Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Arsimi > Vizionet e nje rektori
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Ami-
Anėtar Aktiv

Regjistruar: 18/12/2002
Vendbanimi: Venezia
Mesazhe: 569

Vizionet e nje rektori

(“Për universitetet tona kufijtë politikë nuk duhet të ekzistojnë”)



Fushata e zgjedhjeve për organet drejtuese të universitetit të Tiranës gjatë këtij viti akademik pati veçoritë e veta, në dallim nga fushata pararendëse. Emërimet në të gjitha strukturat e shkollave të larta pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri vazhdonin të bëheshin sipas traditës së mëparshme. Veçse tani emërimet i bëntë partia që fitonte zgjedhjet parlamentare. Kështu veproi PD-ja në vitin 1992, kështu veproi PS-ja pas ardhjes së dhunshme në pushtet në vitin 1997.
Organet drejtuese të universiteteve, që nga përgjegjësat e departamenteve, deri tek rektori, për herë të parë iu nënshtruan procesit zgjedhor në vitin akademik 1999-2000. Ky proces, megjithëse u quajt zgjedhor, nuk i shpëtoi dot ndikimit të fuqishëm të politikës së partisë në pushtet. Ndikimi partiak bëri që universitetet të vazhdonin të mbeteshin të mbyllur në guackën e një sistemi praktikash, udhëzimesh dhe rregulloresh, të cilat u zinin frymën dhe u mbysnin iniciativën.
Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, në Universitetin e Tiranës vuri kandidaturën për rektor edhe Prof. Shezai Rrokaj, ish-përgjegjës i departamentit të gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Në përfundim të procesit zgjedhor Prof. Rrokaj u zgjodh rektor i këtij Universiteti. Kjo zgjedhje që bëri senati i Universitetit nuk ishte e rastësishme. Prof. Rrokaj, gjatë fushatës zgjedhore, doli me një program të qartë, konkret, të besueshëm dhe plotësisht të realizueshëm. Ai i kishte vënë vetes si qëllim, që, po të zgjidhej rektor, të vinte të gjitha energjitë e veta për të vendosur në universitet standarte të institucionalizuara me partnerët perëndimorë dhe lindorë. Tani që Prof.Rrokaj ka disa muaj që është zgjedhur dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës, po bën të gjitha përpjekjet për të vënë në jetë programin e vet, të shpallur gjatë fushatës zgjedhore. Ai ka bindjen se universiteti, për vetë natyrën e tij, duhet të jetë në pararojë të asocim-stabilizimit me vendet e tjera të BE-së. Detyra e universitetit është plotësimi i standarteve të veta, ashtu si edhe i universiteteve homologe, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të ndihmojë shoqërinë shqiptare për asocim me vendet evropiane.
Bindja e rektorit të ri është se nuk mund të vazhdohet më me eksperimentime për reforma universitare brenda kornizës burokratike ekzistuese. Paskëtaj çdo hap duhet hedhur në përputhje me standartet e pranuara në universitetet e tjera të vendeve më të zhvilluara. Këto standarte kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me strukturimin e procesit mësimor, me administrimin financiar, me ngarkesën mësimore, me punën shkencore, me tarifën e shkollimit, me projektet, me jetën studentore.
Veçse standartet e sipërpërmendura, sipas programit të Prof.Rrokaj, nuk mund të realizohen pa një decentralizim financiar për të gjitha zërat e buxhetit, me llogari rrjedhëse përkatëse në lekë e në valutë, deri në fakultete e prej andej në departamente. Në kundërshtim më ligjin për arsimin e lartë, universiteti deri më sot nuk ka pasur zë në buxhetin e tij për shkencën.
Veç kësaj, Prof.Rrokaj mendon se nga të ardhurat dytësore që sigurohen nga universiteti, shteti, në përputhje me nenin 22 të ligjit për arsimin e lartë, të marrë 10% dhe jo të vazhdojë t’i fusë në buxhet këto të ardhura, ashtu siç po vepron deri tani, dhe mandej t’ia kthejë universitetit “me pikatore”, kur ta quajë të arsyeshme Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe Ministria e Financave.
