Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Arsimi > bashkesia evropiane per thengjill dhe celik
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
sheki
MILANIST

Regjistruar: 20/11/2003
Vendbanimi: SHKUP
Mesazhe: 243

Post

bashkesia evropiane per thengjill dhe celik

Bashkësia Evropiane për Thëngjill dhe Çelik (BETHÇ)
Hyrje
Industria e rëndë e Gjermanisë dhe e shteteve të tjera evropiane, pas shkatërrimit nga lufta, kishte nevojë të madhe për rimëkëmbje të shpejtë. Rimëkëmbja duhej bërë në atë mënyrë që të mos inkurajohej prodhimi me qëllim të përdorimit për nevoja ushtarake. Prodhimi i çelikut gjerman duhej ringjallur doemos në mënyrë që Evropa Perëndimore, në aspektin e përgjithshëm, t’i bëjë konkurrencë industrisë së BRSS-së dhe të shteteve të saj satelite. Aleatët perëndimorë ishin të mendimit se, në këtë drejtim, duhet ndihmuar sa më shumë, por me kujdes, që prodhimi të mos kalojë dhe të mos përfundojë në industrinë ushtarake gjermane. Armiqësia franko-gjermane ishte e gjatë dhe e thellë. Ky fakt ishte një pengesë që tashti kërkonte zgjidhje të drejtë, duke i ofruar këto dy shtete. Mënyra më e mirë ishte të bashkoheshin degët e industrisë, të cilat do të kontrolloheshin nga një organ i përbashkët. Thëngjilli dhe çeliku i kanë dhënë fuqi kapaciteteve ushtarake gjermane dhe franceze si dhe kanë qenë motiv i mospajtimeve dhe i pretendimeve territoriale që kanë pasur këto dy shtete ndaj njëra-tjetrës. (Dedman, 1996, f. 57).
Mbi këto baza, Zhan Mone, përpunoi planin e tij, të cilin ia paraqiti ministrit të Jashtëm francez, Robert Shuman, në maj të vitit 1950. (Monnet, 1978, f. 304). Ky plan, pastaj, iu paraqit edhe kancelarit gjerman, Konrad Adenauer, i cili e pranoi duke u ndarë i kënaqur me propozimin. Më herët, pothuajse kishin dështuar plotësisht iniciativat për integrim, siç ishin: Organizata për Bashkëpunim Ekonomik Evropian, Këshilli i Evropës. Franca kishte refuzuar propozimin e Adenuerit në lidhje me unionin e plotë franko- gjerman, i cili supozohej të fillonte me unionin doganor. (McAllister, 1997, f.12).
Mirëpo, nuk kishin dështuar të gjitha iniciativat. Dy vjet më herët, më 17 mars 1948, ishte shënuar sukses në “fushën e mbrojtjes kolektive”, kur ishte nënshkruar Marrëveshja e Brukselit nga tri shtetet e Beneluksit, nga Franca dhe nga Britania e Madhe. Para se të paraqitej propozimi i Zhan Monesë, aspekti i mbrojtjes ishte i mbuluar. Pas një vjeti, Marrëveshjes së Brukselit iu bashkangjitën edhe shtetet e tjera dhe, ky aktivitet, në prill të vitit 1949, përfundoi me themelimin e NATO-s, por duke mos përfshirë Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo u bë pas tri javësh të marrjes së pushtetit në Pragë nga komunistët dhe tre muaj para fillimit të ndërtimit të murit në Berlin. Çështja e mbrojtjes nuk ishte përfshirë në Statutin e Këshillit të Evropës, që u nënshkrua në maj të vitit 1949.
Propozimi i Zhan Monesë përmbante planin e bashkimit të industrisë së çelikut për tërë Evropën Perëndimore në BETHÇ, që do të mbikëqyrej nga Autoriteti i Lartë, me qendër në Luksemburg. Bashkimi i këtij kapaciteti të rëndësisë fundamentale, definitivisht do të pamundësonte fillimin e ndonjë lufte eventuale nga Gjermania ose nga Franca. Mone kishte planifikuar që një hap i këtillë të shërbente si shembull edhe për integrimin e fushave të tjera të industrisë. Amerikanët e përkrahën këtë ide, kurse britanikët nuk iu bashkuan. (Maclay, 1998, f. 14).
BETHÇ u themelua me Marrëveshjen e Parisit, më 18 prill 1951. Marrëveshja u nënshkrua nga Franca, nga Gjermania, nga Belgjika, nga Holanda, nga Luksemburgu dhe nga Italia. Sipas Marrëveshjes, industria e çelikut dhe e thëngjillit, pa marrë parasysh formën private apo publike të pronësisë, kaloi nën përkujdesjen e organit sipërnacional. Organi (autoriteti) sipërnacional ishte qendra vendimmarrëse dhe kishte kontroll ndaj prodhimit, çmimit, investimeve dhe çështjeve sociale të kësaj fushe. Në aspektin historik, BETHÇ shënoi hyrjen në integrimin evropian, që vazhdoi me hapin e ardhshëm e që ishte Marrëveshja e Romës, e cila u arrit pas 6 vjetësh. Po ashtu, u bë një hap i rëndësishëm në pajtimin e Gjermanisë me Francën, pa të cilën gjë vështirë se do të ndodhte ndonjë sukses. Mbi të gjitha, mori formë pamja dhe u përcaktua adhmënia e Evropës Perëndimore. Nga Marrëveshja e Parisit dolën edhe organet e para të për të qevrisur me BETHÇ, të cilat ishin: Autoriteti i Lartë, Këshilli i Ministrave dhe Asambleja
Më tutje, në lidhje me detyrat e parashtruara të kësaj forme të re të integrimit, në nenin 2 të statutit të BETHÇ, thuhet:
“BETHÇ do të ketë për detyrë të kontribuojë në harmoni me ekonomitë e shteteve anëtare dhe nëpërmjet themelimit të tregut të përbashkët për ekspansion ekonomik, për ngritje të punësimit dhe të standardit të jetës”.
Pra, që nga fillimi, u vënë themelet e një bashkësie që parashihte treg të përbashkët, ekspansion ekonomik dhe ngritje të standardit të jetës. (Noble, 1996, f. 9).
Ideja e Zhan Monesë, e përkrahur nga Robert Shumani, ka qenë ndërtimi i Evropës federale që nga vënia e themeleve. Problemi që shfaqet kundër kësaj ideje, si shumë të hershme, kishte të bënte me sovranitetin nacional të shteteve anëtare që nuk e akceptonin idenë për federatë. Ky lloj konflikti filloi me kryetarin e Francës, De Gol, i cili refuzonte çdo ide që kishte të bënte me federatën në aspektin praktik. Pas largimit të gjeneralit De Gol nga skena politike, rolin e tij e morën britanikët, gjegjësisht Margaret Theçër, e cila dëshironte të shihej si kampione për mbrojtjen e sovranitetit nacional. (Pinder, 1995, f. 6). Nga kjo pikënisje, ministri i jashtëm francez, Robert Schuman, në maj të vitit 1950 paraqiti planin për krijimin e një zyre për kontrollimin e prodhimit të thëngjillit dhe të çelikut në RFGJ dhe Francë, i ashtuquajtur Plani Schuman. Vetëm një muaj pas paraqitjes së planit në fjalë u thirr konferenca qeveritare, e cila u angazhua me këtë propozim, ndërsa në prill 1951 u arrit në Paris firmosja e marrëveshjes mbi themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik (BETHÇ), në të cilën u përfshinë Franca, RFGJ-ja, Italia, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda.

