vetë, pa u ndier, e duron dhunën dhe me atë qëndrim, jo vetëm çliron veten, por ndihmon edhe në çlirimin e botës”. Tolstoi shpjegonte se si, duke mos e kundërshtuar të keqen me të keqe, kishe ecur në rrugën e eliminimit të së keqes. Ata që ndiqnin konceptet sociale të jetës dhe jo ato fetare, mund të luftonin dhe të vrisnin në emër të interesave të shtetit, por një i krishterë i vërtetë duhej të jetonte sipas ligjit të dashurisë të cilin duhej ta kishte në zemër: ai nuk duhej të luftonte, ai nuk duhej të vriste.

Moskundërshtimi i së keqes, nuk donte të thoshte se duhej pranuar e keqja, se duhej nënshtruar ndaj saj, por se ajo nuk duhej kundërshtuar me mjete të këqija, sidomos me dhunë. Ai thoshte: “Mos e kundërshto të keqen, por mos merr pjesë në të keqe – në punë të dhunshme të administratës, në gjyqe, në mbledhjen e taksave, në ushtri.”

Ndryshe nga marksizmi që kërkonte një shoqëri pa klasa për arritjen e barazisë, Tolstoi e shihte arritjen e barazisë të lidhur me përkryerjen morale të njeriut.

Tolstoi si anarkist i krishterë
Me dy fjalë, anarkizmi është kundërshtimi i një sistemi hierarkik që detyrimisht është shtypës, qoftë ai shtet, kishë apo çfarëdolloj organizimi tjetër i ngjashëm. Përgjithësisht, të rinjtë kërkojnë ndryshime sociale. Më të vjetrit, interesohen për ruajtjen e shoqërisë ashtu siç e kanë gjetur dhe bëhen gjithnjë e më konservatorë në mendimet e tyre. Tolstoi është një përjashtim nga kjo linjë e përgjithshme. Sa më shumë i kalonte mosha, aq më radikal bëhej, aq më shumë kërkonte ndryshime, aq më shumë luftonte kishën dhe shtetin.

Ai filloi të shkruante një seri librash ku formulonte idetë e tij anarkiste të nxitura nga përvojat e hershme të jetës së tij. Meqenëse në atë kohë rryma kryesore e anarkizmit ishte ajo e anarkizmit të dhunshëm, termi anarkizmi nuk ishte i pëlqyeshëm dhe Tolstoi nuk e quajti kurrë veten anarkist, por anarkisti i madh rus Petër Kropotkin shkruante:

“Pa e quajtur veten anarkist.... Leon Tolstoi mori pozicion anarkisti kundrejt shtetit dhe të drejtave të pronësisë, duke u bazuar në mësimet e Krishtit dhe nga imponimi i arsyes. Me talentin e tij të fuqishëm ai kritikoi rëndë kishën, shtetin, ligjin dhe, sidomos, ligjin e pronësisë. Ai e përshkroi shtetin si të dominuar nga të këqijtë të ndihmuar nga forca brutale dhe tha se grabitësit janë shumë më pak të rrezikshëm, sesa një qeveri e organizuar mirë...Argumentet e tij fetare janë kombinuar aq bukur me argumentet e shqyrtimin e të këqijave të kohës, saqë pjesa anarkiste e veprave të tij bën për vete si lexuesin fetar, ashtu dhe atë jofetar.”

Tolstoi mbështetës i mosdhunës
Në 15 vitet e fundit të jetës, Tolstoi shkroi shumë artikuj dhe letra me të cilat mbështeste mosbindjen qytetare të padhunshme. Ai u shprehte mirënjohjen shumë filozofëve që kishin ndikuar tek ai, ndërmjet të cilëve përmendte Thoroun. Ai përsëriste parimin kryesor se vrasja në çdo rast ishte krim dhe se lufta dhe ekzekutimet ishin vrasje edhe pse shteti përpiqej t’u jepte atyre ngjyra të tjera. Tolstoi vinte në dukje kundërthënie të dukshme të një shoqërie militariste, të një shoqërie që përgatitej dhe kryente luftë dhe masakra edhe pse pretendonte se ishte e krishterë dhe se besonte në vëllazërimin e popujve. Tolstoi u bëri thirrje oficerëve dhe ushtarëve të jepnin dorëheqjen nga ushtria. Ai thoshte: “Cilido që refuzon të kryejë shërbimin ushtarak, apo të paguajë taksat për një qeveri që i përdor paratë e mbledhura për qëllime ushtarake, i bën një shërbim të madh Zotit dhe njeriut”.

