Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Ceshtja kosovare dhe me gjere > Zvicra Vazhdon Tė Mbėshtesė Pavarėsinė Pėr Kosovėn
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Klodel
.

Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233

Zvicra Vazhdon Tė Mbėshtesė Pavarėsinė Pėr Kosovėn

Micheline Calmy Rey, Ministre e Jashtme e Zvicrës

RADIO EVROPA E LIRË
Në krye të diplomacisë zvicerane keni deklaruar disa herë në Prishtinë, Lubjanë, Bratisllavë dhe Beograd, se mbështesni pavarësinë e Kosovës si zgjidhje. A keni gjithmonë të njëjtin qëndrim dhe a mund ta elaboroni?

CALMY REY
Ne kemi gjithnjë të njëjtin pozicion. Zvicra ka një marrëdhënie tepër të vecantë me Kosovën, pasi 10% e popullsisë së Kosovës jetojnë në Zvicër. Kemi një numër interesash në Kosovë të natyrës ekonomike, interesa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave, si dhe interesa që lidhen me sigurinë tonë. Ne kemi vlerësuar se, që Kosova të ketë mundësi të zhvillohet, duhet të sqarohet çështja e statusit. Në rrethanat aktuale Kosova nuk mund të përfitojë ndihma financiare nga Banka Botërore apo ajo Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Fakti që nuk është e qartë çështja e pronësisë i brengos investitorët, në një kohë që gjendja ekonomike është e vështirë dhe ka shkallë të lartë papunësie. Ka një numër paqartësish dhe në fushën e drejtësisë. Derisa nuk ka një status të përcaktuar, atëherë është shumë e vështirë të realizohen marrëveshje në fushën e drejtësisë, pasi marrëveshje të tilla nuk mund të bëhen me misionin e Kombeve të Bashkuara që administron territorin e Kosovës. Edhe sa i përket mbrojtjes së pakicave është shumë e rëndësishme që të sqarojmë statusin, pasi çështjet institucionale luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të gjitha pakicave. Kjo është arsyeja që përpara vendeve të tjera, ne kemi thënë publikisht që jemi në favor të njohjes së pavarësisë formale të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë që jeni vendi i parë që mbështetni publikisht pavarësinë e Kosovës. Gjatë takimeve tuaja, cili është qëndrimi i vendeve të tjera, le të themi i vendeve fqinje me Zvicrën, siç është Gjermania, e cila gjithashtu ka një komunitet të konsiderueshëm nga Kosova?

CALMY REY
Pozicioni që mbrohet sot nga Zvicra ndahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, pasi Zvicra gjithmonë ka thënë se statusi i ardhshëm i Kosovës, që ne duam ta shohim të transformuar në pavarësi formale, duam që të diskutohet mes dy palëve. Sot kemi fillimin e diskutimeve të tilla për statusin. Për më tepër një numër shtetesh ndajnë qëndrimin tonë, pasi ato janë përcaktuar që nuk ka kthim në vitin 1999 dhe që nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës si opsion.
Sa i përket respektimit të standardeve dhe veçanërisht mbrojtjes së pakicave, Zvicra është shumë e lidhur me respektimin e të drejtave të pakicave dhe pozicioni ynë për statusin, nuk do të thotë për ne nuk kanë më rëndësi standardet. Përkundrazi, moton "standardet para statusit" ne e kemi përshtatur si "standardet dhe statusi".
Standardet janë një punë e përhershme së bashku me mbrojtjen e pakicave. Dua të theksoj se parimi bazë i këtij pozicioni që ne kemi marrë është në të njëjtën linjë me shumicën e vendeve të tjera në bashkësinë ndërkombëtare sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Zvicra është e pranishme në Kosovë në forma të ndryshme, kam parasysh Agjencinë për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar apo një numër organizatash. Cilat janë planet e bashkëpunimit në planin ekonomik dhe politik në të ardhmen?