Organet e (BETHÇ) janë:
 Këshilli I ministrave
 Zyra e lartë
 Gjykata

Këshilli i Ministrave, i përbërë nga një përfaqësues prej secilit vend, i shërben harmonizimit të punës së Zyrës së Lartë dhe qeverive. Në disa raste ai ka për detyrë edhe ta mbikqyrë aktivitetin e Zyrës së Lartë. Për veprimin me kuotën e prodhimit war p.sh. është i nevojshëm pajtimi i tij para shpalljes së krizës. Modusi i votimit në Këshill është i varur nga qështja për të cilën bëhet fjalë, me ç`rast parashihet pajtimi i njëzëshëm, shumica e përcaktuar apo shumica e thjeshtë.
Asambleja e Përbashkët përbëhet nga përfaqësuesit e parlamenteve kombëtare dhe ka funksion të pastër këshillues. Institucioni i katërt dhe i fundit që u vu në jetë me Marrëveshjen mbi BETHÇ-në është Gjykata, detyrë e së cilës është marrja e vendimeve në bazë të Marrëveshjes në rast konflikti mes shteteve anëtare, mes organeve të BETHÇ, si dhe mes shteteve anëtare dhe organeve.
Në fund të etapës sonë të parë të vështrimit të zhvillimit të BE-së mbetet të mbahet në mend, se me BETHÇ-në në fakt u krijua një organizatë krejtësisht e re, e cila dallohej thelbësisht nga të gjitha organizatat e themeluara në këtë kohë. Një krijesë, në kuadër të së cilës shtetet kombëtare bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe e cila përmbante në vete tipare të njohura më parë vetëm brenda sistemeve politike kombëtare.