Një pikë të rëndësishme në programin e Prof.Rrokaj e përbën reforma në strukturë dhe në programe mësimore (kurrikula), sipas modelit të Deklaratës së Bolonjës. Deri tani universiteti ka vazhduar me orë mbi normë, me pagesa të dyfishta orësh, me orë të sajuara dhe me plane mësimore, të njëjtë në strukturë me ato të dekadave të mëparshme.
Po ç’është kjo Deklarata e Bolonjës? Për sqarime më të hollësishme iu drejtova Prof.Zyri Bajramit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, këshilltar i Ministrit të Arsimit.
Deklarata e Bolonjës, që , sipas Prof. Bajramit shpesh quhet edhe Procesi i Bolonjës, është hartuar dhe firmosur në qershor 1999 nga 29 ministra arsimi të shteteve evropiane. Problemet madhore që shtrohen në këtë deklaratë janë:
1. Zbatimi i një sistemi të lartë arsimor të krahasueshëm dhe të kuptueshëm.
2. Ndarja e arsmit të lartë në dy cikle (diplomë universitare – tre vjet, diplomë masteri – dy vjet).
3. Futja e sistemit ECTS (Europian Credit Transfer System).
4. Sigurimi i cilësisë dhe akreditimi iuniversiteteve.
5. Sigurimi i arsimit të lartë gjatë gjithë jetës.
6. Krijimi i një hapësire dhe i një kordinimi mbarevropian.
Studentët e degës së mësuesisë, fjala vjen, që kanë marrë diploma universitare, mund të përfshihen në programe mësimore pedagogjike për të marrë diplomën e masterit, në mënyrë që t’u krijohen më shumë mundësi për punësim.
Në një vit akademik zhvillohen 30 javë mësim. Gjatë një viti studenti përballon 27-35 lëndë mësimore. Gjatë një jave mësimore zhvillohen 20 orë mësim në auditor, kurse 20 orë të tjera studenti duhet t’i shfrytëzojë në shtëpi me punë të pavarur. 70% e lëndëve mësimore janë me vijim të detyrueshëm në auditor, kurse 30% studentit i lihen me përzgjedhje. Diploma universitare shoqërohet me një shtojcë, ku përfshihen notat dhe një karakteristikë e hollësishme. Gjatë lëvizjes së një studenti nga njëri shtet në tjetrin ose nga njëri universitet në tjetrin, transferimi bëhet sipas sistemit ECTS. Kështu nota A në këtë sistem i vihet studentit që hyn në 10%-shin e më të mirëve. Viti ndahet në dy ose tre semestra dhe studentët përballojnë 9-10 provime në vit.
Në Deklaratën e Bolonjës përcaktohet automatikisht edhe ngarkesa mësimore e pedagogëve. Një mësimdhënës duhet të jetë i përgatitur të përballojë 4 lëndë mësimore (module ) në vit, por duhet të japë jo më pak se tri të tilla. Ngarkesa e tij vjetore duhet të jetë 12 – 15 kredite (8 orë leksione = 1 kredit, 12 orë ushtrime-seminare = 1 kredit, 18 orë laborator = 1 kredit) në vit.
Disa departamente në universitetin e Tiranës, në universitetin politeknik dhe në universiteti bujqësor (afërsisht 10 degë) kanë filluar zbatimin e Deklaratës së Bolonjës.
Deklarata e Bolonjës siguron një bashkërendim e dimensione evropian në integrimin e Shqipërisë në sistemin universitar mbarevropian. Zbatimi i saj do të përmirësojë planet dhe programet mësimore. Një gjë e tillë lehtëson transferimin e studentëve nga një universitet në tjetrin dhe krijon mundësinë për njohjen e diplomave. Në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës është ngritur qendra e njohjes së diplomave.
Problem kyç, ende i pazgjidhur, mbetet sigurimi i cilësisë së mësimdhënies dhe akreditimi i universiteteve, të cilët do të jenë të diferencuar deri në nivelin e pagesave. Zbatimi i Deklaratës së Bolonjës s’mund të arrihet pa një bashkëpunim të ngushtë të rrjetit akademik universitar mbarëshqipatar, rajonal dhe evropian. Vetëm një bashkëpunim i frytshëm do të mund të mënjanojë paradokse të tilla, kur një asistent-pedagog, fjala vjen, jep një lëndë në një universitet të caktuar në vendin tonë, ndërkohë që për këtë lëndë janë të specializuar katër profesorë në një universitet tjetër po të vendit tonë, - e përfundon fjalën e tij Prof.Bajrami.
