Indrit
I pandreqshem.
Regjistruar: 01/04/2004
Vendbanimi: I ulur ne zemren e nenes.
Mesazhe: 1814
|
Lubi te pershendes!
SIRENA
Suzana Zisi
Mëngjesi, ishte i kthjellët. E kaltra e qiellit, më kish hyrë thellë në shpirt dhe më mundonte. Kraharori im, ishte i vogël për një hapësirë kaq të madhe. Një rrënqethje më përshkoi të tërin. Një ndjesi e çuditshme, ngjethëse, e frikshme. Diçka jonormale do t'më ndodhte. Pra, s'duhej të nisesha me shokët. Unë jam rob i parandjenjave. Anjëherë ato s'më kanë gënjyer. Po mendoja se ç'gënjeshtër do të më nxirrte nga situata. Në këtë çast, autobuzi erdhi. S'më mbeti tjetër, veç të hipja.
...Jam këtu, midis detit dhe qiellit. I mrekulluar, aq sa s'jam në gjendje ti kthej përgjigje koleges sime që seç më përshpërit.
E quajnë Hera. Është shoqja ime më e mirë. Ka dy fëmijë. Është e martuar me shokun tim më të mirë. Pra, siç e shihni, është dyfish shoqe dhe mike. Njihemi prej kohësh. Megjithëse punojmë në një zyrë, ne flasim fare pak. Jo se s'kemi kohë, por kuptohemi mirë edhe pa folur. Kur është e mërzitur, unë zhdukem nga zyra. Të nersërmen, në vend të përshendetjes, ajo përshpërit :
Faleminderit! Vetëm ti më kupton mua. Ndërsa, kur jam i mërzitur unë, ajo më merr për krahu duke mërmëritur nëpër dhëmbë :
Ku do e pimë atë konjakun? Dhe unë i zbrazem. Ajo më dëgjon me durim pa më ndërhyrë, duke qenë e bindur për magjinë e saj, aftësinë e saj për të qetësuar edhe një gur e jo më një mik të afërt.
Kuptohej mirë me burrin. Ose më saktë, me natyrën e saj të qetë, të bindur, jo kryeneçe, ajo mund të zbuste edhe një egërsirë e jo më shokun tim që ishte djalë i mirë.
Ndonjëherë, dukej sikur diçka e mundonte, e gërryente përbrenda por unë nuk arrija ta pyesja, sepse ajo, duke u zhytur thellësisht në projektin që kishte para, më linte të kuptoja se ishte çështje pune.
Bjonde, me sy të zinj, pakëz më e më e gjatë, pakëz më inteligjente se unë. Kjo pra është Hera.
Ja, u ngrit në këmbë dhe kërkoi të notonim drejt ishullit. Askush s'pranoi, veç meje sigurisht. Notonte bukur, si sirenë. Mes të qeshurave, më tha se më donte shumë dhe se isha për të miku më i mirë. E besova. Ajo s'dinte të gënjente. Filluam garën. Ajo notonte më bukur por jo më shpejt se unë. Në çastin, kur po përpiqej të ma kalonte, ndjeva diçka luspore që më gërvishti keq këmbën. Hapa sytë i tmerruar. O zot, ajo kishte një bisht të gjatë me luspa të shndritshme!!!
Ç'e ke atë bisht?! ulërita.
Fillove të tallesh? Jepi, se edhe dhjetë metra na kanë ngelur. Doli në breg para meje.
E fitoi garën. Dhe, si trofe, mbreti i detit, i fali bishtin. Dola dhe unë. Hera, me një qetësi për tu admiruar, ledhatonte luspat e shndritshme.
Mos u frikëso, - pëshpëriti, - është më se e natyrshme
!
Tashmë ajo ishte nudo, por, në lakuriqësinë e saj, nuk kishte asgjë të turpshme.
Në sytë e saj, lexova një trill, një lojë, një irealitet.
Ndërkohë që unë s'po e mblidhja dot veten, ajo qeshte, tallej. Më acaroi. U ula pranë saj dhe iu luta të ishte pakëz më serioze.
Hera ç'do të bëjmë tani? Ku do të shkojmë më këtë bisht?
Asgjëkundi, - u përgjigj e qetë.
Hera ...!
Mos u shqetëso i dashur. Kjo ndodhi. Duhet ta pranojmë.
Si do t'iu themi shokëve, burrit, fëmijëve, botës?
Asgjë, ne do të jetojmë këtu.
Je mirë nga mendja?!
Do të ikësh? Ik. Por do të pendohesh. Kam qenë edhe herë të tjera këtu, por, bisht s'më ka dalë, ti e di mirë. Pse pikërisht, sot, me ty?
Ç'do të thuash?
Dua të them që, po ke ndër mend të ikësh, ik që tani. - dhe sytë e saj u mbuluan nga lotët.
Asnjëherë, nuk kisha përfytyruar të isha diçka më shumë për Herën. Asnjëherë, nuk e kisha menduar ndryshe. Kurse ajo, këmbëngulte natyrshëm, sikur të gjitha këto t'ia kishin parathënë fatat.
U krodha në det. Më pas edhe ajo. Fillova të notoj drejt bregut, duke qenë i sigurt, se ajo do të më ndiqte pas. Mu mbështoll rreth trupit dhe filloi të qante. Trimëria, zgjuarsia, burrëria, para lotëve të një femre, humbasin.
Iu luta të vinte me mua. I thashë se s'ishte faji i saj, se bota do ta kuptonte.
Jo. Askush s'ka për të më kuptuar. Do qëndroj këtu. Dhe duke dënesur pëshpëriti:
S'më kuptove as ti, ti ...! Dhe u zhyt në fund të detit.
Mora frymë thellë, dhe, në kohën që u bëra gati të zhytesha për ta shpëtuar, më doli gjumi
O zot !!! Sa mirë që është ëndërr. Ëndërr...
Ora është 6:00. Pas një ore, jam i sigurt që s'do ta gjej në zyrë. Ajo është atje në fundin e detit. Sirena Herë, ndoshta shpreson se do e ndeshë ndonjë ditë shtrigën e detit, dhe, në këmbim të dashurisë, ti japë përsëri këmbët, që i humbi në ëndrrën time. Jo! Sirena Herë, s'ka për ta takuar kurrë atë. Shtrigën, e kam kyçur, në një nga qelitë më të errëta të zemrës sime dhe s'kam për ta lëshuar, me gjithë lutjet e saj të përjetshme. Ëndrra ime e vrau Herën, e mbyti atë. Sepse, patjetër, me çdo kusht, ajo, s'duhet të hyjë në botën time.
Ajo është atje, me bishtin e gjatë, e hijshme, e butë, e denjë vetëm për fundin e detit
!
__________________
Duro, duro...
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|