AngelDevil
Shejtone
Regjistruar: 02/05/2009
Vendbanimi:
Mesazhe: 14611
|
Qeliza terroriste
Ajo shkon për të bërë analizat mjekësore të rradhës. Rutinë e bezdisur, por e domosdoshme; a sështë e tillë çdo bezdi, përderisa ekziston? Është një vizitë si gjithë të tjerat, prandaj e veçantë, me pritjen që rëndon si koraca breshkën, më saktë si guacka kërmillin, ndërsa minutat rrëshqanore zvarriten mbi lëkurë. Minuta të ligavecëve. Peltja e ajrit në dhomën e pritjes së mjekut e mbështjell si pelerinë xhelatine teksa pret infermieren kasnece ti thërresë emrin si për vendimin e jurisë se gjyqit, përfundimin e analizës me logjikë të verbër. Dyshimi është gjëmb i egër posikuri. Shpimi i tij është i sheshtë. Rrafsh tokmaku që godet nën lukth, lookun e vogël, si goditjet e përpjekura nën xham prej të asfiksuarit me pëllëmbë prej plasteline.
Është kohë qelizash terroriste të fjetura. Nën gjoks. Dhe për paradoks, përcaktimi terroriste nuk është aq i tmerrshëm sa të fjetura. I/e fjetur është tmerri i vërtetë i kohës, pasi do të thotë mundësi për zgjim më vonë. Të qelizës. Dhe gjithë gëzimin e moszgjimit deri tani e zhvlerëson si aksionet fatkeqe të bursave të fundit. Mos u gëzo, o i gëzuar! Majat vetjake të gazmimit thërmohen e bëhen pluhur në shkretëtirën e Galtonit.
Trupi i saj është supershteti. Simetria e halleve i bën një, mishërim të njëri tjetrit, ashtu siç duhet të jenë, me Platon, me traktat filozofik, me kontratë, si qytetare ideale, shtetase shembullore, shëmbëlltyrë e shoqërisë. Me panikun shpërndarë me dallgë limfe në çdo breg të brendshëm. Të dy, edhe shteti, edhe trupi i saj kanë frikë të njëjtë: qelizën e tmerrit. Dhe frika bashkon më shumë se siguria, ashtu sikurse urrejtja bashkon më fort se dashuria. Shteti kërkon pagjumësi, syçeltësi ngjyrë portokalli, e cila priret të skuqet. E gjelbra ishte aguridhe e së kaluarës. Periudha e gjelbër e pikasur e shtetit dhe e trupit kanë kaluar. Gjatë impresionizmit rinor.
Ajo ka kohë që është bërë indeks statistike. Në vitin 2050, një në dy gra do jetë me qelizë të zgjuar. Si luspë përbindshi ky pesëdhjetëpërqindshi: një gjysëm gote, një thyesë që sbën gjë tjetër, veçse thyen kohën përgjysëm, gjymton ditët, i bën të paplota, si gota e pesimistit. Dhe ajo kalon nga mëngjese të mbushura plot, në mbrëmje të zbrazta bosh, përmes purgatorit të mesditave osmotike si kufiri ndarës i lëngut gjysmak.
Ajo është monedhë metalike që do hidhet në ajër nga gishti i fatit. Kur të bjerë e plagosur mbi tokë, nuk do ketë shumë rëndësi në çanë ra. Nga viset e saj, të rënin (nga plumbi) kishin zakonin ta kthenin mbarë. Me kokë lart. Kokapili jetëvdekës humbet misterin e rastësisë. Gjithë çvlen filloi dhe vdiq te gishti i fatit që të hedh me nënqeshje binomiale. Të prerë me dysh. Di-kot-o-mike.
Revistat që bamirës të panjohur dhurojnë rregullisht, shpërndarë rreth e rrotull në dhomën e pritjes së mjekut, mendohet se ndihmojnë për harrim të përkohshëm. Janë aleatet e saj që kohën e plagosur, të prerë përgjysëm, ta vrasin me gjithsej. Përkohësisht. Tia gabojnë mendimin joshur në rrugë të huaja. Ja qenia dykokëshe Brenifer e llojit Homo tabloidus, sapo qenka shndërruar në Branxhelina. Lloj më i evoluar. Një hap i vogël për Bredin, një kërcim gjigand për mushkonjën. Il papparazzo pazzo kazzo. Që shumë rimon con un ragazzo. E kish të vjedhur prej RAI-t italishten, që deti i Durrësit ia flakte në ranishte. Gjuhë leshterike italishtja. Ah, dhe natyrisht, sigurisht, vetkuptueshmërisht, e pamungueshmja, e kudondodhura britnispiërs, BS, akronimi ergonomik flokëverdhë për bullshit. Këtë javë BS paskësh rrëzuar përdhe 15 paundë dhe të dashurin. Tishërti dëften gjithçka. Ska nevojë për me lexue, tri here kena me vrapue, po, po, po. Mbi dy kodrinat e buta lart valëzojnë fjalët dumped him, kurse në rrafshultën e rruspuar të barkut, stepë pa zogj, përrenj e fjalë, ndihet mungesa e atyre 15 paundëve të mallkuar, sikletdhënëset e përhershme për amerikanen e mesme në moshë të mesme në zonën e mesme përcaktuar në mesoret e CRM-it. Miliona milje tredmillore nga paundet e rrëzuar në luftën gjimnastikore; do kishin zbuluar dhjetë Botë të Reja. Trajnerët bukuroshë, shpresë për pak çmërzi. Bëni dashuri se do ju hajë kanceri! Veç një tru nordik mund të prodhojë një marri të tillë. Margaret Theçer në një ditë të ftohtë! Zaten prandaj squllosin gjë ata suedezët! Hasta la vista, bebi! Paundët e rrëzuar, armiku real që sapo u vra dhe askush se ktheu mbarë, erdhën nga karbohidratet diversive, me pabesi sheqeresh, hile akulloresh dhe dinakëri niseshterash të rafinuara si mëkati. I rrëzuari tjetër, i dashuri, është ornament pa prejardhje, për të ka rëndësi vetëm çasti i rrëzimit, fiksuar në kameran dixhitale të duhur, ska rëndësi as nga erdhi dhe as ku e si ra. Ai është gjithnjë në rënie, aty mbi tryezën e sallës së pritjes së mjekut, ku ajo ka shkuar për të bërë analizat mjekësore të rradhës, me dyshimin e përhershëm se...
__________________
.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|