Prof.Rrokaj i ka vënë vetes si objektiv që në universitet të krijohen të tilla kushte, që profesorati të vërë në punë energjitë e tij për të rritur të ardhurat e veta brenda hapësirave të tij, në mënyrë që ai të mos braktisë vendin dhe të shkojë të punësohet nëpër vende të huaja, ashtu siç ka ndodhur deri në vitet e fundit. Por që të rivendoset autoriteti i profesoratit, qeveria duhet të ketë më shumë besim tek universiteti si institucion, te kapacitetet e tij, duke e parë si partner serioz në programet apo projektet mbarëkombëtare e rajonale. Për këtë arsye Prof.Rrokaj kërkon nga qeveria që secili universitet të ketë pronën e vet të hipotekuar në përdorim, në mënyrë që ai, me rrugë ligjore të përcaktuara nga strukturat e veta dhe të kontrolluara nga strukturat sipër tij, të krijojë mjedise për argëtimin e studentëve apo për shfrytëzimin e tyre për vjelje të ardhurash. Mjediset sportive të universiteteve sot janë në një gjendje të mjeruar se askush nuk investon për mirëmbajtjen e tyre. Shteti ka problemet e veta, por ligjet e tij nuk duhet të bëhen pengesë në bashkëpunimin legal të universiteteve me biznesin për përfitime të ndërsjella.
Universitetet shqiptare në mbarë trojet tona etnike duhet të hartojnë një platformë më të qartë shkollimi, të mbështetur në parime dhe përvoja kombëtare dhe ndërkombëtare. Ato duhet të kenë një bashkëveprim më të efektshëm për çështje shkencore të një rëndësie të veçantë, duhet të nxisin një lëvizje më të madhe të planeve dhe programeve mësimore, të studentëve dhe të pedagogëve, me synim arritjen e një njesimi dhe akuivalentimi të ndërsjellë. Prof.Rrokaj thekson me shumë të drejtë se për universitetet shqiptare në trojet tona etnike nuk duhet të ekzistojnë kufij politikë, se ata i bashkon dhe i njëson në radhë të parë vetë dija, si e tillë, por pa dyshim, shumë më tepër i bashkon kombi, shqiptarësia.
Në programin e vet Prof.Rrokaj shtroi edhe detyrimet që universiteti duhet të përmbushë para studentëve, të cilët deri më sot kanë pak ose aspak të drejta. Brenda kushteve të mundshme, studentët tanë, ashtu si edhe bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, duhet të kenë ulje çmimesh për bileta transporti me mjete publike, bileta kinemaje, teatri, sporti etj. Kështu, studentët me probleme ekonomike mund të bëjnë shërbime për universitetin dhe të paguhen për punë të përkohshme për të përballuar tarifën e shkollimit. Universiteti nuk duhet të vazhdojë më me kuota kryesore dhe me kuota dytësore. Pra, duhet të hiqet dorë nga një praktikë e tillë, sipas së cilës ca të paguajnë shumë shtrenjtë, kurse ca të tjerë të mos paguajnë fare. Prof.Rrokaj është i mendimit se duhen propozuar tarifa shkollimi shoqërisht të përballueshme dhe beson se do të gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë dhe me komunitetin. Duhet hequr dorë nga koncepti se universitetin publik financiarisht e mban tërësisht shteti. Në asnjë vend të botës, që vepron me konceptet e ekonomisë së tregut, shteti nuk mbulon tërësisht nevojat e universiteteve publike. Sipas pikëpamjes së Prof.Rrokaj dhe të mbarë profesoratit, shteti duhet të mbulojë aspektet bazë të këtyre universiteteve, pjesën tjetër ata duhet të mësohen ta garantojnë vetë. Por shteti duhet t’u krijojë atyre mundësi ligjore për të vetvepruar dhe për t’u kontrolluar, në mënyrë që ata të dalin nga akademizmi tautologjik shterp dhe të futen në rrugën e iniciativës së lirë dhe të lidhjes së drejtpërdrejtë me jetën e përditshme dhe me nevojat që ka shoqëria.
Por cila është gjendja konkrete në marrëdhëniet financiare të shtetit me universitetin? Për të krijuar një ide më të qartë, le t’i hedhim një sy “Ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, Nr.8461, datë 25.02.1999. Në nenin 22 të këtij ligji thuhet:
“Shkollat e larta, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, krijojnë dhe përdorin të ardhura që realizojnë gjatë veprimtarisë së tyre.