Libri kryesor i Tolstoit për mosdhunën dhe rrugën drejt paqes ishte “Mbretëria e Zotit është brenda jush” të cilin e shkroi në vitin 1893. Në të ai shpjegonte se si, të mos rezistuarit të së keqes me të keqe, ishte rruga më e mirë për të eliminuar të keqen. Libri, i cili ndikoi së tepërmi Gandin, ndahet në dymbëdhjetë kapituj, titulli i secilit prej tyre është në vetvete një ide e rëndësishme.

Duke iu drejtuar anëtarëve të klasës së vet aristokrate, Tolstoi u thoshte se në qoftë se ishin vërtet të shqetësuar për vuajtjet dhe varfërinë e të tjerëve, ata duhej t’u zbrisnin atyre nga kurrizi, duhej të mos i shfrytëzonin më. “Në qoftë se më vjen keq për një kalë të lodhur të cilit i kam hipur – thoshte ai - e para gjë që duhet të bëj është t’i zbres dhe të filloj të ec vetë”.

Tolstoi theksonte se ndryshimet më të mëdha të njerëzimit nuk janë sjellë nga ushtritë, nga makinat, nga revolucionet, por nga ndryshimi i mendësisë së njerëzve. “Ne kemi nevojë të ndalojmë mashtrimin e vetes dhe të kuptojmë se fuqia nuk është te forca, por tek e vërteta. Qeveritë shtypëse, më shumë nga çdo gjë tjetër, kanë frikë shprehjen e qartë të mendimit. Ne duhet të shprehim gjithnjë atë që është e drejtë”.

Tolstoi dhe Gandi
Gandi do të kujtonte: “Kur po kaloja një krizë të rëndë skepticizmi dhe dyshimi,... hasa në librin e Tolstoit ‘Mbretëria e Zotit është brenda jush’. Më bëri përshtypje. Në atë kohë besoja ende në dhunë. Leximi i atij libri më shëroi nga skepticizmi dhe më bëri besues të mosdhunës. Ajo që më goditi më shumë nga jeta e Tolstoit ishte se ai praktikonte atë që predikonte dhe nuk llogariste asnjë vështirësi që mund t’i dilte... Ai ishte apostulli më i madh i mosdhunës që ka nxjerrë epoka jonë. Asnjë në Perëndim, para tij apo pas tij, nuk ka shkruar dhe nuk ka folur për mosdhunën aq shumë, me aq këmbëngulje dhe aq bindshëm sa ai.... Për të na mbrujtur me dashuri gjithëpërfshirëse, Tolstoi na tregoi jetën e tij, e cila, si një fener drite, është burim frymëzimi për të gjithë ne”.

Tolstoi u bë autori më i dashur për Gandin. Idealizmi i Tolstoit, sinqeriteti i tij i guximshëm, si dhe anarkizmi i tij i krishterë e shuan magjinë e fesë institucionale edhe për Gandin. Theksimi për harmoni midis parimeve morale dhe jetës së përditshme që bënte Tolstoi, ndikuan dukshëm te Gandi.

Në vitin 1908, në përgjigje të dy numrave të revistës indiane “Free Hindustan”, të cilat i ishin dërguar atij, Tolstoi i dërgoi asaj një shkrim të titulluar “Një letër për një hindu”. Gandi e pëlqeu së tepërmi atë shkrim, e përktheu në gjuhën guxharati, sugjeroi që ai të përkthehej në gjuhë të tjera të Indisë dhe të shpërndahej kudo.

Në fund të jetës së tij, aty nga vitet 1909-1910, Tolstoi u lidh me Gandin. Të dy shkëmbyen gjatë një viti letra dhe letërkëmbimi vazhdoi derisa Tolstoi vdiq. Gandi i shkroi pesë letra Tolstoit dhe Tolstoi i dërgoi katër letra Gandit. Letra e fundit e tij ishte disa javë para vdekjes. Gandi mbante një fotografi të Tolstoit në zyrën e tij në Afrikën e Jugut dhe i vuri emrin e Tolstoit ashramit të tij të dytë në Afrikën e Jugut.

Tolstoi i shkruante Gandit:
“Sa më gjatë që jetoj, dhe veçanërisht tashti, kur ndiej afrimin e vdekjes, dua t’u them të tjerëve ato që shoh veçanërisht qartë dhe ato që për mendjen time janë shumë të rëndësishme për ‘rezistencën tuaj pasive’, që nuk është gjë tjetër, përveçse mësimi i dashurisë, i pakorruptuar nga interpretime të gënjeshtërta... Ky ligj ka qenë shpallur nga të gjithë – nga indianët, nga kinezët, nga çifutët, nga grekët, nga romakët, nga të gjithë të urtët.... Në të vërtetë, sapo lejohet forca, nuk ka më dashuri, dashuria nuk mund të jetë më ligji i jetës. Dhe, kur nuk ka ligj të dashurisë, nuk ka kurrfarë ligj, përveç dhunës, domethënë forcës së më të fuqishmit. Kështu jetoi qytetërimi i krishterë për nëntëmbëdhjetë shekuj...”