Rruga për një bashkësi më të gjerë:
Traktati i Romës
Në vitin 1950, amerikanët shprehën interesim të madh për të armatosur Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ), për shkak të frikës nga rreziku që mund të vinte nga Lindja, nën planifikimet e BRSS-së. Më herët, Zhan Mone kishte propozuar të krijohej buxheti i përbashkët i NATO-s, në të cilin buxhet duhej të kontribuonte edhe RFGJ-ja. Sipas këtij propozimi, RFGJ-ja duhej të kontribuonte financiarisht në mbrojtjen e përbashkët të Perëndimit, por nuk duhej lejuar pjesëmarrjen e Ushtrisë Gjermane në NATO-s. SHBA-të filluan të ushtrojnë presion ndaj qeverisë franceze që kjo të pranojë propozimin amerikan për të futur brenda NATO-s 10 divizione të Ushtrisë Gjermane, të cilat do të jenë nën komandën e NATO-s. Ky propozim u pranua nga anëtarët e tjerë të NATO-së, por jo edhe nga Franca. Pozita e politikës franceze ishte se kujtimi i krimeve gjermane në Francë ishte ende i freskët dhe kjo pengonte depërtimin e ideve të karakterit të thellë integrues. Si rezultat i këtij aktiviteti, doli propozimi i kyeministrit francez, Rene Pleven, në të mirë të integrimit, të cilin e paraqiti në Asamblenë Kombëtare Franceze, më 24 tetor 1950. Propozimi mori emrin “Plani i Plevenit”. Pleven propozoi formimin e Ushtrisë Evropiane, që do t’i përmblidhte njësitë ushtarake të të gjitha vendeve të Evropës Perëndinore. Kjo Ushtri, sipas propozimit, do të udhëhiqej nja një organ politik dhe ushtarak i përbashkët. Pleven, kishte përpunuar në detaje edhe segmentet e tjera që do të ishin të nevojshme për funksionimin e kësaj Armate. (Patijn, 1970, f. 74-85).
Plani i Plevenit kishte për qëllim mbrojtjen e Francës, në aspektin e sigurisë. Pos çështjes së armatimit gjerman, në shesh doli edhe çështja e organizimit të gjerë të mbrojtjes evropiane. Shumica e kritikëve të kësaj fushe janë të mendimit se ky tentim dështoi për arsye se një gjë e tillë do të bëhej e mundshme vetëm kur të bëhej integrimi politik dhe ekonomik. Mone filloi të bindej se duhej pritur edhe pak kohë për të realizuar idenë e tij për hapat e parë praktikë federalë që mendonte se duhej filluar organizimin e mbrojtjes së përbashkët nën Armatën Evropiane, e që do të udhëhiqej nga një organ i përbashkët politik dhe ushtarak. Ideja federaliste nuk përparonte sipas mendimit dhe dëshirës së forcave politike dhe intelektuale që favorizonin një gjë të tillë. Forcat federaliste u kthyen që të veprojnë në fushën ekonomike, ku sovraniteti shtetëror prekej më pak dhe kishte domethënie më të vogël. Shtetet e Beneluksit propozuan të formohej një treg i përbashkët, i cili do të ishte më i gjerë dhe më domethënës se BETHÇ. Shumicës së shteteve dhe ekonomistëve, sidomos atyre liberalë, propozimi iu duk me vend pasi që premtonte vend të gjerë ku do të zhvillohej aktivitet ekonomik i gjithmbarshëm dhe që do të ishte në gjendje të zhvillojë gara në konkurrencë me SHBA-të dhe, eventualisht, edhe me vendet e tjera, siç do të mund të ishte edhe BRSS-ja. (Pinder, 1995, f.8). Duke pasur parasysh këto fakte, Mone filloi të zhvillojë skemën e Bashkësisë të Energjisë Atomike (Euroatom). Në këtë kohë, Mone, ishte kryetar i Autoritetit të Lartë të BETHÇ-it dhe përdori lidhjet dhe kontaktet e tij për të ushtruar influencë mbi qeveritë dhe mbi qarqet e tjera për të senzibilizuar idenë e tij. Më 1 qershor 1955, pas disa orvatjesh, ia doli të mbledhë ministrat e gjashtë shteteve në Mesinë të Sicilisë. Ndihmë të madhe i ofroi propozimi i shteteve të Beneluksit. Në këtë konferencë, u propozuan dy çështje për rend dite. Njëra kishte të bënte me tregun e përbashkët, kurse tjetra me bashkësinë për energji atomike. Përfaqësuesit e Beneluksit edhe në këtë takim luajtën rolin më të rëndësishëm. Dy propozimet u pranuan dhe u inkorporuan në rezolutë. (Wiegal & Stirk, 1991, f. 95).