Tarifat e shkollimit për shkollat e larta publike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përdoren nga shkollat e larta, pasi shlyhen detyrimet ndaj shtetit në masën jo më shumë së 10%”.
Çuditërisht, në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.675, datë 20.12.2003 “Për përdorimin e fondeve buxhetore të planifikuara për mallrat, shërbimet dhe ndërtimet”,universiteteve u hiqet çdo mundësi për administrimin e buxhetit të tyre dhe të tëra procedurat e prokurimeve kalojnë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Kështu që edhe për shkumësa admininstratat e universiteteve duhet të shkojnë t’i bëjnë temena Ministrisë. S’e dimë që neni i sipërcituar i ligjit për arsimin e lartë të jetë shfuqizuar nga parlamenti shqiptar. Atëherë me ç’të drejtë ekzekutivi ngrihet mbi organin ligjvënës? Paradokse të tilla bëjnë vaki vetëm në Shqipëri, ku qeveris një parti me mendësi komuniste, e cila pluralizmin e shfrytëzon vetëm si një fasadë demokracie. Pikëpamjet centralizuese të qeverisë shqiptare dëshmojnë fare shkoqur se Partia Socialiste nuk bën dot pa praktika autoritariste të Partisë së Punës në qeverisjen e vendit.
Pikërisht me praktika të tilla autoritariste të qeverisjes burokratike të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës po përplaset sot rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Shezai Rrokaj, i cili, në bashkëpunim me mbarë profesoratin, po përpiqet me të gjitha energjitë e tij për të shkuar drejt standarteve bashkëkohore në organizimin e punës në Universitetin e Tiranës. Profesorati i këtij universiteti është i bindur se Prof.Rrokaj u zgjodh rektor mbi bazën e vullnetit të lirë të anëtarëve të senatit, të cilët me votën e tyre treguan se ishin larg ndikimeve partiake, ashtu siç qëndron larg ndikimeve të tilla vetë rektori Rrokaj. Me sa duket, zgjedhja e rektorit te ri në Universitetin e Tiranës ka ngjallur përshtjellim në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Siç po vërejmë nga reagimet në shtyp të kësaj Ministrie ndaj Prof.Rrokaj, kjo paska dashur që rektorin e Universitetit të Tiranës ta ketë gjithmonë “ushtar të bindur”, si pararendësin e tij, i cili, pas vendimit Nr.675 të Këshillit të Ministrave, nxitoi të tregohej edhe më i zellshëm se vetë qeveria në bllokimin e veprimtarisë financiare nëpër fakultetet e Universitetit të Tiranës, duke nxjerrë një urdhër me Nr. 139/1, datë 29.01.2003, për moskryerjen e asnjë shpenzimi as nga fondet dytësore (e kushtëzuara), të lëna këto në dispozicion të universiteteve, sipas nenit 24 të ligjit për arsimin e lartë, pas shlyerjes së detyrimit ndaj shtetit në masën jo më shumë se 10%
Veçse Ministria e Arsimit dhe e Shkencës harron një gjë: Prof. Rrokaj gëzon përkrahjen e senatit të universitetit, të konferencës së rektorëve, të këshillave shkencore nëpër fakultete, të mbarë profesoratit dhe të masës së gjerë të studentëve. A e di Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që, për faj të praktikave të saj centralizuese dhe autoritariste, në Fakultetin tonë të Gjuhëve të Huaja ne vazhdojmë ende të kemi banka që nga viti 1953?!.

E.Y.

__________________
Mendjet e mėdha diskutojnė ide, mesataret ngjarje, te voglat njerėz...

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 06 Janar 2004 13:28
Ami- nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Ami- Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Ami- (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Ami-'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Ami- Shto Ami- nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Ami- nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 23:48 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Arsimi > Vizionet e nje rektori

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.