CALMY REY
Ne jemi shumë të pranishëm në Kosovë. Ne kemi interesa në Kosovë dhe një lidhje njerëzore shumë të fortë. Pra, për një kohë të gjatë ne jemi të pranishëm dhe shumë aktivë, veçanërisht në ndihmën për zhvillim. Ne jemi të përqëndruar sidomos në zhvillimin ekonomik, por dhe në çështje të tjera si janë decentralizimi dhe qeverisja e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni të keni një rol më aktiv në çështjen e Kosovës tani që edhe kanë filluar bisedimet për statusin, siç mund të jetë organizimi i takimeve apo aktivitete të tjera në këtë frymë?

CALMY REY
Ne jemi të angazhuar për një kohë të gjatë, mund të kujtojmë këtu procesin e Lucernës. Ne gjithmonë jemi përpjekur për të ulur njerëzit së bashku që të bisedojnë, qoftë në procesin e Lucernës, apo në aktivitetet e organizuara nga Qendra për Zhvillimin e Forcave Demokratike me qendër në Gjenevë. Natyrisht tani bisedimet po zhvillohen nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara, por ne jemi të gatshëm nëse ka ndonjë kërkesë apo dëshirë në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të na thoni krejt në fund lidhur me atë se si është pritur qëndrimi juaj nga Beogradi, apo ndonjë refleksion rreth zhvillimeve në Kosovë e Ballkan?

CALMY REY
Kam qenë në Beograd dhe e kam shpjeguar qëndrimin e Zvicrës. Ishte një detyrë që nuk ishte fort e lehtë, pasi qëndrimi i Zvicrës nuk ishte pritur, le të themi, me entuziazëm nga Unioni Serbi e Mal i Zi. Por jam përpjekur t’i shpjegoj arsyet në të cilat mbështetet qëndrimi ynë. I kam thënë se gjendja në Kosovë është delikate dhe e vështirë, e në këtë kuptim fakti që Kosova duhet të ketë një të ardhme evropiane, bën që duhet të sqarohet dhe qëndrimi i statusit. Fakti që ne kemi sqaruar gjithmonë se problemet megjithatë duhet të diskutohen mes palëve, ka bërë që edhe Beogradit t’i sqarohen një morri shqetësimesh lidhur me qëndrimin e Zvicrës.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 15 Dhjetor 2005 16:02
Klodel nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Klodel Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Klodel (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: Klodel Shto Klodel nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Klodel nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Cindi
larguar

Regjistruar: 01/09/2005
Vendbanimi: arratisur
Mesazhe: 2664

Kadare: Pavarėsia e Kosovės - njė kompromis pėr shqiptarėt

Vendimi i Këshillit të Sigurimit për fillimin e negociatave për statusin e Kosovës është një shans i ri për shqiptarët, për serbët dhe për Ballkanin në përgjithësi. Por procesi i negociatave do të shoqërohet edhe me sfida të shumta dhe me siguri që do të kërkojë kompromise nga të dyja palët. Për të folur mbi këto shanse dhe sfida, Zëri i Amerikës intervistoi nga Parisi shkrimtarin Ismail Kadare:

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, si e vlerësoni vendimin e Këshillit të Sigurimit për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit te Kosoves?

Ismail Kadare: Po unë kam pak a shumë atë vlerësim që ndodh këto ditë për shumicën e shqiptarëve. Këto ditë përdoret fjala ”historike”si fjala më e shpeshtë dhe me të vërtetë kjo është historike. As që mund të përfytyrohej 10 vjet përpara, 20, 30, 70 vjet përpara një gjë e tillë, pra është një ngjarje e jashtëzakonshme, ndonëse përpara është një rrugë prapë e vështirë, por ngjarja është e jahstëzakonshme, e papërfytyrueshme, ndodh një herë në shekull; u hap më në fund drita e blertë për statusin, për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Sa i vështirë mendoni se do të jetë procesi i bisedimeve, kur dihen qëndrimet diametralisht të kundërta të palës serbe dhe asaj shqiptare?