Idetë e Tolstoit dhe të Gandit, sidomos për qëndresën e padhunshme në mos ishin të njëjta, ishin tepër të ngjashme. Të dy e bënë “ligjin e dashurisë” dhe mosdhunën themelin e filozofisë së tyre. Të dy sulmuan “qytetërimin modern” dhe predikuan antimilitarizmin dhe qëndresën civile në shkallën më të gjerë. Të dy u bashkuan me më të varfrit dhe u identifikuan me ta, duke thjeshtësuar mënyrën e jetës. Duke e konsideruar zërin e tyre të brendshëm, zërin e ndërgjegjes, si ligjin që duhej ndjekur, i kërkuan njerëzimit që të rikthehej në bazat etike të jetës dhe të mos i bindej ligjeve të bëra nga njeriu. Të dy lanë nga një libër autobiografik: Tolstoi “Rrëfimi” dhe Gandi “Tregimi i Eksperimenteve të mia me të vërtetën.”

Përfundimi
Nga lloji i jetës që zgjodhi, Tolstoi u fut në konflikt me familjen. Në pamundësi për ta duruar këtë, u largua fare nga shtëpia i shoqëruar nga doktori i tij dhe nga vajza e vogël, Aleksandra. Shpresonte të gjente një vend që ta mirëpriste në të cilin të mund të jetonte në paqe për pjesën e jetës që i mbetej, por për shkak të shkishërimit që i ishte bërë, qe e vështirë të pranohej në ndonjë manastir. Nuk dihet se ç’ngjau në ato pak ditë që ai u largua nga shtëpia, por më 20 nëntor të vitit 1910, në moshën 82-vjeçare, Tolstoi u gjend i vdekur, mesa dukej, nga pneumonia, në një stacion të izoluar treni në Astopovo.

Veprat e plota të Tolstoit u botuan pas vdekjes së tij në rreth 90 volume. Tolstoi mbetet një gjigant i letërsisë botërore dhe i humanizmit dhe, megjithatë, atij, sikurse dhe Gandit, nuk iu dha çmimi “Nobel”. Ai çmim kishte filluar të jepej që në vitin 1901, domethënë kishte dhjetë vjet para vdekjes së Tolstoit që jepej. Shumë nga ata që e morën atë çmim, tashti gati janë harruar, ndërsa Tolstoi sot shkëlqen më tepër se në kohën e tij. Ashtu siç është shumë e mundur që Gandit iu pengua çmimi “Nobel për Paqe” nga ndërhyrja britanike, është po ashtu e mundur që kisha ruse edhe shteti rus të kenë ndërhyrë për të penguar dhënien e çmimit “Nobel për Letërsi” Tolstoit.

Familja e Tolstoit herë pas here ka paraqitur kërkesë që kisha të rishqyrtojë shkishërimin e tij, por ajo ka refuzuar. Më 24 shkurt të vitit 2001, stërnipi, Vladimir Tolstoi, i dërgoi një letër patriarkut Aleksei, në njëqindvjetorin e shkishërimit, me të cilën i kërkonte rishikimin e vendimit të Kishës Ruse, megjithëse nuk dihet nëse vetë Tolstoi do ta donte rishikimin e atij vendimi. Në përgjigje, më 4 mars, patriarku Aleksei pranonte se Tolstoi kishte qenë gjeni letrar, por kundërshtonte përsëri pikëpamjet e tij fetare. Ai përfundonte: “Nuk besoj se kemi të drejtë të detyrojmë një njeri që ka vdekur 100 vjet më parë të kthehet në gjirin e kishës të cilën e refuzoi....Gjërat mund të ndryshojnë kur personi pendohet vetë, por kjo nuk mund të ndodhë kur ai ka vdekur”.

Sot, shteti rus, i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, qëndron sa mundet në heshtje për përkujtimin që meriton t’i bëhet Tolstoit të Madh me rastin e 100-vjetorit të vdekjes, përkujtim që edhe pse nuk po ia bën siç duhet Rusia, po ia bën bota.

__________________
Te dua, jo per ate qe je, por per ate qe me ben te ndihem.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 21 Nëntor 2010 14:02
Deb* nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Deb* Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Deb* (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: Deb* Shto Deb* nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Deb* nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 23:40 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > Leon Tolstoi i lėnė nė harresė nga kisha dhe shteti i tij, i nderuar nga bota

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.