Kriza e Kanalit të Suezit hodhi në shesh se ditët e perandorisë së shteteve evropiane kanë përfunduar. (Wistrich, 1994, f. 32). Disa nga shtetet evropiane, me histori të tyre perandorake, filluan të mendojnë rreth afrimit të mëtejmë me njëra-tjetrën, për të bashkëpunuar edhe me shtetet e tjera evropiane. Pozita e dobët ekonomike e Francës ndikonte që politikanëve francezë të mos u ofronte alternativë tjetër pos bashkëpunimit më të ngushtë.
Në Konferencën e Mesinës u formua komisioni me përfaqësues të gjashtë shteteve pjesëmarrëse, i udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Paul Henri Spak. Në këtë konferencë, Britania Madhe nuk dërgoi përfaqësues të nivelit të pjesëmarrësit. Pas pak kohësh, Britania e Madhe filloi të kuptojë se Tregu i Përbashkët po bëhej realitet dhe se të qenmit jashtë këtij tregu, për Westminsterin, kishte domethënien e izolimit. Në mënyrë që të ikë nga kjo situatë e pasigurt, Britania e Madhe, në vitin 1960, propozoi themelimin e Rajonit për Tregti të Lirë Evropiane (RTLE), që kishte të bënte vetëm me prodhimet jobujqësore. Anëtarë të kësaj organizate ishin Danimarka, Norvegjia dhe Portugalia, shtete këto që kishin lidhje të afërta ekonomike me Britaninë e Madhe, kurse anëtarët e tjerë – Zvicra, Austria dhe Suedia – ishin tri shtete të tjera që ishin të përcaktuara për njëlloj pavarësie politike apo neutraliteti. Kjo iniciativë nuk pati sukses pasi që u tregua si alternativë e dobët para fuqisë së BEE-së. (Schmieding, 1993, f. 15).
SHBA-të shprehën interesim të madh në lidhje me iniciativën “Euroatom”. Administrata amerikane duke pasur parasysh situatën e rëndë dhe garën për armatim me BRSS-në, ishte e interesuar që në këtë aspekt të ofronte ndihmë. Në Evropë, kishte filluar puna rreth ndërtimit të reaktorëve për të prodhuar energji. Mirëpo, puna kishte filluar edhe rreth ndërtimit të reaktorëve që prodhonin lëndë për armatim bërthamor, për të cilën amerikanët treguan interesim më të madh. Madje, SHBA-të premtuan të bëjnë furnizimin me lëndë të parë të uraniumit. Në një fjalim të tij, kryetari i SHBA-ve, Ajzenhauer, këtë program e kishte quajtur “atom për paqe”. (Nicoll & Salmon, 1990, f. 12). SHBA-të, duke pasur parasysh këtë çështje, ndikuan në drejtim të forcimit të integrimit evropian, nëse këto shtete do të vazhdonin të bashkëpunonin në këtë fushë. Administrata amerikane, nëpërmes ambasadave të saj në Bon, në Bruksel, në Hagë, në Paris, në Romë dhe në Luksemburg, përfaqësuesve të këtyre qeverive ua bëri me dije se Qeveria e SHBA-ve do të ofrojë resurse shumë më të mëdha nëse këto shtete vazhdojnë integrimin efikas të përbashkët. (Slany, 1986, f. 421). Kjo u mundësoi këtyre shteteve që të vazhdojnë me procesin e bashkëpunimit në drejtim të integrimit.
Përsëri, me përkrahje të madhe amerikane dhe pa pjesëmarrje të britanikëve, këto gjashtë shtete, në mars të vitit 1957, në Romë, themeluan Bashkësinë Ekonomike Evropiane (BEE). Me pjesën tjetër të Marrëveshjes së Romës, që hyri në fuqi më 1 janar, u themelua edhe Bashkësia Evropiane për Energji Atomike (BEEA).