Ismail Kadare: Natyrisht, bisedimet do të jenë të vështira. Ne jemi ende në Ballkan dhe ai ende nuk ka ndryshuar. Ballkani do të ndryshojë shumë ngadalë dhe në këtë gadishull, bisedimet janë më të vështira se kudo. E megjithatë, bisedimet janë më mirë se ndërprerja e tyre; gjithmonë janë më mirë dhe asnjëherë nuk janë më keq, kështu që shqiptarë dhe serbë bashkë, kanë shansin ta prishin këtë traditë të vjetër dhe të keqe ballkanike dhe me vështirësi, aq sa munden, natyrisht, nën trysninë dhe praninë ndërkombëtare, mendoj diçka do të arrihet nga ky dialog.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë kritik ndaj politikës shqiptare në Shqipëri e Kosovë për mungesë uniteti në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Sa mendoni ju se e dëmtojne këto veprime procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës?

Ismail Kadare: Unë mendoj se nuk kam qenë vetëm unë kritik. Përgjithësisht, të gjithë shqiptarët kanë qenë kritikë dhe përgjithësisht, për çdo vend të botës, kur nuk ka unitet mendimi në majat e shtetit, natyrisht, kjo gjë nuk miratohet në publik dhe nga populli në përgjithësi. Kështu që për fat të keq, kjo është një sëmundje tradicionale në Shqipëri dhe në Ballkan; për fat të keq, nuk është e re dhe është e njohur përçarja, mosmarrëveshjet shqiptare. Kohët e fundit, të gjithë kemi qenë deshimtarë kur pati lëkundje mendimesh, ose ndryshime nuancash, bile edhe thelbi disa herë, në lidhje me statusin e Kosovës; ndryshe janë shprehur presidencat, ndryshe ekzekutivi, me një fjalë, ajo sëmundje e vjetër, siç thashë, kur pasionet partiake, nganjëherë përpiqen të zotërojnë mbi mendimin institucional shtetëror. Unë shpresoj që kjo do të jetë një fazë që do të kapërcehet dhe bashkë me sëmundjet e tjera që kemi për fat të keq, kronike ne shqiptarët, ngjarjet do të na mësojnë, se duhet të jemi bashkë, atëhere kur duhet qenë bashkë, me çdo kusht.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e zyrtarëve ndërkombetarë kanë kërkuar nga pala shqiptare kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Cili mendoni ju duhet të jetë ky kompromis?

Ismail Kadare: Po përdoret shumë fjala kompromis këto kohët e fundit dhe unë jam për kompromis, kur ai duhet, natyrisht, sepse një pjesë e historisë është zgjidhur, ose ka përparuar edhe përmes kompromisit. Por kam përshtypjen që në këtë rast harrohet diçka si të thuash, ose përmendet shkarazi rrallë që shqiptarët e kanë filluar këtë aksion të madh, këtë çështje të statusit të Kosovës, këtë aksion historik, me një kompromis, që do të jetë çmuar, mendoj nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe ky kompromis është jo i vogël, ky kompromis është thelbësor, është i madh. Fakti që shqiptarët si në Shqipëri, si në Kosovë, janë tërhequr nga çdo ide për t’u bashkuar Kosova me Shqipërinë, dhe këtë e kanë bërë sinqerisht, në mënyrë të ndershme, pa dredhi, me moral të dyfishtë, por e kanë bërë drejtpërdrejt, ky është një kompromis i madh, sepse nuk është normale, natyrale për një popull të kërkojë të jetojë veç, përkundrazi, natyrale është të kërkojë të jetojë bashkë. E megjithatë, shqiptarët të ndërgjegjshëm, duke ditur se kjo gjë e ndërlikon jashtëzakonisht historinë e Ballkanit dhe të Evropës, se kjo gjë është gati e pamundur në kushtet e sotme, ata në mënyrë të tillë, pra të ndershme dhe fisnike e bënë këtë flijim në altarin e Evropës dhe po e perseris, kjo duhet çmuar. Pra, kjo histori e shqiptarëve në prag të statusit, ka filluar me një kompromis. Tani kërkohen të tjera kompromise. Nuk jam kundër, po e përsëris, edhe për kompromise të tjera. Ajo që është përmendur kohët e fundit dhe që ka zgjuar reagime me të drejtë, mendoj unë, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është përmendja e fjalës “Pavarësi e Kushtëzuar”. Kjo mendoj se është një kërkesë e rëndë për një popull, varet se si kërkohet. Për të mos patur asnjë keqkuptim, unë po theksoj se respektimi i pakicës serbe prej shqiptarëve është një ligj absolut që duhet të hyjë në jetën e tyre si një ligj i shenjtë. Këtu nuk mund të ketë asnjë lëkundje, asnjë dilemë. Një popull që nuk respekton pakicat, është një popull që i ve një njollë të rëndë morale historisë së tij. Vetë populli shqiptar në qoftë se e bën këtë, ai meriton të quhet i tillë: me moral, me njollë të zezë, unë nuk kam këtu asnjë rezervë. Por nga ana tjetër theksoj se ky është një kusht për të gjithë vendet e Evropës, për të gjitha vendet e qytetëruara dhe për të gjitha vendet. Prandaj, është shumë e rëndë që ky kusht të lidhet me pavarësinë e një vendi, sepse pavarësia është liria; sepse pavarësi me kusht do të thotë liri me kusht, do të thotë një pavarësi që merret prapë, një liri që merret prapë; si ai i burgosuri kur del nga burgu dhe i thonë: “Zotëri, ti do të kthehesh prapë këtu, në se nuk bën këtë dhe atë kusht”! Prandaj, unë jam për nderimin me çdo kusht të pakicës serbe, të çdo pakice, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, por jo që kjo të kushtëzohet në një formulim të tillë, që dashur pa dashur e prek parimin universal të lirisë; dashur pa dashur, e ve popullin shqiptar në një status jo normal, sepse kjo sjellje, siç thashë ky nderim i minoriteteve, i pakicave, është në normalitetin e çdo vendi evropian. Vetë prania e trupave ndërkombëtare për një kohë që do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë edhe pas pavarësisë, është një tjetër kompromis, është një gjë speciale, që do të thotë që kjo pavarësi është kaq klasike sa ç’memdohet, megjithatë, me përjashtim të këtij formulimi, që është “Pavarësi e kushtëzuar”.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të kishte një Kosovë e pavarur në rrjedhat demokratike evropiane e ballkanike?

Ismail Kadare: Jam absolutiosht i bindur dhe mendoj se të gjithë do të binden dalëngadalë se kjo do të ndihmojë në harmoninë në gadishullin ballkanik dhe harmoninë në Evropë, sepse jam i bindur se shqiptarët do të tregohen të denjë, ata do të kenë mirënjohje për këtë besim që bashkësia ndërkombëtare dje e shfaqi dhe i hapi dritën jeshile për pavarësinë e tyre dhe do të dinë ta shpërblejnë me dinjitet këtë gjë. Dhe kjo jo sepse do ta bëjmë ne këtë gjë, të jemi në harmoni me Evropën dhe me aleatët tanë të mëdhenj perëndimorë me në krye Shtetet e Bashkuara e të tjerë; jo sepse duhet të lenë përshtypje të mirë, por sepse kështu e kërkon interesi themelor i kombit shqiptar. Është interesi i ekzistencës sonë, është jeta jonë, ne nuk mund të kemi jetë jashtë harmonisë me popujt e Evropës, nuk mund të kemi jetë jashtë harmonisë me fqinjët tanë ballkanikë, dhe nuk mund të kemi jetë jashtë kësaj aleance që është krijuar sot, në luftën kundër terrorizmit botëror. Pra, të gjitha këto janë harmonikisht të lidhura, janë koherente dhe çojnë të gjitha në një harmoni më të madhe, që është liria e popullit shqiptar në Ballkan.

Intervistoi: Laura Konda për Zërin e Amerikës

__________________
arratisur syrgjynosur...

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 15 Dhjetor 2005 17:27
Cindi nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Cindi Kėrko mesazhe tė tjera nga: Cindi Shto Cindi nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Cindi nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 02:52 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Ceshtja kosovare dhe me gjere > Zvicra Vazhdon Tė Mbėshtesė Pavarėsinė Pėr Kosovėn

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.