Institucionet e reja që dolën nga Marrëveshja e Romës ishin të përpunuara mbi modelin e mëparshëm të BETHÇ. Nga këtu doli Asambleja Parlamentare, Gjykata, Këshilli dhe, në vend të Autoritetit të Lartë, u themelua Komisioni. Një organizim i këtillë institucional ndikoi në dobësimin e lidhjes federale, në të cilën shpresonin Mone dhe Shuman, si dhe përkrahësit e tjerë. Më 1965, institucionet ekzekutive u bashkuan në një organ, i cili u quajt Komision. Duke e përqendruar fuqinë në këto institucione, BEE-së iu mundësua që të startojë në mënyrë radikale. Krijimi i tregut të përbashkët dhe i shërbimeve të përbashkëta u tregua si projekt i rëndësisë së madhe ekonomike. Kjo marrëveshje hoqi pengesat, siç ishin: tarifat, kuotat dhe pengesat e tjera që më parë ndikonin në zvogëlimin e sasisë dhe të shpejtësisë së lëvizjes së mallrave ndërmjet këtyre 6 shteteve anëtare.
Përfundimi
Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, BEE-ja u ballafaqua me një numër problemesh. Nga viti 1957 deri në vitin 1962, punët shkuan kryesisht mirë. Gjatë kësaj kohe, Franca ishte më tepër e angazhuar me problemin e Algjerisë, prandaj më pak i dilte kohë që të shikonte kah Gjermania. Pas përfundimit të problemit algjerian, pikëpamja e De Golit ndaj intergrimit të mëtejmë evropian ra në kundërshtim me konceptin mbi të cilin ishin vënë bazat integruese evropiane dhe kjo çështje nuk reflektohej pozitivisht në përparimin e paraparë. Mes De Golit dhe Adenauerit u paraqitën mospajtime konceptuale. Ky rivalitet ndikoi që Franca dhe Gjermania të mos shihen si themeli kryesor në konstruktimin e mëtejmë të integrimit evropian.
Në zhvillimin e integrimit të deritashëm evropian janë dy emra të dy francezëve që kanë ndikuar më së shumti. I pari, dhe gjithmonë më i rëndësishmi, mbetet Zhan Mone, kurse si personalitet i dytë mund të konsiderohet Zhak Delor. Emri i De Golit dhe i Margaret Theçërit përmenden në rastet kur, nën ndikimin dhe nën veprimin e tyre, ngecte zhvillimi i integrimit evropian. De Gol dhe Theçër ishin nacionalistë dhe që të dy ishin të mbështjellë me vellon e sovranitetit nacional. Pas Marrëveshjes së Romës, u paraqitën dy kriza, të cilat penguan seriozisht zhvillimin e integrimit. Që të dy këto kriza lidhen me emrin dhe me pozitën e De Golit. Kriza e parë u paraqit në vitin 1963 dhe pati të bëjë kryesisht me pasojat e refuzimit të De Golit që të pranojë kërkesën e Britanisë së Madhe për anëtarësim në bashkësinë e të gjashtëve. Kriza e dytë u paraqit më 1965, e cila ishte më serioze se e para, dhe që kishte të bënte me bojkotin francez ndaj bashkësisë. Edhe në këtë rast, u vërejt përcaktimi i De Golit që edhe më tutje të tentonte të përkufizonte provizionet sipërnacionale të Marrëveshjes së Romës.

__________________
LIVE YOUR LIFE AND BE FREEE

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 27 Nëntor 2003 13:28
sheki nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė sheki Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me sheki (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: sheki Shto sheki nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto sheki nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 22:14 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Arsimi > bashkesia evropiane per thengjill dhe celik

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.